SHKRUAR NGA RAMIZ LUSHAJ
Episode nga jeta luftëtare e kombëtarit Brahim Bajram Nokshiqi, dekorue nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me dekretin nr. 547, më 3 qershor 1993 me Urdhërin “Për Veprimtari Patriotike” të Klasit të Dytë
PUSHKA E BRAHIM BAJRAMIT NË QAFË TË ÇAKORRIT
1.
Dy kushërinjtë mekulas, Brahimi e Rexha, nga stani në Vraçevës tue u djerg për në Nokshiq, në kapërcim të Qafës së Çakorrit, pak pa e trupue pyllin e Janicës, bien në pritën e pabesë të shkijeve nga Radenjava e Velikës.
Krisi pushka në pritë. Jehoi vendi përrreth.
Njani nga dy shkijet velikas, prej nga prita e zezë mbrapa gurit, e qëllojnë trimin Rexhë Mekuli, i cili dha shpirt me armë në dorë dhe prej gjakut në gojë nuk mujti me shqiptue veç një fjalë të vetme: “Amanet…”.
Ndoshta amaneti i tij ishin Nokshiqi në Ultinën e Limit apo hakmarrja ndaj atyne shkijeve gjakatare. Sidoqoftë, për të dyja amanetet e mundshme të djalit të mixhës së tij, të shokut të tij të ngushtë, ka luftue deri në fund të jetës trimi i maleve shqiptare, Brahim Bajram Nokshiqi.
2.
Në pritën e pabesisë velikase Brahim Bajram Nokshiqi e mori një plagë në trup dhe u shtri përtokë si i vdekun. Vetrrokulliset përgjatë shpatit të Jenicës. Bie në një gropë, pas një lisi.
Në ato minuta del shkjau nga pozicioni i pritës pas një guri të lmuet për me pa nëse Brahimi jeton apo ka vdek nga plumbat, mirëpo ky trim i flaktë, ndonëse i plagosun, po rrinte në gatishmëri shenjtare. E shkreh armën drejt e në gjoks të shkjaut velikas, të cilin e përcjell pa frymë për në botën tjetër.
Shkjau tjetër e pa shokun e vet që ra përmbys pa pikë shpirti, prandaj e nxori bomben e ta gjuajti në drejtim të Brahim Bajram Nokshiqit. Fatmirësisht, lisi i madh si parapritë natyrore dhe gropa e thellë si mburojë e rastit, e pështuan pa e damtue fizikisht, pa ia marrë jetën.
Bomba shpërtheu zhurmshëm dhe bani tymnajë të madhe përrreth. Shkjau velikas, i sigurtë në vetvete se e ka vrarë trimin shqiptar të derës së Bajram Hysit të Nokshiqit, e la pozicionin e tij strategjik.
Trimi Brahim Bajrami nga gropa pranë lisit, përmes tymnajës së pluhurtë, e vrojtonte shkjaun velikas dhe kur i doli në shteg e në thep të pushkës e qëlloi për vdekje.
3.
Luftëtari i lirisë kombëtare, Brahim Bajram Nokshiqi, me plagën e lidhun në pozicionin luftarak, mbasi maturon se nuk ka shkije të tjerë në atë pritë të përgjakshme, çohet në kambë e vijaecë nëpër vendin e betejës.
Rexhë Mekuli kishte mbetë me fytyrë nga dielli, me shallin e bardhë, gojë, musteqe e mjekër të përgjakun, me armë të shtërngueme fort sa menxi me ia hjek prej dore. Brahimi ia puthi ballin kushërinit trim, shokut të tij të zemrës e armëve, ia rregulloi trupin e pajetë pranë rrugës së kalit, në një roginë me barë mali.
Dy shkijeve të vdekuna iu shkoi pranë, i ktheu për së mbari sipas zakonit të luftëtarëve shqiptarë dhe ua mori armët.
Niset rrugës për në bjeshkën e Vraçevës.
4.
Kur ngjitet në Qafë të Çakorrit e theu një degë lisi dushkajë dhe tek një çufërr në skej të rrugës i mshefi ato tri pushkë e një pjesë të madhe të municionit të tyne.
Fuqitë e trupit nisin me lanë trimin e betejës, sepse kishte derdhë gjak. Ende plaga e lidhun me shaminë e bardhë të kokës i kullonte gjak. Ai ecte si një legjendar.
Në Qafë të Vraçellës nuk mujti me shkue ma andej. Me pushkën e vet qiti tri herë në ajër si sinjal kushtrimi për bjeshkën e vendlindjes së tij, për trimat e vllaznive nokshiqase që kishin dalë për verim.
5.
Mashkujt nokshiqas, të gjendun asokohe në bjeshkë, shpejtojnë për në Qafë të Vraçevës dhe aty e gjejnë Brahim Bajramin të plagosun, të shtrimë përtokë nga humbja e gjakut dhe ecja e sforcueme.
-Shkoni rrugës për Nokshiq. Aty, në afri të Qafës së Çakorrit, ka mbetë Rexhë Mekuli… Në rrugë do të gjeni një degë lisi, e aty afër i kam lanë tri pushkë: njana e Rexhë Mekulit, dy të tjerat janë të dy shkijeve të Velikës… – iu tha Brahim Bajrami nokshiqasve të vet.
Luftëtarin Rexhë Mekuli e varrosin në Qafë të Vraçevës me të gjitha nderimet që i takojnë një trimi që jep jetën për kombin shqiptar.
Nokshiqasit iu çojnë fjalë në Velikë për dy shkijet e vrame në Qafë të Çakorrit, të cilët vijnë e i marrin për t’i varrosë në fshatin e tyne, që dikur ishte e banueme nga shqiptarë etnikë.
Mashkuj kelmendas të Nokshiqit, me fizikë të fortë, e marrin Brahim Bajramin e plagosun dhe e çojnë me vig në Haxhaj (Kuqishtë) e prej aty, me një makinë e përcjellin drejt e në qytetin e lashtë e të ri të Pejës. Qëndroi dy muaj në spital. Pas shërimit e marrin me kali deri në Nokshiq të Plavë-Gucisë, në vendin ku lindi e u rrit si luftëtar i lirisë kombëtare shqiptare.
BRAHIM BARAMI, KY TRIM DAI, ME TRE PLUMBA NË TRUP TË TI’
Kushtim nga poeti tropojas, Isa Breçani, pwr Brahim Bajram Nokshiqin
N’Plavën trime ku kalon Limi,
Legjendarë shtrihet Nokshiqi.
Ballë për ballë me Velikën,
Kurrë prej shkaut s’njoftën frikën.
Në Plavë-Guci larg i shkoj zani,
Ty po të këndojnë Brahim Barami,
N’kapuç të bardhë, tirqë, jelekë,
Hije i kishin armët në brez.
Shokë të pandarë të Brahim Baramit:
Ker Sadria i Sadri Bardhit,
Rizë Zymeri i Zymer Selmanit,
Mulla Agani, Jemin Arifi,
Hysen Hoxha prej Koloshini.
Tuj ndjek hasmin në fusha e në male
Luftë pas lufte deri në Karpate,
Brahim Barami, ky trim dai,
Me tre plumba në trup të tij’.
Dera e nderit dhe e lavdisë.
Lamtumirë Plavës-Gucisë.
Për me i pshtue tmerrit t’Serbisë
Ja kanë mësy tokës Shqipnisë.
Shumë vështirë kaluan kufinin,
Për në Malësi morën drejtimin.
Në fshatin Llugaj të Krasniqes
U vendosen këta trima të shqipes.
E kanë ruajt identitetin,
N’tanë Malësi e gëzojnë respektin.
Kurrë s’harrojnë nderin e t’parit,
Të Balisë e të Brahim Baramit.
Brahim Baramin e kanë në zemër,
Nuk la djalë, por të madhin emën.
SHKAMBI I VUJKIT PO USHTON, BRAHIM BAJRAMI PO LUFTON…
1.
Shkambi i Vujkut në ato lartësi alpine shqiptare përngjan si një monument natyror e historik i padrejtësive të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913) dhe në Konferencen e Paqes në Paris (1919) që e çkyen Shqipërinë Etnike në hartën e Ballkanit në mes shteteve sllave e helenëve. Në trupin e tij të gurtë thikton vija e kufinit ndërkombëtar të ndamjes së Shqipërisë Natyrale në tre shtete të sotme: Shqipëria (Tropoja), Mali i Zi (Plavë-Gucia) dhe Kosova (Deçani), të cilat qyshse në antikitetin klasik ishin me popullsi etnike shqiptare, banoheshin nga fiset e lashta ilire të Autariatëve e të Dardanëve Alpinë.
Luftëtari kombëtar Brahim Bajram Nokshiqi i ka ba në vitin 1918 dy beteja epope kundër sllavëve (serbë e malazezë) tek Shkambi i Vujkut: herën e parë përkrah me kusherinin e vet, me dëshmorin Sadri Metë Nokshiqi, dhe herën tjetër krejt i vetëm.
Ky, Shkambi i Vujkut, duket sikur mban emnat e luftëtarëve të saj mekulas, të Brahim Bajram Nokshiqit dhe të Sadri Metë Nokshiqit, që kanga historike i përjetëson si “dy gurë” historikë mbi trupin majalartë të tij, si “dy piketa” përmendore të lavdisë së tij shqiptare. Kanga historike dëshmon se rënia heroike e Sadri Metë Nokshiqit në Shkambin e Vujkut ka mbetë në memorien e bjeshkëve, jehon në motmotet e tyne:
Mbi Shkamb të Vujkut, n’ato shkrepa.
Pashë dy gurë si dy piketa…
Sa shumë larg mendjen e treta,
S’mund u ndala, bjeshkët i dveta.
-K’tu ka ra, m’thanë, qa’i Sadri Meta.
Dy betejat e Brahim Bajram Nokshiqit në Shkambin e Vujkut më 1918 kanë hyrë me madhështinë e tyre epike në kangën historike:
Shkambi i Vujkit po ushton,
Brahim Bajrami po lufton…
Shkambi i Vujkit ç’ka s’i dridhet?
Brahim Nokshiqi i gjallë nuk lidhet.
Dy mekulasit e Nokshiqit, Brahimi dhe Sadria, përveçse kusherinj të në zjermi, ishin edhe shokë të shpirtit e bashkëluftëtarë të armëve, që në gjithato beteja historike morën pjesë bashkarisht.
Sadri Metë Nokshiqi i Bradozhnicës u shpall “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 153 të datës 26 dhjetor 1987 të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tropojës, ndërsa Brahim Bajram Nokshiqi nuk ka një dekoratë të vetme, të paktën në kohën e demokracisë.
2.
Luftëtarit të lirisë Brahim Bajram Nokshiqi ia njihnin trimëritë edhe malet alpine shqiptare kur luftonte si kaçak kundër sllavëve, bashkë me të vllain, Bali Bajram Hysin, legjendarin e kufinit shqiptar për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë; me Sadri Metën e Selim Hajdarin e Mekulëve; me Imer Maliqin e Zymer Maliqin e vllaznisë Buçaj të Nokshiqit; me Hysen Hoxhën e Kolashinit; me Kerr Sadrinë, Halil Ukën e Smajl Bekën nga Rugova; me Peqi Arifin e Emin Arifin nga Plava; me Azem Mehmetin nga Arzhanica, etj.
Atdhetari Brahim Bajrami ishte disa bashkëluftëtarë të çetës në Rugovë kur i erdhi fjala tek e motra në Kuqisht se i ka vdek vllai, Mujë Bajrami në Llugaj. Menjëherë, me kusherinin e vet mekulas, trimin Sadri Meta, nisen për në Shqipërinë Londineze.
Sapo mbrrijnë tek Shkambi i Vujkut bien në pritën e ngritun nga sllavët serbo-malazezë. Lufta ndizet e rreptë. Dy shqiptarët nokshiqas përballen si heronj në tri orë luftë me shkijet.
Kombit i shtohet edhe një hero i ri – Sadri Meta, që akti i tij mbeti në histori, në kangë, në kujtesën e brezave.
Në tetona bjeshkët gjama nisi,
Na u ka vra Sadri Nokshiqi.
Kur po don shpirti me i dalë,
Sadri Meta po e flet nji fjalë:
-S’kam lanë çikë e s’kam lanë djalë,
Shqypnisë jetën ja kam falë!
Thuejni nanës mos kaj për djalin,
Kam dhanë jetën me mbrojt’ vatanin.
3.
Brahim Bajram Nokshiqi e vazhdoi luftën i vetëm. E vrau njanin prej shkijeve aty afër dhe ia mori armën. Një tjetër u plagos. Pas tre orësh luftë e çan rrethimin. Kalon kufinin. Shkon në Bradozhnicë tek Ibër Meta. E ngushëllon për vdekjen e të vllait, Sadrisë dhe ia rrëfen ngjarjen e dhimbshme se si i vëllau mbeti i vrarë në kufi. Ia kallxon edhe pushkën e shkjaut të vrarë.
-Nuk ia paske marrë gjakun kusherinit tand. Duhej t’i kishe vrarë tri shkije për t’ia marrë hakun tamam – e lëshon fjalën Ibër Meta i Nokshiqëve të Bradozhnicës.
Kaq u desht. Një trim si Brahim Bajram Nokshiqin nuk po e mbante toka . Kjo fjalë e kishte peshën e qiellit për këtë burrë të derës së Bajram Hysit të Mekulëve, që luftoi heroikisht në Betejën e Nokshiqit (1879-1880) dhe u martirizue nga sllavët gjakatarë e kriminalë për mos me ndrrue identitetin e tij (1912).
-Ibër Meta, merre pushkën e vllait ose atë të vllait e të ikim me ia marrë hakun Sadrisë…Ishalla na ecë mbarë…- i shprehu gadishmërinë Brahim Bajram Nokshiqi.
Familja nokshiqase e Metë Smajl Mekulit u largue nga vendlindja e tij nga përndjekjet e serbëve e të malazezëve, pasi kishin një veprimtari të lartë kombëtare, ishin luftëtar të vendosur përjetsësisht kundër sllavëve. Në një kangë për dëshmorin Sadri Meta lëshohet mallkimi mekulas ndaj sllavëve për genocidin e spastrimin etnik të përgjakshëm të Nokshiqit, që i detyruan me u shpërngul në Bradozhnicë të Malësisë së Gjakovës:
Moj Serbi t’lënça mallkue,
Prej vendlindjes na ke çue,
Na i dhe rrugët me rob’ e fëmi,
Për flakë t’pushkëve kalojmë n’ kufi…
Sadri Metë Mekuli i Nokshiqëve, bashkë me luftëtarët e tjerë të lirisë shqiptare si Brahim Bajram Nokshiqi e Bali Bajram Nokshiqi, Azem Mehmetin e Arzhanicës, Kerr Sadrinë e Rugovës, Hysen Hoxhën e Kolashinit, etj. i gjeje në të gjitha viset shqiptare: sa në Malësi të Gjakovës e në Plavë-Guci, sa në Rugovë e Pejë, në Shkodër e Deçan, etj.
Plot shtatë javë ishte në Tale të Lezhës me disa nga shokët e tij luftëtarë si Bali Bajram Nokshiqi, Hysen Hoxha – Kolashini, etj. për të organizue me “muhaxhirët” e Limit e të Moraçës të ardhun në Shqipëri pas luftërave ballkanike një luftë të armatosun kundër Malit të Zi për çlirimin e tokave shqiptare si të Plavë-Gucisë, etj.
Sapo u kthye në Bradozhnicë, qyshse të nesërmen, Sadri Metë Smajli i Bradozhnicës teksa udhëtonte me Brahim Bajram Hysin drejt Llugajve të Malësisë së Gjakovës ranë në përpjekje luftarake me shkijet, siç e ka përjetësue edhe kanga:
Mbas 7 javësh me shokët e ti,
Nisën djemtë prapë për në kufi.
Veç nji natë e bani në shpi.
Kërcet pushka n’vijë kufini,
Hiç Sadrisë s’i trembet syni.
Shteg në shteg e gurë mbi gurë,
Bash si shqipja mbi flamur…
4.
Dy trima luftëtarë, dy kushërinj të shpirtit e sakrificës, Brahim Bajrami e Ibër Meta, u udhanisën nga Bradozhnica e dolën andej nga lumi i Gashit, kah kulla e Mujë Hoxhës. Aty Ibra u sëmurë shumë randë dhe nuk mundte me ecë astenjë hap ma andej drejt Shkambit të Vujkut. Qëndroi tek një stan në Goizhnjan.
Brahim Bajram Mekuli, i vetëm, i armatosun, i vendosun, e kalon kufinin shqiptaro-shqiptar tek Shkambi i Vujkut në bjeshkët alpine dhe i avitet vendit ku ishte vra nga plumbat e shkijeve kushërini, shoku e bashkëluftëtari i tij, Sadri Meta. Pret aty derisa del drita.
Plani i Brahimit ishte për të krye sulmin në kohën e ndrrimit të rojeve, kur vëmendja e tyne nuk është aq e përqëndruar përreth Shkambit të Vujkut. Fati e solli që njëri nga rojet në patrullim të largohej pak nga pozicioni i tij për nevoja vetjake. Ia gjuan rastin e volitshëm kur shkjau edhe pushkën e kishte mbështetë mbi një gurë dhe ia ngulë thikën mbas veshit dhe e lenë dekun në vend. Ia merr pushkën me gjitha armatim e del mbi pozicion. I ndjek nga larg veprimet e dy ushtarëve të tjerë në vrojtim. Rreth një gjysëm ore qëndroi në pritje.
Një nga shkijet merakoset për shokun e tij të larguem dhe i thërret në emën. Asnjë përgjigje.
Brahimi prej nga pozicioni e shenjon rojen në lëvizje, i cili bie përtokë i vdekun.
Shkjau i tretë, me sa duket ishte duke fjetë, i hutuem nga krisma e kap armën po Brahim Bajrami nuk i falë kohë se të shtënat e tij ia marrin jetën.
Kjo betejë hyri në kangën e popullit:
Ka më shkove e ka më ike?
Nuk më shpëton gjallë ti shkja Velike
Coft përtokë shkajun na e qiti.
Hollë po qet Brahim Nokshiqi.
Sa herë qet’ ka’i shkja e vret…
Brahim Bajrami i merr pushkët e tri shkijeve të vrame nga dora e tij dhe niset drejt Bradozhnicës dhe ia dorëzon Ibër Metës.
-I vrava katër shkije për kushëririn tim e vëllaun tënd…- i kuvendon Brahimi dhe, pas pak, niset drejt Malësisë së Gjakovës.
5.
Kjo ngjarje mori jehonë ndërkombëtare, si në Shqipërinë Londineze, në Mbretërinë Jugosllave dhe në kancelaritë e huaja të akredituara në Shkodër, Çetinë, Prizren, Beograd…
Qeveria e Mbretit Nikolla i Parë i Malit të Zi dhe ajo e Pjetrit të Parë të Serbisë i çuan notë proteste Shqipërisë për vrasjen e katër ushtarëve tek Shkambi i Vujkut. Me të gjitha format e mjetet, me postë e tel dhe me korierë, me shpejtësi e rreptësi vjen urdhëri:
-Të arrestohet Bali Bajrami ku të gjendet për krimet e kryera tek Shkambi i Vujkut.
Pse akuzohej pa faj Bali Bajrami? Dihet. Ai ishte tmerri i shkijeve, aqsa emni i tij kishte hyrë edhe në kanalet diplomatike, edhe në skedat e zeza të sllavëve të Malit të Zi e të Serbisë, sepse kishte një veprimtari kombëtare të pandalun qyshse në vitin 1912 kur luftoi përkrah forcave të Bajram Beg Currit, Gani Beg Kryeziut etj. në mbrotje të krahinës së Plavë-Gucisë në tetor 1912, ishte pjestarë i “Dërgatës së Pavarësisë” (bashkë me të vllaiun Mujën) në nëtor 1912, etj.
6.
Për fat të mirë, pikërisht në këtë ditë të vrasjes sëkatër shkijeve tek Shkambi i Vujkut, Avdyl Qerim Mulosmani i Fangut e kishte thirrë Bali Bajramin e Nokshiqit në dasmën e djalit të tij, Rrustem Avdyli. Aty ishin gjithë krerët e Malësisë së Gjakovës e të trevave përrreth. Numri i të thirrunëve në dasëm ishte aq i madh, saqë ishin pre dy kije.
Xhandarrët erdhën në Llugaj me e arrestue Bali Bajramin tek kulla e tij. Ata e akuzonin se para gjashtë ditësh kishte vrarë katër shkije tek Shkambi i Vujkut.
-Atë ditë jam kanë në dasmën e djalit të Avdyl Qerimit. Janë dëshmitarë gjithë burrat e Malësisë – iu tha Bali Bajrami.
Xhandarrët e çan Balinë në Kolgecaj.
Brahim Bajrami del menjëherë tek Avdyl Qerimi e Sali Mani në Fang të Bujanit dhe iu kallxon për Balinë që e kanë marrë xhandarrët, iu kallxon për akuzën e ngritun kundër vllait të tij.
Atëherë çohen këta dy burra të bajrakut të Krasniqes e dalin në Kolgecaj e lëshojnë dy deklarata se në datën që akuzohet ka qënë i thirrun në dasëm tek Avdyl Qerimi. Këta e lëshojnë edhe një deklaratë tjetër “në emën të Malësisë së Gjakovës”. Kjo iu transmetue menjëherë qëndres.
Bali Bajrami, pas 24 orëve, kthehet në kullën e tij në Llugaj.
NË NGRITJEN E FLAMURIT KOMBËTAR SHQIPTAR NË PLAVË-GUCI
1.
Më 19 prill 1941, pas pushtimit të Jugosllavisë njësi italiane të motorrizuara u ngjitën rrjedhës së Limit deri në qendër të komunës së Gucisë, ndërsa forca të shkatërruara të Rregjimentit 48 Jugosllav që i sulmuan ashpërsisht trevat shqiptare deri në Shkodër po iknin maleve edhe nëpër krahinën e Plavë-Gucisë duke iu ra në besë shqiptarëve për t’i përcjellë kryeshëndosh prej territoreve të tyre. Lajmi se “Plavë-Gucia do ta ketë kryeqytetin e vet në Tiranë dhe jo në Kotorr dhe as në Beograd” duket se e solli më shpejt edhe pranverën në natyrë e në shpirtrat e malësorëve etnikë, sepse sllavët në dy dekadat e fundit sidomos më 1912-1913 e më 1919 kishin krye masakra të pashembullta genocidiale ndaj tyne.
Dy vllaznit mekulas, Brahim e Bali Nokshiqi, kishin njohuri të prejkohshme e të ditës për ngjarjet e pritshme në trevën etno-historike të Plavë-Gucisë, prandaj mbramja e 19 prillit 1941 i gjeti në Nokshiq. Ata shkuan në vendlindje bashkë me gratë e tyne, ndërsa në Llugaj të Malësisë së Gjakovës e lanë vllain tjetër, Halil Bajram Nokshiqin, me u përkujdes për njerëzit e tjerë të kullës së tyre të madhe, për pasuninë e tyne në mallë, bagëti, etj. Aty, në kullën nokshiqase, në oborr e saj, e ndezën një zjarr të madh që dukej prej hejcekuhit, që simbolizonte faktin ndritës se djemtë e Bajram Hysit kishin ardhë tek trualli i vet në brigje të Limit. Sllavët kolonizatorë të pas 1912-tës ikën siç kishin ardhë, Kullat e tyne mekulase po nxirrnin prapë tym në qiellin e kohës, do të përkundnin prapë djepe në derën e saj, do të dilnin nga pragu i saj djem e çika luftëtare për lirinë e pavarësinë kombëtare shqiptare. Ato pak shtëpi të vllaznive Mekuli, Buçaj, Mehaj e Selimaj të mbetuna në Nokshiq, sipas traditës së lashtë shqiptare, iu erdhën tek dera e kullës me iu urue mirëseardhjen në kullën e tyne historike.
Nacionalisti i shquar, “Vigani i Malësisë së Madhe”, Prekë Cali nga Selca e Kelmendit, i vllaznisë Hasanaj, mburojë e hekurt e trojeve etnike shqiptare, që “gjatë kohës së okupacionit italian me 500 vullnetarë e ruante kufinin e rendin në Kelmend”, më 20 prill 1941, në lindje të dritës po i zgjon bjeshkët alpine, pasi kishte ardhë me luftëtarë të tij vermoshas në Guci dhe iu shtue e përforcue vendimeve e gëzimit të madh të asaj dite historike dhe i tmerroi shkijet kolonizatore në Plavë e Guci dhe kryeqëndrat sllave të pushtuara nga italianët: në Çetinë e në Beograd.
2.
Të nesërmen, më 20 prill 1941, kur dielli lëshoi rrezet mbi liqenin e Plavës të dy djemtë e Bajram Hysit të Mekulëve, Brahim e Bali Nokshiqi, ndalën hapat tek kuvendi i madh në qytetin e Gucisë. Burrat lisa të Plavë-Gucisë u çuen në kambë dhe vendi u ba lisnajë e gjallë e fjalashëndetet e tyne i mori jehonshëm lugina e Limit.
Nacionalisti Brahim Bajram Nokshiqi njihej në Rrafshin e Dukagjinit e në Malësi të Madhe për aktivitetin e tij luftarak me çetat vullnetare shqiptare të Plavë-Gucisë e të Rugovës, për betejat në Qafën e Çakorrit dhe në Shkambin e Vujkut, ku luftoi edhe i vetëm e fitimtar kundër shkijeve, etj. Për meritat e tij të larta Presidenti i Republikës së Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha, e ka dekorue në vitin 1993 me Urdhrin “Për veprimtari patriotike” të klasit të dytë, së bashku me Shaban Bajraktarin (Hasangjekaj), Medi Ferrin, Bejto Plavën, Emin Rexhepagaj, Rexha i Vogël, Lush Balidemaj, Hasan Bajri i Nikoçaje, Bajram Musa Dedushaj, Sadik Isufi Kukaj, Hamëz Bruçaj, Fejzo Koja, Halil Et’hemi i Vuthajve, Zog Binaku Çelaj, etj.
Luftëtari Bali Bajram Nokshiqi, bashkë me vllain e madh, Mujë Bajramin, kishte qënë një ndër pjesmarrësit e “Dërgatës së Pavarësisë” në nëntor 1912 për në Vlorë të prirë nga strategu qëndrestar, Isa Boletini. Ishte një nga pjesmarrësit në Kryengritjen e Përgjithshme të Vilajetit të Kosvës deri në Shkup (gusht 1912). Dy trimat mekulas, vllaznit nokshiqas, Muja dhe Balia, morën pjesë në luftën për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë, në mes të tetorit 1912, përkrah mbi 3.000 forcave shqiptare vullnetare të kazasë së Gjakovës të udhëhequna nga tribunali kolonel Bajram Beg Curri, Riza Beg Kryeziu, etj. Balia mori pjesë në aksione të ndryshme të çetave kaçake kundër sllavëve në Plavë-Guci, Rugovë, Kolashin, Malësinë e Gjakovës, etj. Kanga popullore historike e jep qartë portretin e tij:
Bali Bajrami me degët e lisit,
Emër t’madhe i lanë Nokshiqit.
Nga një luftë në një tjetër,
Tuj i zbardhë fytyrën kullës vjetër…
Politikani atdhetar, Shemsi Ferri i derës së legjendare Ferraj të Plavës, në atë kuvend burrash iu drejtue Bali Bajram Nokshiqit:
-Thuaje një fjalë, o djali i Bajram Hysit të Mekulëve, se shembulli i babës tand e shokut tem na ban me i ndejt drejt në kamb Flamurit Shqiptar, na ban me e mbrojt ma fort tokën e traditat e Plavë-Gucisë.
-T’u rrittë ndera, o Shemsi Ferri i Kuçit, po edhe Jakup Ferri i ka mbajt në kambë këto male në Luftën e Nokshiqit. Na dy djemtë e Bajram Hysit që kena ardhë në këtë mexhlis, Brahimi e unë dhe vllai tjetër, Halilin, në Malësi të Gjakovës, jena të besatuem me këto troje tonat me e dhanë jetën si Jakup Ferri, si Ismail Nikoçi, jena të besatuem me luftue deri në mashkullin e fundit, të primë nga bajraktari ynë i Arzhanicës, Xhemë Arif Tahiri…
Kjo fjalë e Bali Bajram Nokshiqit në atë kuvendim të 20 prillit 1941 në Guci u mirëprit nga të gjithë ata burra të historisë shqiptare të Plavë-Gucisë.
3.
Pas pak, të gjithë ata burra lisnajë u çuen në kambë. Ishte eveniment historik. Po ngrihej në mënyrë ceremoniale Flamuri Kombëtar Shqiptar bash në godinën e komunës së Gucisë.
Aty, përreth Flamurit, u tubuan të përzgjedhunit emblematik: Prekë Cali (kryeluftëtar, i ardhun nga Vermoshi i Kelmendit) dhe Shemsi Ferri i derës së Ferrajve të Plavës, bajraktari i Arzhanicës, Xhemë Arifi (bajrak i Ultinës të Sirme të Limit, gjeografikisht -ma i largëti i krahinës), Shaban Ibish Hasangjekaj – bajraktari i Martinajve, Sali Nikoçi i derës së fortë të Ismail Nikoçit të Gucisë, Butë Smajl Ahmetaj – bajraktari i Vuthajve, nga Rexhepagajt e Plavës, Radoniçët e Gucisë, Bali Bajram Hysi i Nokshiqit – i “Dërgatës së Pavarësisë” (nëntor, 1912), Hasan Isufi i Kukajve, përfaqësues nga Hoti i Vendit mbi liqen të Plavës, etj.. Këta i bashkuan duart rreth Flamurit Kombëtar Shqiptar. Kjo në simbolikën e vet tregonte unitetin e krahinës së Plavë-Gucisë.
“Vigani i Kelmendit”, Prek Cali, e ngriti në mënyrë ceremoniale Flamurin Kombëtar Shqiptar në godinën e komunës së Gucisë.
Ky akt i lartë u shoqërue me thirrje entuziaste e të shtëna armësh në ajër.
As kapiteni malazez, Niko Vuçeliq, ashtu sikurse edhe një ditë ma parë në pleqnimin kuvendar të Parisë së Gucisë, nuk shfaqi kundërshti veçse e la detyrën paqësisht.
Askush nga shqiptarët e atyne ditëve nuk po kryente gjakderdhje hakmarrëse ndaj armiqëve të përjetshëm sllavë, por kërkonte të fitonte lirinë e vet prej malazezëve e serbëve kolonizatorë, duke pranue në vend të tyre çdo pushtues të huaj nga Gadishulli Apenin apo Alpet Gjermanike. Fishta i madh, i cili ishte vet në Plavë-Guci vite ma herët kur shkruante homeriaden e tij “Lahuta e Malcis”, si në vllaznitë Mekuli e Buçaj të Nokshiqit anës Limit e në Hot të Vendit mbi liqen të Plavës, tek Rexhepagajt e Ferrajt në qytetin mbi suka të Plavës, tek vende të Ali Pashë Gucisë në qytetin mes gufimeve ujore të Gucisë, na e jep ma së miri këtë realitet faktik të kohës: “Ma mirë i dekun nën dhe m’u kja,/ Se për t’ gjallë me mbet nën shkja”/
Në Kuvendin e plavë-guciasve më 20 prillit 1941 Prek Cali e shpalli solemnisht bashkimin e Plavë-Gucisë me Shqipërinë, ashtu siç ishte në kohën e Luftës së Nokshiqit (1879-1880) dhe të Kuvendit të Junikut (21-25 maj 1912), në këto dy nga ngjarjet epokale që çuan në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorën e Ismail Qemalit.
Në përshendetjen e tij të shkurtër, Isuf Balidemaj i Martinajve, evidentoi historinë kombëtare: “Sot po ngrehet Flamuri në djepin e Ali Pashë Gusis e të Hysen Beg Plavës e Jakup Ferrit që këta burra në vjetin 1878 kur Konferenca e Berlinit Plavën e Gusinë ja lëshojke Malit Zi atëhere Shqiptarët me në Krye Ali Pashë Gusin i kundërshtuen dhe u zhvillue lufta e Nokshiqit, e cila luftë e bani botën që ta nifte Kombin Shqiptar mbasi deri në kët luftë flitej se në Ballkan nuk ka kombë tjetër përveç Serb, Bullgar, Grek e Malazez, tjerët i konsiderojshin si Turq” dhe e mbylli fjalën e tij zyrtare me mirënjohjen publike: “Rroftë Prek Cali ngrehsi i Flamurit në Plavë e Gusi!”.
Disa ditë kanë vazhdue festat e “Flamurit dhe Bashkimit” në krejt krahinën e Plavë-Gucisë, pasi darkave mblidheshin tek njani-tjetri vllaznitë e kojshitë sipas lagjeve e fshatrave e kuvendonin për ditët e ardhshme e për historitë e kullave e viseve të tyne, këndonin kangë me lahutë, etj. Rrallë dëgjoheshin krisma armësh, sepse fishekët duheshin ruajt për ndonjë ditë të keqe, pasi nuk iu dihej sllavëve të pabesë.