Shkruan: Skender Mulliqi
Forcat ushtarake në Turqi u përpoqën të realizonin një puç ushtarak natën e së premtes. Puçi ushtarak nuk pati sukses, jo barem deri me tash. Po çka po ndodh në Turqi? Ajo që po shohim lë për të dyshuar se a mos Erdogan qendron prapa një skenari të tillë? Kemi komente të ndryshme nga ekspertët ushtarakë të botës, por edhe nga politikanët lidhur me tentimin për grusht shteti. Gjenerali amerikan Uesli Klark i cili bëri që të dorëzohej kryekasapi i Ballkanit, me rastin e shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë, lidhur me ngjarjet në Turqi deklaroi: “Puçistët kanë bërë gabim që në fillim nuk e kanë arrestuar Erdoganin”. Ngjarjet në vazhdim janë duke treguar se ai ka pasur të drejtë. Erdogan tentim-atentatin po e shndërron në terrorizem shtetëror. Mua kështu me duket, se nuk ke si e komenton ndryshe kur ushtarakët e dorëzuar masakrohen, ose keqtrajtohen në mënyrën më të egër të mundshme. Secili shtet që i thotë vetit se është demokratik, respekton rendin dhe ligjin, respekton kushtetutën e vet.
Ushtarakët e dorëzuar vihen para gjykatës për fajësinë ose pafajësinë e tyre, e jo të terrorizohen në menyrë aq të egër. Erdogan duket se ka hartuar një skenar të mirë për t’i eleminuar të gjithë kundërshtarët e vet politikë, me metoda jodemokratike. Demokracia nuk arrihet me forma diktatoriale të veprimit siç po pretendon Erdogani. Skenat e dhunës nëpër rrugët e Stambollit na e përkujtojnë dhunën dhe masakrat që i shkaktoi Millosheviçi me rastin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Ditët në vazhdim do të tregojnë se a ishte ky një skenar i Erdoganit, apo ishte një përgatitje e dobët për grusht shteti. Burgosja e gjeneralit me prejardhje nga Kosova Adem Huduti, i cili sipas mediave turke ka qenë pjesë e grushtshtetit kundër qeverise turke, dhe komandant i Ushtrisë së Dytë, pjesë e Këmbësorisë së Forcave të Armatosura të Turqisë, duket se është pjesë e skenarit të Erdoganit, për t’i eleminuar edhe shqiptaro-turqit nga aparati shtetëror. Fshesa që është duke përdorur aparati represiv erdoganist, janë tregues se Turqia është duke u futur edhe më shumë në spiralen e dhunës, që vështirë do të dalë pa pasoja të mëdha.
Është për të na çuditur fakti se nga po vjen dhe çka po shohin të mirë në regjimin e Erdoganit qytetarët në Prizren dhe në Maqedoni të cilët kanë dalë në rrugë në përkrahje të tij. Madje, Edi Rama doli me një shkrim emocional në përkrahje të Erdoganit. Erdogani nuk është kurrfarë shpëtimtari i myslimanizmit nese dikush po mendon se është. Edhe sulmi terrorist i para do ditëve në Turqi, pas këtyre ngjarjeve vihet në dyshim se mos është skenar, në tendencën për të kontrolluar të gjithë aparatin shtetëror. Madje një ministër turk ka drejtuar akuza të rënda se Uashingtoni qendron prapa këtij tentim grushtshteti. Të adhurohet një përson çfarë është Erdogani, është shumë e pakuptueshme. Problemet e brendshme të një shteti që pretendon të jetë demokratik nuk zgjidhen me dajak dhe me vrasje. Është e vërtetë që Erdogani ka ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të rregullta. Por sa ato kanë qenë të lira dhe legjitime, duket se jo edhe shumë pas ndodhive të fundit në këtë shtet…