KUSH ISHTE XHAFER DEVA

Xhafer Deva lindi nё Mitrovicё, më 21 shkurt 1904. Ishte djali i pestë, ndër shtatë djemtë e Ibrahim Agë Devës dhe Esmës, nga familja Osmani. Ibrahim Deva, babai i Xhaferit, i lindur në Mitrovicë, por me prejardhje nga Gjakova, ishte pronar i një punishte druri. Origjinën familja e kishte nga Deva e Hasit.

Mësimet fillestare Xhafer Deva i kreu në Mitrovicë, ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Selanik. Xhafer Deva është shkolluar në gjuhët shqip, serbisht, turqisht dhe gjermanisht. Mësimet e larta i kreu në Konstantinopojë, në “Robert College” – shkolla më e vjetër amerikane jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara, që në gjuhën turke quhet: İstanbul Amerikan Robert Lisesi. Aty, Xhafer Deva mëson edhe gjuhën angleze. Pas studimeve në “Robert College” të Konstantinopojës, Xhafer Deva vazhdoi studimet në Vjenë, ku kreu edhe studimet për inxhinieri.

Veprimtaria politike

Xhafer Deva doli në skenë pas pushtimit gjerman të Mbretërisë Jusollave, më 17 prill 1941. U shqua pёr organizimin e pushtetit nё rajonet Mitrovicë-Podujevё-Vushtrri, pra nё atё pjesё tё Kosovёs qё ishte nёn pushtimin gjerman. I cilësuar si njeri i afërt me të Plotfuqishmin e Reich-ut në Europën Juglindore, Hermann Neubacher, të cilit i kishte fituar besimin; themeloi administratën me nëpunës, agronomë dhe arsimtarë shqiptarë. Mendohet të ketë punuar pranë “Abwehr”, shërbimit informativ ushtarak gjerman.

Në bashkëpunim me Rexhep Krasniqin dhe Ernest Koliqin, në kohën kur ishte ministër arsimi ky i fundit, hapën shkollat shqipe në territoret shqiptare të ish-mbretërisë jugosllave. Nё vitin 1943 ishte ndёr nismёtarёt kryesorё pёr krijimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”. Në këtë kohë, Herman Neubacher i kërkon të niset për Tiranë, ku Deva merr postin e mininistrit të brendshëm. Kolonel Faik Quku e përshkruan kështu:

“Ministri i Mbrendshëm Xhafer Deva, megjithse nuk e njihte Shqipnin, ishte i pajisun me cilësitë e ushtarit gjerman: i vendosun, guximtar, i veprimit, i disiplinuem dhe anmik i komunistave, por e ndiente veten si të paralizuem mes Kryeministrit Rexhep Mitrovica, që e konsideronte të sëmurë, dembel dhe të pavendosun dhe Kryetarit të Këshillit të Naltë, Mehdi Frashërit, që e konsideronte konfuz, pa program, njeri që nuk e mban fjalën dhe që u nënshtrohet ndërhymjeve ilegale… I pakënaqun prej punëve që nuk shkonin mirë dhe konfuzionit që ekzistonte, nga marsi i vitit 1944, Xhafer Deva mendon me u ba diktatori i Shqipnisë, gja që do t’ishte zgjidhja ma e përshtatshme, por që nuk realizohet, sepse e kundërshtojnë gjermanët. Si në fillim, kryesinë absolute të Mehdi Frashërit, ashtu edhe kësaj here, pushtetin diktatorial të Xhafer Devës, eksponentat kryesor të Ballit Kombëtar, e pranojshin… mendonte që me anën e ekzekutimeve me pastrue qytetet e Shqipnisë nga komunistat, tue fillue nga Tirana. Ky ka qenë edhe qëllimi kryesor i sjelljes në Shqipni të regjimentit “Kosova””.

Nga gjysma e dytё e vitit 1944 dhe deri nё mbarim tё luftёs ishte kryetar i organizatës Lidhja e Dytё e Prizrenit dhe drejtoi qëndresën pёr tё penguar futjen e trupave partizane jugosllave nё Kosovё.

Mbasi trupat gjermane, që respektonin pavarësinë e Shqipnisë etnike u sulmuan nga anti-fashistët në operacionin ushtarak të dimrit, gjermanët kërkuan zyrtarisht jo vetëm listat, po dhe grumbullimin e gjithë hebrenjve në një fushë përqendrimi. Mbështetur në burimet amerikane, sipas Sarner, dy përfaqësues të bashkësis hebraike në Shqipëri, duke përfshirë edhe hebrenjtë e deportuar prej vendeve të Europës Qendrore, që kishin gjetur strehë shpëtimi, të përfaqësuar nga Rafael Jakohel dhe Mateo Mathatia, duke qenë të vetëdijshëm se ky urdhër i gjermanëve do të thoshte arrestim dhe shfarosje të gjithë bashkësisë (“Shoah”), iu drejtuan Mehdi Frashërit për ndihmë. “Ky i fundit i këshilloi ata që të takoheshin me ministrin e brendshëm Xhafer Deva.

Ata shkuan të takonin ministrin Deva, megjithëse e dinin rrezikun që u vinte rrotull nga ky takim. Të dy pranuan sfidën, duke u lënë familjeve lamtumirën përpara se të niseshin. Për çudinë e tyre, sedra nacionale e ministrit Deva doli më e fortë se anti-semitizmi i supozuar i tij. Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e gjermanëve dhe premtoi të mos e dorëzonte asnjë hebre te forcat e tyre. Ashtu si premtoi, Deva ia doli që të bindte gjermanët dhe ata u tërhoqën nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve”.

Nё vitin 1944, Xhafer Deva u emёrua Ministёr i Punёve tё Brendshme nё qeverinё e Shqipnisë etnike. Mbahet pa asnjë argument bindës, si përgjegjës i të ashtuquajturës masakër e 4 shkurtit 1944. Në muajt e pranverës së vitit 1944, ngarkon një ndër krerët e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, Bedri Pejanin, të krijonte divizionin SS “Skanderbeg” – emri i plotë zyrtar: 21. Waffen-Gebirgs Division der SS Skanderbeg (Albanische Nr.1).

Mërgimi

Pas mbarimit tё luftёs, në dhjetor të 1944, Xhafer Deva përmes Kroacisë u largua për nё Austri, mandej në Itali, nga Italia në Egjipt dhe nga Egjipti në Damask të Sirisë. Këtu filloi sërish aktivitetin e  politik, duke botuar gazetën “Bashkimi i Kombit” dhe si zëdhënës i parë i nacionalizmit shqiptar, pas Luftës së II Botërore.

Në Damask, Xhafer Deva arriti të tubojë rreth vetës shumë bashkatdhetarë e patriotë, që kishin emigruar prej kohësh. Në vitin 1956, Xhafer Deva emigroi në Amerikë. Në fillim jetoi e punoi në New York, më vonë në Boston, kurse në vitin 1960 shkoi në Kaliforni.

Nё vitin 1966, Xhafer Deva rikrijoi organizatën “Lidhja e Dytё e Prizrenit në Mërgim”, qё propagandonte Shqipninë etnike, çlirimin e Kosovёs, si dhe çlirimin e trojeve tё tjera shqiptare nёn Jugosllavi. E respektuar nga të gjitha organizatat nacionaliste shqiptare jashtë Atdheut; Lidhja e Dytë e Prizrenit vëhet në krye të tubimeve politike shqiptare.

Xhafer Deva vdiq më 25 maj të vitir 1978.

1 thought on “KUSH ISHTE XHAFER DEVA”

  1. Asllan Bushati

    Shume interesant si informacion. Kam lexuar edhe disa broshura ne biblioteken e Vatres per Xhafer Deven.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top