Fort i kthiellti princ e zotni i nderuem,
E mora letrën e zotnis tuej, e cila m´çuditi mâ fort se sa t´më idhnonte, tue pâ mënyrën me të cilën ju shkruani. Dhe, më së pari thoni, që, kur keni marrë lajmin së në i paskemi dërguar fjalë fort të kthielltit Madhëri, mbretit Ferrant (Ferdinand) së po të na dërgonte golera, në do të kishim ngarkuar në të njerëz që të shkonin për t’i dhënë zjarr Brindizit edhe për të plaçkitur vendin tuaj, nuk paskeni mundur ta besoni, mbasi më njihni mirë për të urtë e të matur.
Kur morëm vesh së ju kishit ngritur krye kundër Madhërisë së tij, i çuam fjalë që të na dërgonte në këto anë galera dhe anije të tjera për të marrë njerëz, këmbësorë e kalorës, sepse aq sa të donte do t’i kishim dërguar për shërbim të Madhërisë së tij. Po ta kishte bërë këtë dhe të na kishte besuar, ne mbase Brindizin nuk do ta kishim djegur, por vendet që u rebeluan në Pulje, nuk do të kishin ngritur krye. Ju, në atë rast do ta kishit patur të vështirë të mbronit gjënë tuaj dhe jo më të mendonit që të shtinit në dorë shtetin e Madhërisë së Tij, i cili është zot i juaj e si zot duhet ta njihni sepse jeni betuar.
Në qoftë së unë do të thyhesha, Italia do ta ndiente dhe, si rrjedhim, ai zoterim që ju thoni që është i juaji, do të ishte i osmanëve. Por a e mbani mend sa e madhe ishte fuqia e sulltanit, sa nuk është as e juaja as e zotërisë që përkrahni dhe, kur më pas mbetur vetëm qyteti i Krujës, dhe kur u gjeta aty i rrethuar, unë e mbrojta kundër gjithë asaj fuqie, dhe e mbajta gjersa osmanët, me dëm e me turp u hoqën, dhe unë në një kohë të shkurtër, e me pak veta shtiva prapë në dorë atë që shumë armiq e në shumë kohë kishin fituar.
Kështu që aq më tepër duhet shpresuar për përteritjen e shtetit të mbretit Ferrant, i cili, edhe vetëm Napolin të këtë, të jeni i sigurtë se do të dalë ngadhnjimtar. Dhe mbase thoni së me shqiptarët unë nuk do të mundem ta ndihmoj, as ta mbroj, as t’i dëmtoj armiqtë e tij të fuqishëm, por ju përgjigjem: ka ndryshuar puna, e nëse kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epiriotë dhe duhet të kini dijeni së në kohë të tjera paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani, sot dhe patën luftime të mëdha me romakët, dhe ne e dimë se më të shumtën e herëve u ndanë me nder sesa më turp.
Unë do të përdor të gjitha fuqitë më cilësitë e mija, si dhe me të gjithë miqtë e të besëlidhurit që kam, për të ndihmuar e për t’i dhënë dorë zotit tim, mbretit Ferrant, dhe po munda ta kruhej detyren time, për nderin tim, do të mësoj atë që duhet të mesoj. Kur ju më nxitni ti tërheq njerezit e mij e më thoni së po pata deshirë të luftojë, ja ku i kam osmanët, më të cilët mund të korr lavdi e nder më të madh, po ju përgjigjem: unë prej jush nuk dua nxitje, as këshilla; njerëzit tanë nuk i kemi dërguar që të kthehen kaq shpejt, por që t’i shërbejnë mbretit Ferrant gjersa të kenë bashkuar Mbretërinë e tij.
Dhe janë nga ata burra që, po të jetë nevoja, vullnetarrisht përballojnë vdekjen në shërbim të Madhëris së tij. Por ata që kemi dërguar s’janë hiç gjë, kundrejt atyre që kemi vullnetin të dergojmë, nësë i pëlqen Madhërisë së Tij, e po qe nevoja do vij unë personalisht më aq njerëz sa jo vetëm me ndihmën e Zotit, besojmë se do ta shtiem në dorë Puljen, por do të mjaftonin ta popullonim të gjithë, mbasi është e shpopulluar”.