LDK, PARTIA MË E STRUKTURUAR DHE MË DEMOKRATIKJA NË SKENËN POLITIKE

29, Dhj, 2020 | POLITIKA KOMBËTARE

SHKRUAN: ANTON BERISHA, DIPLOMAT I KARRIERËS

Lidhja Demokratike e Kosovës, vazhdon të jetë partia më e strukturuar dhe më demokratikja në skenën politike të Kosovës. Ajo, edhë në kohën e liderit të pakontestueshëm dr. Rugovës ka njohur vendimet e decentralizuara nga degët si dhe marrjen e vendimeve në kryesi për pozitat qendrore.

Sistemi zgjedhor aktual në Kosovë, që buron që nga koha e UNMIK-ut, proporcional njëzonal, ishte hartuar pikërisht për të mundësuar pjesëmarrjen e më shumë partive politike në Parlament duke përfshirë edhe ato të komuniteteve, në mënyrë që të krijohet një përfshirje e gjerë.

Nuk ka dyshim, se zgjedhjet lokale, me 28 tetor 2000, kur u pa që LDK dominonte në mënyrë apsolute, ishin faktori kryesor që ndikuan për një model të tillë, dhe ishtë vet dr. Rugova që pranoi atë sistem që dëmtonte LDK-në, me qëllim që të prevaloj interesi i përgjithshëm, në rrugën e pluralizmit demokratik për t’u dhënë mundësi partive të tjera të përfaqësohen më lehtë në kuvend. Pra, ishte një qëndrim i një shtetari që nuk redukohej në interesin partiak por shtetëror, duke i ditur rrethanat e komplikuara në atë periudhë.

Ky sistem zgjedhor, që ka mbetur edhe sot, parashehë që partitë politike të garojnë për parlamentin e Kosovës, me një listë prej 110 kandidatësh, në një zonë, pra janë zgjedhje për deputetë, të cilët pas konstituimit të kuvendit, konform ligjeve dhe rregulloreve, zgjedhin organet tjera duke përfshirë presidentin dhe qeverinë.

Në këtë kuptim, partia politike votohet bashkë me kandidatët e vet, që do të thotë se kualiteti i listës kandiduese luan një rol të rëndësishëm. Edhe në këtë sistem, LDK në zgjedhjet e vitit 2001 dhe 2004 doli bindshëm më e votuara.

Partitë tjera, duke parë pamundësinë e kandidimit me një listë kualitative, filluan të vënë një praktikë joformale të kandidimit për pozitën e kryeministrit, që e bëri PDK, në mënyrë që gara nga lista e kandidatëve të fokusohej në kandidatin për kryeministër. Ky model, realisht faktorizoi partitë tjera duke u fokusuar në garë lideresh e jo në garë partiake, e që nuk i konvenonte LDK-së, e cila pas vdekjes së dr.Rugovës, në proceset e vështira të brendshme tentonte që të mbahej përmes strukturimit të saj dhe më shumë figurave.

Mendoj, që LDK nuk është dashur ta ndjekë këtë ritëm të nominimit që u konvenonte të tjerëve, por të ndjekte ritmin e saj të listës së pasur me më shumë kandidatë. Pra, përderisa partitë e tjera, nuk mund të krahasoheshin në kualitetin e listës zgjedhore me LDK-në, ngase ishin kryesisht të bazuara në liderin, dhe e kompensonin atë mungesë me nominimin për kryeministër, LDK-ja do të duhej të fokusohej në listën e saj.

Vet fakti i sistemit proporcional, që nuk jep asnjë garancion të shumicës, pra as të zgjedhjes së kandidatit, është argument i mjaftueshëm për mosmarrjen parasysh të kësaj praktike. Edhe sot, mendoj, që LDK s’ka pse të hargjoj energji në debatin e zgjedhjes së kandidatit për kryeministër, e përsërisë , për të ndjekur ritmin e partive të tjera që pothuajse nuk kanë më shumë se një kandidat serioz për kryeministër, përderisa LDK ka më shumë personalitete të tilla.

Në një sistem proporcional, do të duhej të ishte e nënkuptueshme që partitë garojnë me kandidatët e tyre, që burojnë nga kryetari, kryesia dhe degët nëpër komuna, në mënyrë që të sigurojnë një numër sa më të madh deputetesh, prej nga detyrueshëm në negociata ndërpartiake arrijnë marrëveshjen për zgjedhjen e presidentit, qeverisë e organeve të tjera shtetërore.

Praktika e këtyre viteve ka treguar, se pikërisht insistimet për pozitën e kryeministrit kanë krijuar kriza qoftë në formimin e qeverive dhe qoftë në rëniet e shpeshta, e që nuk do të duhej të ndodhte në një sistem parlamentar.