Letër e hapur e të përndjekurve politik për Ambasadorin Donald Lu

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë
Demokratë të Shqipërisë
Dega Tiranë
Nr. 5 Prot Tiranë, më 21 korrik 2016
Letër e hapur
Drejtuar: Zotit Donald Lu
Ambasador i Shteteve të Bashkuar të Amerikës
Tiranë

I nderuar zoti Ambasador,

Më datën 05.06.2015 ju kemi dërguar, për dijeni, shkresën tonë me numër protokolli 5, datë 20.06.2015, drejtuar komisioneve te Dekriminalizimit dhe atij të Reformës në Drejtësi pranë Kuvendit të Shqipërisë me anën e të cilit kërkonim që në ligjet e Dekriminalizimit dhe Reformës në Drejtësi të ketë një nen ku nuk lejohet që një ish-anëtar i trupave gjykuese të regjimit komunist që ka dhënë dënime të padrejta për motive politike, të bëjë pjesë në organet e larta të drejtësisë si në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, madje edhe në gjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit. Gjithashtu të mos bëjnë pjesë në organet e prokurorisë, si në atë të përgjithshme ashtu edhe në ato të rretheve. Po ashtu largimin e tyre nga të gjitha hallkat e pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv. Një gjë e tillë do të tregonte se vendi ynë po ecën me të vërtetë në rrugën e demokracisë së vërtetë dhe po shkëputet nga influenca e mentalitetit komunist që ekziston në çdo qelizë të vendit tonë. Një gjë të tillë e bëmë bazuar në ligjin numër 7514, datë 30.09.1991 “ Për pafajsinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” në të cilin në dy nenet e para thuhet:

Neni 1
Jane te pafajshem dhe quhen te padenuar per efekte morale, politike, sociale dhe ekonomike te gjithe personat qe jane denuar per agjitacion e propagande kunder shtetit, per arratisje, per sabotim, per krijimin ose pjesemarrjen ne organizata politike, per moskallezim te krimeve kunder shtetit; ata qe jane denuar per shpifje dhe fyerje kunder organeve me te larta te shtetit e te partise, per shkelje te dekretit nr.7459, date 22.1.1991 “Per respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve qe lidhen me historine kombetare dhe te simboleve shteterore”, si dhe per shkelje te dekretit nr. 7408, date 31.7.1990 “Per mbledhjet, grumbullimet dhe manifestimet e shtetasve ne vendet publike”.

Neni 2
Jane te pafajshem te gjithe shtetasit shqiptare qe jane arratisur nga Shqiperia gjate luftes ose pas Çlirimit te vendit deri me 8 maj 1990, per shkak te bindjeve ose te veprimtarise se tyre politike me perjashtim te atyre qe kane kryer akte terroriste e diversioni, kur keto vepra kane sjelle vdekje ose pasoja te tjera te renda. Te tjeret amnistohen.

Atëherë si ka mundësi që sot në Shqipëri ish-gjykatësit, ish-prokurorët, ish hetuesat, ish-operativët e Sigurimit të Shtetit diktatorial, që kanë hartuar akuza false apo na kanë dënuar në mënyrë të padrejtë, duke shkelur ligjin e mësipërm, të jenë në krye të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor? Ju do të thoni se kush janë ata. Ne i dimë, por edhe ju i dini. Sot ata ndodhen ne krye të komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë, në krye të organeve qeveritare, në krye të tre shkallëve të gjykatave madje edhe ne Gjykatën Kushtetuese. Vallë a u shua Shqipëria dhe nuk paska kuadro te reja që kanë përfunduar dhe laureuar në universitetet më të mira të botës perëndimore, qofshin këta socialistë apo demokratë, që të zëvendësojnë “xhaketat e vjetra dhe të diskredituara” të sistemit të përmbysur totalitar?

Këto ishin arsyet e shkresës së mësipërme por, për fat të keq, nuk morëm asnjë përgjigje nga komisionet në fjalë. Nuk dëgjuam asnjë deputet t’i zinte në gojë këto kërkesa. Prisnim që ju të na kishit kthyer një përgjigje e cila, sipas mendimit tonë, duhej të ishte në përkrahje të nismës tonë por, me keqardhje, edhe kjo nuk mbërriti. Përse? Këtë e dini vetëm ju.

Ju bëjmë me dije, zoti ambasador, se shoqata jonë është shoqata më e vjetër në Shqipëri e të përndjekurve politikë. Eshtë pasuesja e shoqatës së krijuar më 28 prill 1991 me në krye të paharruarin Osman Kazazi që ka shtrirje në të gjithë teritorin e republikës. Është shoqata që duke iu referuar shifrave zyrtare të shpallura nga Komisioni tre palësh i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Komitetit Shtetëror të të Përndjekurve Politikë dhe Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve Politikë, përfaqëson:

1. Të ekzekutuar 6.023 persona
2. Të vdekur në burg 1.065 “
3. Të burgosur 17.300 “
4. Të sëmurë mendorë 260 “
5. Të internuar 90.000 “
6. Të vdekur në internim 10.000 “

Shtojmë se nga të vdekurit në burgje dhe internim rreth 8.000 nuk kanë ende një varr ku familjarët të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule. Shtojmë gjithashtu se shoqata jonë është anëtarja e vetme e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me qendër ne Berlin dhe që përmbledh në gjirin e saj 16 shoqata të përndjekurish politikë nga ish-vendet komuniste të Europës Lindore.

Të përndjekurit politikë, zoti ambasador, kanë patur, kanë dhe do të kenë një simpati të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata gjithmonë shpresën për një Shqipëri me të vërtetë demokratike e kanë patur tek ky simbol i demokracisë. Për këtë ata luftuan dhe u sakrifikuan gjatë periudhës gati gjysmë shekullore të sundimit komunist, pasi kishin bindje se vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’u vinte Liria Në këtë vend jetuan, punuan dhe u prehën shumë nga burrat e shquar të vendit tonë. Të përndjekurit politikë janë aleati më i besueshëm i vendit të demokracisë.

Lidhur me sa më sipër më lejoni t’ju tregoj një rast të jetës time në të kaluarën. Ishte viti 1951. Së bashku me dy shokë të klasës time, të nxitur edhe nga aeroplanët e NATO-s që hidhin trakte që përmbanin thirrje për revoltë, formuam një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte në qytetin e Vlorës. Ishim të moshës 15 vjeçare, në klasën e parë të shkollës së mesme. Arrestohemi dhe mbyllemi në qeli. Gjatë hetimit hetuesi më pyeti:

– A je penduar?
Unë iu përgjegja shkurt:
– Aspak.
Më vuri para letër dhe penë dhe më tha :
– Shkruaj.
Unë shkrova deklaratën e mëposhtme:

Deklaratë
Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, mbasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesmarës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e kryera kundër pushtetit ju përgjegja si më poshtë:

Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vëndin tonë nuk ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga t’arratisurit e jashtë shtetit anglo-amerikanët etj.
Këtë dekllaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vehtë pa u imponuar sepse janë deponimet e mia.

Deklaron i burgosuri
Reshat Kripa
Vlorë më 11-VIII-1951
Origjinalin e kësaj deklarate mund ta gjeni në dosjen time me numër 8445 pranë Arshivës së Ministrisë së Brendëshme dhe për këtë keni autorizimin tim për ta kërkuar.
E solla këtë shëmbull për t’ju treguar se kush kanë qenë Shtetet e Bashkuara te Amerikës për mua dhe për të gjithë të përndjekurit e tjerë. Ndaj, t’ju them të drejtën, u habita kur ju pashë pranë një grupi anonim përfaqësuesish të një të ashtuquajture “shoqëri civile” të financuar nga SOROS-i. U habita pasi pashë se midis tyre kishte shumë individë që dikur iu ishte ngjirur zëri duke thërritur kundër Shteteve të Bashkuar të Amerikës apo pinjollë të tyre dhe që tashti, çuditërisht na qenkan kthyer në dashamirës të mëdhenj të atij shteti të madh. Pjesmarrja juaj në të dhe heshtja po juaja kundrejt shkresës tonë na le shumë dhimbje. Po mundët, përgjigjuni.
Të gjithë jemi dakord se vendi ka nevojë për një reformë të vërtetë në drejtësinë shqiptare që është mbuluar nga korrupsioni. Por kjo reformë duhet të fillojë qysh nga periudha totalitare dhe deri në ditët tona. Në të kundërt ajo nuk do të jetë një reformë demokratike dhe reale për vendin tonë. Ne kërkojmë që reforma në drejtësi të mbështetet në rezolutat numër 1096 (1996) “Mbi masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve të mëparshme komuniste totalitare” dhe numër 1481 (2006) “Nevoja për ndëshkimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës si dhe në rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në tetor 2006 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”.
Këtë letër mendova të mos ua dërgoja direkt juve por ta botojë në median e përditëshme dhe atë online për të pritur përgjigjen tuaj, në rradhë të parë, dhe më pas opinionet e lexuesve.

Me respekt
Kryetari
Reshat Kripa
Adresa: Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve
Antikomuniste Demokratë të Shqipërisë
Dega Tiranë
Builevardi “Dëshmorët e Kombit”, godina 3
Tiranë

5 thoughts on “Letër e hapur e të përndjekurve politik për Ambasadorin Donald Lu”

  1. I pari eshte kryeministri,i cili duhet te largohet.Babai i tij,si ish antar i Presidiumit KP,firmosi varjen e poetit Havzi Nela.Thu valle nuk e di ambasadori Lu?Po keshtu per te gjithe pinjollet e funksionareve te larte qe qeverisin sot vendin.Fol nji fjale z.Lu per keto,cte pengon,Bashen cfare nuk the.Mtv je komunist??!!

  2. Keni plotesisht te drejte, z.Reshat! Jam i bindur qe do te vije momenti dhe ambasadori LU do te realizoje kerkesen tuaj. Per stadin ku jemi, e rendesishme eshte te votohet Reforma ne Drejtesi, me pas zgjidhja per shume ceshtje, midis te tjerash edhe per ceshtjen shume te rendesishme qe Ju ngrini, do te vije vetvetiu.

  3. OneTruthMaster

    Po Amerika na doli me Komuniste se Komunistet, ne Ambasaden Amerikane ne Shqiperi jane te punesuar vetem Ish-Sigurimsat..

  4. Shirine Morina Kosova

    Me të drejtë . ZOTNI RESHAT KRIPA. JU ISHIT INTELEKTUALËT MË TË MËDHEJ DHE TË GJITHË PROAMERIKAN,

  5. Me se i drejte mendimi juaj, ne po theresim ne errsire ,spo na degjon njeri…… Komunizmi 50 vjecar ka rrenje te thella ne mentalitetin e atyre njerzve qe sot jane ne pushtet ,e drejtojne kete vend ,qe po e terorizojne ,qe po e vjedhin , qe po e shesin , qe po e varferojne , qe po cderojne, qepo ………… nuk ka te sosur

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top