Lek Pervizi: Në kampin e Turhanit në vitin 1948 vdiqën 33 fëmijë brenda një nate

Shkruar nga Dashnor Kaloçi

Dëshmia e 86 vjeçarit Lek Pervizi me banim në Belgjikë, i cili bashkë me familjet e vëllezërve të tij qëndruan në kampe dhe internime nga viti 1945 deri në 1991-in

Pervizi: “Në kampin e Turhanit në gushtin e 1948-ës vdiqën 33 fëmijë brenda një nate”

Në fundin e vitit 1948 apo fillimin e vitit 1949, kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos, pothuaj në të gjithë veriun e vendit filluan arratisjet në masë. Si rezultat i kësaj situate dhe për ta frenuar sadopak fluksin e madh të personave që arratiseshin jashtë vendit, qeveria komuniste e Tiranës e rriti menjëherë represionin dhe në atë kohë filluan internimet në masë. Si rezultat i atij represioni, kampi i Beratit dhe ai i Kuçovës që sapo ishte hapur u mbushën plot me të internuar. Nisur nga numri i madh i të internuarve që u grumbulluan në ato dy kampe, qeveria komuniste u detyrua dhe hapi kampet e Turhanit dhe të Memaliajt në rrethin e Tepelenës. Në ato dy kampe ku jetonin rreth 6 000 të internuar në kufijtë e mizerjes, që në ditët e para plasën epidemi të ndryshme dhe në gushtin e vitit 1949 në kampin e Turhanit brenda një nate vdiqën 33 fëmijë nga sëmundja e dizenterisë”.

Njeriu që flet dhe dëshmon mbi kalvarin e gjatë të vuajtjeve të qindra familjeve shqiptare nëpër kampet e ndryshme të internimeve, të cilat regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte shpallur “familje reaksionare”, është 86-vjeçari Lek Pervizi, me origjinë nga Skuraj i Kurbinit, që bashkë me familjen e tij ka vuajtur nëpër kampet e ndryshme nga viti 1945 e deri në vitin 1990-të. Ndonëse që nga viti 1991, Lek Pervizi është vendosur me banim në Bruksel të Belgjikës, ai nuk i harron lehtë vuajtjet që ka kaluar nëpër ato kampe dhe ka dëshirë të flasë jo vetëm për dramën tragjike të familjes së tij, por për ato dhjetëra e dhjetëra familje të tjera që patën të njëjtin “fat” me të. Lidhur me këtë periudhë kohe, pas viteve ’90-të Leka ka shkruar disa libra si dhe është botues i revistës “Kuq e Zi” që e nxjerr pa ndërprerje prej 20 vjetësh në mërgim në Bruksel. Gjithashtu Leka është i vetmi ish-i dënuar në kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili ka pikturuar mjaft skica nga kampi i Tepelenës dhe bashkëvuajtës të tij, duke i ruajtur ato me shumë sakrifica në vendet e ndryshme të internimit ku ai ka qenë familjarisht deri në vitin 1991 dhe duke na i sjellë ato si një dëshmi e gjallë dhe e pakontestueshme e një prej periudhave më të errëta të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Po kush ishin ato familje të mëdha që regjimi komunist i Enver Hoxhës i shpalli “Familje armiqsh e reaksionarë” dhe kur filloi kalvari i gjatë i vuajtjeve të tyre? Cili ishte kampi i parë i të internuarve që regjimi komunist hapi në Shqipëri dhe cilat ishin familjet e para që u dërguan për të vuajtur dënimin aty? Kush ishin kampet e tjera që u hapën më pas dhe si u trajtuan të internuarit në ato kampe? Lidhur me këto dhe ngjarje të tjera nga kampet e internimit bën fjalë ky shkrim që është bazuar mbi dëshmitë e Lek Pervizit.

Maj 1945, internimet e para të familjeve “reaksionare”

Ndonëse komunistët që erdhën në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, arrestimet ndaj kundërshtarëve të tyre politikë i kishin filluar që nga vera e atij viti, internimet e para të atyre familjeve që ata i shpallën “reaksionare”, filluan vetëm në majin e vitit 1945. Të arrestuarit e parë që ishin kapur pak kohë para mbarimit të luftës, të cilët komunistët i konsideronin armiq, u grumbulluan në një nga kazermat e italianëve që ndodhej diku në malin e Dajtit dhe aty u mbajtën të izoluar deri nga janari i vitit 1945. Në atë kohë ata i zbritën në qytetin e Tiranës dhe i izoluan kryesisht në Burgun e Ri dhe në Burgun e Vjetër. Ky ishte dhe kontingjenti i parë i të burgosurve politikë të Shqipërisë, ndërsa disa muaj më pas, në majin e vitit 1945, qeveria komuniste e Tiranës filloi dhe internimet masive ku “streha” e parë e atyre familjeve ishte qyteti i Beratit.

Lidhur me këtë, Lek Pervizi dëshmon:

Deri aty nga maji i vitit 1945, shumë nga familjet e mëdha që ishin shpallur reaksionare, si Gjomarkajt, Mëlyshajt e Bajraktarët e Mirditës, Kaloshët, Dinet, e Demët e Dibrës, Bajraktarët e Kukësit, Sokolët dhe Marashët e Shkodrës, Pervizët dhe Lalat e Kurbinit, ishin mbajtur të izoluar në Degët e Brendshme të rretheve të tyre. Në muajin maj të atij viti këto familje dhe shumë të tjera të cilat ishin njohur si familje zogiste, pa asnjë lloj vendimi gjyqësor u internuan të gjitha në qytetin e Beratit, i cili u bë qendra dhe “streha” e parë e të gjitha familjeve “reaksionare” kryesisht të Veriut të Shqipërisë. Ndërsa në atë kohë qyteti i Beratit u “popullua” nga këto familje “reaksionare”, të Veriut të Shqipërisë, qyteti i Krujës u bë “streha” e shumë familjeve të tjera të Jugut të Shqipërisë. Familjet që u internuan në atë kohë në qytetin e Krujës, ishin kryesisht nga qyteti i Korçës por kishte dhe nga Gjirokastra, Saranda dhe nga zona e Dropullit të minoritetit grek.

Nga ato familje që u internuan në atë kohë në qytetin e Krujës, më kujtohen: Kokali nga Saranda dhe Kullajt nga Zëmbëlaku. Të gjitha ato familje që u internuan në qytetet e Krujës dhe të Beratit, më parë u ishin konfiskuar të gjitha pasuritë e tundshme dhe të patundshme dhe ato kishin dalë nga shtëpitë e tyre vetëm me rrobat e trupit. Po kështu kishte dhe shumë familje që pasi ishin arrestuar dhe ishin sjellë në internim, komunistët u kishin djegur shtëpitë. Nga ato familje që iu dogjën shtëpitë ndër të tjera ishin: Gjomarkajt e Mirditës, Marashët e Shkodrës, Dinet e Demat e Dibrës, Kolat e Matit etj.”, kujton 86-vjeçari Lek Pervizi, lidhur me periudhën kur regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi internimet e para të atyre familjeve që i shpalli “armike dhe reaksionare”.

Si u trajtuan familjet “reaksionare” në Berat e Kuçovë

Po si u trajtuan ato familje që regjimi komunist i dërgoi me dhunë për të vuajtur dënimin si të internuar në qytetin e Beratit? Lidhur me këtë, Lek Pervizi dëshmon:

Familjet e para që u dërguan në internim në qytetin e Beratit, ishin: Gjomarkajt, Mëlyshët, Bajraktarët, Pervizët, Lleshmarashët, Sokolët, Dinet, Demat, Kolat, Dodgjinët etj. Ato familje u vendosën kryesisht në lagjen “Kala”, por më pas ato u vendosën edhe në lagjet e tjera të qytetit si “Mangalem”, “Murat-Çelepias” etj. Atyre familjeve fillimisht u jepej vetëm 500 gram bukë misri në ditë dhe ato ishin të detyruara që ta paguanin vetë qiranë e shtëpisë ku banonin. Shumë prej atyre familjeve që ishin të internuara në Berat, edhe pse banonin nëpër barake apo kasolle të improvizuara, e paguanin njëlloj qiranë e banesës si ato që ishin në gjendje disi më të mirë. Të gjithë personat e familjeve të internuara në qytetin e Beratit, nuk kishin të drejtë të largoheshin nga qyteti dhe tre herë në ditë të gjithë: me gra, burra, fëmijë dhe pleq, paraqiteshin tre herë në ditë në apel pranë Degës së Brendshme. Që në ditët e para që ato familje u dërguan aty, pra në majin e vitit 1945, regjimi komunist u mundua për t’i poshtëruar ata duke përdorur të gjitha mënyrat.

Një nga ato mënyra që u përdorën për t’i poshtëruar ato familje, ishte hapja e kanaleve të ujërave të zeza në mes të qytetit. Më pas të internuarit u dërguan për të punuar edhe në punë të ndryshme në bujqësi dhe sidomos në luftën kundër karkalecit në fushat e mbjella. Në atë kohë shumë nga familjet që nuk mund ta mbanin dot frymën gjallë me 500 gram bukë në ditë, detyroheshin dhe shkonin në mal për të bërë dru, që t’i shisnin ato në qytet për të fituar ndonjë lek për bukën e gojës. Përveç vuajtjeve fizike dhe urisë, në atë kohë shumë familje të internuara provuan mbi kurrizin e tyre dhe strese të shumta nga epshet e oficerëve të Sigurimit që kërkonin të shtinin në dorë vajzat e reja. Ngaqë asnjë prej atyre vajzave nuk ra “preh” e tyre, oficerët e Sigurimit u detyruan dhe i burgosën shumë nga ato vajza të reja. Ndonëse propaganda komuniste në atë kohë përdorte të gjitha mënyrat për t’i poshtëruar familjet tona që ishim të internuar atje, populli i Beratit u tregua tepër fisnik dhe mundohej me të gjitha mundësitë që kishte për të na i lehtësuar sadopak dhimbjet.

Shumë familje beratase në atë kohë u dërgonin familjeve të internuara, ushqime dhe rroba e batanije për të fjetur. Po kështu dhe brenda për brenda familjeve të internuara në atë kohë kishte një solidaritet shumë të madh. Shumë prej familjeve që kishin ndonjë të ardhur apo krah pune më shumë, u gjendeshin dhe u jepnin gjithmonë atyre familjeve që nuk kishin krah pune për të punuar. Në atë kohë në familjet e internuara nuk kishte shumë arrestime dhe kur ndonjë i arratisur vritej, familjen e tij e lironin nga internimi dhe e kthenin andej nga kishte ardhur. Kështu ndodhi me familjen e Llesh Marashit që u ekzekutua në atë kohë në Shkodër. Por ajo gjë nuk ndodhte gjithmonë, sepse kishte raste si ai i familjes Gjonmarkaj, që ndonëse u vranë shumë prej tyre, ata nuk i liruan asnjëherë nga internimi. Nga fundi i vitit 1947 nga Berati shumë familje u dërguan në Kuçovë ku filloi ndërtimi i fushës së aviacionit. Ato familje u vendosën në kazermat e italianëve dhe për të ngrënë u jepej vetëm bukë thatë pa gjellë. Pas Kuçovës shumë nga ato familje u sollën në Valias të Tiranës për të punuar në bujqësi, siç ishin Gjomarkajt, Demët etj.”, kujton Lek Pervizi lidhur me trajtimin e familjeve të internuara në qytetin e Beratit e Kuçovës. Vdekja e 33 fëmijëve në kampin e Turhanit.

Pas qytetit të Beratit, regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi t’i dërgonte të internuarit edhe nëpër qytete të tjera. Lidhur me këtë, Lek Pervizi dëshmon:

Aty nga fundi i vitit 1948 apo fillimi i vitit 1949, kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë, në Veriun e vendit filluan arratisjet në masë. Për ta frenuar sadopak atë fluks arratisjesh, regjimi komunist në atë kohë rriti represionin dhe filloi internimet masive. Nga që Kuçova dhe Berati në atë kohë u mbushën plot me familje të internuara, për të mos rënë në sy, regjimi komunist u detyrua dhe hapi dy kampe të tjera në Turhan dhe Memaliaj të Tepelenës. Në ato dy kampe që u mbushën vetëm me familje të internuara të Veriut të Shqipërisë, kushtet e banimit ishin në kufijtë e mizerjes dhe të internuarit jetonin në kondita primitive. Atyre u jepej vetëm 500 gram bukë misri thatë e asgjë tjetër. Në atë kohë që u vra Bardhok Biba, numri i të internuarve në dy kampet e Tepelenës, arriti në 6 000 vetë. Nga mungesa e madhe e higjienës, aty plasën epidemitë e sëmundjeve të ndryshme dhe njerëzit vdisnin në masë. Mesatarja e vdekjeve nga ato epidemi, ishte shtatë veta në ditë.

Katastrofa më e madhe ndodhi në gushtin e vitit 1949 kur në kampin e Turhanit vdiqën 33 fëmijë brenda një nate dhe për këtë gjë është dëshmitar, Abdurrahman Kaloshi, i cili mund të tregojë më shumë. Të gjitha ata fëmijë vdiqën nga epidemia e dizenterisë sepse nuk kishte asnjë lloj ndihme mjekësore dhe buka e misrit ishte e mykur. Tmerrit të vdekjeve të asaj nate, iu shtua edhe më shumë ankthi sepse nuk premtonte koha për të hapur varret për të gjithë ata foshnje. Një gruaje nga Vermoshi i Dukagjinit që quhej Cukalina, i vdiqën dy fëmijët binjakë, njëri në mëngjes dhe tjetri në darkë. Nga që ata ishin dhe meshkujt e vetëm të fisit, nëna e tyre vrau veten të nesërmen me gjithë motrën e saj. Kjo tragjedi e madhe shkaktoi bujë të madhe tek mjekët e Gjirokastrës dhe Tepelenës, të cilët patën kurajën dhe e bënë problem në Tiranë atë gjë.

Qeveria komuniste e Enver Hoxhës u detyrua dhe dërgoi aty një grup oficerësh për të parë gjendjen dhe pas atij inspektimi u vendos mbyllja e kampit të Turhanit dhe atij të Memaliajt. Të gjithë të internuarit e atyre dy kampeve u dërguan në kampin e Tepelenës ku kushtet ishin disi më ndryshe se aty, sepse u vendosën në kazermat e italianëve ku kishte dhe ujë për të pirë. Por edhe në atë kamp ku të internuarve u jepej vetëm 650 gram bukë gruri me pak supe me krimba që ishte vetëm ujë, vazhduan përsëri vdekjet. Edhe në aty të internuarit nuk i shpëtuan dot të ftohtit dhe urisë. Ata dërgoheshin të punonin në pyll për dru, pleh, dhe për të mbajtur shtylla për ndërtim. Nga fundi i vitit 1949 shumë të internuar u dërguan në kampin e Porto-Palermos që sapo u hap në atë kohë. Në atë kamp ata u vendosën në Kala dhe shumë prej të internuarve edhe sot e kësaj dite janë të verbuar nga errësira që ishte atje”, kujton Lek Pervizi, lidhur me tragjedinë e kampit të Turhanit ku në gushtin e vitit 1949, vdiqën 33 fëmijë nga kushtet e këqija të jetesës.

Nga Tepelena në Myzeqe

Familjet e internuara në kampin e Tepelenës qëndruan aty deri në vitin 1953, sepse në atë kohë shumë prej forcave të afta për punë u dërguan për të punuar në rrethe të ndryshme për ndërtimin e disa godinave të Degëve të Brendshme. Lidhur me fatin e mëtejshëm të familjeve të internuara, Lek Pervizi, dëshmon:

Aty nga viti 1954 kampi i Tepelenës u mbyll dhe të gjithë familjet që ishin aty i mblodhën dhe i sollën në disa kampe që u hapën në fushat e Myzeqesë, si në sektorët e Grabjanit, Çermës, Gradishtës, Dushkut, Plugut, Savërs, Xhazës etj. Po në vitin 1954 një pjesë të internuarve u dërguan në kampin e Kuçit të Kurveleshit që sapo u hap në atë kohë. Vetëm ndër 100 të internuar që u dërguan përnjëherë aty, 60 prej tyre kishin mbaruar universitetet e Perëndimit, si Dom Mikel Koliqi, Ali Erebara, Ibrahim Sokoli, Nedim Kokona, Sami Kokalari etj. Kampi i Kuçit të Kurveleshit u mbyll në vitin 1958 dhe të internuarit që ishin aty u sollën përsëri në kampet e Myzeqesë. Në ato kampe, bashke me dhjetra familje si Dostët, Gjomarkajt, Çelët, Hoxhat, Bajraktarët, Dinet, Demët, Ndretë etj. ne qëndruam deri në vitin 1990-të kur u shkri Komisioni i Internim-dëbimeve. Një pjesë e të internuarve qëndroi aty edhe për disa vjet të tjera pas 1990-ës, por për hir të së vërtetës dua të them se në ato kampe ka akoma disa nga familjet e internuara që nuk kanë se ku të gjejnë strehë tjetër”, e përfundon rrëfimin e tij 86-vjeçari Lek Pervizi, mbi fatin tragjik të shumë familjeve fisnike që regjimi komunist i shpalli “reaksionare” dhe i degdisi për 45-vjet me radhë në kampet e internimit që ishin hapur anekënd Shqipërisë.

1 komente te “Lek Pervizi: Në kampin e Turhanit në vitin 1948 vdiqën 33 fëmijë brenda një nate

  1. Si Aushvici? Me i keq, se Hitleri/Gjermani vrane ne Aushvic, jo Gjermane…Ne Tepelene u vrane Shqiptare prej “Shqiptarit, Shqiptareve !!! Shkruani, shkruani, mos u lodhni Mjerimin e asaj !!! Te kujtohen te mos harohen…Ne kemi per Camerine: “Janine c`te pane Syte “, qe i kujtojme dhe mos i harojme mjerimet e Cameve pse te mos kemi dhe per Tepelenenen, “Tepelene c`te pane Syte”!!! Ose me mire, “Shqiperi / Enveriste c`te pane Syte”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.