Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, ka dalë me një deklaratë bombastike lidhur me zhvillimet e fundit në Turqi. Ai duke folur për tentim të grushtshtetit në Turqi ka thënë se ‘lista e arrestimeve ishte e gatshme”. Hahn ka deklaruar me tej duke hedhur dyshime të forta se kjo listë ishte përgatitur dhe pritej çasti që të ekzekutohej.
“Lista ishte e gatshme dhe kjo është një e dhënë se ajo ishte e përgatitur të përdorej në ndonjë fazë”, ka nënvizuar Joahnnes Hahn.
Kjo deklaratë e tij kaq direkte është e para e këtij lloji e dhënë nga ndonjë zyrtar i lartë i BE-së për zhvillimet e fundit në Turqi. Menjëherë pas tentimit të grushtshtetit janë arrestuar si të dyshuar 2,745 gjykatës dhe rreth 3,000 pjesëtarë të ushtrisë, përfshirë edhe gjeneral e prokurorë.
Johannes Hahn ka thënë gjithashtu se për BE-në shqetësuese është edhe arrestimi i gjykatësve.
“Ne kemi deklaruar se presim që zhvillimet të ecin sipas standardeve ligjore ndërkombëtare. Nga ajo çfarë po shohim deri më tash, kjo fatkeësisht nuk po ndodhë”, deklaroi Hahn.