Shkolla "Lidhja e Prizrenit", gjatë Luftës së Dytë Botërore mbante emrin e heroit "Bajram Curri".

Libri i Prof. Hazir Shalës, “Lidhja e Dytë e Prizrenit”

Shkruan: Prof. Dr. Bujar Tafa

Sesion Shkencor, kumtesa dhe komunikime

Në këtë libër, prof. Hazir Shala ka bërë përmbledhjen e kumtesave dhe kumunikimeve të Sesionit Shkencor për Lidhjen e Dytë të Prizrenit të organizuar nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare, më 21 dhe 22 shtator 2001, në Prizren, si dhe trajton nacionalizmin shqiptar i cili ishte konsoliduar në mbrojtje të çështjes kombëtare, e cila ishte rrezikuar nga të gjitha anët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lidhja e Dytë e Prizrenit ka startuar në një nivel solid ideologjik dhe me aftësi të mëdha të mobilizimit nacionalist të elitave shqiptare të kohës, për ta ngritur kombin shqiptar e për të formuar një shtet kombëtar në Ballkan.

Autori, përmes këtij libri, ka dashur që të shtjellojë në detaje vizionin e nacionalistëve shqiptarë, që e organizuan Lidhjen e Dytë të Prizrenit dhe traktatet nacionaliste të ideologëve kryesorë, që janë: Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Musa Shehu, Asllan Boletini, Shefqet Shkupi, Qazim Bllaca, Tahir Zajmi, Sheh Hasani, Qemajl Balila, Hivzi Meraku, Luk Simoni, Haxhi Fahrija, Sokol Dobroshi etj. Kjo ngjarje e madhe historike dhe këto traktate shprehin aspiratën historike të shqiptarëve, që të jenë pjesë përbërëse e kontinentit në të cilin jetonin, që të ishin në miqësi me fqinjët ballkanikë dhe që brenda kombit shqiptar të mbretëronte harmonia, duke eliminuar ndarjet ideologjike, rajonale, fetare e klasore.

Autorët e Sesionit Shkencor sjellin fakte historike që argumentojnë se Lidhja e Dytë e Prizenit u dha shqiptarëve programin kombëtar për ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe bashkimin kombëtar, kërkesat që përbënin themelin e programeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vijim. Ato mbetën të tilla edhe në përpjekjet e mëvonshme për liri dhe shtetformim që vazhduan si të tilla edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore po ashtu edhe pas përfundimit të saj, që u përfshinë në programet e Lëvizjes Ilegale të shqiptarëve që mbetën nën pushtimin jugosllav.

Lidhja e Dytë e Prizrenit filloi punimet në Prizren më 16 – 20 shtator 1943 në praninë e 42 delegatëve që përfaqësonin Prizrenin, Dragashin, Suharekën, Rahovecin, Gjakovën, Pejën, Plavën, Vuthajn, Rozhajën, Novi Pazarin, Senicën, Prishtinën, Gjilanin, Mitrovicën, Shkupin, Tetovën, Dibrën, Ohrin, Ulqinin dhe Gostivarin.

Kërkesat kryesore të Lidhjes së Dytë të Prizrenit ishin: çlirimi nga pushtuesi sllav, pavarësia kombëtare dhe bashkimi i të gjitha trevave shqiptare. Sepse, e tërë kjo buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme për të qenë të bashkuar dhe të barabartë me popujt e tjerë. Nuk gjendet në Evropën e sotme ndonjë komb tjetër, i cili të jetë cunguar aq rëndë dhe që t’i jetë bërë një padrejtësi aq e madhe sa ajo që pësuan shqiptarët në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët u organizuan rreth Lidhjes së Dytë të Prizrenit me qëllimin e vetëm realizimin e aspiratën shekullore, Çlirimin dhe Bashkimin Kombëtar.

Ajo u formua jo rastësisht në qytetin historik të Prizrenit për të jetësuar amanetin e drejtuesve të Lidhjes së Parë Shqiptare të Prizrenit. Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes me 7 veta: kryetar Rexhep Mitrovicën; nënkryetar Musa Shehzade; Tahir Zajmi, Asllan Boletini, Kol Margjini, Sheh Hasani, Qazim Bllaca, anëtarë.. Ai miratoi edhe procedurën e zgjedhjes së delegatëve që do të përfaqësonin Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare në Asamblenë Kombëtare, që do të thirrej në Tiranë më 16 tetor 1943 dhe shtroi nevojën e hartimit të Statutit të
organizatës. Kuvendi autorizoi Xhafer Devën, Aqif Blytën dhe Ibrahim Lutfiun për të koordinuar punën e Lidhjës me atë të Qeverisë Shqiptare për çështjen e Kosovës.

Me propozimin e Tahir Zajmit, Kuvendi Themelues proklamoi bashkimin e Kosovës, Dibrës, Tetovës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit me Shqipërinë, si pjesë integrale të saj dhe kërkoi bashkimin me të edhe të Qarkut të Mitrovicës që i takonte Zonës gjermane të pushtimit. Me këtë rast, delegati i Gjilanit, Esat Berisha, kërkoi nga Kuvendi që të ndërhynte për rishikimin e vijës së demarkacionit me Bullgarinë, gjë që nënkuptonte përfshirjen brenda kufijve të Shqipërisë të trevave shqiptare që ndodheshin nën pushtimin bullgar. Sali Rama, delegat i Rugovës, theksoi domosdonë e përfshirjes brenda kufijve të Shqipërisë të trevave shqiptare që i kishin mbetur Malit të Zi. Në Kuvend u trajtua edhe çështja e organizimit politik dhe ushtarak, marrja e masave mbrojtëse kundër depërtimit në këto treva, si të forcave çetnike edhe të atyre partizane nga Mali i Zi dhe Serbia.

Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe historike të Lidhjes se Dytë Prizrenit, e cila kishte një program kombëtar, i cili buron nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare e Rilindjes Kombëtare për krijimin e një shteti shqiptar në Ballkan, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Krye me Prof. Hazir Shalën, në Prizren organiznuan Sesionin Shkencor me kumtesa dhe ligjërues nga të gjitha trevat shqiptare. Të gjithë autorët e Sesionit Shkencor, sollën fakte të rëndësishme historike për Lidhjen e Dytë të Prizrenit.

Prof. Hazir Shala në fjalën e tij e shtjellon këtë ngjarje historike me këto fjalë, citoi, “Motoja e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare është: TEJ KOSOVE NË ÇAMËRI-SHQIPËRIA ËSHTË NJË! Kjo moto besoj se do të ishte edhe deviza e atdhetarëve, patriotëve e veprimtarëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Ishte ideali programor i tyre, mishërimi i vlerave më të larta kombëtare, i tipareve më të mira njerëzore, gjë që edhe sot artikulohet dhe është përcaktim i drejtë dhe demokratik i të gjithë shqiptarëve të vërtetë, i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i të gjithë njerëzve që e mbrojnë lirinë e njeriut, i të gjithë atyre që me mendje e penë bashkëveprojnë në tërë hapësirën shqiptare, ku janë varret e të parëve tanë, duke zbatuar edhe idealet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Se jemi dëshmitarë të dukurive bashkëvepruese kombëtare tregon edhe fakti promovues, solidarizues, demonstrues, luftarak i shumë shtresave e institucioneve, të odës e të shkollës, të ilegalitetit e të burgosurëve, të luftëtarëve dhe të heronjve, të sakrificës e sublimes, deri te UKSH-ja, e cila ia zbardhi fytyrën kombit, e zbardhi fytyrën kombëtare, ku edhe përcaktohet rruga e mëtejme për Shqipërinë”, përfundon citati.

Një popull i cili nuk e kujton të kaluarën e tij është i dënuar që të shkatërrohet, mirëpo deri sa ky popull ka organizata dhe njerëz të cilët i qajnë hallet e kombit si hallet e veta, kombi ynë do të jetojë dhe do të ngritet në piedestalin me të lartë, kjo është Lëvizja Kombëtare Shqipatare, në krye me Prof. Hazir Shalën, i cili tërë jetën ja kushtoi çështjes kombëtare shaqiptare.

Lidhja e Dytë e Prizrenit është njëra ndër ngjarjet e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, e cila kishte një program gjithëpërfshirës për të gjitha trevat shqiptare në Ballkan, porgram, i cili ishte burim nga zemra e shqiptarëve, të cilët flijuan gjithçka për krijimin e një Shqipërie të vërtetë. Unë mendoi se organizimi i këtij Sesioni Shkencor në Prizren, në shtator të 2001, ishte ngjarja më madhështore kombëtare që nga pas lufta, për arsye se kujtohet një e vërtetë e madhe historike, e cila la gjurmë të thella në ndjenjën dhe realitetitn e shqiptarëve për krijimin e Shqipërisë së Vërtetë Natyrale.

Mr. Zahir Kastrati

Ideali i lirisë e i bashkimit kombëtar

Krahas veprimtarisë së tij të bujshme atdhetare (i burgosur për shumë vjet për veprimtarinë e tij atdhetare) Hazir Shala u mor edhe me poezi. Poezitë e tij, disa prej të cilave i ka shkruar qysh në vitet e para të pasluftës së dytë botërore, në një mënyrë janë kronikë poetike e një periudhe të gjatë nën pushtuesin jugosllav. Në këtë mënyrë Hazir Shala bëhet rrëfyes i krajatave dhe i vuajtjeve të cilat edhe pse e kanë një fillim personal, ato bëhen të përgjithshme, kombëtare. Haziri bëhet rrëfyes artistik i fatit kolektiv sepse, në këto poezi, poeti njëjtësohet me idealet e popullit të tij, me idealet e lirisë e pavarësisë, ideale të cilat i patën edhe shumë bashkëveprimtarë të gjeneratës së Hazir Shalës. Merita e Hazir Shalës dhe vlera artistike e këtyre poezive qëndron në atë se gjatë shkrimit të këtyre poezive poeti nuk rrëshqet në përshkrime të thata të situatave e të ndjesive të tij personale. Ai, prej jetës së rëndë, prej peripecive, burgjeve e situatave aspak normale për të dhe për popullin e tij, nëpërmjet penës e poezisë e nxjerr të bukurën, e nxjerr artin e tij. Pra, poezia e Hazir Shalës qëndron në baza të forta të artit e të së bukurës.
Poezitë si “Fatin tim nuk e jap”, “Shqiponja”, “Koka shqiptare” etj, dëshmojnë për një qëndresë dhe vizion të idealeve kombëtare e, përgjithësisht, njerëzore. Poezitë e para të cilat i ka shkruar poeti në këtë përmbledhje “Emri”, “Detyrë”, etj., bëhen në një mënyrë lajtmotiv edhe për poezitë e mëvonshme të tij. Poeti, në atë kohë i ri, pra në vitin 1948, aspiron barazinë e paqen ndërmjet njerëzve:

Jug dhe veri
si një njeri
dëshirë e thellë
në vëllazeri.
(Emri, 1948)

Ai e afirmon paqen, paqen e njëmend, por duke i bërë gjithmonë jehonë dinjitetit të popullit të tij:

Për këtë tokë
kokë për kokë
(Detyrë, 1957)
botën kemi
për ta zgjuar
me diell
yje
përherë
për ta yjëzuar
(Bota në duar, 1954)

I ndodhur në situata të rënda, poeti poezinë e sheh si një mundësi për t’i ikur robërisë e për t’i theksuar idealet e tij. Kështu poeti është i vetëdijshëm se fjala e shkruar, poezia, nuk vdes kurrë:

poezi poetikë
burim jete
je
gjithnjë
do të jesh
gurkep i përjetësisë
(Poezia)

I pajisur, para së gjithash, me ideale njerëzore, poeti i ngarkon vetes detyra nga më fisniket. Ai idealet i ndërton artistikisht dhe lutet për ato ideale:

lutem prej toke në qiell
për farë të mirë dhe diell.
(Lutje dheut, 1955)

Poema “Ylli polar”, që është më e gjata dhe që e zë vendin kryesor në këtë përmbledhje, është si një ditar poetik, në të cilin autori, gjithmonë me një gjuhë figurative, synon që në një krijim të vetëm t’i përfshijë të gjitha peripecitë shekullore të vendit të tij, pa e përjashtuar as kohën kur shkruan poeti, pra t’i përfshijë vuajtjet e popullit shqiptar, kuptohet gjithherë duke e pasur parasysh rezistencën e njerëzve të kësaj toke përballë armiqve të shumtë që shkelen këtë truall. Jo vetëm te kjo poezi (Ylli polar) por edhe në poezitë tjera, ajo që theksohet më shumë nga poeti është guximi dhe qëndresa. Guximi për të mos u përulur dhe qëndresa ndaj pushtuesit.

Në pikëpamje figurative, te këto poezi shohim se poeti Hazir Shala i pëlqen metaforat, personifikimet, e herë herë alegoritë. Në përgjithësi figurat të këto poezi janë lehtësisht të deshifrueshme, cilësi kjo që poezinë e bën më të afërt me lexuesin e zakonshëm. Së këndejmi kjo poezi, duke mos qenë e ngarkuar arbitrarisht me figuracion të rëndë, mund të themi se lehtë lexohet e lehtë kuptohet.

Këto poezi karakterizohen me një stil të veçantë. Ritmin e këtyre poezive poeti e ndërton në mënyra të ndryshme, herë përmes asonancës e herë përmes aliteracionit, por në shumë raste poeti nuk heziton që ritmin e këtyre poezive ta ndërtoj edhe duke i pasur parasysh shkrimtarët tanë të traditës.

Poezia e Hazir Shalës, është e rëndësishme edhe për kohën dhe rrethanat në të cilat është shkruar. Ato datojnë që nga vitet e dyzeta të shekullit të kaluar e deri te poezia e fundit më 1999, që do të thotë se këto poezi përfshijnë një periudhë prej më shumë se 50 viteve.

Është mirë që botohen këto poezi, sepse njerëzit duhet ta dinë se këtu në Kosovë ka pasur gjithmonë rezistencë, ashtu siç ka pasur poetë që, edhe pse atëherë e kanë pasur të pamundur të botojnë, të paktën kanë shkruar pak më ndryshe, duke shprehur kështu revoltën për padrejtësitë kolektive që iu bëheshin shqiptarëve.

Është fatkeqësi për kulturën e një populli kur një krijuesi nuk i mundësohet ta zhvilloj normalisht veprimtarinë poetike. Duke u nisur nga vlera dhe pasuria artistike që na ofrojnë këto poezi, kemi arsye të madhe të besojmë se, në rrethana normale, nga Hazir Shala do të kishim pritur edhe shumë poezi të tjera me vlera të larta artistike.

Poezitë e Hazir Shalës janë të rëndësishme për shumë arsye, për kohën kur janë shkruar, për rrethanat në të cilat janë shkruar, por më së shumti janë të rëndësishme për mesazhet njerëzore e atdhetare që përmbajnë.

1 thought on “Libri i Prof. Hazir Shalës, “Lidhja e Dytë e Prizrenit””

  1. Pershendetje te nderuar!

    Po e shoh ne kete faqe, ne shkrimin per veprimtarine e te ndjerit, Prof. Hazir Shales, eshte ngaterruar emri im me studiuesin z. Zahir Kastratin, sepse une kam shkruar per poezine e Prof. Hazir Shales, ndersa studiuesi tjeter z. Zahir Kastrati ka shkruar per librin e prof. Hazir Shales “Lidhja e dyte e Prizerenit”.
    Ne faqen e juaj po duket sikur une kam shkruar per Librin ”Lidhja e dyte e Prizerenit”, ndersa Zahir Kastrati sikur ka shkruar per poezine e te ndjerit. Dmth e kunderta.

    me shume respekt,
    Bujar Tafa

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top