LETËR KONFERENCËS SË PAQES NË PARIS

24, Jan, 2017 | HISTORIA

Mit’hat Frashëri, Delegat i shoqërisë panshqiptare “Vatra” në SHBA

IRONI APO KOMEDI MAKABRE?*

Zoti Drejtor!

Po bëhet zhurmë sikur Konferenca e Paqes mendon t’i japë Jugosllavisë pjesën veriore të Shqipërisë (deri në lumin Drin) si kompensim për Fiumen; ka zëra se jugu i Shqipërisë (zona e Korçës dhe Gjirokastrës) do ti jepen si holokaust Greqisë, ndërsa Italia, ashtu si luani i përrallës, do të marrë pjesën tjetër (Vlorën dhe mandatin mbi Shqipërinë).

Nuk ka dyshim se mbi këtë vendim, Konferenca do të verë vulën me fjalët: Vdis Shqipëri! Në shekullin e njëzetë, tre fuqitë e mëdha liberale të universit, Franca, Britania e Madhe dhe Italia po kryejnë ndaj Shqipërisë të njëjtin krim që Rusia, Prusia dhe Austria kryen në shekullin e tetëmbëdhjetë ndaj Polonisë.

Kur hyri në luftën e madhe, Anglia deklaronte se do të luftonte për mbrojtjen e kombeve të vegjël. Zoti Klemenso, në fjalimin që mbajti në Strasburg më 4 nëntor 1919, tha: “Krerët e qeverive të vendeve më të përparuar të botës janë mbledhur në Paris për të ribërë hartën e Evropës në emër të së drejtës së popujve për vetëvendosje”.

Presidenti Wilson, i një mendimi me Aleatët, përfshirë edhe Italinë, deklaronte se kjo luftë titanike pati për qëllim çlirimin e popujve të shtypur, mbrojtjen e të dobëtve, triumfin e drejtësisë dhe të ligjit ndaj forcës brutale. Shqipëria, e gjymtuar për herë të parë më 1878, për herë të dytë u copëtua më 1913, në Konferencën e Londrës. Megjithatë, kjo konferencë e përbërë nga përfaqësuesit e kombeve të mëdhenj: Francë, Angli, Itali etj. njohu një Shqipëri të vogël të pavarur. Shqiptarët mbetën në këtë copë të vogël toke, por ata mbahen fort, për të mos vdekur. Ata dëshirojnë pavarësinë e plotë të vendit të tyre dhe hedhin poshtë çdo lloj mandati.

Vallë, traktati i vitit 1913 paska qenë thjesht një letër pa vlerë?

Në Evropë po masakrohet Shqipëria, ndërsa po krijohen shtete të pavarur në Azi. Kjo është një ironi apo një komedi makabre?

Cili është morali?

Marrë nga “L’europe nouvelle”, Nr. 4, 24 janar 1920