KUSH ËSHTË IBRAHIM RUGOVA

SHKRUAR NGA SEFEDIN KRASNIQI

E quajtën : « Korifeu i kritikës letrare shqipe, Simbol i rezistencës paqësore, Gandi i Ballkanit, Ikona e Kosovës, Misionar i paqes, Baba i Pavarësisë së Kosovës, Shkëmb në stuhi, Tempull i urtësisë, Thesar kombëtar, Tempull historik, Rilindësi i shekullit 20, Politikan i urtë, Zëri i arsyes, Ibrahim Kosova ».

Të gjitha këto epitete, këto ditë, i përdorën majat e penave më të shquara të kombit shqiptar për ta ilustruar veprimtarinë letrare, politike të figurës së Presidentit Rugova, i cili, ndërroi jetë në muajin e vdekjeve të mëdha shqiptare – në muajin janar.

Sigurisht që Presidenti Rugova është nderuar edhe me epitete tjera, që akëcila qenie njerëzore do t’i kishte lakmi, por kush mund t’i numërojë të gjitha? Kush mundet t’i përthekojë të gjitha ato që janë thënë këtë ditë dhjetori në shtypin e shkruar, në mjetet elektronike, ne faqe interneti, apo në librat e zisë kombëtare.

Vdekja e Presidentit Rugova vuri në lëvizje, veç shtypit kombëtar dhe ndërkombëtar edhe të gjitha levat e diplomacisë botërore. Për shëmbëlltyrën dhe veprën e Tij folën burrështetasit më të mëdhenj e më me ndikim në botë. Secili i dha një epitet dhe prapë s’mjaftonte, sikur bëhej garë për t’ia gjetur një të ri, sikur nuk i mjaftonin gjithë ata që deri tash ia kishin thënë. Të gjitha këto epitete i ka dëgjuar për së gjalli, por ka diçka që ai kurrë s’e ka dëgjuar as kurrë s’e ka parë.

Po kush foli e kush veproi më së miri atëherë ? Padyshim populli i Kosovës, « substanca e tij kombëtare », të cilën u mundua ta ruaj aq shumë dhe ia doli. Sa e sa herë e ka përsëritur se duke rezistuar në mënyrë paqësore e « ruante substancën kombëtare ». Dhe, ajo « substancë kombëtare », gjashtë ditë me radhë, nën acarin e temperaturave minus 10 gradë, me orë të tëra, ndejti në kolona duke pritur vetëm për një përkulje para arkivolit të Tij.

Ajo « substancë kombëtare », një milionëshe, veproi në mënyrën më sublime duke ia shtruar rrugën me lule deri në banesën e fundit Presidentit që ia dha votën katër herë me radhë. Kështu pra, kjo « substancë kombëtare », pa laps, pa letër, pa britma, pa shtyrje, pa ftesë, pa konferenca për shtyp, pa megafon, por me qëndresë titanike dhe veprimet e veta ia shkroi skenarin për ceremoninë e varrimit Presidentit të vet- Presidentit Rugova. Kjo « substancë kombëtare » tregoi dhe shprehi më së miri edukatën dhe kulturën politike, durimin, qëndresën, papërkulshmërinë dhe atdhedashurinë që ia mësoi Presidenti Rugova.

Kjo « substancë kombëtare » ua ndërroi të gjithë skenarët e mundshëm edhe ogurbardhëve edhe ogurzinjve. Derisa të parët i ndihmoi të dytët i gjunjëzoi. Derisa të parëve u ndihmoi të shprehen dhimbshëm pikëllimin e shpirtit, të dytët i detyroi që të nxitojnë për të kërkuar falje me përkulje, për kritikat e gabuara që ndonjëherë ia kishin drejtuar. Po, ai, të cilin e dërgoi Zoti si një misionar në mesin tonë për ditët e liga, ai qëndronte mbi të gjithë.

Shpirti i tij pa ndërpre dërgonte mesazhe dashurie dhe afrie për të gjithë shqiptarët. Dhe, shpirtrat e shenjtë, sikur i Presidentit Rugova, komunikojnë lehtë, sepse ai diti të flas me të gjithë. Me ata që e donin dhe adhuronin, Ai fliste ëmbël, me respekt, me dashuri dhe në fund të çdo fjalimi i bekonte siç e bekonte Kosovën, siç i bekonte të gjithë shqiptarët. Por, as kundërshtarëve nuk u fliste egër, nuk i godiste, nuk u bënte as nuk u përgatiste kurth. Ndonjërin e linte të rrezohej vetë, pa e goditur. Ndonjërit, madje, i jepte dorën edhe të ngritej. Ata që ia njihnin të mirat i ulte afër veti, e, ata që ia përbuznin nuk merrej me ta. Kështu pra but u fliste të gjithëve.

Ai nuk përdori gjuhën e egër as ndaj gjakatarëve, jo se i mungonte trimëria, jo se ia kishte frikën egërsisë së tyre, sepse ishte më i madh se ta, por e donte popullin e vetë të pambrojtur. Pra, ai nuk përdori shpatën as armën, por mjetin më të fuqishëm – FJALËN. Arti i luftës së tij ishte fjala, ishte betimi me të cilën i fitoi të gjitha betejat për Pavarësinë e Kosovës. Ishte vizioni në versionin më të butë që ka njohur njerëzimi për Pavarësinë e një vendi. Ishte
Vizioni i Shenjtit që me mund e me mençuri e edukoi diplomacinë botërore për Pavarësinë e Kosovës, për Paqen në Ballkan dhe për demokracinë e të gjithë qytetarëve të saj. Ai çdo ditë, çdo fundjavë i luste kujdesshëm miqtë, që i kishte krijuar, për Pavarësinë e Kosovës. Por, pasi edhe shenjtorët janë të vdekshëm, ditën kur duhej të fillonin negociatat për Statusin e Kosovës, Shenjti jonë ndërroi jetë. Ashtu siç ishte i qetë, i ëmbël, me kërkesa e dëshira pak për së gjalli, para se të ikte kishte vetëm një kërkesë : Të varrosej me nderime Kombëtare dhe Shtetërore në varrezat e dëshmorëve.

Populli ia dëgjoi kërkesën, kortezhin mortor të Presidentit të vet, e përcolli deri në banesën e fundit duke ia shtruar rrugën me lule dhe duke lutur Zotin për shpirtin e tij që ta vendos në mes të shenjtëve më të dashur të tij.

Sot ta urojë datëlindjen, njeri i dheut dhe Presidenti im, më i çmuari në botë!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top