SHKRUAN: INDRIT VOKSHI
(Sot ishte një artikull-intervistë e Fatos Klosit ku akuzonte Sali Berishën).
Unë që nuk e kam njoft Azem Hajdarin, kam tentu me e njoft përmes historisë dhe historive, intervistave, procesverbaleve të diskutimeve në parlament, kronikave dhe rrëfimeve të atyne që e njoftën. Shtysa më e fuqishme ka qenë kureshtja e cila thuhet se vrau macen por, meqenëse unë nuk jam mace i bie që kureshtja në ketë rast të vrasë vetëm rrenën.
Gjatë rritjes, përveç përballjes me admirimin e njerëzve për Azemin, jam përball edhe me teza të tipit “Azemin e vrau Sali Berisha..”, “Azemi nuk ishte gjë, njeri i harbuar”, “Azemi nuk ishte ndonjë intelektual” e të tjera. Nuk kam shfaq asnjëherë (sidomos vitet e fundit) refuzimin për me diskutu gjithçka nga këto çfarë thuhen ngaqë këto duhen rrëzu njëherë e për përherë. S’ka problem, le t’i diskutojmë.
Kjo “Azemin e vrau Berisha” u hodh në qarkullim për me mbulu të vërtetën se Azem Hajdarin e vranë oficerët e policisë së qeverisë socialiste. Pra ministri socialist, drejtorët socialistë të policisë, ishin ul me letër para dhe kishin firmos që ata të cilët kryen vrasjen të emëroheshin shefa dhe oficerë policie.
Atëherë si ka mundësi që ata tipat të cilët e vranë ishin të besum të socialistëve, ishin të emrum prej tyne në detyra si shef komisariati e shef krimesh, njerëz të cilët luftuan e u grinë me mbështetësit e Berishës por, por, na i paska pasë nën urdhna Berisha? Cila mendje normale mundet me e besu ketë? Ka 20 vjet që helmohet popullsia, ku të gjehen mendje bosh mbushen me ksi tezash ama për 20 vjet askush nuk na tha se si dhe në çfarë mënyre e vrau Sali Berisha?
Puna që e majta ka kry më mirë në ketë vend ka qenë rrena. Jo rrena e rëndomt por rrena në mënyrë dhe në përmasa të paimagjinueshme për mendjen njerëzore. Rrena afatgjatë dhe që mbrohet me besnikëri, sepse rrena është pushtet kur i indoktrinon njerëzit me të.
Po ta vini re ata kurrë nuk e tradhëtojnë rrenën që krijojnë. Kanë rrejt 45 vjet se jemi më mirë se Europa, se popujt e Europës vuajnë e shfrytëzohen, kanë rrejt për gjithçka e për këdo, për figura politike prej te mbreti Zog e deri tek më i parëndësishmi, për shkrimtarë, për inxhinierë, për muzikantë, të gjithë tu i nxjerr tradhëtarë e tu manipulu. Hoqën dorë vetëm kur shqiptarët dolën dhe e panë vetë. Kanë 20 vjet që sponsorizojnë shkrime-rrena, intervista-rrena, udhëzojnë bazën e mbështetsve të tyne për me përhap kafeve tezën se e vrau Sali Berisha. Pse ndodh kjo?
E para sepse nuk duan të përmendet se e vranë shefat e policisë socialiste. Përmes kësaj del ajo e vërteta e shekullit se sapo e majta erdhi në pushtet pas 1997, emëroi në polici kriminelë të mirëfillt, bashkë me ata ish-sigurimsa të terrorit e të torturave të cilët i ktheu në polici. E majta në Shqipëri ka një histori të tmerrshme të inkorporimit/përbrendësimit të krimit brenda vetes së saj, qysh me burgjet politike, torturat, kampet e interrnimit, vrasjen e 5000 kundërshtarëve politikë (mendoni se ishin intelektualë ata që i mbajtën burgjet e kampet? Kriminelë me poste shteti ishin), deri tek 1998 e deri tek 2013 kur e majta i ngriti në nivele përfaqësuese përmes emërimit deputetë dhe kryebashkiakë. Pra këta çka dolën prej Bllokut dhe i rrinë besnikë atij tarafi, përpiqen me la ftyrën, kërkojnë legjitimitet në shoqërinë shqiptare përmes fshehjes së të vërtetave të tyne, kinse tu na u paraqit si intelektualë.
E dyta, thuhet Azemin e vrau partia e vet, Azemi ishte jointelektual, Azemi harbut, Azemi kështu e ashtu; kjo sepse synohet të dekonstruktuhet historia e Partisë Demokratike në favor të Partisë së Punës. Të thuhet se ja, ata të cilët erdhën ishin të tillë. Sa për Azemin intelektual e të përgatitun, mjafton me pa atë intervistën që jep tek “Pa Rrotlla” për gazetarin Milaim Zeka dhe e kupton kush ka mend, se Azemi kishte nivel shumë të mirë politik.
Nuk mund të mohohet se ka një tentative për t’i thanë popullit haptas se asokohe, me Partinë e Punës ishim më mirë, kishte rend e qetësi, kishte shtet, kishte shëndetësi e bujqësi dhe se, e shkumja në zi buke, mjerimi, mungesa e çdo standarti ishin prej pengesave të kohës, jo se ajo rrugë, ajo sjellje, ajo ideologji ishin të gabume.
Ndaj duhen dekonstruktu e duhen çmontu “këto 25 vite” në favor të rilindjes edhe njëherë. Për më tepër iu duhet mbush koka me rrena breznive të cilat kanë lind në 1990 e knej. E si mund të bëhet kjo përveçse tu shkallmu me propagandë çdo arritje të 25 vjeçarit, tu iu thanë me propagandë miletit se figurat e 25 vjeçarit janë figura të këqija, jo intelektuale, vrasëse? S’ka rrugë tjetër. Ndaj ata i mshojnë, fort, pa pushim, për 20 vite. Sidoqofshin figurat e 25 vjeçarit e ajo çka Partia Demokratike përfaqësoi në këto 25 vjet, janë ku e ku më cilësore, më të moralshme se ato para tij. Sado keq pastë Shqipëria këto 25 vjet është ku e ku më mirë se para 25 viteve. Siç ka thanë një miku im “bo me e pas pa shqiptart e 1989-ës ketë Shqiprin e sotme, do kishin tentu me u arratis prej asaj e me ardh tek kjo”.
Nuk do t’i kisha shkrujt të gjitha këto fjalë po të mos hajsa ende në Shqipëri njerëz të cilët i besojnë në rrena të tilla, se unë për vete nuk kam nevojë me ia thanë vetes, jam krejt i qartë.
Sot pas 20 vitesh duhet me marrë fund përmendja e ksaj rrene, duhet që gjithkush me dy gram mend me e shpall psikopat, të padijshëm dhe injorant cilindo që e ripërsërit ketë rrenë. Ose ose, duhet me e ndihmu tu e trajtu si viktimë fillimisht, pastaj nëse nuk ka shpresë me e trajtu asisoji.