LEGJENDA, MITI, OLIMPI, PREKAZI…

SHKRUAR NGA SEFEDIN KRASNIQI

Hartim në orën e Hitorisë

Pasi shkrova titullin e temës në drrasën e zezë, nxënësve u shpjegova që secili mund t’ia fillonte nga etapa kohore që i përshtatej dijës së tij. Koha për shtjellimin e temës 90 minuta. Hartimi i fundit mu dorëzua pas 75 minuatave. Nga 25 nxënes 2 mungonin, nga 23 hartime më të mirat mu dukën 4 prej tyre.)

Tavolina nr. 1

Me kujtohet në tragjedinë e Eskilit “Prometheu i mbërthyer” përgjigja që heroi i jep të dërguarit të Zeusit, Hefesit apo Hermesit – ai që ishte çalaman nga këta të dy. “Mos harro se unë kam parë dy breza perëndish të zhduken dhe së shpejti do shoh të tretin”, duke iu referuar Zeusit. Nga mitologjia kam lexuar shumë por kërrkund tjetër nuk kam hasur përmendje të një kryezoti tjetër perveç Zeusit. Kadare do të thoshte : « Duket sikur dikush e ka censuruar që në atë kohë letërsinë ». Më pas a u vërtetua veprimi i Prometheut per përmbysjen e Zeusit…

Urani dhe Titanet ishin brezat para Zeusit. Urani ishte babai i Titanëve kurse Kronosi, kryesori i titanëve, ishte babai i Zeusit si dhe i shumë hyjnive të tjera të Olimpit. Çalamani ishte Hefesti, hyjnia e zjarrit. Por informacionin nuk e dha Hefesti por Hermesi pasi ai ishte i lajmëtari i perëndive. Megjithate nuk jam shumë i sigurt pasi nuk e kam lexuar këtë pjesë të Eskilit, si duket dikush ia ndërroi rrugën, apo nuk e lanë fare të hyj në arenë. Brezat mund të jenë të tjerë, varet cilët ka pasur në mendje Eskili sepse mitologjia nuk ishte e njëjta por ndryshonte nga krahina në krahinë. Nëse i referohemi Isiodit atëherë kam të drejte.

Tavolina nr. 2

Kronosi ishte i ati i Zeusit, por sipas profecisë i biri (dmth Zeusi ) do ta vriste per ti marrë pushtetin, kështu që ai e braktisi të birin e mitur, në një mal të vetmuar që të vdiste, por aty Zeusi nuk vdiq pasi u ushqye me qumështin e një dhie. Kur u rrit, e vrau të atin, dmth Kronosin dhe i mori pushtetin duke u bërë Zot i Olimpit. Para se ta vriste, i preu organin gjenital dhe ja hodhi ne det. Pikerisht aty lindi dhe Afërdita (perëndesha e dashurisë ).

Zeusi, ka qene me prejardhje shqiptare apo ilire (apo krijesë e tillë, merreni si të doni).Zeus- Jezus.(Tek ky i dyti leviz vetëm Z tek J). Ngjashmëri e çuditshme! Ne fakt i dyti nuk është çudi që ta ketë marrë emrin nga i pari, apo të jetë i njejti. Gjithashtu edhe Aferdita, Afer-Dita.

Është e vërtetë që grekët huazuan nga Ilirët hyjnitë e tyre. Zeusi eshte një nga ata. Grekët e riemeruan me emrin Dias. Nga fjala Zeus ka origjinën fjala Zot.

Tavolina nr. 3

Urani ose perëndia i qiellit u martua me perëndeshën e Tokës ose Gaea dhe kishin 12 fëmijë, titanët. Gjashtë prej tyre ishin femra dhe 6 ishin meshkuj. Urani ishte i lumtur, por Gaea pati prapë fëmijë, tre prej te cilëve ishin cikllopët me një sy në ballë dhe nja 6 (me duket) përbindesh që me nga 6 koka dhe 16 krahë. Urani këta fëmijë i urrente ndaj i mbyll 7 pashe nën dhe. Gaea ose perendesha e tokës, të cilës i dhimbseshin fëmijët e saj si nënë iu drejtua Titanëve që ta permbysnin të jatin, Uranin dhe të lironin fëmijët e tjerë. Tokën Nënë e dëgjoi më i vogli i Titanëve, Kronosi i cili me ndihmen e nënës së tij, motrave dhe vëllezërve arriti ta përmbyste të jatin dhe të bëhej vetë sundues. Kjo kohë është njohur edhe si koha e artë pasi Kronosi ishte një nga zotërit më të mirë që kanë sunduar në Olimp. Kronosi e vret te jatin me heshtë nga ato që kanë katër maja si pirun. Medet, (i shkreti Uran). Megjithatë, Kronosi nuk i liroi asnjëherë vëllezërit e tij perbindësha ashtu siç i kishte premtuar nënës së tij. Gjithashtu e dinte që po të bënte fëmijë atëherë ata do ta përmbysnin një ditë ashtu siç permbysi ky te jatin. Gruaja e Kronosit, Rea iu ankua Nënës Tokë (Gaea) e cila e ndihmoi. Harrova të them se Kronosi i hante femijët e tij (revolucioni i ha bijtë e vetë !!!) kur ishin bebë të sapolindura. Kur e bëri fëmijën e gjashtë Rea më ndihmën e Nënës Tokë (Gaea) e çuan bebën në një shpellë në ishullin e Kretës. Kjo bebë ishte Zeusi. Kronosit i dhanë për të ngrënë një gur të mbështjellë në batanije. Aty ai u ushqye me qumësht dhish edhe u rrit nga zanat. Kronosi nuk arriti asnjehere t’ia dëgjonte të qarat. Kjo falë Nenës Tokë. Kur u rrit Zeusi e dinte qe nuk e kishte te lehtë të përmbyste të jatin pasi ai kishte mbeshtetjen e Titanëve të tjerë dhe të fëmijëve të tyre. Zeusi në këtë kohë u dashurua me njerën prej bijave të Titanëve që quhej… nuk e di ç’rendesi ka? Zeusi me nënën e tij Rean i dhanë Kronusit diçka për të ngrënë që ai të villte dhe ti nxirrte motrat dhe vëllezërit e Zeusit. Nuk e di se çka përziejnë nektar me kripë, a ku di une se çka, por Kronosi volli dhe nxorri nga barku pesë fëmijët e tjerë dhe gurin. Zeusi me ndihmën e pesë motrave dhe vëllezërve të tij e kishte shumë të lehtë të përmbyste të jatin dhe kështu u bë. Pas kësaj Zeusi e vrau të atin Kronosin me të njejtën heshtë qe Kronosi kishte vrarë Uranin. Edhe Prometheu e ndihmoi Zeusin që të merrte pushtetin dhe të mundte Titanët sepse Prometheu parashikonte të ardhmen dhe ai e dinte që Zeusi do fitonte. Kur mori pushtetin, Zeusi vendosi ta ndante atë me motrat dhe vëllezërit e tij që ishin Demetra, Hades, Hestia, Hera dhe Poseidoni duke sunduar kështu të gjithë në Olimp. Zeusi ishte babai mortalëve dhe imortalëve bashkë. Pati shumë gra dhe shumë fëmijë sa që nuk mjaftojnë netë dimri t’i thosh emrat….plus që unë s’ua di emrat, dhe kishin maska. Zeusi gjithashtu çliroi përbindeshat qe kishte burgosur Urani pra çikllopët dhe ato krijesat shumëkokëshe.
Ndërsa për Afërditën unë nuk e dija që ishte krijuar ashtu. Unë e di se doli nga uji dhe asnjëri nuk e dinte se nga erdhi. Ishte e vetmja nga perënditë e Olimpit që nuk kishte baba ose nënë. Afërdita kishte djalë Kupidin e vogel ngatërrestar… Ka pohime se Aferdta doli nga trutë e Zeusit pasi ky kishte hënger gruan e vet shtatzënë. Kur erdhi koha e lindjes së Afërditës, Vullkani me një të rënë në kokë, Zeusit i kishte shkatuar një të çarë nga doli Afërdiat…

Tavolina nr. 4 – këtu ishte ulur Niku!

(Për të ditur se kush është Niku do ta shfletoj notesin tim dhe të shikoj se çka kam shkruar kur u takova me të për herë të parë. Aty shkruan,)

Sytë e Nikut

Ja edhe përmbajtja. Kah fundi i një pasdreke kur dielli ende nuk ishte fshehur pas bjeshkëve, buzë liqenit duke shetitur shkujdeshëm e larg me mendje, befas pashë fytyrën e një mikut tim. Ai ishte i shoqëruar me një njeri që sipas sjelljeve gjestikulative, kishe dalur të kënaqej me valët e liqenit dhe pulëbardhat, të cilat, ndoshta, nuk do t’i shihte më kurrë. Vërejta që në sy mbante syze të errëta, edhe pse as s’ishte stina për to, as dielli me rrezet e zbehta nuk besoja se i bënte aq zullum.

Tungjatjeta, më përshëndeti miku im. Ky është Niku, ma prezantoi.Ishte prezantim i shkurtër dhe i zakonshëm. Por pasi miku im dinte se ai njeri ishe një fytyrë e panjohur për mua, për të ma tërheque vëmendjen, me një shikim si lutes, me shikim drejtë në sy e shtoi : « Ky është Niku. Luftëtar i Koshares, i UÇK-së. Para tri dite ka ardhur nga Kosova. E kam marrë në banesën time në përkujdesje. »

E, ti, Niku ushtari i Koshares, duke ma zgjatur dorën, në shenjë respekti që ende nuk di përse, hoqi syzet duke i vënë mbi ballë. Fjalët ushtar, Koshare, UÇK, heqja e syzave më mjaftuan që t’i afrohem më kujdes dhe respekt. Pasi u përshëndetëm, propozova të ulemi dikund për një pije. Sa u ulëm në një restorant, kurreshtjen ma shtoi kur vuri prapë syzat në ballin e haptë, të cilin ia hjeshonin flokët e shkurtëra. Kur desha të pyes më imtësisht, miku im ndërhyri sikur për të kursyer. Foli shkurt, por me shumë pietet : « Niku ka qenë luftëtar i UÇK-së në Koshare. Në luftë për çlirimin e Kosovës është kyçur sa i ka mbushur gjatëmbdhjetë vjet dhe ka dalur nga lufta posa i ka mbushur të tetëmbëdhjetat. Pak para përfundimit të luftës, fatkeqësisht ka rënë në një minë dhe për një kohë ka qenë i palëvizëshëm. Pas një sherimi të shkurtër në Tiranë dhe një operacioni në Turqi ka filluar të lëvizë me karrocë, e më vonë ka filluar të ec në këmbë të veta. Por, Niku ka edhe një problem. Copëza të minës i kanë mebetur në sy dhe tash duhet të operohet. Ka gjasë që njëri sy t’i shpëtojë, ndërsa tjetri … », Miku im ndërpreu zërin duke ulur sytë kah tavolina. Kështu là për të kuptuar të vërtetën e hidhur, se as mjekët e Zvicëres nuk ishin të sigurtë që do t’ia shpëtonin njërin sy. As unë nuk fola. Tavolinën që ishim ulur e mbuloi heshtja. Një pikë loti më mashtroi dhe më rodhi nëpër faqe. Kot u mundova ta fsheh. Shikimet tona thyheshin në trekënësh. Zëri nuk dilte. Ngulfatje në fyt. Secili prej nesh kishte për të thënë diçka. Po fjalët nuk dilnin.

Ti, Nik, u tregove prap më i fortë se unë dhe miku im. Po ku dorëzohet ushtari lirisë !? Krejt spontanisht fillove të flasish për luftën, për horroret e saj, për komandantët që i kishe respektuar urdhërat me aq përkushtim. Përmende shumë dëshmorë të rënë në frontin e luftës. Përmende emrat e tyre. Ndër ta pati edhe ndonjë që e kam njohur personalisht. Rrëfeheshe, e rrëfeheshe, e në mua shtoje peshën e mallëngjimit! Nuk di pse, por rrëfimi yt ishte rrënqethës, tronditës, digjte deri në palcë, dhimbëte, mu sikur në atë këngen „O sa fortë po dhemb…“. Na rrëfeve se kishe një kasetë në shtëpi që rrëfimin tënd të tmerrshëm e përcjellin krismat e pushkëve çlirimtare, për të cilat flisje sikur për ndonjë film, simfoni tepër melodioze. Na tregove se brënda një jave do ta sillje nga Kosova atë kasetë. Sikur mendoje se nuk të besonim. Por ti nuk e dije, o Nik, që afër teje fillova ta ndihem edhe më krenar se që jam, por edhe shumë i vogël. Fillova ta ndiej peshën e çlirimtarit të Atdheut. Ngadalë e me kujdes zgjata dorën te balli yt dhe t’i hoqa syzat. Doja t’i shoh sytë, sepse nuk dija a do t’i shoh më. Ti e kuptove gjestin tim, siç ma kuptove lotin. Nuk kundërshtove por vazhdove : « Eh, nëse më shpëton njëri që ta shoh prapë Kosovën, sa të kthehem do t’i vizitojë varret e dëshmorëve kudo në Kosovë, pa dallim, dhe do t’i mbushë me lule. Pastaj do ti vizitojë bashkëluftëtarët me të cilët ende nuk jam çmallur. Kam të evokoj shumë kujtime »… Tregimi është ende i gjatë, por mua më brente kurrshtja se ç’kishte shkraur Niku në hartimin e tij …

(Duke e parë Nikun -tavolina nr. 4- që nuk shkruante fare, duke shetitur nëpër klasë „harrova“ ca shkrime mbi tavolinën e tij. Nuk di pse … disi…sikur doja t’i them kopjo diçka nëse nuk di gjë, apo të vjen vështirë të shkruajsh)…

Prap kisha emocione, prap kisha lotë. Nuk di si më doli zëri ? Por disi krejt papritmas e pyeta: Ku do t’ia fillosh me vendosjen e luleve mbi varret e dëshmorëve? Ndoshta tashmë ke mbaruar këtë plegrinazh? Nuk foli, vetëm buzëqeshi. Pas pak e vërejta duke lëshuar tavolinën mbi të cilën duke ikur là këta hartim të shkurtër:

„Edhe unë do t’ia filloj në Olimp. Aty, te hiri i komandantit dhe të fëmijëve të tij, prej nga nisi çlirimi i Kosovës. Do t’ia filloj nga komandanti Adem Jashari. Një Adem apo Adam kishte jetuar edhe para Titanëve edhe para Zeusit. Edhe Ademi kishte baba xha Shabanin. Ky veç tre djemëve kishte shumë nipër e mbesat që thërrisnin babaplak. Ata luftuan bashkë. Kishte edhe vëllain, Hamzën. Kishte edhe dajën Osë nga Llausha. E sa për Olimpin? Për Olimp e njoh Prekazin… aty ku lindi Adem Jashari dhe ra heroikisht për çlirimin e Kosovës, të cilën mirë po e shoh në liri me një sy, se sa e shihja me të dytë nën robërinë serbe…“ Adem Jashari ishte realitet, më i madh se legjendat. Kryehero i histrorisë së re të Kosovës. Ishte një pasardhës i Skëndrbeut që në vend të turqëve luftoi kundër serbëve“.

Prap emocione. Prapë errësim i syve, sikur kur bjen perdja! Shikova për rreth. Teatri ishte zbrazur (ishte salle mësimi apo teatër nuk di…)

NB: Niku është personazh i gjallë dhe jeton në një qytet të Dukagjinit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top