Riatdhesimi i eshtrave të Mit’hat Frashërit ka sjellë jo pak debate në media. Një figurë pozitive, negative apo të dyja bashkë?! Shkrime të ndryshme të cilat hedhin poshtë njëra-tjetrën. – Një intervistë e Prof. Romeo Gurakuqit për Tirana-Today
Ardhja e eshtrave në Shqipëri përkon me 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit, ku Frashëri ishte edhe kryetar. Por, edhe pse intelekti dhe mendimi i tij vazhdon edhe sot e kësaj dite të kumbojë për të gjithë, ndryshe ndodh në karrierën e tij politike.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ish-kryetari i Ballit Kombëtar u pozicionua kundër komunizmit. Kjo gjë bëri që Frashëri të akuzohej se po bashkëpunonte me nazistët. Për këtë arsye, sot shumëkush e quan veprim antikombëtar ceremoninë e kthimit të eshtrve. Por, ndryshe mendon historiani i njohur Romeo Gurakuqi.
“A ka bashkëpunuar Mid’hat Frashëri me nazistët? Përgjigjja është një ‘jo’. Nuk ekziston asnjë urdhër apo dokument që Mid’hat Frashëri të ketë bashkëpunuar me ta. Nuk ka mundësi ta kenë bërë këtë gjë njerëzit që e formuan shtetin, kanë qenë aktiv në periudhën e Rilindjes Kombëtare, që formuan alfabetin, kulturën shqiptare. Ata janë fëmijët e elitës së kombit, i dhanë emër dhe dinjitet shqiptarit. Asnjëherë nuk mund të kenë tradhtuar.
Nga 100% e armëve të adresuara te LANÇ-i në Shqipëri, vetëm 10% janë përdorur kundër okupatorit. 90% është përdorur ndaj Ballit Kombëtar, Legalitetit, ndaj përpjekjeve të qeverisë për të kontrolluar situatën.”
“Edhe partizanët kanë bashkëpunuar me nazistët”
“Por, është e vërtetë që ekzistojnë elementë që komandantë lokalë, të cilët kanë marr etiketën e Ballit dhe të jenë parë apo dëshmuar në regjistrimet e dokumentacioneve të oficerëve të huaj që kanë qenë këtu. Në këtë raste me nazistët.
Unë kam evidenca që edhe partizanët e Enver Hoxhës kanë bashkëpunuar me gjermanët në shtator. Siç është rast i Beratit dhe Kuçovës.
Periudha e pushtimit gjerman në pjesën më të madhe të kohës ka qenë një periudhë e dy divizioneve e gjysmë në Shqipëri. Është pushtim normalisht. Por, ka pasur një raport të caktuar me autoritetet të kësaj elite që unë përmenda më sipër. Këta të fundit tentuan të merrnin situatën në dorë, në kushtet kur mund të zbarkonin anglo-amerikanët dhe gjermanët ishin në ikje. Kështu të mund të rikthehej Shqipëria e 1 shtatorit 1928 në pikëpamje konstitucionale.”
Njëherësh deputeti i Partisë Demokratike shprehet në intervistën për Tirana Today se qeveria është duke bërë një lojë me nderimin e këtyre figurave historike.
“Unë shoh edhe një përpjekje gjoja për t’i bërë propagandë kthimit dhe nga ana tjetër edhe për ta sulmuar figurën e Mid’hat Frashërit. Kjo është e gjitha një lojë. Ende Shqipëria nuk është pastruar mjaftueshëm që të pranojë dhe kthejë në piedestal e pa konflikt, etërit e mëdhenj të kombit shqiptar. Të cilët regjimi komunist i përçmoi dhe i mbajti të izoluar si armiq të kombit.
Kjo shoqëri nuk është e pjekur mjaftueshëm në pikëpamjen e ruajtjes së dinjitetit të këtyre emrave të mëdhenj. Dhe vazhdon të jetë mjaftueshëm e injektuar nga baballarët e bllokut që ndërtuan një shtet vetëm për vete.”