Kush janë tradhtarët e kush patriotët?

SHKRUAR NGA SEFEDIN KRASNIQI, 7 JANAR 2003

KUR KA ERRËSUAR MENDJA E SHQIPTARIT?

Thuhet se që nga vrasja e Abelit nga Kaini mendja njerëzore ka errësuar shumë herë. Janë krye vrasje me motive të ndryshme. Çfardo të kenë qenë motivet, çdo vrasje është krim, përveç asaj në vetmbrojtje.  Po mendja e shqiptarit sa here ka errësuar prej fillimit të luftës (1998/99)e deri te vrasja e Komandantit Tahir Zemaj, djalit të tij Enisit dhe kusheririt Hasan Zemaj?

Kush janë tradhtarët e kush patriotët?

Në prag të luftës në emër të „patriotizmit“, për shkak të „tradhtisë“, janë vrarë disa persona në Kosovë. Këto vrasje opinioni publik shqiptar i përpinte derisa nuk filloi vrasja e gazetarëve. Vetëm pas vrasjes së gazetarit  Ali Ukaj në Tiranë dhe asaj të  Enver Malokut në Prishtinë  njerëzit filluan të pyesin se çka po ndodhte. Misterin e këtyre vrasjeve e kanë zbuluar aq sa kanë mundur, për Ali Ukën, Mero Baze e për Enver Malokun, Shefqet Dibrani. Hetimet për këto vrasje s’kanë nisur kurrë!

Pas vrasjeve të „tradhtarëve“, siç shkruhej në komunikata dhe vrasjes së fjalës, filloi vrasja e atyre që iu kishin përgjigjur kushtrimit të institucioneve për çlirimin e  atdheut, e jo të UÇK-së që komandohej nga Fatosat e Nanosat e „gjarpërinjtë e tigrat“. Pra, jo kushtrimit të maskave e as kumbarëve të linjës Beograd/Tiranë/Kretë. Kjo linjë e  kuptoi kah i vinte edhe  rreziku i humbjes së autoritetit te shqiptarët, prandaj vendosi të qëlloj në shtërgun e madh. Meqë duhej të goditej shtërgu i madh edhe propoganda për të arsyetuar vrasjen duhej të ishte e nivelit të saj. Kështu u trumpetua me pompozitet në mjetet e informimit edhe vrasja e minisitrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqit. Me gjuhë ogurzezë e plot helm gjarpëri flitej njëtrajtshëm; si në Tiranë, si në Prishtinë dhe në Diasporë. Një telall i UÇK-së, që sot, si duket,  i ka kuptaur fajet e veta, publikisht kishte deklaruar në Suedi se UÇK-ja (krahu enverist v. j.) do të vriste Ahmet Krasniqin. Lajmit ogurzi të telallit i ka duartrokitur edhe një sehirxhi që bashkë me telallin kishin udhëtuar për Suedi nga Rinasi.  Ky sehirxhi sot është ulur këmbëkryq në Parlamentin e Kosovës. Le të dihet se ky ka edhe shokë në këtë parlament. Të gjithë së bashku bëjnë pjesë në instalimin e krimit në institucionet e Kosovës. Edhe për vrasjen e ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqit, hetimet kurrë s’kanë filluar, apo kanë mbaruar ende pa i nisur!

Si vrasje që ka  tronditur shpirtërat shqiptarëve, e cila i parapriu asaj të ministrit Krasniqi, ishte edhe ajo kur me gjakun e vet e skuqi tokën shqiptare edhe Ilir Konushefci. E vranë çlirimtarin  e ditëve të para. Të njejtit. A di kush kur kanë filluar dhe kur kanë mbaruar hetimet për këtë vrasje!?… Kurrë.

Janë të njohura edhe vrasjet që ndodhnin në kufirin Shqipëri-Kosovë dhe akuzat plot me spekulime të kundërinstitucionalistëve drejtuar  institucionalistëve. Një shpresë se do të ndalen  vrasjet në mes të ushtarëve të krahëve të ndryshëm politik, në Rrafshin e Dukagjinit,  u duk në horizont kur Ramush Haradanaj e kishte pranuar për Komandant të kësaj Zone Operative, kolonel Tahir Zemajn. Kjo provë qëndron në librin „Kështu foli Tahir Zemaj“, vëllimi i parë, faqe 83, data 23.08.1998, numër 05.Nr. 01/134-1. Dihet se marrëveshja nuk i qëndroi kohës. Ishte prishur ende pa u tharë ngjyra në letër.

Lufta kundër hordhive të Millosheviqit vazhdoi. Në mungesë të një komande të vetme dhe një rezistence më të denj, Kosova filloi të zbrazej nga shqiptarët. Substanca kombëtare shqiptare u rrezikua shumë. Ra nën nivelin e normales. Maqedonia Perëndimore dhe Shqipëria u shëndëruan në kampe shqiptarësh nga Kosova. Bashkësia ndërkombëtare u indinjua, prandaj vendosi t’a shpëtojë një popull nga zhdukja. Për këtë ndërmarrje shumë të vështirë, në emër të së drejtes humanitare, ajo vuri në dispozicion ushtritë më të forta kundër gjakpirësit Millosheviq. U lumturuam të gjithë kur NATO na shpëtoi nga serbët. Kthimi i shqiptarëve në tokën e të parëve ishte madhështor, mahniti botën. Për këtë gjest humanitar ndaj shqiptarëve, Millosheviqi u bëri gjyqin në Beograd, në mungesë, presidentit Klinton, kryeministrit Bler etj… Edhe këta nuk i kanë mbetur borxh. Publikisht, po ia bëjnë Millosheviqit gjyqin në Hagë për krime dhe gjenocid ndaj shqiptarëve. Kështu ushtritë e NATO-s na shpëtuan nga krimineli Millosheviq dhe gjakpirësit e tij, por kurrsesi të na shpëtojnë nga njëri-tjetri. Të na shpëtojnë nga kriminelët shqiptarë!

Çfarë do të pyesin gjeneratat e ardhshme?

Sikur ne që sot po pyesim; si ka mundur të vritet Hasan Prishtina nga dora shqiptare, e si ka mundur të vritet ky apo ai patriot nga vetë shqiptarët, pas një shekulli gjeneratat e ardhshme do të pyesin, e si ka mundur dikush t’a vras komandant „Drinin“ dhe ta quaj tradhëtar? Po publicistin dhe këshilltarin e dr. Rugoves, Xhemail Mustafën? Pse e vranë Shaban Manajn e Ismet Rracin? Sado që këto vrasje ishin të njerëzve të mëdhenj, qendra e krimit u trimërua sepse gazeta e agjensi enveristësh kosovarë, që u shumuan si këpurdhat pas shiut, ia arrinin t’a mashtrojnë opinionin publik shqiptar se ende po i vrasinë „tradhtarët“. Mu për këtë edhe qendra e planifikimit të krimeve shkeli edhe një shkallë më lartë. Tash, veç gazetave dhe agjensive, në dorë i futën edhe radiostacionet dhe televizionet rajonale e qendrore të Kosovës. Kështu krimi dhe vrasja e shqiptarëve, me zhurmën e lajmeve të rrejshme, arsyetohej dhe kamuflohej më lehtë. Pasi populli, në tri organizime të zgjedhjeve, votën nuk ua dha planifikuesvëve të krimeve, qendra dha urdhërin e radhës, që vrasjet të trefishohen. Të gjitha me karakter politik, pasi viktimat janë të një partie që quhet LDK.

Me këtë urdhër  e vranë Besim Dajakun, Bekim Kastratin dhe Gani Gecin (këtë të fundit veç Zoti s’e ka vra). Pastaj e vranë komandantin e Rugovës, Smajl Hajdarin. Pasi urdhëri nuk ishte respektuar (veç një komandant pak) e vranë vetë të tretin Ukë Bytyçin? Më 04 janar 2003, pas tri tentimatentateve të dështuara e vranë me gjithë djalë e kushëri Komandant Tahir Zemajn.

Frika nga trazimi i popullit

Vrasja e komandantit Tahir Zemaj, djalit të tij Enisit dhe kushëririt Hasanit  doli si hesapi pa hanxhiun. Qendra e krimit dhe kriminelët kurrë nuk kanë besuar se kjo vrasje e trefishtë do ta dridh Kosovën, do ta vë në lëvizje një popull të tërë. Kur kori i nipave të bijve shqiptarë të Stalinit deshtën t’a nisin kakofoninë e lajmeve të  zhurmës shurdhuese, zëri i zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, me komunikatën se terrori i „vrasjeve duhet të ndalet në Kosovë“, korit tashmë të çoroditur ia ngriu gjakun. Populli, për besimin që ka në Shtetet e Bashkuara dhe për të shprehur dhembjen që ndjeu ndaj vrasjes mizore të Komandantit Zemaj, pas mbledhjes komemorative të presidentit të Kosovës dr. Rugovës, vendosi që në mënyrën më madhështore të marrë pjesë në varrimin e Komandantit të Rrafshit të Dukagjinit, Tahir Zemajt.  Kështu populli i futi në birë të minit kriminelët dhe frymëzuesit e tyre, qendren e krimit. Forumi Rinor i LDK-së së Deçanit, një ditë pas varrimit të Komandant Tahir Zemajt, në qendër të Prishtinës, organizoi një protestë madhështore me moton „Stop dhunës“. Të rinjtë e LDK-së treguan para gjithë botës, se LDK nuk do t’a shtrijë qafen derisa t’i këputet. Të rinjtë e LDK-së me zërin kumbues të Sejdi Tolajt, të përcjellur nga bashkëshortja dhe nëna e tre dëshmorëve, Nekibe Kelmendi, para përmendores së Skënderbeut, në Prishtinë, kërkuan të ndalet dhuna e të ndalen vrasjet politike në Kosovë.

Vrasja e Komnadant Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit dhe kushëririt Hasanit si dhe mllefi i shprehur i popullit i tronditi edhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë. Një konfuzion që shprehte shqetësim dhe frikë u vërejt edhe në fytyrën e administratorit ndërkombëtar të Kosovës, Steinerit, i cili gjatë takimit me dr.Rugovën vrasësit i quajti gangsterë dhe kriminelë. Më në fund, të gjithë e kanë kuptuar fuqinë e LDK-së dhe të Presidentit Rugova. Vetëm UJDI-sti Veton Surroi, telalli i Sorrosit për Kosovë, nuk ka kuptuar asgjë, edhe pse mendon që bënë dhe di politikë të hollë. Mu për këtë Veton Surroi nuk e respektoi Ditën e zisë, të shpallur nga dr. Rugova, për vrasjen e trefishtë në Pejë. Askush Surroit s’ia zë për të madhe. Ky nuk ka respektuar as Ditët e zisë, për inati të  dr. Rugova, as kur është vra Adem Jashari. Mendja e shqiptarit nuk errëson vetëm kur kriminelët vrasin shqiptarë me motive politike. Ajo errëson edhe kur dikush vepron turpshëm sikur Veton Surroi.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top