Lufta e Vraninës dhe akti heroik i Oso Kukës

SHKRUAR NGA NUE BACAJ

Nga 300 kryengritje apo beteja luftarake në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe identitetit, që ka të regjistruara historia e trojeve etnike shqiptare në harkun kohor të rreth dymijë vjetëve, mbi 250 kanë epiqendrën në trojet e Shqipërisë Veriore, apo më saktë Gegnisë. Por brenda trevave të Gegnisë kampion qëndrese e mbijetese janë trevat “binome” Malësi e Madhe – Shkodër, së bashku me Malet e palëkundura të Dukagjinit, Mirditës, e tjerë, ku çdo pjesë e këtyre trojeve përbën një histori të veçantë shqiptarie që brezat nuk duhet ta harrojnë kurrë, nëse nuk duan të harrojnë vetveten… Gjithsesi këtë radhë do të përpiqemi të përkujtojmë një ndër betejat luftarake më famëmadhe të trojeve shqiptare nga lakmitë e fqinjëve serbo-malazezë, që në dokumentet historike njihet me “emrin” Lufta e Vraninës, ku si kulm të saj kishte hedhjen në erë të kullës së barotit nga kryeheroi i kësaj lufte, Oso Kuka, që së bashku me kullën hodhi në erë rreth 200 ushtarë e oficerë malazezë. Gjëmimi i këtij shpërthimi final ishte aq i madh sa tronditi nga themelet sarajet e Kralit të Cetines, por edhe sarajet e kryeqyteteve të Europës plakë që kishin “harruar” se trojet shqiptare, ndonëse të pushtuara nga Perandoria Otomane prej shekujsh kishin Zot, që nuk kishin mundur tja “vrisnin” kurrë…

Pak histori për Vraninën

Ishulli i Vraninës ka ekzistuar të paktën që 2500 vjet më parë. Këtë e dëshmojnë mbetjet arkeologjike të zbuluara shumë më parë, por edhe gojëdhënat e trashëguara deri sot të cilat na dëshmojnë se në ishullin e Vraninës kishte dy tempuj. Tempulli i parë është ai i Teutës (mbretëreshës ilire) dhe tempulli i dytë quhej “Rrasa e Yllit të Bardhë”. Tempujt ndodheshin në dy kreshta të Vraninës, dhe çdo pranverë banorët vendas dhe të zonave përreth liqenit (Shkodrës) ngjiteshin atje dhe thernin bagëti duke i bërë kurbane (ferliqe), duke festuar kështu ardhjen e pranverës. Këto rite u përkisnin riteve pagane që u trashëguan edhe deri vonë pas lindjes së doktrinës kristiane, që vraninasit si gjithë ilirët e tjerë e përqafuan pa mëdyshje. Emri Vraninë deri së “voni” (shek.XIII-XIV) nuk ekzistonte, ishulli kishte emrin “Syni i Liqenit”, ku thuhet se ka ekzistuar një qytezë mjaft e zhvilluar, që mendohet se ishte pjesë e Hotit të hershëm. Në këtë qytezë ka gojëdhëna se kanë banuar përkohësisht edhe prindërit e Perandorit romak me origjinë ilire, Dioklecianit. Emri Vraninë mendohet se ka zëvendësuar emrin “Syni i Liqenit” kur hordhitë aziatike sulmuan e shkatërruan këtë “qytezë” 2000 vjeçare. Përveç dëmeve të ndërtimeve e qytetërimin në këtë qytezë u vranë aq shumë banorë (që mbronin këtë truall shqiptarie) sa filloi të quhej “Syni i Gjakut”. Vrasjet e tmerret vazhduan edhe pas pushtimit osman, por mbi të gjitha u bë qendër ku osmanët grumbullonin e vrisnin të gjithë kundërshtarët e perandorisë, qofshin këta shqiptarë e tjerë ballkanas. Ky vend tashmë filloj të njihej me emrin e vendit ku vriteshin njerëz, madje për shkurt thuhej Vra-njerëz, deri sa mori trajtat e emrit të bashkuar Vranierz, që dalëngadalë shkruesit osmanë, që në përgjithësi paguanin si të tillë rrogtarë sllavë (shkje) e transformuan në emri e njohur Vraninë, duke i dhënë kështu trajtat e një fjale sllave, që më vonë fqinjët malazezë e përdorën si argument për t’i mbushur mendjen Europës plakë se ky ishull strategjik u përket atyre, që gjoja turqit ndër shekuj e kishin “shqiptarizuar”. Ishulli i Vraninës ishte një vend i mrekullueshëm për banorët në të gjitha stinët, ku verimi kishte vlera të mrekullueshme klimaterike. Gjithashtu ishte një vend i përshtatshëm peshkimi dhe pikë kontrolli e “garnizoneve” ushtarake të liqenit dhe zonave përreth… Natyrisht edhe pushtuesi otomanë e shfrytëzoi këtë ishull si “pikë” ushtarake me rëndësi, duke bërë edhe ndërtimet përkatëse…

Lufta e Vraninës

Shekulli i 19-të me zhvillimet e tij futi shqiptarët më shumë se asnjëherë në mes dy zjarresh: perandorisë pushtuese otomane dhe rizgjimit të lakmive grabitqare të fqinjëve sllavë. Perandoria aziatike në shekullin e 19-të në fakt ishte futur për vete në mes shumë zjarresh, si luftërat çlirimtare të popujve që kërkonin lirinë dhe fuqive europiane që ishin rrezik i përhershëm për shembjen e saj. Në këto kushte aziatikët filluan të lëshojnë mjaft nga kërkesat e Europës plakë..Rusia, si një ndër fuqitë e mëdha mbështeste fuqishëm vëllezërit e vet, sllavët e Ballkanit dhe fqinjët e shqiptarëve, për të zgjeruar territoret e tyre nga pjesët e majme të “Turqisë” europiane, që në fakt ishin troje të Shqipërisë etnike. Në këto kushte malazezët fqinjë kërkuan të përfitojnë sa të mundnin troje nga trevat e Shqipërisë Veriore e Veriperëndimore. Pikërisht për të realizuar këto synime grabitqare në qershor të vitit 1862 malazezët ia kishin vënë syrin ishullit strategjik e të mrekullueshëm të Vraninës. Përgatitjet ushtarake dhe ndihmat nga Rusia për Kral Nikollën ishin realizuar dhe nga çasti në çast pritej sulmi mbi Vraninë, por për këtë duhej të gjendej “shkaku”, që natyrisht u sajua pa u vonuar… Shkaku ishte banal dhe thuhej se gratë e shkjeve që banonin në një fshat jo shumë larg Vraninës, kur shkonin në gjini të tyre në një fshat tjetër ushtarët (rojet) kufitare të Vraninës i plaçkisnin dhe i dhunonin, ku për ta paraqitur me nota sa më realiste po citoj pak rreshta nga libri “Shkodra dhe Motet” të H. Bushatit, vëll. I, fq. 512, ku ndër të tjera lexojmë: “… Vendasit e Lesendrës (Leshandrës, N.B.) me ata të Liubotinës kishin krushqi në mes tyre, kur shkonin në gjini, në kthim përcilleshin me perpeqe për në shtëpitë e veta. Në këso rastesh disa ushtarë të Oso Kukës ua merrnin perpeqet grave që po ktheheshin në shtëpitë e veta. Këtë vepër të shqiptarëve burrat e këtyre familjeve e konsideronin çështje nderi… Për malazezët ishte një pretekst çështje e perpeqeve të rrëmbyera prej shqiptarëve, qëllimi kryesor i tyre ishte pushtimi i Vraninës, sepse ishulli i Vraninës ishte i ndarë pothuajse krejt prej Shkodre…”. Në fakt sipas dokumenteve të kohës mendojmë se Oso Kuka në atë kohë ishte komandant i rojeve kufitare dhe për ankesën e Liubotinasve kishte marrë masat e nevojshme të mos përsëriten kurrë më, ndonëse ky mund të kishte qenë edhe ndonjë “improvizim” i vetë malazezëve… Sidoqoftë malazezët fillojnë plaçkitjet dhe raprezaljet mbi popullsinë e Vraninës. Rojet kufitare dhe vendasit e kishin të pamundur të përballojnë cubat dhe ushtarët malazezë. Avdi Pasha (sundimtari i Shkodrës që thuhe se ishte nip i derës së Karagjeorgjeviçëve të Beogradit) nuk kishte ndërmend të dërgonte ushtarë të Perandorisë në mbrojtje të Vraninës, por thërret në Shkodër Oso Kukën dhe i thotë se tash që ti je këtu, malazezët me në krye Vulo Serdarin në Vraninë po vrasin, presin e bëjnë kërdinë, ndërsa nuk paska asnjë shqiptar që shkon për t’i dalë zot këtij vendi… Këtë “situatë” dramatike në mes komandantit trim shqiptar Oso Kukës dhe Avdi Pashës (sundimtarit të Shkodrës) po e paraqes me vargjet e mrekullueshme të At Gjergj Fishtës tek “Lahuta e Malcisë”, vargje që nuk kanë nevojë për asnjë koment:

“Zot, ç’ka thanë njaj Avdi Pasha:
paska mbetë Shqipnia n’vasha,
qyshë se s’leka mbrendë nji djalë,
n’atë Vraninë mue sot me m’dalë,
n’atë Vraninë, n’atë t’zezë terthore,
ku mben shkret sa armë mizore,
ku mben djerrë sa tokë gratçore,
ku mben vathnat pa bagëti,
veç prej cubave të Malit t’Zi,
që po vrasin djelmtë e ri,
që po marrin lopët me viça,
që po presin dhentë me ogiça,
që po djegin kulla e stane,
e po thajnë kaq zemra nane!
……………………………………..
Oso Kuka paska ndi:
paska ndi, po, e kenka idhnue;
… Por i urti kurr nuk ngutet
prej burrnisë e jo prej tutet,
… Avdi Pashë, tha ma kadalë
mos e thuaj dy herë atë fjalë,
se për Dinë e për Imanë,
t’baj që t’kjajnë e zeza nanë…
… Avdi Pasha kenka çue
Osos dorën ka shterngue,
aferim, bre ti Oso Kuka
se ty t’thotë fjala dhe duka,
që ke le një sokol mali
zgjidh ku t’jetë pika e djalit…”

Dhe vërtet Oso Kuka zgjodhi djem trima e pikë sokolash, nga Shkodra, Mirdita, Dukagjini e veçanërisht nga Malësia e Madhe, çeta që krijoi ai thuhej se ishte me 40 vetë që vetëm me i pa dukeshin duhi mali që nuk kishte djalë shkine me u dalë përpara. Ja si i përshkruan At Gjergj Fishta tek “Lahuta e Malcisë”, këta trima që po niseshin në drejtim të Vraninës që me siguri i priste lufta e vdekja e jo dasma:

“… Oso Kuka n’jelek arit,
pash e m’pash po i bjen pazarit,
ngjitë pas tij vjen shpata e dekës,
Soko Tona i Gurit t’Lekës…
… Mbrapa i shkon qa’i i biri i t’mirit
Taro Pëllumbi i Jugumirit.
Mandej vinë dy re mizore,
dy djelmoça prej Zagore:
Kaçel Doda e Kerni Gila,
Rritun mocë si karajfila…
… Po a thua e njeh njatë kimezi,
që e ka ballin si sini,
që e ka synin si duhi
që i ka shpatullat si ari?
Ai asht Çoku i Mar’Kol Dinit
prej Kabashit t’Dukagjinit…
… danë ma në shej njaj Jup Qehaja,
Galo Keqi e Sinanaja,
Vuksan Gjeli e Met Zeneli,
e ndër t’gjith porsi hyllë drite,
Preng Markola prej Mirdite…”

E kështu me rradhë të gjithë trimat që u nisën për Vraninë ishin më të zgjedhurit e të zgjedhurve nga trevat veriore të Shqipërisë, të cilët justifikuan para atdheut detyrën e shenjtë në mbrojtje të çdo pëllëmbe truall të Shqipërisë etnike, e konkretisht të Vraninës historike… Në këtë luftë të shenjtë morën pjesë edhe qindra trima të tjerë malësorë e më gjerë, ku vlen të theksohet trimëria e malësorëve të Hotit e Grudës që në muajin maj (1862) kishin arritur të prisnin 30 koka shkjesh e t’i binin në Shkodër, si shenjë trimërie e qëndrese në mbrojtje të trojeve shqiptare që shkjau po i lakmonte, por edhe po i “paguante” mjaft shtrenjtë. Gjithsesi Mali i Zi ishte tashmë “shtet” që Turqia i kishte njohur pavarësinë dhe vëllezërit serbë e veçanërisht ata rusë po i gjindeshin pranë në synimet grabitqare… Mali i Zi kishte një ushtri të organizuar në numër të konsiderueshëm dhe një teknikë luftarake mjaft moderne për kohën, ndërsa shqiptarët një organizim gati “spontan” që shteti turk më shumë i pengonte se i ndihmonte, i vetmi “element” që organizonte shqiptarët ishte atdhedashuria, amaneti i të parëve për liri e mvehtësi, kushtrimi i trojve tona që ishin të tejngopura me gjak shqiptarësh ndër shekuj.. Megjithë qëndresën e pashoqe të shqiptarëve, Vranina po binte në duart e malazezëve, në këto momente tragjike trimi Oso Kuka, së bashku me rreth 30 burra kishin kaluar në mbrojtje duke hyrë në kullën e barotit. Kulla u rrethua me rreth 3000 ushtarë e oficerë malazezë, thuhet se kësaj ushtrie i printe vetë (Princi) Kral Nikolla. Lufta u ndez në mes qëndrestarëve të rrethuar shqiptarë dhe malazezëve, të cilët u bënin thirrje të dorëzoheshin luftëtarëve me në krye Oso Kukën, por trimat luftonin si luaj malesh, në çdo frëngji e cep të kullës. Oso Kuka, megjithëse u plagos, qëndronte dhe u jepte kurajo shokëve që tashmë i priste vdekja e sigurtë. Populli për këto momente tragjike “ruan” në kujtesën e tij vargjet brilante popullore që ia atribuon se i këndon me lahutë njëri nga luftëtarët e kullës, ndonëse ishte i plagosur:

… Një grusht trima në Vraninë
Osmanllisë nuk duan t’ia dinë,
Luftojnë me Knjaz e me Mbret,
Me nderë e besë për truall të vet…

Në këto momente municioni po u mbaronte, luftimi trup më trup ishte i pamundur, atëherë Osoja me shokë vendosi të hedhë në erë kullën e barotit, ku do të hidhte në erë jo vetëm veten me shokë, por qindra malazezë. Kështu malazezëve do t’u jepte një mësim të mirë se tokat shqiptare nuk lëshohen pa e paguar me gjak, ndërsa trimat shqiptarë nuk dorëzoheshin kurrë të gjallë, por do të vdisnin kur ta lanin veten dhjetra herë. Pasi Osoja “lejoi” që kulla të kishte rreth saj dhe tek dera sa më shumë malazezë, barotit ia vuri flakën, kulla shpërtheu duke marrë me vete rreth 200 ushtarë e oficerë malazezë që së bashku me vetë shqiptarët trima u bënë copa-copa duke u shpërndarë në truall të Vraninës dhe në ujërat e liqenit. Shtëllunga e tymit dhe e flakës u pa deri në sarajet e Cetinës dhe Shkodrës, ndërsa shpërthimi u dëgjua edhe më larg deri tek pallatet e kralnive të Europës plakë, duke u treguar se trojet shqiptare kanë zot, që nuk i lëshon deri sa mbi to të kenë këmbë shqiptari. O Zot, pas kësaj qindra nëna, motra, gra, fëmijë e baballarë u veshën në zi, në Mal të Zi u veshën jo vetëm me rroba të zeza, por edhe me shpirt të zi e zemër të zezë, ndërsa shqiptarët u veshën vetëm me “ruba” të zeza, por me zemra e shpirtra krenarë për bijtë e tyre që i dilnin zot Atdheut…Oso Kuka dhe shokë e tij të dekës ,me ketë akt vetflijues u treguan shkjeve të Malit Zi se trojet shqiptare nuk kanë mbetur as nuk do të mbesin kurr pa djal në voter që u del perzot , ndaj At Gjergj vargëzon fjalet kushtrim të trimit Oso Kuka që u drejtohet nga “qielli” atdhetar shkinave të Malit Zi :

“Eni,eni more shkina ,
Eni, eni te Vranina ,
Mblidhni vetë nepër shpat e përrue
Ehu! kortarët e djelmve tue ;
Edhe mësoni fëmijët mbas sotit
Mos t’lakmojnë tokës të Kastriotit,
Pse u bjenë shtrejtë, qe besa e Zotit!
Njasi gjaku që Oso Kuka
Sot ka derdhur ke ato suka ,
Si për mbret, si për dhe t’parëve
Vëlon se vëlon ndër dej t’shqiptarëve.”

Emrat e pavdekshëm të heronjve legjendarë të Vraninës

Oso Kuka, lindi e u rrit në Shkodër, por paraardhësit e tij ishin nga Marsheji i Malësisë së Madhe, madje për këtë kastratasit krenohen edhe sot. Ai nga viti 1859 sherbente si kapiten i rojeve të kufirit me Malin e Zi… Salë Behri, nipi i Oso Kukës shkruhet se ishte fare i ri, 15-16 vjeç. Musa Golemi, Met Begoja, Ibrahim Kopliku, Pjetër Berisha, Jusuf Bushati, Met Mala, Sadik Lapi, Myrto Zylfoja, Ferid Hoti , Sali Sakica , Sinan Kerni, Gjergj Cemi (Grudjani), Avdi Hisa, Taro Pëllumbi, Mahmut Zyberi , Met Zeneli, Vuksan Gjeli, Gjeto Gruda , Mal Spahia ,Galo Keqi , Çok Mark Kola (Dini), Preng Markola, Sokol Tona dhe dy “retë mizore” prej Zagore (Malësisë së Madhe), Kaçel Doda dhe Kerni Gila, ku malësorët edhe sot jo vetëm krenohen për këta dy heronj, por me kreni tregojnë edhe trojet ku kanë lindur…Këta emra dëshmorësh të pa harruar i siguruam nga disa materiale historike të librit “Shkodra dhe Motet”, v. I, të H. Bushatit, “Oso Kuka”, të S. Krasniqit (roman historik), “Lahuta e Malcisë” të At Gj. Fishtës, Fletë të regjistrave të famullisë Shkrelit (Bzhetë) , si dhe gojëdhënat që qarkullojnë edhe sot në Malësi e në Mal të Zi…Per luften e Vraninës dhe aktin trimeror të Oso kukes me trimat e “tij” ka shkruar edhe studiuesi dhe albanologu Franc Nopça , cili tregon se në keto kohë kur shqiptaret u delnin zot trojeve të tyre ,pushtuesi rreth katë-shekullor Turqia u kishte lënë dorë të lire per të grabitur troje shqiptare fqinjëve ,që ju kishte njohur edhe pavaresinë , madje kur u zhvillua kjo luftë ata ishin në “paqe”me njeri tjetrin. Është interesant se Nopça luften e Vraninës e”vendosë” në muajn shtator ,e jo në muajin qershor që u zhvillua në fakt kjo luftë , gjithashtu ai shkruan se mbrojtesit e Vranines ishin 28 trima me në krye Oso Kuken.(Fiset e Malësisë së Shqiperisë Veriore dhe e Drejta Zakonore e tyre)…Interesant është fakti se regjistrat e famullisë së Shkrelit që u shkatërruan në çmendurinë e komunistëve në vitet 1967-1968, shënonin emrat e dy zogorianëve si të vrarë në Luftën e Vraninës (qershor 1862), por që tashmë mjerisht këto materiale historike nuk ekzistojnë… Lufta e Vraninës vërtetoi edhe njëherë (si qindra herë) se shqiptarët ndonëse ishin me “besime” të ndryshme fetare, kishin vetëm një besim, për t’i dalë zot atdheut, qoftë edhe me sakrificën më sublime, së bashku si shqiptarë që i bashkon shqiptaria… Duke e mbyllur këtë shkrim përkujtimor të Luftës së Vraninës për të nderuar sadopak heronjtë e pavdekshëm që “tronditën” Europën plakë, dhe i zbardhën faqen shqiptarisë, unë nuk po mundem të gjej fjalë më lapidarë se sa vargjet e Poetit Kombëtar, At Gj. Fishta (“Lahuta e Malcisë”), ku për këta heronj të Vraninës “këndon”:

“… Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
butë u kjoftë moti e stina,
aklli, bora e serotina
e deri t’këndojnë n’mal ndo’i Zanë,
e deri t’ketë n’dete ujë e ranë,
der’sa t’shndrisin diell e hanë,
ata kurrë mos u harrojshin,
n’kangë e n’valle por u këndojshin.
E njaj gjak që kanë dikue,
bane Zot që t’jesë tue vlue
per m’i nxe zemren shqiptarit,
për kah vendi e gjuha e t’parit…”

Mjerisht, megjithë qëndresën, luftërat e gjakun e derdhur ne shqiptarëve ndër mote na është dashur të “lëshojmë” troje (si ndodhi edhe me Vraninën), por shpresojmë kurrë zemrën dhe ndërgjegjen kombëtare…

Shënim: Me gjithë perpjekjet e mia per të gjetur datën e sakt të Luftës së Vranines, unë në asnjë dokument, libër të shkruar apo gojëdhënë (të besueshme) nuk e kam gjetur, veçse percaktimin se kjo luftë u zhvillua në muajin qershor 1862…

Referencat:
1.Hamdi Bushati, “Shkodra dhe Motet” Vll.I. ,Shkodër 1998 ,fq.509-514.
2.Sulejman Krasniqi,”Oso Kuka” roman historik , Tiranë 1990…
3.Gjergj Fishta, Lahuta e Malsisë (botim tretë) ,Romë 1991 ,fq.17-62 .
4.Franc Nopça, Fiset e Malësisë Veriore dhe e Drejta Zakonore e tyre , Tiranë 2013 ,fq.78-79.
5.Fletë të regjistrave të famullisë së Shkrelit (Bzhetë) të viteve 1860-1870.
6.Gojdhëna popullore të mbledhura nga autori…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top