Lufta e Gërhotit, një pusi e thurur nga italianët dhe komunistët

Shkruar nga Bajram Golemi

Më 11 shtator 1943 shtabi ushtarak i forcave të Ballit Kombëtar u informua se së shpejti efektivi i divizionit “Peruxhia” do të riatdhesohej. Pritej vetëm urdhëri i marshallit Badoljo ku do të përcaktohej edhe porti prej ku do të imbarkoheshin ushtarët italianë. Balli Kombëtar u përgatit për ta shfrytëzuar situatën e krijuar në dobi të kombit. Më 13 shtator iu dërgua komandantit të divizionit “Peruxhia” një mesazh i firmosur nga Kryetari i Shtabit të forcave nacionaliste, Ismail Golemi.

Balli Kombëtar kërkoi që i gjithë arsenali luftarak i divizionit t’i dorëzohej shtabit të forcave nacionaliste, si e vetmja forcë serioze që përfaqësonte popullin shqiptar. Nga ana e tij, Balli Kombëtar merrte përsipër që t’i shoqëronte forcat e divizionit deri te porti prej ku ata do të ktheheshin në Itali. Ata do të trajtoheshin konform konventave ndërkombëtare të luftës dhe se do të respektohej nderi i ushtarakut, duke ua lënë të paprekur armatimin gjithë oficerëve. Gjenerali ishte dakord me kushtet favorizuese të marrëveshjes, por para se të përcaktoheshin të gjitha klauzolat, ai do t’ia shtronte mesazhin për miratim edhe shtabit të divizionit. Ndërkaq, në bazë të lajmërimit që u ishte bërë të gjitha çetave të Ballit, ato u mblodhën në afërsi të Gërhotit. Merrte pjesë i gjithë efektivi permanent i forcave të Ballit Kombëtar. Ky përqendrim forcash do të ushtronte presion mbi shtabin italian dhe do të ishte i gatshëm për çdo eventualitet. Ja se si shkruan një nga protagonistët e ngjarjes, zoti Limoz Runa në shkrimin “Flet e vërteta”, botuar në gazetën “Mbrojtja Kombëtare”: “Vija e rrethimit nga veriu ishte nën komandën e major Bilbil Hajnaj, ajo e jugut ishte nën komandën e Ismail Golemit dhe vija e lindjes në lumin e Viroit në afërsi 500 metra nga pozicionet e armikut, ishte e komanduar nga unë Limoz Runa”. Në mbrëmjen e datës 13 korrik 1943 komanda e Ballit Kombëtar u informua se në divizion po bëheshin përgatitje të shpejta për t’u larguar fshehtaz nga porti i Vlorës. Prandaj për tërë natën një pjesë e forcave të Ballit Kombëtar të drejtuara nga Ismail Golemi, Shefqet Mustafaraj, Neshet Kolonja, Myfit Shehu, Hariz Mema e Hysni Pollua, zunë pozicione luftimi në grykën e Ujit të Ftohtë të Tepelenës.

Në orën 9, të datës 14 shtator shtabi ushtarak i Ballit Kombëtar u informua se komanda e divizionit ishte urdhëruar të lëvizte në drejtim të Sarandës. Për situatën e re që u krijua, u njoftua Hysni Lepenica i cili ndodhej në Libohovë. Ismail Golemi u kthye menjëherë nga Ujët e Ftohtë. Rreth orës 12.00, Balli Kombëtar i kërkoi në formë ultimative gjeneralit italian një përgjigje të prerë mbi kushtet e marrëveshjes së arritur. Gjenerali kërkoi përsëri dy orë afat. Mesazhin e dorëzoi anëtari i shtabit ushtarak të qarkut, Limoz Runa, i cili kujton: “Ishte ora 12 e drekës, kur unë shkova dhe i dorëzova ultimatumin gjeneralit italian që ishte komandant jo vetëm i Gërhotit, por edhe i batalioneve të Libohovës dhe të Tepelenës. Pasi i dorëzova ultimatumin, ai e këndoi dhe mua më priti mirë duke më ofruar edhe diçka për të pirë, por unë e refuzova. Ai më tha se do të mblidhte shtabin e tij dhe vendimin që do të merrnin do të na e njoftonin menjëherë. U përshëndeta me gjeneralin dhe menjëherë u ktheva në frontin e Viroit dhe aty ndamë zonat e veprimit për çdo eventualitet, që, natyrisht, nuk na shkonte shumë nëpër mend konfrontimi me armë”.

Zhvillimet e këtyre ditëve Gjovani Bonomi në fq. 86 të librit të tij “Shqipëria 1943 – Marshimi tragjik i ushtrisë italiane prej Tepelenës dhe Gjirokastrës në Sarandë”, i përshkruan kështu: “Në këto dy ditë nuk u bë gjë tjetër veçse një vajtje- ardhje ambasadash të partizanëve dhe nacionalistëve. Mbasdite një fakt i ri tërhoqi vëmendjen, – shkruan në shënimet e tij komandanti i repartit italian 151 të artilerisë, – një komision erdhi në qytetin ushtarak i udhëhequr nga një major i yni. Gjeneral Adorni e paraqiti me fjalët e sakta: “Ai vjen si ambasador”.Sipas këtij autori në faqen 81 të librit shkruhet: “Gjatë aksionit, një komision partizanësh hyri në kampin tonë duke ofruar ndihmë kundër nacionalistëve. Gjeneral Adorniu u përgjigj se momentalisht nuk kishin nevojë”.Kolonel Rossi në përshtypjet e tij që u paraqiti oficerëve, shkruan se dy kolonelë italianë u takuan në Gjirokastër me një komision partizan në misionin katolik të Don Bazilios. (Ka mundësi që ky takim të jetë bërë më 13 shtator 1943.)
Po atë ditë, tinëzisht, u pa të hynte në repartin ushtarak të Gërhotit ku ishte dislokuar divizioni italian, Bedri Spahiu e Shemsi Totozani. Thuhet se ata kishin një mesazh nga oficeri anglez i ndërlidhjes, majori Tilman. Kjo ndërhyrje e ndërlikoi krejtësisht situatën. Në orën 15.00 të datës 14 shtator, komanda e divizionit “Peruxhia”, dërgoi një përgjigje lakonike ku thuhej se armatimi i divizionit nuk do t’i dorëzohej asnjërës palë. Majori italian që solli letrën, nuk mundi të kthehej përsëri në divizion, sepse atje kishin nisur luftimet. Ismail Golemi, duke kaluar përgjatë kodrave të Teqesë, në këmbët e qytetit të Gjirokastrës, u foli në gjuhën e tyre oficerëve dhe ushtarëve italianë mbi kushtet e marrëveshjes së kërkuar dhe mbi shansin që u paraqitej atyre për t’u kthyer së shpejti pranë familjeve të tyre. Ata të entuziazmuar ua lëshuan forcave nacionaliste të gjitha fortifikimet. Brenda pak kohësh çetat e Ballit Kombëtar e mbyllën unazën e rrethimit të divizionit italian. Për të dyja palët ato ishin orë të tmerrshme pritje dhe ankthi. Rreth orës 16.00 u duk përpara postobllokut të divizionit një autoveturë e tipit FIAT, prej së cilës zbriti Hysni Lepenica. Ai u drejtua me shpejtësi nga porta, por nuk e lejuan të hynte, prandaj u kthye me hap ushtarak te makina, hyri brenda dhe la derën të hapur. Siç kuptohet, ai ishte në pritje të ndonjë përgjigjeje. Nuk kishin kaluar as tri minuta që nga ajo kohë, kur u dëgjuan disa të shtëna prej taracës së korpusit të divizionit. Pastaj italianët nisën të shtinin me të gjitha llojet e armëve që dispononin. Hysniu u hodh me vrull në kanalin buzë rrugës automobilistike dhe nisi të shtijë me automatikun e tij, (një tip automatiku që përdorej nga njësitë e desantimit). Ata nuk dinin asgjë për pusinë kobzezë që thurnin brenda komandës italiane krerët komunistë me gjeneralët fashistë. “Mblesi” ishte majori anglez Tilman, i atashuar pranë Zonës i Operative Vlorë-Gjirokastër. Papritur e pakujtuar një zjarr ferri u lëshua kundër forcave balliste. Me mijëra gryka zjarri villnin predha të çdo kalibri. Fushat dhe kodrat rreth e qark u mbuluan nga pluhuri dhe tymi.

Tridhjetë e gjashtë burra u vranë dhe kushedi sa të tjerë do të ishin vrarë, nëse Ismail Golemi s’do të kishte urdhëruar forcat që komandonte të pozicionoheshin në kodrat e teqesë së Baba Manes. Ndërsa Musine Kokalari, në kujtimet e saj rrëfen se kur ktheheshim, Hysniun e kërkonte komandanti i forcave italiane të Gërhotit për t’u dorëzuar. Niset për në Gërhot i shoqëruar nga disa luftëtarë, midis të cilëve 16- vjeçari Agim Selfo. Kur Hysniu mbërrin në postobllokun e kazermave, komandanti i forcave komuniste Bedri Spahiu, i cili nuk ishte dakord që armët t’i dorëzoheshin Ballit, hap zjarr në drejtim të italianëve. Në këtë kohë, italianët duke menduar për ndonjë kurth, hapin zjarr në drejtim të postobllokut duke vrarë komandantin Hysni Lepenica, Agim Selfon dhe shumë të tjerë.Në fillim italianët e përqendruan goditjen në drejtim të xhadesë ku ndodhej çeta e Picarit, Kolonjës dhe Shtëpëzit. Pak më tej ndodhej çeta e Nivicës, Gusmarit dhe çeta e Rrëzomës. Ata vunë në veprim edhe grupin e mortajave. Vullnetarët e Ballit Kombëtar u gjendën krejt të zbuluar, pasi ky ishte një shpërthim i papritur për momentin. Megjithëse të kapur në befasi dhe numri i të rënëve shtohej në çdo minutë, djemtë trima të Labërisë u pozicionuan menjëherë dhe lufta u ndez e ashpër. Komandanti, Ismail Golemi, urdhëroi që të intensifikohej zjarri nga ana e kodrave me qëllim që t’u lehtësohej tërheqja e çetave që ndodheshin përballë divizionit. Ai u lidh nëpërmjet linjës telefonike me oficerin operativ të divizionit dhe kërkoi që të ndërpriteshin luftimet, sepse ajo gjakderdhje ishte e kotë për italianët, por nuk mori përgjigje.Italianët ndërmorën një sulm tjetër në drejtim të kodrave, për të rimarrë pozicionet e humbura të cilat kishin rëndësi strategjike për ata, sepse për çdo eventualitet duhej të siguronin krahët, por u sprapsën me humbje të shumta nga qëndresa burrërore e luftëtareve të çetës së Zhulatit, Golemit e Lazaratit.

Trimi Arap Bega nga Golemi i kositi italianët me mitrolozin e tij “Breda”. Ata u tërhoqën me aq shpejtësi për t’u strehuar në trinçetë e betonuara, sa që s’patën mundësi të merrnin as të plagosurit. Si kundërpërgjigje italianët filluan t’i goditnin kodrat me predha artilerie dhe me sharapnelë. Komandant Ismail Golemi i zbriti forcat nga ana e kundërt e kodrave ku luftëtarët ishin më të mbrojtur. Në trinçetë që u qenë kapur italianëve u strehuan skuadrat e mitraljerëve, të cilët goditnin me zjarr të pa ndërprerë pozicionet e fashistëve.Megjithëse beteja u zhvillua në kushte krejt të pabarabarta, vullnetarët e Ballit Kombëtar treguan guxim e trimëri të rrallë. Për më se tri orë rresht luftuan mbi një mijë nacionalistë të inkuadruar në dhjetë çeta, emrat e të cilëve kam nderin që t’i përmend me respekt të veçantë në këto kujtime: Çeta e Picarit, Kolonjës, e Shtëpëzit me komandant Nano Gjonin e Hasan Xhaferin, çeta e Zhulatit dhe e Fushë-Bardhës me komandant Medar Pulën, Manxhar Shalarin e Nevruz Bellon, çeta e Golemit me komandant Hariz Memën, çeta e Lazaratit me komandant Hysni Pollon, çeta e Libohovës me komandant Xhezo Muslimin, çeta e Rrëzomës me komandant Haki Leskon e Qani Leskon, çeta e Kardhiqit me komandant Selfo Shahinin, çeta e Gusmarit me komandant Muharrem Dukën, çeta e Lekdushit me komandant Avdi Kërpin, çeta e Progonatit me komandant Selam Kërmën, çeta e Nivicës me komandant Seit Shehun dhe qindra nacionalistë të tjerë.

Ja se si i kujton një ish vullnetar i çetës nacionaliste të fshatit Shtëpëz, Hiqmet Bihuci ato katër orë luftë që tundën dheun: “Afër drekës u kthyen nga Uji i Ftohtë i Tepelenës, Ismail Golemi, Neshet Kolonja, Shefqet Mustafaraj, Myfit Shehu, Hysni Polio dhe komandantë e vullnetarë të tjerë të cilët u kishin zënë pritë italianëve. Ismaili u ndal dhe bisedoi me Nano Gjonin e Hasan Xhaferin. Në kohën që po ndaheshin, dëgjova t’i thoshte Nanos: “Kalojini forcat përtej lumit!”. Unë, si një nga luftëtarët më të rinj të çetës, kur pashë ushtarët italianë që dilnin nga kazermat e vraponin të përkulur në formacion luftarak dhe futeshin në llogore, i thashë xha Nanos tërë shqetësim: “Më duket se italianët po përgatiten për luftë”. Për fat të keq në atë kohë erdhi Hysni Lepenica. Ai u drejtua për te porta e divizionit dhe bisedoi me oficerin e rojes, pastaj u kthye përsëri te makina dhe e la derën të hapur. “E shikon a derëzi, – tha xha Nanoja, – po të kishim luftë, s’do të rrinte aty Komandanti i Përgjithshëm!” Mirëpo Bedri Spahiu e kishte thurur komplotin nga brenda. Papritur u dëgjuan tre katër të shtëna dhe sa hap e mbyll sytë, dheu u ndez flakë. Mbi ne vërshëllenin plumbat si suferinë. Më buçisnin veshët nga shpërthimi i predhave dhe s’mbaj mend se sa herë më mbuloi dheu për së gjalli. Edhe gjethet e degët e thara u kositën nga plumbat. Shtinin mbi ne pa pushim dhe ne zvarriteshim në drejtim të lumit Drino. Është për t’u çuditur se si s’më mori ndonjë plumb! Na u vranë tërë ata trima para syve. Pastaj, si për çudi, bashkë me errësirën ra një heshtje e frikshme. Dhe tani kur e kujtoj atë ditë të 14 korrikut 1943 më ther zemra dhe them: “Po të kishim dëgjuar Ismail Golemin, s’do të na ishin vrarë tërë ata shokë e komandantë të dëgjuar, sepse Ismaili ishte burrë i zgjuar dhe ushtarak i zoti”.Ja një përshkrim tjetër emocional i asaj beteje të përgjakshme, i shkruar nga zoti Zogoll Mustafaraj : “Lufta u shua. Tym në qiell. Gjaku i bijve të vendit, trashëgimtarëve të të parëve, hyri në tokën e ngrohtë si thesar, asaj i shton vitalitetin dhe bukurinë. Të rënët rreshtohen në sheshin e qytetit.Të gjithë lastarë të njomë me ballin nga qielli e me krahët nga dheu i tyre i shtrenjtë për të cilin ranë. U mbuluan me flamurin kuq e zi. Lot nga dhembja. Krenari për nacionalizmin. U çuan të pushonin për jetë në teqenë e Baba Selimit, si njerëz që e donin Shqipërinë dhe Perëndinë…

Ismail Golemi foli me ngrohtësinë e atdhetarizmit tradicional… Si dielli që perëndon çdo mbrëmje e lind çdo mëngjes, heronjtë e nacionalizmit janë më të gjallë se të gjallët. Ata janë Shqipëria, dheu shqiptar, flamuri i tyre kuq e zi”.Lufta e Gërhotit, për nga intensiteti i saj, sasia dhe lloji i armëve që vunë në veprim të dyja palët si dhe i forcave njerëzore që u përplasën, ishte një betejë, ku burrat e djemtë e Kurveleshit shkruan me gjakun e tridhjetë e gjashtë martirëve një nga faqet më të lavdishme të historisë së popullit tonë. Në atë epope legjendare ra duke luftuar burrërisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave Opera¬tive të Jugut, Hysni Lepenica. U vra edhe shoqëruesi i tij, trimi Sefer Ymeraj. Mbetën të vrarë, duke luftuar trimërisht komandantët Nano Gjoni e Hasan Xhaferi dhe tridhjetë e dy burra e djem të Kurveleshit e të Gjirokastrës emrat e të cilëve do të zënë një vend nderi në panteonin e kombit. Kjo ishte një humbje shumë e madhe për Ballin Kombëtar. Dy javë më pas Ismail Golemi do të thoshte tërë hidhërim: “Tani që u vra dhe Safeti (Safet Butka, d.m.th. pas vrasjes së Hysniut) mbaroi Balli Kombëtar”. Kaq shumë e vlerësonte rolin e tyre në trekëndëshin e Ballit Kombëtar, Vlorë-Gjirokastër-Korçë, ushtaraku Ismail Golemi.Më 15 shtator u shkëmbyen robërit, u tërhoq edhe oficeri Limoz Runa që kishte mbetur i plagosur në fushën e luftës. Të rënët i varrosën me të gjitha nderet në Teqenë e Baba Selimit. Fjalën e rastit e mbajti Ismail Golemi. Ai ngriti lart figurën dhe të kaluarën patriotike të Hysni Lepenicës, Nano Gjonit e Hasan Xhaferit dhe trimërinë e guximin e rrallë që karakterizoi të gjithë të rënët. 15 Shtatori u shpall ditë zie. Po komunistët ku ndodheshin në kohën që zhvillohej një nga betejat më të përgjakshme kundër okupatorit?! Ata kishin dislokuar forca të shumta partizane mbi Virua e rrëzë kodrave të Shëntriadhës dhe vëzhgonin të qetë se si binin në fushën e nderit nacionalistët shqiptarë kundër pushtuesve fashistë. Ata prisnin t’u binte gjahu në dorë, municionet dhe ushqimet, pa u shpuar në asnjë gjemb për veten e tyre, prandaj Ismail Golemi e quajti qëndrimin e tyre “Tradhti e pabesi ndaj nacionalistëve, tradhti ndaj çështjes kombëtare”.Më 16 shtator forcat e Ballit Kombëtar në Qafën e Muzinës goditën me ashpërsi të madhe kolonën e gjatë italiane, e cila ishte drejtuar për në Sarandë. Tre makina u dogjën krejtësisht, kurse katër të tjera u dëmtuan rëndë. Në ledhet anës rrugës u gjetën trembëdhjetë ushtarë të vrarë, të cilët u varrosën aty afër në vendin e quajtur “Varri i italianëve”. Mbi dyzet ushtarë dhe një toger u dorëzuan. Numri i të plagosurve nuk dihet.Pas vrasjes së Hysni Lepenicës, Mit’hat Frashëri ngarkoi Ismail Golemin, Komandant të Përgjithshëm të forcave vullnetare të Ballit Kombëtar për Shqipërinë e Jugut, detyrë që nuk mundi ta ushtronte për shkak të rrethanave të disfavorshme që u krijuan për Ballin Kombëtar.

https://youtu.be/QfEolzANqcM

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top