LIDHJA E DYTË E PRIZRENIT DHE BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË

SHKRUAR NGA ING. XHAFER DEVA 

Parathanje:

Kongresi i parë i “Lidhjes së Prizrenit” në Mërgim u mbajtë më 26/27 Nandor 1966, dhe plotësoi dëshirën e nxehtë të Shqiptarëve në mërgim me rranjët në krahina të ndryshme t’ashtuquejtunve Republika Ferderative, Serbi, Maqedoni dhe Mali i Zi të Jugosllavisë.

Për të parën herë Shqiptarët në mërgim të këtyre krahinave patën rastin me u bashkue, qoftë në person, qoftë edhe me delegime prej bashkatdhetarve të  tyne, të  shpërndamë në vendet e ndryshme të  botës, dhe me u shpreh lirshëm në favor të ringjalljes së Organizatës “Lidhja  e Prizrenit në Mërgim – 1878-1966, tue ndjekë edhe përpjekjet e stërgjyshvet të tyne me krijue nji Shtet të pamvarun shqiptar, të  përbamë prej katër Vilajetevet të Perandorisë Otomane në 1878.

Nji librezë dedikue thjeshtësisht veprimtarisë së Kongresit u botue. Ky botim jo vetëm që pasqyron rrjedhjet në Kongres, por për ma tepër paraqet dokumentin themeltar të kësaj Organizate. Kongresi u pritë në përgjithësi si nga ana e Kosovarvet në mërgim, po ashtu dhe nga ana e shumicës së Organizatavet politike shqiptare në Shtetet e Bashkueme t’Amerikës dhe ngjeti, me simpathi, gja që u manifestue në urimet nga ana e personalitetevet shqiptare dhe të huej, gjithashtu prej fjalimeve të Përfaqësuesve të tyne që u mbajtën në Kongres.

Me qëndër në Qytetin e New Yorkut, dhe Degë në vende të ndryshme të botës, me nji Statut t’aprovuem nga ana e Delegatëvet, kjo Organizatë – jo parti politike – ka për qëllim kryesor me u përpjekë dhe sigurue vetëvendosjen  e fatit të popullit shqiptar të krahinavet të naltpërmenduna.

Mbrenda 24 vjetve të fundit në mërgim, janë ba disa tentative për krijimin e nji organizate të thjeshtë kosovarësh, sikurse quhen zakonisht Shqiptarët e krahinavet të ndryshme të Jugosllavisë. Shkaku kryesor i dështimit të këtyne përpjekjeve, ka qenë pamundësija me sigurue mjetet e duhuna për vazhdimin e nji veprimtarije positive në dobi të vendit të tyne. Duket se kët radhë kësish vjetërsinash nuk do të ketë. Nuk do të ketë, mbasi pjesa e shëndoshë e Kosovarvet si këtu po ashtu edhe ngjeti, me mundin e tyne do të mbajnë LIDHJEN në kambë.

Reakcioni i popullit shqiptar në krahinat shqiptare në Jugosllavi, si mbas lajmevet të shumta që vazhdojnë me mbrri, asht ma se inkurajuse. Me përjashtimin e qarqeve që dihen, pjesa dërmuese e popullit shqiptar në Kosovë asht ma se e kënaqun për ringjalljen e Lidhjes  në mërgim, si folës legjitim në botën e lirë i nji populli që nuk ka të drejtën me u shprehë lirisht në vendin e vet.

“Lidhja e Prizrenit” në Mërgim e mbështet qenjen e vet në popullin që përfaqëson në botën e lirë. Veprimtarija e saj ka karakter ma tepër difensiv, dhe nuk ndjek shembullin e Organizatavet dhe partinavet politike të disa grupeve nacionale të Jugosllavisë në mërgim. Këshillon popullsinë shqiptare të Jugosllavisë me ndejt larg çdo shqetësimi të mbrendshëm, që kishte me rrezikue interesat jetësore të asaj popullsije.

Keto janë vijat kryesore që “Lidhja e Prizrenit” në Mërgim do të ndjekë tue u mbështetë në eksperiencën tragjike dhe të randë për at popull shqiptar në të kaluemen.

Për me sqarue ket qendrim asht nevoja shkurtimisht me hjedhë nji vështrim në të kaluemen, tue fillue më Luftën Ballkanike të 1912-s

PERIUDHA 1912-1914

Si viktimë të nji padretësije nga ana e Fuqive të Mbëdhaja Evropjane të  kohës së caktimit të kufijvet të Shtetit Shqiptar krijue rishtas, krahinat shqiptare të  Jugosllavisë së soçme mbetën nën sundimin e Mbretnivet të Serbisë dhe të Malit të Zi.

Mbas okupacionit të Kosovës prej ushtrive Serbo-Malazeze, qeveritë e Beligradit dhe të Cetinjës, në vend që të ndjekin shembullin e Perandorisë fëqijë e tyne, tue i dhanë të drejta minoritetit shqiptar po aq sa minoritetet serbo-malazeze gëzojshin në atë Perandori, zgjodhën rrugën e shtypjes dhe të zhdukjes së popullit shqiptar të  këtyne krahinave.

Tue qitë në harresë mësimin elementar simbas të cilit themeli i çdo shteti asht drejtësia, të dejun prej fitores, sunduesit e këtyne dy Shteteve adaptuen nji sistem terrorit. Mbrenda kësaj periudhe, ma se 10.000 Shqiptarë u masakruen dhe afër 100.000 të tjerë qenë të shtrenguem me u largue prej votravet dhe pasunisë së tyre, me emigrue në Perandorinë Otomane dhe në Shqipninë e lirë. Këta mërgimtarë shqiptarë mbushën Xhamitë e qytetevet të mëdhaja të Turkisë e cila ndodhej në nji gjendje kaotike mbas Luftravet Ballkanike. Nji pjesë e madhe e tyne muer rrugën drejt stepavet të Anadollit, t’ekspozuem epidemivet të ndryshme dhe sidomos  malarjes. Edhe sot, mbas 54 vjetësh, ndeshemi ne ishuj banimi të këtyne në Anadoll dhe në Syrinë e sotme.

PERIUDHA 1914-1918

Megalomania e Belgradit, mbase fitores që Serbia korri në Luftrat Ballkanike, shkoi aq larg sa të guxoj të pregatiti krimin e Sarajevës që shkaktoi Luftën e Parë botnore, si pasojë e vrasjes së trashëgimtarit të Fronit të Perandorisë Austro-Hungare, në Korrik të 1914-s. Siç u vërtetue ma vonë, Qeverija e Belgradit kishte pasë gisht në ket ngjarje.

Me okupacionin e Kosovës nga ana e ushtrisë së Perandorisë Austro-Hungare, 1916-1918, krahinat shqiptare u liruen prej sundimit serb dhe malazez. Emigracioni në Turki u ndalue dhe Shqiptarët e Kosovës vunë sado modest, themelet e nji administrate civile dhe të arësimit shqiptar në vendet e tyne.

PERIUDHA 1918-1941

Me fitoren e aleatëvet të asaj kohe, këto toka shqiptare u shkelën prap prej ushtrisë serbe në Tetorin e 1918-s. Për shkak të prezencës së ushtrisë franceze dhe të disa Kompanive angleze, ushtrija serbe ishte e shtrengueme në fillim me u sjellë korrekt. Mbas largimit të Francezvet dhe t’Anglezvet, dhe si pasojë të krijimit të Shteteve Sovrane “Mbretnija e Serbvet, Kroatvet dhe të Sllovenvet”, siç quhej Shteti Jugosllav n’atë kohë, krahinat shqiptare, tue përfshi edhe Maqedhoninë e sotme, u caktuen të bahen pjesë e “Serbisë së Jugut.” Ky shënim gjeo-politik i çpikun artificialisht prej Belgradit, kishte si qëllim kryesor me mbulue qenjen e popullsisë shqiptare dhe me ndalue çdo ndërhymje nga ana e Kroatvet dhe Sllovenvet.

Lidhja e Kombeve në Gjenevë ishte krijuar mbas mbarimit të Luftës së Parë botnore. Në mbledhjet e para të saja, ishin marrë vendime për zgjedhjen e problemit të pakicavet të krijuem me themelin e shteteve të përbame prej shumë kombësive, si pasojë të pjestimit të Perandorisë Austro-Hungare. Qeverija e Belgradit që ishte e detyrueme me respektue këto vendime, gjeti nji mënyrë djallëzore që i përshtatej politikës së vet, me zhdukë emnin shqiptar nga krahinat e zaptueme të Kosovës.

Qeverija e Nikollë Pashiqit që kishte përkrahjen e Francës dhe me qendrimin asnjanës të Anglisë në Lidhjen e Kombevet, kishte gjetë formulën se si duhet të shtrembnohet e drejta dhe e vërteta. Mbasi 90% të popullatës shqiptare në Jugosllavi janë muslimanë, forma më e përshtatshme me e mbulue qenjen e pakicës shqiptare ishte themelimi i një shoqate të quejtune “Islam Muhafazai Hukuk Cemijeti” që don me thanë “Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Muslimanëvet”. Kjo Shoqatë kishte të drejtën me botue nji të përjavëshme dy faqesh me titullin Hak (E drejta). Ndërsa Turkija e Ataturkut në Ankara u merrte me problemin e reformës së alfabetit turk, me kalue prej shkronjavet arabe në ato latine, sunduesit e Belgradit u imponuen Shqiptarëvet të Kosovës jo vetëm gjuhën turke, por edhe shkrimin e kësaj me shkronja arabe.

Prijësit e Kosovës, me në krye Nexhip Dragën, të ndodhun përpara këtij diktati të Pashiqit, mbas pleqnimesh të shumta dhe tue marrë parasysh faktin se nuk kishin asnji mbështetje prej së jashtmi, vendosën ta pranojnë atë diktat me shpresë se me kohë Shqiptarët do t’i fitojnë të drejtat e tyne që meritojnë. Si kundërshpërblim, Shoqata Xhemijeti u detyrue me përkrahë në çdo rast Partinë Radikale të Serbisë.

Nexhip Draga, ish Deputet i Kosovës në Parlamentin e Perandorisë Otomane, që ka pasë nji edukim perëndimor, me ket mënyrë siguroi pranimin e 14 Deputetëve shqiptarë në Parlamentin e parë të Mbretnisë Serbe, Kroate dhe Sllovene. Për fat të keq, Nexhip Draga vdes në Vjenë në 1921. Vendin e tij e nxen i vëllai, Ferhat Draga i cili ndodhej po në Vjenë si i ikun politik. Mbas nji amnestije mbretnore, ai kthehet në Jugosllavi dhe merr drejtimin e Shoqatës Xhemijet. Ferhat Draga, njeri me ndjenja të forta patriotike shqiptare, dhe kundërshtar i rreptë i lojës djallëzore të Pashiqit, denoncon koalicionin e Xhemijetit me Partinë Radikale Serbe dhe e lidh atë me nji marrëveshje me Partinë Katundare Kroate të kryesume prej Stepan Radiçit që formonte opozitën kundër qeverisë të drejtume prej Serbëvet. Qeveria e Pashiqit menjiherë e burgos Ferhat Dragën, pa marrë parasysh imunitetin parlamentar të tij. Njikohësisht katër Deputetë shqiptarë vriten nga ana e çetnikvet të Kosta Peqancit. Vrasje të tjera Shqiptarësh nga ana e Gjendarmërisë dhe djegija e shumë katundeve shqiptare bashkë me gja të gjallë, sidomos në Drenicë, e vunë në zi mbarë popullatën e Kosovës.

Qëllimet e kësaj vale terroriste të Qeverisë së Belgradit kanë qenë si gjithmonë në të kaluemen, me i detyrue Shqiptarët të braktisin votrat dhe pasuninë e tyne dhe të emigrojnë në Turki.

Vrasja e Stepan Radiçit, Pavle Radiçit, Basariçek dhe Pernar, Kryetarë kroatë, me rasën e nji Mbledhje parlamentare në vjetin 1929, nga ana e Deputetit Punisha Raçiçit, antar i Partisë Radikale Serbe dhe çetnik me namë, mbas nji fjalimi të Deputetit kroat Pernar, i cili akuzonte, midis tjerash, qeverinë për sjelljen e egër të autoriteteve dhe të Gjendarmërisë në Kosovë, Mbreti Aleksander urdhnoi shpërndamjen e Parlamentit dhe të Partivet politike, tue përfshi edhe Partinë Katundare Kroate. Në ket mënyrë u krijua diktatura e kryesume prej Gjeneralit Petar Zhivkoviçit, adjutant i Mbretit Aleksander.

Shtypi i huej vuni në dukje ket vepër barbare të Qeverisë serbe. Kjo gja dhe reakcioni i ashpër i Lidhjes së Kombevet, ashtu dhe protestat nga ana e Fuqivet të Mëdha Evropiane, tue përfshi edhe ato sllave, kanë qenë shkaqet kryesore që ma në fund e detyruen Mbretin Aleksandër me e zbutë egërsimin e sundimit të tij. Si mbas librit të Zvetozar Pribiçeviçit, ish Kryetar i Partisë Demokrate Indipendente t’asaj kohe, i cili ishte vet Serb prej Likes, Mbreti Aleksandër ka pasë së drejti gisht në vrasjen e Kryetarëvet kroatë të shënuem ma sipër.

Vepra e parë e Qeverisë së Gjeneral Zhivkoviçit ishte me internue Kryetarët e Partive politike të Krahinavet të përtej Danubit, kështu Dr. Maçekun, Sekretar i Partisë Klerike Kroate, Dr. Anton Koroshecin, Kryetar i Partisë së Muslimanëvet të Bosnjes dhe të Hercegovinës, ndërsa Svetozar Pribiçeviçi ishte larguar më parë dhe jetonte në Pragë të Çekosllovakisë. Këtu e botoi librin që përmendëm ma sipër.

Vepra e dytë e Mbretit ishte krijimi i degës së ashtuquejtunës Reformës Agrare për “Serbinë e Jugut.” Mbasi sistemi i zhdukjes së popullsisë shqiptare me terror, me vrasje, me djegje dhe rrënime të katundarvet nuk mund të vazhdonte, Mbreti Aleksandër me ket veprim shpresonte me ia mbërri qëllimit me serbizue Kosovën. Kështu filloi kolonizimi i Kosovës, tue transferue e instalue me mija Malazezë në tokat e katundarëvet shqiptarë.

Katundari shqiptar, ndër këto rrethana të vështira, u detyrue të pranojë ket padrejtësi. Në ket mënyrë ai u ba çifçija i Malazezëvet në tokën e vet, tue dorëzue këtij të fundit nji të tretën e prodhimit të punës të kryme me djersën e tij. Siç u tha ma sipër, qëllimi i qartë: me e detyrue katundarin shqiptar me marrë rrugët e mërgimit drejt Turkisë. Mirëpo katundari shqiptar i ndejti besnik trullit të vet stërgjyshor.

Më 1934 Mbreti Aleksandër vritet në Marseille prej nji Maqedhonasi, ish antar i VMRO-s (Organizata Revolucionare e Maqedhonisë). Për shkakt të moshës së njomë të trashëgimtarit të fronit, u krijue nji Këshill i Regjencës që kryesohej prej Princit Pavle Karagjorgjeviqit, me tre antarë të tjerë. Princi regjent, koshjent i faktit që methodat e egra të mëparëshme nuk mund të vazhdojshin, i liron Kryetarët e Partivet që ishin n’internim dhe i fton për bisedim në Belgrad. Dr. Korosheci dhe Dr. Mehmet Spaho e pranojnë ftesën, ndërsa Dr. Maçeku refuzon të paraqitet dhe Pribiçeviqi vazhdon të qendrojë në Pragë.

Këshilli i Regjencës ngarkon Jovan Jevtiqin, ish Ministër i Punëvet të Jashtme në Kabinetin e maparshëm, me formue nji qeveri gjoja demokrate. Në ket Qeveri marrin pjesë përfaqësues të Sllovenëvet dhe muslimanëvet të Bosnjës, por jo Kroatët. Zgjedhjet për Parlamentin caktohen për muajin Maj 1935. Në ket kohë, për me la veten prej përgjegjësivet së krimevet të shemtueme në Parlamentin e kaluem, Partija Radikale Serbe e ndyshoj emnin tue u quejtun Bashkimi Radikal Jugosllav (Jugoslavenska Radikalna Zajednica).

Përfundimi i zgjedhjevet nuk solli ndryshime të mëdhaja. Partija Katundare Kroate siguroi po aq Deputetë sa kishte pasë ma parë, kurse Sllovenët dhe Muslimanët e Bosnjes duelën ma të fuqishëm. Mbasi zgjedhjet baheshin në mënyrë që secili kandidat-deputet detyrohej të bante pjesë në nji parti politike të madhe jugosllave, praktikisht Shqiptarvet të Kosovës iu ishte mbyllë mundësija me u zgjedhë Deputet. Megjithëketë 3 Kosovarë – Z.Ilijaz Haxhi Agushi, Mustafa Durguti dhe Bllaca – tue u mbështetë në Partinë e Bashkimit Radikal Jugosllav, u zgjodhën si Deputetë të vetëm shqiptarë në Parlamentin  e ri. Z.Bllaca u vra prej njerëzvet të pa diktuem, si duket të shtymë prej qarqevet shoviniste serbe.

Me qëllim të afrojë Kroatët për bashkëpunim, Kryeministri Jevtiç premtoi ndamjen e Jugosllavisë në 9 të ashtuquejtuna Banovina (Governatorata). Shqiptarët e Jugosllavisë qenë pjesëtue në 3 Banovina, të quejtuna simbas emnavet të Lumenjvet Zetska, Vardarska, dhe Moravska, me fjalë ma të qarta: Mali Zi, Serbi dhe Maqedhoni.

Mbas dorëheqjes së Jevtiqit, Milan Stojadinoviqi formon Qeverinë e re. Si nxanës i aftë i Pashiqit, me gjithë kundërshtimet mbrenda Kabinetit, ai përfundon nji marrëveshje me Qeverinë turke të Ismet Inonu-s, që kishte për qëllim emigrimin dhe instalimin në masë të Shqiptarvet të Jugosllavisë në Turki. Në radhë të parë ky plan djallëzor u asgjesue me ndërhymjen e Dr. Spahos që bani nji udhëtim të posaçëm në Ankara. Marrëveshja në fjalë nuk u ratifikue nga ana e Parlamentit turk, dhe kështu, Shqiptarët shpëtuen nga shpërngulja nga Atdheu i tyne.

Për shkak t’afrimit të Stojadinoviqit me Gjermaninë ai u zavendësue me Cvetkoviqin. Por tue qenë se ky nënshkruen Paktin e famshëm të mos –sulmimit me Shtetet e Aksit, Qeverija e tij rrëzohet dhe Gjen. Simoviqi merr drejtimin e Jugosllavisë. Me gjith përpjekjet e këtij me iu shmangë konfliktit, ushtrija gjermane kalon kufijtë në fillim të prillit 1941 dhe, mbrenda pak ditësh, shkatërron ushtrinë jugosllave.

PERIUDHA PRILL 1941 – SHTATUER 1943

Okupimi i Mbretnisë jugosllave nga ana e ushtrisë gjermane u kompletue me 17 prill 1941. Mbas bombardimit të Belgradit qeverija e Gjeneral Simoviqit, me në krye mbretin Petar II, rishtazi i kunorzuem, ishte largue në Cetinje dhe me 12 prill mbrine në Angli. Pasoja e revoltes së 27 mars 1941 ishte shpartallimi i shtetit mozaik jugosllav, i përbamë prej kombësinave të ndryshme të dominueme prej hegjemonisë serbe me nji mbret despot në krye.

Ndërsa mbretnija jugosllave, administrativisht, ishte nda në 9 banovina, në dukje governatorata autonome me Kuvend në veti etj., në realitet qeverimi ishte i centralizuem. Me 10 Prill 1941 Kroatët, t’inkurajuem prej Gjermanëve dhe Italjanëve, shpallen çkputjen e tyne prej mbretënisë jugosllave, tue përfshi edhe Bosnjen, Hercegovinen dhe Dalmacinë. Sllovenët, t’izoluem dhe të vendosun mos me ndjekë shembullin kroat, ishin në pritje të zgjedhjes së problemit të tyne. Nji sipër pësoi nji ndryshim me randësi. Për shkak të minjerave të plumbit, cinkut dhe t’argjentit në Mitrovicë, u caktue nji vij’e demarkacjonit në mes të zonës të okupacjonit ushtarak gjerman dhe italjan. Në këtë menyrë 4 nën-prefektura: Mitrovica, Vuçiterni, Podujeva dhe Pazari i Ri mbeten nën okupacjonin ushtarak gjerman, dhe, si pasojë, shqiptarëve të këtyne krahinave u imponue nji solucjon qi pajtohej me interesat gjermane: me mbajt minierat e shënueme sipër dhe mos me ia dorëzue italjanëve. Me gjithë autonominë e gjanë, këto krahina shqiptare administrativisht bajshin pjesë në shtetin serb. Gjith’ashtu nji vij’e demarkacjonit u caktue në mes të zonave ushtarake gjermane, italjane dhe bullgare. Shkupi, Kaçaniku, Presheva, Kumanova, Ohri dhe Prespa mbetën nën okupacjonin ushtarak italjan dhe administrativisht mvarej nga shteti shqiptar.

Me gjithë okupacjonin italjan të Shqipnisë së 1913-tës, qeveria shqiptare me në krye Shefqet Verlacin kujdesohej me dhanë përshtypjen se Kosova ishte shkri në Shqipninë e 1913-tës. Kjo qeveri bani përpjekje të forta me plotësue mungesat e mdhaja sidomos në fushën e themelimit të arsimit shqiptar jo vetëm në krahinat e lidhuna me ‘te, por edhe në 4 nen-prefekturat shqiptare nën okupacjonin gjerman. E quej për detyrë me vue në dukje në këtë rast kontributin e çmuem të Prof. Ernest Koliqit, Ministrit të Arsimit në Kabinetin e Shqefqet Verlacit dhe mirënjoftjen ma të thellë të popullsisë shqiptare të Kosovës, të gjithë arsimtarëve shqiptarë kosovarë dhe të Shqipnisë së 1913-tës për kontributin e madh dhe sakrificat e tyne në kët shesh, që e kanë ba të mundëshme zhvillimin dhe përparimin e sotem arsimor midis shqiptarëve në Jugosllavi.

Gjatë muejit Maj pjesa e madhe e ushtrisë gjermane u tërhjekë prej Kosovës dhe Maqedhonisë. Ndërsa gjendja në Kosovë ishte normalizue, në Maqedhoni ushterija bullgare kishte krijue nji administratë civile thjeshtë bullgare. Gjatë sundimit bullgar, trajtimi i popullatës shqiptare në vendet që u shënuen ma sipër ishte aq i egër, sa nuk mund të barazohej as me sundimin gjatë kohës së Mbretnisë jugosllave.

Me qellim me lehtësue barren e randë të ushterisë gjermanisë, administrata ushtarake gjermane në Serbi (Militaerverëaltung Serbien – me në krye Staatsrat Turner) kishte ngarkue Gjeneral Nediqin me formue nji qeveri serbe. Elementa ultra-nacjonalistë serbë t’organizatës së çetnikëve të mëshefun nderpër male, t’inkurajuem prej këtij akti, kishin fillue nji far aktiviteti në kufijt ethnikë shqiptarë, tue u shtri edhe në disa katunde serbe mbrenda kufijve të Prefektures së Mitrovicës, sa me provokue ndeshjen me gjandarmerinë shqiptare rishtazi e krijume, por pa ndoj sukses.

Mbas plasjës së luftës në mes Gjermanisë dhe Rusisë (22 Qershor 1941), lëvizja nacjonaliste serbe, nën komanden e Drazha Mihajloviqit, kishte filluar aktivitetin e vet nderpër malet e Uzhicës, Kopanikut dhe Galicës. Konvojat e ushtrisë gjermane sulmoheshin prej çetnikve dhe represaljet gjermane ishin në rendin e ditës. Në Bosnje dhe Hercegovinë ndeshjet në mes të çetnikëve dhe të ustashëve kroatë kishin marrë formen e nji luftës civile. Në dimnin e 1941-42 aktiviteti i çetnikve ishte shtri edhe në kufijt ethnikë shqiptarë. Konshjent të rrezikut, populli shqiptar i këtyne krahinave u bani ballë sulmeve t’egra serbo-malazeze.

Me sjelljet barbare të tyne, sidomos kundra Musulmanëve të Bosnjes së Jugut dhe Sanxhakun e Pazarit të Ri, çetnikët e Drazha Mihajloviqit kishin pregatitë sheshin për ndërhymjën e komunistave të Titos. Të organizuem, me nji disiplinë të hekurt dhe zotësi në fushën e propagandës, lëvizja e Titos kishte sigurue përkrahjen e rinisë, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe në ket menyrën drejtoi luften jo vetëm kundra okupatorit, por edhe kundra Drazha Mihajloviqit ashtu dhe qeverisë serbe të Nediqit në Belgrad.

Ndalimi i ofensives gjermane para Moskes në dimnin e 1941-42; ma vonë qindrimi i armatës ruse në Stalingrad; ndërhymja e Shteteve të Bashkueme t’Amerikës në luftë dhe deshtimi i ofensivës gjermane n’Afriken e Veriut, ishin ngjarje me randësi në zhvillimin e luftës së madhe. Lëvizjet me rezistue okupatorin gjerman në shtetet e Evropes erdhën gjithnji tue u shtue. Sado në dukje paradoksale, dy shtete të mbëdhej me sistem tradicjonal demokratik ishin bashkue me sistemin totalitar komunist për të vetmin qellim me zhdukë ekspanzjonin gjerman. Në Evropën jug-lindore lëvizjet nacjonaliste dhe komuniste paraqiteshin me karakter dhe qëllime kryekëput në kundreshtim me shoqi-shoqin. Okupacjoni gjerman, si për nacjonalistët po ashtu dhe për komunistët, ishte shkaku kryesor i luftës nën sloganin “ÇLIRIM”, secili në kuptimin e vet. Me gjithë përpjekjet e misioneve engleze dhe amerikane pranë këtyne lëvizjeve, për shkaqe ideologjike dhe politike, nuk kishte asnji mundësi me i harmonizue këto dy rryma.

Gjatë vjetit 1942 misjonet engleze kishin udhëzime prej qendrës me përkrahë vetëm at lëvizje që vret ma shumë gjermanë dhe i shkakëton ma shumë dame anmikut të përbashkët. Qellimi ishte me angazhue sa ma shumë divizjone gjermane në luftën partizane. Ndërsa lëvizjet me karakter nacjonalist të shqetësueme prej raprezaljeve t’ashpra nga ana gjermane, ishin të shtërngume me peshue humbjet e randa që pësonte populli në çdo ndërmarrje kundra gjermanëve, lëvizjet komuniste kishin si parim me provokue sa ma teper rapresalje prej gjermanëve me qellim me shtue radhët dhe fuqinë e tyne me rininë e frigsueme me u ba viktim i rapresaljeve.

Aktiviteti i lëvizjes komuniste me luftue okupatorin gjerman kudo që paraqitej rasti dhe pa veshtrim të rapresaljeve perkatëse – gja që peputhej me interesat engleze – i siguroi Titos perkrahjen morale dhe materjale engleze. Megjithe kundërshtimet e misionit amerikan pranë misjonit englez, ndihmat lëvizjes së Drazha Mihajloviqit qenë pakësue aq sa me dobësue moralin e partizanëve të tij. Për shkak të këtij qëndrimi englez, njisinat e Drazha Mihajloviqit në zonën e okupacjonit italjan – Sanxhaku i Pazarit të Ri dhe në Malin e Zi – nën komanden e Pavle Gjurishiqit kishin pranue bashkepunimin me okupatorin italjan dhe, si pasojë, edhe përkrahjen e drejtë t’ushtrisë italjane me gjithë far mjetesh nën pretekstin me luftue lëvizjen komuniste. Me legalizimin e kësaj lëvizjeje shtabi i Pavle Gjurishiqit u transferue prej maleve të Vasojeviqit në Beranë, pranë divizjonit italjan me qendër në Beranë dhe Andrijevicë.

Në realitet, objektivi i Pavle Gjurishiqit nuk ishte me luftue komunistat serbë. Qëllimi kryesor ishte më shpërthye korridorin e Sanxhakut të Pazarit të Ri dhe, tue zaptue disa krahina pjellore të Kosovës shqiptare, me bashkue me pjesën e madhe të lëvizjes drazhiste në Serbi. Sulmet e kësaj lëvizje kanë vazhdue prej Fruerit deri në Qershorin e 1942. Konshient i këtij rreziku popullor shqiptar i Kosovës ka plotësue detyrën e vet në mprojtjen e kufijvet ethnikë shqiptarë pa dorëzue nji pëllambë të tokës së tyne.

Qindrimi indiferent i ushterisë italjane ndaj këtyne sulmeve të çetnikëve nuk zemroi vetem popullin shqiptar. Edhe qarqet ushtarake gjermane nuk i shifshin me sye të mirë këto manevra italjane, sidomos tue marrë në veshtrim randësinë e koridorit. Kështu, në verën e 1942 nji divizjon alpin gjerman (Erste Gebirgsjaeger Division) u transferue në Prefekturen e Mitrovicës, në dukje për pushim. Por, si u pa ma vonë, misioni i ktij divizjoni gjermane ishte me u dhanë fund këtyne manevrave italjane dhe, njëkohësisht, edhe aktivitetetit të çetnikëve të Pavle Gjurishiqit. Pa pritmazi dhe pa vue në dijeni shtatmadhorinë italjane, me 21 korrik të 1942 divizjoni në fjalë kaloi vijen e demarkacjonit që ndante zonen italjane prej asaj gjermane, dhe, mbrenda nji jave operacjonesh në Vasojeviq, Andrijevicë dhe Beranë, çetnikët në krye me komandantin e tyne – afer 1.200 veta – u dorëzuen gjermanëve dhe u transportuen si robë lufte në Gjermani. Mbas kryemjes së këtij misjoni divizjoni gjerman u terhoq në drejtimin Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo ngjarje, për të parën herë, vuni në dukje antagonizmin në mes të Romës dhe të Berlinit.

Në përgjithesi, gjendja në Kosovë prapë u normalizue. Në kontrast me popujt tjerë të Evropës nën okupacjonin gjerman ase italjan (Greqi qi vuejshin edhe për gjana ushqimore për jetesë), popullata shqiptare as që ndiente kët mungesë jetësore mbasi Kosova kujdesohej me sigurue jo vetëm buken por edhe bylmetin për mbarë kombin shqiptar.

Sa me turbullue gjendjën dhe të shtyem prej të miravet, në fillim të 1943-ës nji rrezik tjetër kishte fillue me u dukë në Kosovë. Ardhja e agjentave të nacjonal-çlirimtares së Shqipënisë në Gjakovë dhe Pejë, kishte për misjon me organizue rininë shqiptare të Kosovës në celula komunsite për me luftue për “liri” kundra okupatorit.

Me qellimin me hetue burimin e këtij aktiviteti m’u dukë e nevojëshme me ba nji udhëtim rreth’e përqark Kosovës dhe deri në Tiranë. Përfundimi I ktij ushëtimi ishte:

1)NË KOSOVË: Me perjashtim të disa të rijëve, qi nuk kishin përfundue mësimet në universitetin e Jugosllavisë por të indoktrinuem në Marksin dhe Leninin qysh në kohën mbretnisë, gjeta nji rini të zellshem me vazhdue shkollat shqipe dhe gati me dhanë kontributin e vet për mprojtje e status quo në Kosovë, të krijueme mbas shkatrimit Mbretnisë jugosllave. Të rijt që kishin krye studimet në universitetet dhe të ngarkuem me detyra në degë të tyne, denojshin rreptesisht aktivitetin e agjentave komunistë shqiptarë. Prijsat e katundarëve, në të gjitha krahinat e Kosovës, kishin ndigjue diçka dhe kishin marrë masat me zhdukë këta agjenta, kudo që paraqiten.

2)NË SHQIPNINË E 1913-es: Mbas  bisedimeve të shumta me parinë dhe personalitete jashta qeverisë “fashiste”, me nën-punesa të naltë, etj., përshtypja ishte: ”Gjermanija e kishte humbë luftën, dhe për këtë shkak diçka duhet të bahet”…asnji prej këtyne personaliteteve nuk ishte në gjëndje me dhanë nji mendim ma të kjartë se ç’farë masa duheshin të mirren. Fakti që nji lëvizje e thjeshtë komuniste ishte në organizim e sipër në Shqipni, me qendër në Tiranë, jo që nuk pranohej, por në mënyrë kategorike përgenjeshtrohej, tue i dhanë lëvizjes së të “rinjëve” një karakter thjeshtë nacjonalist… Në qarqet e qeverisë, me në krye Mustafa Krujen, mendimi ishte se “nacjonal çlirimtarja” jo vetëm që ishte organizue, por ishte edhe në veprim të plotë.

Mbas përfundimit të udhtimit ishte tepër veshtirë me përftyrue pasqyrën e gjendjes kaotike të Shqipnisë…

Transferimi i dy divizjoneve gjermane prej frontit të Rusisë në Serbi; lëvizjet e njisinave specjale të ushtrisë gjermane në Dalmaci, Sanxhakun e Pazarit të Ri, dhe sidomos në Greqi, tregojshin kjartazi se diçka ishte tue vlue. Kjo “diçka” interpretohej në shumë mënyra, por ma afër logjikes ishte: nji tentative zbarkimi i aleatëve në breg-detin Jonik e Adriatik.

Në muejin qershor 1943 Fuad Dibra kishte ardhë në Kosovë për vizitë, i ngarkuem prej nji rrethi të ngushtë të leaderve të Shqipnisë, me bisedue se çmund të rrjedhte në rast të çkëputjes së Italisë prej aleances me Gjermaninë. Mbas bisedimeve prej tre ditësh, vendosem me ba nji udhëtim për në Belgrad për me hetue se, cili do t’ishte qendrimi gjerman ndaj Shqipnisë në rast të kapitullimit të Italisë. Rezultati i hetimeve: Ushtrija gjermane ishte pregaditun me nderhye në Shqipni në rast të nji zbarkimi aleat qoftë në Greqi, qoftë në Shqipni. Me insistimin e Fuad Dibres m’u desht me e shoqnue ate deri në Tiranë me qellim të pleqnimit se çfarë masa duheshin marrë nga ana shqiptare. Mbas bisedimeve të gjata me prijsit që kishin ngarkue Fuad Dibren me ba udhtimin në Mitrovicë dhe në Belgrad, dhe pa përfundue asgja, m’u desht me u këthye në Mitrovicë.

Me 5 shtator 1943 u thirra me urgjencë nga Dr. H. Neubacher, i Derguem i Plotfuqishem I Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë me qendër në Belegrad.

PËRMBLEDHJA E BISEDËS ME DR. NEUBACHERIN:

Në prezencën e Kolonel V. Kohotknik Dr. Neubacher më tha se shpallja e kapitullimit italjan ishte për t’u pritë mbrenda orëve ase ditës. Aj më shpjegoi masat ushtarake që ishin marrë me qëllim me pengue nji zbarkim të aleatëve në Shqipni. Tue u mbështetë në miqësinë tradicjonale që Perandorija Austro-Ungare ka ushqyer për Shqiptarët në të kaluemen dhe që aj, si Austrijak që ishte, e kishte trashigue, aj çfaqi mendimin se Gjermanija pranon krijimin e nji qeverisë  shqiptare, tue perfshi edhe Kosovën, dhe se ishte gati me shpallë çkëputjen e Shqipnisë prej Mbretnisë Italjane dhe pamvarësinë e sajë. Në lidhje me këtë pritej që të pranohet prezenca e ushtrisë gjermane në Shqipni deri sa qindron rreziku i zbarkimit aleat në bregdetin shqiptar.

Mbas trajtimit të landës së paraqitun prej tij, tue prekë edhe hollsina që mund të vijshin parasysh në formimin e qeverisë, unë çfaqa mendimin se ndër rrethana që po kalojmë asnji shqiptar serioz nuk mund të flasi në emen të popullit shqiptar. Tue marrë parasysh urgjencën dhe kohën tepër të shkurtë, parashtrova se nji perfaqësi shqiptare, e perbame prej njerëz t’aftë, mund të krijohet me qellim me pregatitë nji Kuvend të përbamë prej përfaqësuesvet shqiptarë në Tiranë, i cili kishte me marrë vendimet e duhuna në lidhje me rishpalljen e pamvarësisë, zgjedhjen e nji Këshilli të Naltë, aprovimin e nji Konstitucjoni, etj.etj.

Tue hy në detaje për sa i përket Kryesisë së Shtetit ase të qeverisë eventuale vuna në dukje sidomos Mehdi Bej Frasherin, ish Kryeministri i Mbretnisë Shqiptare, i njoftun prej fjalimit të tij historik para okupacjonit të Shqipnisë prej Italisë, tue shtue se aj jeton si i internuem ne Romë. Z. Neubacher u interesue me e dijt nëse Mehdi beu kishte me pranue bashkepunimin me Shtetin gjerman. Unë i thashë se i biri i tij ndodhet në Belgrad dhe se vetem aj kishte me qenë në gjëndje me skjarue kët pikë. Pa humbë kohë shkova në qytet dhe u pashë me z. Vehbi Frasherin dhe I sh[jegova bisedën me Dr.Neubacherin. Z.Vehbi Frasheri pranoi që të shkojmë së bashku në Dedinje të Belgradit. Kështu ky pati rast me bisedue me Dr.Neubacherin. Z. Vehbi tha se vetëm Ati i tij Mehdi Beu, mund t’i përgjigjet kësaj pyetjes, por ma parë duhet të kryhet çlirimi i tij nga Roma prej Shettit gjerman. Dr.Neubacheri pranoi sugjerimin e z. Vehbi Frasheri dhe muer përsiper me sigurue transportimin e Mehdi Beut në Tiranë.

Periudha Shtator, 1943 – Nandor 1944

Para shpalljes së kapitullimit të Italisë gjendja në Shqipni, tue përfshi edhe vendet fqij shkurtasi paraqitej si vijon:

Ushtrija italjane: Afër 7 divizione të kambësorisë të vendosuna nëpër qytetet kryesore të Shqipnisë, gjatë kufijvet të Greqisë, në Mal të Zi, në Dalmaci dhe në Sanxhak të Pazarit të Ri. Përveç këtyne, ishin edhe dy regjimente të thjeshta shqiptare të kambësorisë të vendosuna në qytetet e Prishtinës dhe të Gillanit në Kosovë. Me përjashtimin e aeroportave të Beranës dhe të Podgoricës (Mali i Zi), aeroportet në Shqipni gjindeshin n’at nën kontrollin e plotë të ushtrisë gjermane.

Masat ushtarake gjermane: Dy divizione t’ushtrisë gjermane, në pritje të ngjarjes së shënueme ma siper, ishin perqindrue rreth e perqarkë të kufijve të Shqipnisë, tue fillue prej Greqisë veriore deri në Mitrovicë, gati me nderhye me shpejtësi të madhe.

Gjendja e mbrendëshme në Shqipni: Nji qeveri shqiptare nën kryesinë e Ekrem Libohovës, i cili me kohë ishte largue në Itali, gjindej e kryesueme prej Iliaz Haxhi Augushit prej Prishtinës. Kjo qeveri ishte sa për emen, mbasi kishte humbë pothuajse kontrollin e drejtimit shtetnor për arsye se vendi gjindej në kaosin e plotë të nji lufte të pamëshirëshme vllavrasje midis nacionalizmit të vërtetë dhe komunistave të mbuluem nën emnin e famëshem të “nacional-çlirimtares”. Në Shqipninë e Jugut lufta ne mes të këtyne dy grupeve gjindej në fazen decizive të dallimit të marrjes së fuqisë. Siç dihet, kjo luftë përfundoj muaj ma vonë me fitimin e nacional-çlirimtares. Shqipnija e mesme dhe e veriut gjindej nën presionin ma të madh të agjitacionit dhe të propagandes së mbrendëshme e të jashtem komunist dhe të radiovet përendimore. Nder këto rrethana natyrisht jeta normale e popullatës shqiptare kishte pësue nji tronditje të thellë. Komunikacionet  midis qytetevet të Shqipnisë ishin vazhdimisht të rrezikueme jo vetëm prej luftës civile, por edhe prej bandave kriminelesh që vritshin dhe plaçkitshin ushtarët. Nder qytete organet e sigurimit të dobsueme dhe të frigsueme nuk ishin në gjendje me mbrojtë jeten dhe pasuninë e popullësisë që gjindej vazhdimisht nën terrorin e atentatave politike dhe të hakmarrjeve personale. Shkurtasi, gjendja në shqipni të 1913-tes kishte mbrri në nji shkallë që nuk mund të flitej ma per nji jetë të perbashkët të rregullit e të drejtësisë shtetnore.

Gjendja në Kosovë: Në kontrast me sa ma sipër, gjendja në Kosovë paraqitej normle edhe e qetë. Me gjith se nuk kishte ma lidhje normale të drejta me Tiranën, administrata shtetnore, tue perfëshi edhe organet e sigurimit publik, vazhdonte me funksionue në rregull të plotë. Koshjent të rrizikut të perherëshem nga ana e grupeve shoveniste Serbe (çetnikve) formacionet vullnetare Kosovare që ishin ngarkue me mbrojtjen e kufivet, gjindeshin në krye të detyres.

NË PRAG TË KAPITULLIMIT ITALJAN

Në mbështetje të marreveshtjes me Perfaqsuesin të Plotfuqishem per Evropen juglindore të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Dr.H.Neubacher, shteti gjerman kishte dhanë sigurime per sa vijon:

a)Bashkimin e krahinave shqiptare të Kosovës, Tetovës etc. që gjindëshin nën  okupacionin ushtarak italjan me shtetin shqiptar të 1913-tes;

b)Vazhdimin perkohësisht me mbajtë statusin e deritanishëm të 4 Nënprefekturavet të banueme me shumicë prej shqiptarve të Mitrovicës, Vuçiternit, Podujevës dhe të Pazarit të Ri, që gëzojshin nji autonomi shqiptare mbrenda shtetit Serb;

c)Gjermanija, në nji çast të volitshem me ngjarjet në zhvillim e siper të kapitullimit italjan, do të bante nji shpallje zyrtare, në të cilen të njihen: çkuptja e shtetit shqiptar nga Perandorija italjane dhe pamvarësija shtetnore e tij.

d)Gjermanija per gjatë luftës madhe në vijim do të vendoste formacione ushtarake në disa pika strategjike të Shqipnisë, tue premtue terheqjen e tyre të plotë në mbarim të luftës.

Në dijeni të plotë të gjendjes së pershkrueme ma siper, mbas nji udhtimit të shpejtë prej Belgradit në Mitrovicë, mbrina me 7 Shtator 1943 në Prizren. Pernjiherë mora kontaktet e nevojshme me parinë e Prizrenit dhe me disa personalitete shqiptare që gjindeshin aty, dhe së bashkut vendosem me ba nji mbledhje, në të cilen të bisedoheshin të gjitha problemat që mund të rrjedhëshin nga kapitullimi italjan. Per ket qellimi, të gjith ishin të nji mendimit me mbajtë nji Kuvend në Prizren, ku të merrshin pjesë perfaqsuesë të zgjedhun të të gjitha krahinave shqiptare të ish Mbretnisë jugosllave per me themellue nji organizatë që do të fliste dhe vepronte në emer të kësaj popullate shqiptare. Në bazë të propozimit të bamë prej z.Tahir Zajmit, mbledhja pranoj njizanit që Kuvendi i ardhëshem të ket emnin “LIDHJA E II E PRIZRENIT”, si pasardhëse e Kuvendit historik të Lidhjes së Prizrenit. Me qellim me përgaditë sheshin e mbajtjes së këtij Kuvendi u caktue nji Komitet i perbamë prej shtatë personash që kryesohej prej patriotit të vjeter të prizrenit, Musa Shehut.

Mbas këtyne vendimeve vazhdova udhtimin per në Shkoder, ku me 8 Shtator mësova kapitullimin e Italisë. Pa humbë kohë vazhdova udhtimin per Tiranë me nji qellim të përcaktuem, të çlirimit nga kampi i Porto Romanos afër Durrësit të disa prijsave të njoftun të Kosovës që gjindeshin të internuem prej italjanëve siç ishin: Rexhep Mitrovica, Bedri Peja, Xhelal Mitrovica etj. Bashkë me këta personalitete u formue nji perfaqësi që mund të fliste në emen të Kosovës me përfaqsuesët e dalluemë të Shqipërisë së 1913-tes.

Në ket kohë gjëndja në Shqipni paraqitej mjaft e perzime dhe konfuze per arsye se grupet politike nacionaliste që sigurisht paraqitshin shumicen e popullit shqiptar, nuk ishin qenë në gjendje jo vetem me krijue bashkimin midis tyne, por as me koordinue veprimtarinë e tyne në lidhje me rrethanat e reja që priteshin të ngjajnë mbas kapitullimit italjan dhe nderhymjes eventuale të ushterisë gjermane në Shqipni.

Dy grupet kryesore politike nacionaliste në mbështetje të lidhjeve që kishin me misionet aleate veprojshin me konceptet që deri dikund i pengonte me marrë pergjegjësina të hapta në periudhen e realitetit gjerman në token shqiptare. Si rrjedhje e natyrëshme e kësaj gjendje, u paraqiten disa personalitete shqiptare të gjenerates ma të re, të cilët tue pa rrizikun e madh që i kercnohej Atdheut nga veprimtarija e vendosun dhe e mirë e koordinueme e t’ashtuquejtunes Lëvizja nacional-çlirimtare e udhehjequn prej emisarve të partisë komuniste jugosllave dhe materijalisht dhe moralisht e perkrahun prej Komandës aleate të Mesdheut, ishin gadi të merreshin pergjegjesina të randa ndaj popullit shqiptar. U formue nji grup i perbamë prej 22 vetëve, midis të cilëve gjindeshin persona të pakalueme politike të maparëshme, dhe persona qi kishin lidhje si me grupet e mdhaja nacionaliste shqiptare, ashtu edhe me grupin e vendosur anti-komunist që deri dikund kishte pasë lidhje me qeveritë e periudhës italjane.

Folësitë e grupit të 22 vetave, tue pasë mbështetjen e plotë të antarvet, hynë pernjiherë në bisedime paraprake me Perfaqësuesin e Plotfuqishem të shtetit gjerman, Dr.H.Neubacher. Mbas diskutimeve të gjata ma në fund u mbërri nji marrëveshje në baza që janë shque në pikat e shënume ma siper. Grupi i 22 vetave, ase Këshilli në fjalë, zgjodhi nji komitet ekzekutiv të perbamë prej 7 vetave, të cilët nga ana e tyne zgjodhen si Kryetar z.Ibrahim Biçakun, bir i patriotit dhe ish antarit te Këshillit Naltë, Aqif Pashë Elbasani.

DERTYRAT KRYESORE TË KOMITETIT EKZEKUTIV ISHIN:

1)Pranimi imediat i dorëhjekjes së qeverisë së fundit të periudhës së kalueme;

2)Fuqizimin dhe normalizimi i jetës administrative shtetnore dhe t’organeve të sigurimit;

3)Përgaditja e shehsit për mbledhjen e nji Kuvendit Kushtetues Kombtar, që lypsej të mbahej mbrenda nji kohës së shpejt;

4)Çlirimi i ma se 2000 të burgosunëve politikë nga kampi i Porto Romanos, midis të cilëve gjindeshin edhe komunista të njoftun.

ZHVILLIMET E NGJARJEVE NË KOSOVË:

Në ket nderkohë, Këshilli ekzekutiv i Prizrenit i perbamë prej: Xhafer Deva dhe Asllan Boletini prej Mitrovicës; Musa Shehu, Sheh Hasani, Lukë  Simon Mjeda dhe Pjeter Vuçaj prej Prizrenit; Tahir Zajmi prej Gjakovës dhe Qazim Bllaca prej Suharekës, që ishte ngarkue me organizimin e Kuvendit në Kosovë, kishte marrë të gjitha masat e nevojëshme për krijimin e komiteteve përkatëse në të gjitha Prefekturat, Nënprefekturat dhe Komunat në Kosovë, Tetovë, Dibër, Ulqin, etj. Përnjiherë qenë dhanë udhëzimet e nevojëshme për zgjedhjen e perfaqsuesave të krahinavet shqiptare të sipershenueme që do të merreshin pjesë në Kuvend. Mbarë popullësija e këtynve Prefekturave caktoj për secilen Nënprefekturë nga dy perfaqsuesë të zgjedhun simbas sistemit demokratik me vota të dyta. Mbledhja e kuvendit u ba me 16 Shtator 1943 nën entuziazmin e madh të popullësisë së Prizrenit dhe të krahinavet tjera të Kosovës. Kuvendi që njizani u pagëzue “LIDHJA E II E PRIZRENIT”, caktoj pikat e rendit të ditës, mbasi zgjodhi Kryesinë të perbame prej: Musa Shehu, Kryetar, Aqif Bluta, Nënkryetar, Rexhep Krasniqi, Nënkryetar dhe Bedri Gjinaj, sekretar, dhe u muerrë me problemet jetsore të kohës siç vijojnë:

1)Bisedim mbi shpalljen e vullnetit të popullit per bashkimin e viseve të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit dhe të Tuzit si pjesë integrale të Shtetit Shqiptar;

2)Mbi bashkimin me Shqipni gjithashtu të Mitrovicës, Vuçiternit, Podujeves dhe Pazarit të Ri që ndodheshin nën pushtimin gjerman dhe administrativisht bajshin pjesë në shtetin Serb;

3)Mbi organizimin politik e ushtarak të popullit dhe përgatitjen e mbrojtjes së kufijëvet ethnik;

4)Mbi krijimin e nji Komiteti Qendror me seli në Prizren dhe të Nën-komiteteve në të gjitha qendrat e tokave të lirume për të drejtue veprimtarinë e nevojshme të qeverisjes dhe të mbrojtjes së vendit;

5)Mbi perpilimin dhe aprovimin e kushtetutës së organizates Kombëtare LIDHJA E II E PRIZRENIT;

6)Mbi proceduren që do të ndiqet per zgjedhjen e perfaqsisë së krahinave të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit e të Tuyit per në Kuvendin Kombëtar që do të mbahej në Tiranë.

Kuvendi vazhdoj bisedimet e veta mbasi zgjodhi të gjitha pikat të shenume ma siper dhe u shpernda me 23 Shtator 1943, tue ngarkue si autoritet suprem nji Komitet Qendror të perbam prej nji Kryetarit, Rexhep Mitrovica, dhe 6 antarëve në Prizren.

KUVENDI KUSHTETUES KOMBTAR NË TIRANË

Perfaqësuesat e Kosovës që do të merrshin pjesë në Kuvendin Kombëtar ishin zgjedhë me frymë demokratike në mbeshtetje te udhëzimeve të LIDHJES dhe të nji qarkores së Komitetit Ekzekutiv në Tiranë. Nji veprim i tillë per pjesen e Shqipnisë së 1913-tes ishte teknikisht i pamundëshem të realizohet nga rrethanat kaotike që ekzistojshin në at kohë atje. Prandaj, nji komision i zgjedhun prej Komitetit Ekzekutiv të Tiranës i perbamë prej personaliteteve të shqume shqiptare që ndodheshin në Tiranë, që u kryesuen prej patriotit të njoftun Lef Nosi, kishte marrë persiper me zgjedhë perfaqsuesat e të gjitha Prefekturavet të Shqipnisë së 1913-tes që do të merrshin pjesë në ket Kuvend.

Në ket nderkohë, komiteti Ekzekutiv, tue u marrë me pikat e shënueme ma parë të veprimtarisë së vet, në radhë të parë pranoj dorehjekjen e kabinetit të ma parëshem që u paraqitë në tanësi në godinen e Kryeministrisë në Tiranë. Mandej, me disa veprime të shpejtume por afektive, iu vuni fre, sa ishte e mundëshme, veprimeve kriminale, si atentatave, djegjeve dhe vjedhjes së pasunisë shtetnore dhe privat në Tiranë dhe qytete tjera të vendit. Ne ket menyrë, mund të thuhet se autoriteti shtetnor filloj të forcohet sa me e ba të mundshme mbajtjen e Kuvendit. Siç ishte parapa, Kuvendi u hap me 23 tetor 1943 në ish pallatin e ri mbretnor në rrugen Tiranë- Elbasan. Simbas rregullavet të zakonëshme, Kuvendi Kushtetues Kombtar, në të cilin per të paren herë në historinë kombtare, merrëshin pjesë perfaqsuesa të zgjedhun të krahinave shqiptare t’ish mbretnisë Jugosllave, të lanuna padrejtësisht jashta kufinit të Shqipnisë së 1913-tes, zgjodhi Kryesinë e vet të perbame prej Lef Nosit, Elbasan, Kryetar, Mark Gjon Markaj, Kapidan i Mirditës, Nenkryetar; Dr. Rexhep Krasniqi, Kosovë, Nënkryetar.

Me gjith perpjekjet e komunistave me e ba te pamundëshme mbajtjen e Kuvendit, mbledhja kombetare vazhdoj punimet e veta në lidhje me programin e rendit të bisedimeve të caktume nga Kryesija. Pikat kryesore të ktij program ishin:

1)Anullimi i statusit që kishte kalue Shqipnija gjatë okupacionit italjan dhe rishpallja e pamvarësisë shtetnore shqiptare;

2)Anullimi i kushtetutes dhe i të gjitha ligjëvet t’imponueme gjatë okupacionit të huej dhe  këthimin e statusit ligjor të periudhes së pamvarësisë;

3)Me gjith qenjen e ushterisë gjermane në tokat shqiptare, u ba shpallja e neutralitetit shqiptarnë konfliktin e madh botnuer në vijim e siper;

4)Në mbështetje të kerkesës së njizanit të perfaqesisë legale të tokave shqiptare të ish Mbretnisë jugosllave, nën nji atmosferë të enthuziazmit të papershkrueshem, bahet Shpallja e Bashkimit të tokave dhe e popullsisë shqiptare të shënueme ma siper me Shtetin Shqiptar;

5)Zgjedhja e Këshillit të Naltë të Regjencës si autoritetet shtetnor supreme të perbamë prej patriotëve nder ma të shqueme të kohës: Medhi Frasheri, Pader Anton Harapi, Lef Nosi dhe Fuad Dibra.

Mbas betimit të bamë të antarvet të Këshillit Naltë të Regjencës, me perjashtim të Pader Anton Arapit, i cili ma vonë e kreu betimin e vet para Parlamentit, Kuvendi Kombetar Kushtetues u transformue në nji Parlament, në të cilin per arsye të gjendjes se luftes, bajshin pjesë vetem frakcione të kufizume të krahinave që kishin marrë pjesë në Kuvend. Në vend të Lef Nosit, Kryetarit të Kuvendit, që u zgjodhë antar i Këshillit Naltë të Regjencës, u zgjodhë nji Kryetar i ri i Kuvendit dhe ma vonë i Parlamentit, patriot veteran i mirënjoftun Idhomen Kosturi prej Korçës. Ky i fundit pakë ditë ma vonë ra viktim i nji atentati të përgaditun nga komunistat. Kryesija e Parlamentit u plotsue së shpejti me zgjedhjen e Prof. Mihal Zallarit si Kryetar.

FORMIMI I QEVERISË

Këshilli i Naltë i Regjencës, mbas konsultimevet të zakoneshme, ngarkoj z. Rexhep Mitrovicen me forminin e qeverisë. Ky, pa vonesë, muerr kontakte e nevojshme me personalitete shqiptare dhe me grupe politike të njoftuna të nacionalizmit shqiptare, megjithë sa prej ktyne formalisht gjindeshin në luften e rezistences kundra okupatorit të ri.

Mbrenda nji kohe të shkurt Kabineti i kryesuem prej Rexhep Mitrovicës u paraqitë para Parlamentit në ket formacion:

Kryetar i Qeverisë, Rexhep Mitrovica

Minister i Drejtësisë, Rrok Kolaj

Minister i Punëve të Mbrendëshme, Xhafer Deva

Minister i Ekonomise, Ago Agaj

Minister i Financave, Sokrat Dodbiba

Minister i Botores, Musa Gjylbegaj

Minister i Kultures e i Propagandes, Kolë Tromara

Minister i Arësimit, Koço Muka

Minister i Punëve të Jashtme, Bahri Omari

Nënsekretarë të Shetit, Vehbi Frashëri, Qazim Bllaca dhe Ernest Çoba.

Kjo qeveri që muerr pelqimin e plotë të Parlamentit, siç mund të shifet, perbahej prej personaliteteve politike te të gjitha krahinave shqiptare, disa të cilëvet konsideroheshin si perfaqsuesë të grupeve politike nacionaliste që formalisht gjindeshin në luftë të qindreses kundra okupatorit.

Si mbas programit të paraqitun perpara Parlamentit, detyrat kryesore të kësaj qeverije ishin: Me sigurue qetësinë e mbrëndshme në të gjitha fushat e jetës shtetnore; me shque poziten neutrale të Shqipnisë ne boten e jashtme, gja që u njoftue zyrtarisht në vijën diplomatike shteteve neutrale siç ishte Vatikani, Svicra, Tyrqija etj. Mbi këto, u banë edhe këto veprime: shpallja e lirisë së plotë të mbledhjeve, e fjales dhe e shtypit per të gjitha grupet politike me perjashtim të partisë komuniste; Ndermjetësimi pranë shtetit gjerman per çlirimin e gjithë atyne shqiptarëve që gjindeshin t’internuemë në Itali; Ndermjetësimi pranë shtetit gjerman per transferimin prej Romës në Tiranë e të gjitha banknotave shqiptare (120 milion franga) që ndosheshin në Banca d’italia në Romë, dhe njikohësisht të veglave per shtypjen e banknotave në fjalë; Perpjekje per konsolidimin e jetes ekonomike-tregtare që  kishte pësue tronditje të thella si rrjedhje e kapitullimit të Italisë.

Midis masave të marruna nga qeverija në sheshin ekonomik dhe financjar lypset shque marrëveshja monetare me shtetin gjerman, gja që i siguronte monedhes shqiptare të drejten e qarkullimit të vetem në token shqiptare dhe, që detyronte shtetin gjerman per nevojat t’ushterisë vet në Shqipni me ble frangat shqiptare me monedha ari.

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top