Letërsia e vjetër shqiptare

SHKRUAN: PROF. XHELAL ZEJNELI

Përfaqësues të letërsisë së vjetër shqiptare janë Gjon Buzuku, Lekë Matrënga, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani.

Karakteristika e letërsisë së vjetër shqiptare: Janë tekste fetare të përkthyera nga latinishtja apo italishtja; pra, nuk është letërsi origjinale; tekstet janë shkruar me shkronja latine; në ca raste janë përdorur edhe pesë shkronja cirilike; tekstet janë botuar në Romë, në Venedik, në Padovë (Itali); autorët janë të veriut të Shqipërisë, me përjashtim të Matrëngës; që të gjithë janë shkolluar në Itali; kanë studiuar teologjinë, filozofinë, kulturën antike greke dhe latine; janë priftërinj katolikë, me përjashtim të Matrëngës; dialekti që kanë përdorur është gegërishtja, me përjashtim të Matrëngës; kjo letërsi nuk kishte shtrirje në mbarë Shqipërinë; kjo letërsi ka vlera gjuhësore, kulturore dhe historike; ishin të lidhur me kulturën apo me qytetërimin perëndimor, me kulturën latine.

GJON BUZUKU (shekulli XVI) – Për autorin e librit të parë shqip dihet pak. Supozohet se familja e Buzukut është nga fshati Shestan afër Shkodrës. Është biri i Bdek Buzukut. Thuhet se Buzuku ka jetuar në rajonin e Venedikut. Aty ishin vendosur refugjatët shqiptarë pas pushtimit turk të Shkodrës më 1479. U shkollua si letrar dhe si prift katolik.

“MESHARI” – Vepra ka rëndësi historike ngase është i pari libër në shqip. U botua më 1555, i mungon ballina dhe 16 faqet e para të kopjes së vetme. Titulli origjinal i librit nuk dihet. Supozohet se u botua në Venedik. Vepra ka rëndësi gjuhësore dhe kulturore. Kopja e vetme u zbulua më 1740 në bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fides në Romë. E zbuloi Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) nga Gjakova, i cili si Argjipeshkëv i Shkupit ishte për vizitë në Romë. Më vonë “Meshari” përfundoi në Bibliotekën e Vatikanit, ku ndodhet sot e kësaj dite kopja e vetme origjinale. Pas shumë vitesh harrimi “Meshari” u nxor në dritë nga studiuesi arbëresh i Sicilisë Pal Skiroi (1866-1941), i cili e fotokopjoi tekstin më 1909-19010. Më 1929 u bënë tri kopje për studiuesin françeskan Justin Rrota (1889-1964), i cili më 1930 botoi në Shkodër fragmente të Mesharit. Më 1958 u botua i plotë nga Namik Resuli (1908-1985). Më 1968 me “Mesharin” u mor babai i gjuhës shqipe Prof. Eqrem Çabej (1908-1980). Ky e bëri botimin kritik në dy vëllime në Tiranë. Çabej e bëri transliterimin e tekstit dhe transkriptimin fonetik.

“Meshari” përbëhej prej 110 fletësh ose 220 faqesh. Prej tyre, kanë mbetur 94 fletë ose 188 faqe. Libri përmban një meshar (lutje e rite për gjithë vitin). Përmban edhe fragmente të përkthyera nga librat e lutjeve, psalmet dhe litanitë katolike. Pjesa më e madhe e veprës përbëhet nga përkthime prej Dhiatës së Vjetër. Teksti përmban 154.000 fjalë me një fjalor prej 1500 leksemash. U botua me shkronja latine, përfshi edhe pesë shkronja me prejardhje cirilike.

Gjuha e Buzukut i ka tiparet e gegërishtes veriperëndimore. Gjuha e tij është pa turqizma. “Meshari” përmban edhe një pasthënie apo pas-shënim të shkruar nga vetë autori.

LEKË MATRËNGA 1567-1619) – klerik ortodoks, arbëresh i Sicilisë. Lindi, ose në Monreale ose në Hora të Arbëreshëve (Piana dgli Albanesi që në atë kohë quhej Piana dei Greci) në jug të Palermos. Familja e tij kishte emigruar në Sicili ndoshta nga Peloponezi, rreth viteve 1532-1533. Data e saktë e lindjes nuk dihet. Studio pesë vjet (supozohet në vitet 1582-1587) në Kolegjin Grek të Shën Athanasit në Romë. Pas studimeve u kthye në Sicili. Në Kronikën e studentëve të Kolegjit shkruan: “Lekë Matrënga nga Monreale e Sicilisë, me kombësi shqiptare, student i kulturës greke dhe latine….”

Vepra- Është autor i librit “E mbsuame e krishterë”, Romë 1592. (Doktrina e Krishterë). Është një katekizëm prej 28 faqesh i përkthyer nga një vepër latinisht e priftit spanjoll Jakob Ledesma (1516-1575). Kopja e vetme në dorëshkrim ndodhet në Bibliotekën e Vatikanit. Më vonë libri u botua në Romë më 1592 dhe u zbulua nga Mario Rok. Vepra përmban një hyrje në italishte, një poezi me tetë vargje si dhe katekizmin (një udhëzim fetar për doktrinat kishtare në formë pyetjesh-përgjigjesh). Matrënga e bëri përkthimin për t’u përdorur prej arbëreshëve në Sicili, në Kalabri, në Pulje etj., të cilët nuk e kuptonin katekizmin në italisht që ishte në përdorim.

Vepra ka rëndësi historike dhe letrare. Është e para vepër nga një arbëresh dhe e para vepër e shkruar në dialektin toskë. Kjo vepër vjen 37 vjet pas “Mesharit” të Buzukut. Vepra e Matrëngës përmban një leksik prej 450 fjalësh. Matrënga është autori i parë i një poezie të shkruar në gjuhën shqipe. Poezia ka tetë vargje, 11-rrokëshe, me rimë të këmbyer. Ajo titullohet “Këngë e përshpirtshme” (Canzona spirituale).

PJETËR BUDI (1566-1621) – është autor i katër veprave fetare në gjuhën shqipe. Lindi në fshatin Gur i Bardhë në krahinën e Matit. Studioi teologjinë në Kolegjin Ilirian të Loretos, në Ankonë të Italisë, ku do të studionin shumë shqiptarë. Shërbeu si prift katolik në Maqedoni, në Kosovë dhe në Tivar. Më 1610 shërbeu në Shkup, ndërsa më 1617 në Prokuple të Serbisë. Në Kosovë u angazhua për qëndresën shqiptare kundër Portës (Perandorisë Osmane). Më 1616 vajti në Romë ku qëndroi deri në vitin 1618. Në vitet 1618-1619 qëndroi në Spanjë. Përsëri e gjejmë në Romë. Më 1622 u kthye në Shqipëri.

Vdiq në dhjetor 1622 (u mbyt duke kaluar lumin Drin). Është thënë se vdekja e tij ka qenë një komplot për ta eliminuar. Shkroi vepra fetare, jo vetëm në shqip por edhe në serbisht.

Vepra – Për pesë vjet shkroi katër vepra në shqip, me gjithsej 1000 faqe. E para mban titullin “Doktrina e Kërshtenë”, Romë 1618. Një kopje origjinale ruhet në Bibliotekën e Vatikanit. Është përkthim i një katekizmi. Vepra ka 169 faqe bashkë me një parathënie. Në fund të faqes është shkruar me dorë “Autori ia dha këtë kopje si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit, 29 janar 1622”. U rishtyp nga Propaganda Fide në Romë. Vepra ka një shtojcë me 53 faqe me poezi fetare në shqip, rreth 3000 vargje. Këto vargje përbëjnë poezinë më të hershme në dialektin gegë. Vargjet janë përkthime nga latinishtja dhe italishtja, por ka edhe vargje origjinale (që nuk janë përkthim).

Tri veprat e tjera të Budit janë: “Rituali Roman”, 319 faqe – janë lutje me komente në shqip; “Kush thotë meshë”, 16 faqe – janë shpjegime meshash; “Pasqyra e të rrëfyemit”, 401 faqe (e ka përkthyer në shqip “për ata që nuk kuptojnë gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare shqipe”. Si “Rituali Roman” ashtu edhe “Pasqyra e të rrëfyemit” kanë shtojcë me vargje në gjuhën shqipe.

Gjuha: Budi ka përdorur dialektin gegë. Veprat e Budit, përpos përkthimeve nga latinishtja dhe italishtja, përmbajnë edhe mbi 100 faqe parathënie, letra baritore, shtojca dhe pas-shënime, që përbëjnë prozë origjinale në shqip. Budi është i pari shkrimtar shqiptar që iu përkushtua poezisë.

Veprat e tij përmbajnë rreth 3300 vargje fetare; strofat janë katërvargëshe, me rimë të këmbyer, 8-rrokësh. Janë gjithsej 19 poema.

Poezitë e tij janë përkthime, por ka edhe krijime poetike origjinale të shkruara nga Budi. Në veprat e veta, Budi ka përdorur një leksik prej 2453 fjalësh.

FRANG BARDHI (1606-1643) – Është dijetar me horizont të gjerë kulturor dhe humanist i përkushtuar për përparimin e popullit shqiptar. Është autor i fjalorit të parë shqiptar. Është e para vepër në gjuhën shqipe pa brendi fetare. Lindi në Nënshat ose Kallmet në veri të Lezhës. Familja e tij i dërgonte djemtë për studime në Itali. Studioi teologjinë në Kolegjin Ilirian të Loretos, në Ankona të Italisë. Më vonë ndoqi studimet në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë. I ungji ishte kryepeshkop i Tivarit. Frang Bardhi e ribotoi në Romë “Doktrinën e Kërshtenë” të Budit. Prej vitit 1637 i dërgoi nga Shqipëria Propaganda Fides në Romë raporte italisht dhe latinisht, lidhur me ngjarjet politike në Shqipëri, për zakonet shqiptare dhe për gjendjen e kishës katolike. 19 raporte dhe letra ruhen në arkivin e Propaganda Fides. Vdiq në moshën 37 vjeç.

Vepra – “Fjalor latinisht-shqip”, Romë 1635 (Dictionarium latino-epiroticum). E shkroi në moshën 29-vjeçare. Libri ka 238 faqe. Përmban 5640 zëra latinisht, të përkthyera në shqip. Fjalori ka një parathënie prej 6 faqesh dhe përmban një shtojcë. Me këtë libër, Bardhi synonte t’u ndihmonte klerikëve shqiptarë për ta mësuar latinishten. Fjalori i Bardhit është e para vepër në leksikografinë shqiptare dhe më e rëndësishmja ndër 22 fjalorët shqip që u botuan më pas deri në vitin1850. Më 1759 në depon e Propaganda Fides në Romë ka pasur 360 kopje të këtij libri.

Terma të caktuar, si materie i përkthen: një gjë nga e cila bëhen gjërat e tjera; substancë – një gjë që mban gjallë njeriun; patria – dheu ku është lindur njeriu. (Fjalët atdhe, mëmëdhe janë neologjizma, janë krijuar më vonë).
Shtojca e fjalorit përmban 33 faqe. Është e ndarë në shtatë krerë: emra dhe numërorë; tituj familjarë; qytete dhe kështjella; ndajfolje; parafjalë; pasthirrma; proverba, fjalë të urta, dialogë dhe përshëndetje. Një pjesë e shtojcës është 4-gjuhësh – latinisht, italisht, shqip dhe turqisht. Bardhi e jep skeletin e një gramatike të shqipes.
Të 113 proverbat dhe fjalët e urta që i përfshin në fjalor përbëjnë të parën përmbledhje të proverbave në gjuhën shqipe. Këto proverba paraqesin rëndësi, si për linguistët (gjuhëtarët), ashtu edhe për folkloristët. Në faqet e para të librit janë vënë katër poezi të shkurtra panegjirike të shkruara në latinisht nga bashkë-studentë të Bardhit në Kolegj. Autorët e tyre e lëvdojnë veprën e Bardhit dhe e krahasojnë atë me poetin romak –Ovidin (Publius Ovidius Naso, 43 para IK. – 18 pas K.).

Bardhi boti edhe një traktat me titull “Gjergj Kastrioti i quajtur Skënderbe”, Venedik 1637. Kjo vepër erudite përmban 76 faqe. Me të, hedh poshtë mëtimin e peshkopit Tomo Marnaviç (Ivan Tomko Mrnavić / Tomeus Marnavitius, i njohur me pseudonimin Boshnjaku – Bosnensis; Shibenik, Kroaci 1580 – Vjenë, 1637) historian dhe shkrimtar kroat nga Bosnja se heroi kombëtar shqiptar ishte me prejardhje boshnjake. Bardhi kishte ndjenja të forta atdhetare.
PJETËR BOGDANI (rreth 1630-1689) – Është shkrimtari i fundit dhe më origjinali i letërsisë së hershme shqiptare. Autor i veprës së parë të rëndësishme në prozë e shkruar drejtpërdrejt në shqip (d.m.th nuk është përkthim). Lindi në Gur të Hasit afër Prizrenit. U edukua me traditat e kishës katolike. I ungji Ndre Bogdani (Andrea Bogdani, rreth 1600-1683) ishte argjipeshkëv i Shkupit. Pjetër Bogdani ndoqi studimet në Kolegjin Ilirian të Loretos afër Ankonës, Itali sikundër edhe paraardhësit e tij Pjetër Budi dhe Frang Bardhi. Në vitet 1651-1654 ndoqi studimet në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë, ku u diplomua doktor në filozofi e teologji. Më 1656 u emërua Peshkop i Shkodrës. U caktua administrator i Kryedioqezës së Tivarit deri më 1671. Gjatë luftës turko-austriake (1664-1669) u fsheh në fshatrat e Shkodrës. Më 1677 e zëvendësoi të ungjin dhe u emërua kryepeshkop i Shkupit. Duke qenë një atdhetar i madh, mbeti në konflikt me autoritetet turke. U detyrua të largohej në Raguzë (Dubrovnik), nga ku vazhdoi rrugën për në Venedik dhe Padovë, duke marrë me vete edhe dorëshkrimet. Më 1686 u kthye në Ballkan për të mbështetur qëndresën e shqiptarëve kundër ushtrive të Perandorisë Osmane, sidomos në Kosovë. Organizoi në Kosovë bashkimin e një force prej 6000 kryengritësish shqiptarë me ushtrinë austriake. Vdiq në Prishtinë më 1689. I nipi, Gjergi bënte të ditur se eshtrat e të ungjit ishin zhvarrosur nga ushtarët turq e tartarë dhe ishin hedhur në rrugët e Prishtinës.

Vepra – Bogdani është cilësuar si baba i prozës shqiptare. Është autor i veprës “Çeta e profetëve” (Cuneus Prophetarum), Padovë 1685. Është një traktat mbi teologjinë. U botua shqip dhe italisht. Variantin shqip e kishte përfunduar 10 vjet më parë, por nuk i qe dhënë leja e botimit nga Propaganda Fide, e cila urdhëroi që dorëshkrimi të përkthehej edhe në italisht. Vepra u shtyp me alfabetin latin sikundër përdorej në botimet italisht, duke shtuar po ato shkronja cirilike që patën përdorur Pjetër Budi dhe Frang Bardhi. Gjatë studimeve në Kolegjin e Propaganda Fides, Bogdani ka kërkuar libra shqip nga biblioteka e kolegjit: “Pesë kopje të “Doktrinës së Krishterë” dhe pesë fjalorë shqip”. Me siguri, bëhet fjalë për veprat e Budit e të Bardhit. Në një raport dërguar Propaganda Fides më 1665, ai përmend “Evangelii in Albanese”. Supozohet se bëhet fjalë për “Mesharin” e Gjon Buzukut.

“Çeta e Profetëve” u botua në dy shtylla përkrah njëra-tjetrës në çdo faqe, njëra shqip e tjetra italisht. Libri doli në dy vëllime. Që të dyja kishin nga katër pjesë.

Vëllimi i parë, në faqet e para ka disa përkushtime dhe panegjerika në latinisht, shqip, serbisht dhe italisht si dhe dy poezi shqip tetë vargjesh, njëra nga Lukë Bogdani dhe tjetra nga Lukë Suma. Vëllimi i parë trajton tema nga Dhiata e Vjetër.

Vëllimi i dytë, i titulluar “Mbi jetën e Jezu Krishtit, shpëtimtarit të botës”, i kushtohet Dhiatës së Re. Kjo pjesë e librit përfshin një përkthim nga Libri i Danielit, në tetë gjuhë – latine, greke, armene, siriake, hebraike, arabe, italiane dhe shqipe.

Kjo pjesë ka edhe një shtojcë tri faqesh me titull “Lashtësia e shtëpisë së Bogdanëve”. Vepra u rishtyp dy herë nën titullin “E vërteta e pagabueshme e besimit katolik”, Venedik 1691 dhe 1702.

“Çeta e profetëve” është kryevepër e letërsisë së hershme shqiptare dhe është e para vepër me tipare të plota letrare e artistike në gjuhën shqipe. Ajo përmban: filozofi, teologji, shkencë (gjeografi, astronomi, fizikë e histori). Me poezinë dhe me prozën letrare që ka vepra, autori prek çështje të estetikës e të teorisë së letërsisë. Është vepër humaniste e ndikuar nga traditat filozofike të Platonit (427-347 para K), të Aristotelit (384-322 para K), të shkrimtarit romak, atit kishtar më të rëndësishëm të Kishës Perëndimore – Shën Agustinit (354-430) dhe të teologut e filozofit italian Shën Thoma Akuinit (Thomas Aquinas ose Thomas de Aquino, 1225-1274).

Shpjegimin e çështjeve të qenies, Bogdani e trajton nëpërmjet arsyes dhe mendjes.

Përpos prozës, ka shkruar edhe poezi, me tematikë fetare.

Gjuha që përdor Bogdani është një shqipe e veçantë. Në veprën e tij hasim në një leksik të pasur. Nocionet e reja abstrakte apo termat në lëmin e filozofisë, i përdor me mjeshtri, për dallim nga paraardhësi i tij Frang Bardhi, 50 vjet më parë.

Në veprën e Bogdanit ndeshemi për herë të parë me atë që mund të quhet gjuhë letrare shqipe. Prandaj, është cilësuar si baba i prozës shqipe.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top