LUFTA E DRENICËS – VAZHDIMËSI E ASPIRATËS SHEKULLORE DHE FRYMËZIM PËR BREZAT E ARDHSHËM

Shkruan – Mr. Fadil Geci

Të nderuar pjesëmarrës të kësaj Akademie përkujtimore,
Në përpilimin e këtij punimi jam mbështetur në burime dhe literaturë relevante historike. Krahas kësaj jam bazuar edhe në përvojën dhe njohuritë e mia si pjesëmarrës aktiv i Luftës Çlirimtare të viteve 1998-1999 që nga fillimi e deri në përfundimin e saj. Lufta e popullit shqiptar për liri e pavarësi me siguri se përbën qëndresën më të fuqishme dhe më të përgjakshme ndër të gjithë popujt e Ballkanit dhe më gjerë. Popullit shqiptar iu desh të luftojë për mbijetesë që nga lashtësitë në mënyrë që të ruajë me sakrifica të mëdha vazhdimësinë iliro-shqiptare dhe për të përballuar me sukses sundimin e huaj shumëshekullor, sidomos qëndresën kundër invazuesve sllavo-grekë.

Lufta e tij në vazhdimësi të kohërave ishte një luftë për jetë a vdekje. Pikërisht këtu qëndron energjia e madhe që gjeti ky popull për t’u bërë ballë këtyre invazuesve të pashembullt për nga egërsia e veprimit për zhdukjen e këtij populli nga faqja e dheut. Populli shqiptar gjeti forcë t’i bëjë ballë edhe sundimit pesëshekullor osman. Në luftën e gjatë kundër këtij pushtuesi me siguri se një ndër epopetë më të lavdishme, krahas epokës skënderbejane, ishte epopeja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila ndërgjegjësoi faktorin ndërkombëtar, së pari, për ekzistencën e një kombi të paepur, të cilit po i bëheshin padrejtësi duke i shkëputur toka nga trungu i tij etnik për t’ua dhënë shteteve fqinjë vasale të Rusisë.

Për të penguar gjymtimin e mëtejshëm të trojeve etnike, drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe i gjithë populli shqiptar krijuan një unitet të rrallë kombëtar, si gjithnjë duke vënë çështjen kombëtare para asaj fetare e krahinore dhe duke provuar të krijonin shtetin autonom shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane si fazë e parë drejt pavarësisë së plotë.

Përkundër sakrificave të mëdha për krijimin e shtetit etnik, kjo e drejtë iu mohua si nga fqinjët shovenistë, ashtu edhe nga disa prej Fuqive të Mëdha. Kjo pati si rrjedhojë krijimin e Shqipërisë së cunguar në Konferencën e Londrës, e cila vendosi që më shumë se gjysma e trojeve etnike shqiptare të mbeteshin jashtë kufijve politikë të shtetit të sapongritur shqiptar. Që nga pushtimi i Kosovës dhe i Çamërisë, në vjeshtën e vitit 1912, populli shqiptar i këtyre trojeve bëri përpjekje të jashtëzakonshme për të përballuar dhunën e gjenocidin e këtyre pushtuesve barbarë dhe për të vazhduar luftën për çlirim e bashkim kombëtar. Kjo luftë që kërkonte angazhim e sakrifica u zhvillua në disa etapa dhe mori përmasa gjithëpërfshirëse të popullit të robëruar shqiptar.

Është e pamohueshme se një rol të veçantë në organizimin e Lëvizjes çlirimtare luajti Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, i cili me sukses udhëhoqi luftën e armatosur me qendër në Drenicën kreshnike të Azem Bejtës dhe të bashkëluftëtarëve të tij, që u shtri më pas në të gjitha trojet e pushtuara etnike shqiptare. Kjo kryengritje, edhe pse u shua me gjak, i dha një grusht të fuqishëm politikës së shpërnguljes dhe të kolonizimit të Kosovës dhe trojeve të tjera etnike, rrjedhimisht, të ndryshimit rrënjësor të strukturës etnike të popullsisë në këto troje.

Lufta e Dytë Botërore përbënte një sprovë tjetër për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo i detyroi forcat drejtuese atdhetare të përcaktoheshin për Aleancën Antifashiste, por, për fat të keq populli shqiptar nuk gjeti aleatët e vërtetë për të jetësuar idealet e tij të luftës çlirimtare-demokratike. Forcat atdhetare, të udhëhequra nga përvoja e hidhur e së kaluarës me sllavët, e konsideronin pushtimin italo-gjerman si të keqen më të vogël në krahasim me rrezikun që kërcënohej me ripushtimin nga okupatorët e deridjeshëm.
Gjendja që u krijua në Kosovë nga kërcënimi serbo-sllav gjatë viteve 1941-1944 shtroi për detyrë përpara forcave atdhetare shqiptare të organizoheshin për mbrojtjen e kufirit nga sulmet e parreshtura çetniko-partizane. Rol të veçantë në organizimin e qëndresës pati Drenica me forcat e saj vullnetare në krye me Halil Bajraktarin. Në Shtabin e Mbrojtjes ishin edhe Zeqir Lutani, Bajram Dërguti, krerë e prijës të sprovuar në luftëra për mbrojtjen e atdheut si Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, bajraktarët e Llushës, të Hotit, Plluzhinës, Shtuticës, Gllogovcit, etj.

Për fat të keq, komunistët shqiptarë nuk morën parasysh mësimet nga e kaluara, por u përcaktuan për bashkëpunim me komunistët jugosllavo-grekë, duke vënë në plan të parë objektivat ideologjike dhe jo interesat vitale të kombit. Si rrjedhim i këtij përcaktimi u injoruan përpjekjet e forcave demokratike në krye me Mithat Frashërin për bashkimin e forcave të kombit në një front të vetëm përballë pushtuesve aktualë dhe armiqve shekullore në mbrojtje të tërësisë së tokave shqiptare. Prandaj, nuk ishte e rastit që forcat më të vetëdijshme të kombit nxorën kërkesat programatike kombëtare dhe për jetësimin e tyre formuan Lidhjen e Dytë të Prizrenit, e cila deri në nëntor të vitit 1944 mobilizoi popullin në një luftë të rrallë atdhetare në mbrojtje të kufijve nga rreziku sllavo-komunist, ku spikasin figura të shquara të kombit si Bedri Pejani, Xhafer Deva, prof. Rexhep Mitrovica, etj. Pas ripushtimit të Kosovës dhe të trojeve të tjera etnike shqiptare vazhdoi qëndresa e armatosur kundër pushtuesve komunistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Kjo qëndresë kulmoi me Luftën e Drenicës.

Krerët e Drenicës në Konsultën e Llaushës vendosën që të organizoheshin për mbrojtjen e atdheut nga rreziku sllavokomunist. Në këto rrethana më 28 shtator 1944 u mbajt Kuvendi i Skënderajt, të cilin e drejtoi Miftar Bajraktari. Kuvendi analizoi situatën e krijuar dhe vendosi formimin e Brigadës së Drenicës dhe për komandant zgjodhi Shaban Polluzhën, kurse zëvendëskomandant Miftar Bajraktarin. Adjutant i Shaban Polluzhës u caktua Rifat Kotorri, referent Sali Gjinovci, instruktorë Bedri Gjinaj dhe Abdyl Zhubi, ndërsa anëtarë të Shtabit ishin molla Iljaz Spahija, Rexhep Gjeli, Jetullah Muharremi, Azem Oruqi-Gjinovci dhe Feriz Bojaj. Brigada luftonte me flamur shqiptar pa yll, me dykrenaren e Skënderbeut. Brigada kishte truprojën dhe gardën prej 40 vetash. Ajo në fillim kishte 4, kurse më vonë 7 batalione. Çdo batalion përbëhej nga 3 kompani. Luftëtarët nuk kishin uniformë, prandaj veshmbathjen, ushqimin dhe armatimin i siguronin vetë. Komandantë të batalioneve ishin Ramë Sejdi Babaj nga Llausha (Batalioni I-rë), Imer Fazlija i Radishevës (Batalioni II-të), Isë Zymeri i Prekazit (Batalioni III-të), Istref Tema i Dobroshecit (Batalioni IV -të), (Batalioni V -të), Rifat Maloku i Llapit (Batalioni VI-të) dhe Hazir Gjakja i Artakollit (Batalioni VII-të).

Për të shuar qëndresën në Drenicë u angazhuan forca të mëdha jugosllave, të cilat përbëheshin nga 3 divizione dhe një brigadë e veçantë: Divizioni i 46-të serb, i 52-të i Kosovës, Grupi Operativ i Brigadave dhe Brigada e KMPJ. Veç këtyre, kohë pas kohe në këto luftime u angazhuan edhe Divizioni i 24-të dhe i 29-të serb, ai i 41-të dhe 50-të maqedonas. Këto forca numëronin mbi 42 000 veta. Rol të veçantë kishte Brigada e KMPJ, që u formua më 26 janar 1945, me një efektiv me 1600 luftëtarë, të zgjedhur posaçërisht dhe të njohur për qëndrimet e tyre antishqiptare.

Lufta e Drenicës ishte një nga epopetë legjendare të historisë së popullit shqiptar, vazhdim i luftës për realizimin e idealit të lartë e më të shenjtë kombëtar. Ajo qe një luftë e bijve të popullit shqiptar që u flijuan për vatrat e tyre. Akti i tyre i vetëmohimit dhe i sakrificës qëndron në themel të qëndresës së përgjakshme kundër politikës shoveniste që tashmë ishte veshur me petkun komunist. Në krye të kësaj lufte qëndronin prijës tradicionalë popullorë, atdhetarë të shquar të familjeve më në zë të Drenicës dhe më gjerë, të cilët, të mbështetur në përvojën historike, u treguan shumë më largpamës se udhëheqësit komunistë shqiptarë, këndej e andej kufirit. Ishte kjo një luftë e armatosur e drejtur nga forcat demokratike, e vetmja në Evropën komuniste të pas Luftës së Dytë Botërore. Dua të theksoj se pikërisht këtu qëndron edhe vlera e kësaj qëndrese heroike në kohë dhe rrethana shumë të vështira kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndonëse ajo u shua u bë simbol i qëndresës për liri e pavarësi në periudhat e mëvonshme.

Pas shuarjes në gjak të qëndresës heroike në Drenicë dhe në trojet e tjera të okupuara etnike vazhduan përpjekjet e atdhetarëve demokratë të rreshtuar në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare me një program dhe aspiratë të qartë kombëtare. Në krye të kësaj lëvizjeje u vunë atdhetarë të zjarrtë dhe antikomunistë të përbetuar si Ajet Gërguri, Prof. Gjon Serreqi, Prof. Ymer Berisha, Halim Spahija, Marije Shllaku, Azem Morina, Hoxhë Avdia, Hysni Rudi, At Bemad Lupi, etj . Qëndresa e popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera etnike vazhdoi edhe pas shpartallimit të LNDSH-së. Kjo qëndresë në përshtatje me rrethanat e kohës vazhdoi deri në fillim të viteve të 90-ta në forma ilegale, me organizimin e grupeve dhe të organizatave të shumta. Shumica e këtyre organizatave ishin me orientim të majtë dhe kërkesat e tyre programatike bazoheshin në ideologjinë enveriane. Ndërkaq, krahu i djathtë i Lëvizjes realizimin e objektivave të qarta kombëtare e shihte në mbështetjen e demokracive perëndimore. Në këtë krah spikaste Lëvizja çlirimtare e Kosovës e drejtuar nga Metush Krasniqi, një atdhetar i devotshëm dhe i pathyeshëm në orientim e tij jetësor, si dhe Besëlidhja në krye me Emil Kastriotin.

Në vitet e 90-ta Lëvizja Kombëtare Shqiptare doli nga ilegaliteti dhe u shndërrua në lëvizje gjithëpopullore me emrin Lidhja Demokratike e Kosovës, me Ibrahim Rugovën në krye. Kjo parti që mori tiparet e lëvizjes gjithëpërfshirëse përbën pa dyshim pikën kulmore deri në atë kohë, të përpjekjeve dhe të luftës shekullore të Kosovës për liri dhe demokraci. Lidhja Demokratike bashkë me aleatët e saj si Partia Shqiptare Demokristiane me atdhetarin e devotshëm Mark Krasniqin në krye, Partia Fshatare e Kosovës, si dhe partitë e tjera kombëtare, i dhanë vulë të pashlyeshme kësaj epoke vendimtare për fatin e Kosovës dhe të popullit të saj.

Lëvizja politike dhjetëvjeçare siguroi jo vetëm mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, por krijoi parakushtet e nevojshme për kalimin në fazën e lëvizjes së armatosur, në organizimin e së cilës luajtën rol vendimtar veprimtarë të shquar të LDK-së, ideatorë të UÇK-së, komandantë dhe dëshmorë: Akademik Fehmi Agani, Adem Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti, Agim Ramdani, etj,. Nga Drenica në vitin 1991 në Shqipëri bashkë me Adem Jasharin shkon edhe kryetari i forumit rinor të LDK-së Adem Dërguti nga Rezalla me disa shokë të tjerë, ndërsa sulmi i parë i njësitit gueril kundër forcave serbe është kryer në vitin 1992 nga njësiti i fshatit Llaushë nën komandën e Adem Jasharit .

Luftëtarë të devotshëm si Gani Geci (Komandues), Ramë Thaqi, Besim Dajaku, Bekim Kastrati, Haki Imeri, Xhafer Behrami, etj, me emrin dhe veprën e tyre i bënë nder Drenicës dhe tërë Kosovës.
Duhet të theksojmë se Lufta çlirimtare e Kosovës e viteve 1998-1999 ishte ndër epopetë më të lavdishme të historisë sonë. Ajo bashkë me Luftën Çlirimtare të Preshevës dhe Luftën Çlirimtare në Maqedoni ndërgjegjësoi edhe më shumë opinionin ndërkombëtar, përcaktoi fuqimisht kufijtë e tokave shqiptare dhe i dha formën e synuar objektivave shekullore të popullit tonë. Kjo luftë shëmbëllen edhe për faktin se armiku shumëfish më i fuqishëm nuk arriti të gjejë as mbështetjen më të vogël, madje as të formojë qoftë edhe një njësit simbolik kuisling, gjë që është rast i rrallë në histori dhe pa dyshim përbën një nga çështjet me interes për studimet e ardhshme. Ky fenomen flet qartë për vlerat shumëdimensionale të popullit tonë që në kohë të vështira arriti të spikatë unitetin e pashembullt përballë armikut shekullor.

Në fund, duhet të përfundojmë se kjo luftë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore të atdhetarëve të devotshëm që lanë peng jetën për këto ideale dhe nuk ishte kurrsesi vazhdimësi e së të ashquajturës Lëvizje Nacionalçlirimtare nga Lufta e Dytë Botërore e drejtuar nga Partia Komuniste Jugosllave në krye me Titon, siç mundohen ta paraqesin uzurpatorët e UÇK-së. Kjo luftë përbën vazhdimësinë e përpjekjeve të fillura që nga Epoka e Skënderbeut, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, Lufta çlirimtare në krye me Azem Bejtën dhe Lufta e Drenicës në krye me Shaban Polluzhën.
Qofshin të bekuar dhe të përmotshëm të gjithë ata që ranë për idealet e kësaj lufte!

1 thought on “LUFTA E DRENICËS – VAZHDIMËSI E ASPIRATËS SHEKULLORE DHE FRYMËZIM PËR BREZAT E ARDHSHËM”

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top