Lufta për mbrojtjen e Shkodrës dhe caktimi i kufirit shqiptaro-malazez

SHKRUAN: AV. XHAFER SADIKU

Lufta për mbrojtjen e Shkodrës ka luajtur rol vendimtar në vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër për caktimin e kufirit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Në seancën e 25 janarit 1913 vazhdoi debati për caktimin e këtij kufiri midis ambasadorëve të Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Sipas Rappaport, ministrat e Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe të Foreign Office u tërhoqën vërejtjen Peterburgut dhe Vjenës, se nuk ia vlente barra qeranë që të prisheshin marrëdhëniet austro-hungareze-ruse për kufirin e Shqipërisë.

Megjithë se prej më shumë se një muaj ishte vendosur armëpushimi, diplomatët mendonin që ta linin marrjen e vendimit duke parë zhvillimet e ardhëshme në terren.

Gjatë bisedimeve të 29 janarit, përfaqësuesi i Vjenës deklaroi se“… qeveria e tij rezervohej të kishte një qendrim përfundimtar e të përgjithshëm nga ndryshimet e mundshme në terren”. Me qendrimin e Vjenës u pajtua edhe Roma.

Lenia e fatit të Shkodrës zhvillimeve të ngjarjeve në terren favorizonte Malin e Zi, i cili kishte rezerva të mëdha në armatime e ushqime dhe intensifikoi veprimet në këtë drejtim.

Duke e identifikuar mbrojtjen e qytetit me gjeneralin Hasan Riza Pasha, ai u vra në një atentat.
Pas vrasjes së Hasan Riza Pashes, vali i Shkodrës dhe komandant i garnizonit të qytetit u emërua zevendesi i tij, Esad Pashë Toptani.

Më 5 shkurt 1913 Esad Pashë Toptani u bëri të ditur malazezëve se armëpushimi do të vazhdonte dhe duke firmosur me titullin dhe emrin e tij ai u komunikoi edhe vdekjen e Hasan Riza Pashës. Por malazeztë iu përgjigjën se armëpushimi kishte mbaruar dhe se lufta do të fillonte në tërë frontin.

Të nesërmen filloi sulmi i ushtrise malazeze dhe serbe mbi të gjithë sektorët, i cili vazhdoi ditë e natë pa ndërprerje deri në datën 9 shkurt. Humbjet nga të dy palët ishin të mëdha, por dëmin më të madh e pësuan ushtria malazeze dhe ajo serbe.
Banorët e Shkodrës u derdhën në llogore për të tërhequr qindra të vrarë e mijëra të plagusur.

Humbjet e mbrojtësve të Shkodrës u “kompensuan” me 2000 shkodranë që rrëmbyen armët dhe u rreshtuan përkrah ushtarëve të Esad Pashë Toptanit.

Rezistenca u bë edhe më e fuqishme dhe përballoi sulmet e njëpasnjëshme të kundërshtarëve që do të intensifikoheshin dhe në ditët që do të vinin dhe sidomos gjatë muajit mars.

Duke parë rezistencën e mbrojtësve të Shkodrës, ministrat e Jashtëm të Austro-Hungarisë dhe Italisë, përkatësisht Konti Berchtold dhe Markezi Di Sangiuliano të ndihmuar nga Berlini, intensifikuan “luftën” diplomatike për t’ia lenë Shkodrën Shqipërisë.

Betejat e marsit ishin edhe më të ashpra. Shkodra nuk po binte, ndërsa fuqitë e mëdha kishin humbur shumë kohë duke pritur që ushtria e Malit të Zi dhe Serbisë të merrnin qytetin.

Rezistenca e mbrojtesve te Shkodres beri qe edhe diplomacia ruse te tërhiqej dhe më 22 mars 1913, Fuqitë e Mëdha vendosën që Shkodra ti mbetej Shqipërisë.

Pas humbjesh të mëdha që kishin pësuar shqiptarët që nga shpërthimi i luftës ballkanike, kjo ishte fitore e madhe historike.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top