KUR SHTETNDËRTUESIT ZËVENDËSOHEN ME SHTETRRËNUESIT

SHKRUAN SKËNDER MULLIQI

Gjëja më e keqe e cila ka mundur ti ndodhë Kosovës së pasluftës ishte shfaqja e krimit të organizuar dhe shfaqja e vrasjeve për motive politike. Shumë herë deri më sot kam vu në spikamë dëmin e madh që ia shkaktuan vendit krimi i organizuar dhe korrupsioni. Sherret e mëdha të nisura nga strukturat pushtetare edhe po bitisën keq e me keq për të ardhmen e vendit. Shumëkush i cili u katapultua në krye të partive kryesore politike dhe në krye të pushtetit mirë përfituan nga lufta.

Krimi i organizuar politik dhe krimi i organizuar ekonomik i sollën dhe janë duke i sjellë dëme të mëdha Kosovës dhe popullit të saj. Këto struktura e kan pru gjendjen ekonomike buzë kolapsit, e kan pru gjendjen politike në krizë të thellë, e kan pru krizën e moralit dhe e kanë sjellë mospërgjegjësinë totale. Askush gjatë këtyre viteve nuk dha përgjegjësi as morale për lëshime të mëdha politike dhe për lëshime të mëdha edhe të natyrave ekonomike. Tash pas 17 vitesh u lakuriqësuan si përfitues të luftës dhe si përfitues të paqes. U pasuruan me mundin dhe djersën e popullit.

Vodhën, plaçkitën, uzurpuan pronat shoqërore dhe po vazhdojnë me temp të pandalshëm me abuzimet e mëdha e të vogla. Po e shkallmojnë shtetin dhe demokracinë e brishtë me të gjitha proceset e tjera të filluara. Nuk dinë as vetë se çka kanë nga pasuria e plaçkitur. Kanë formuar biznese me para të pista edhe jashtë vendit. Kanë uzurpuar sistemet në tërësi me banda të shthurura kriminale. Janë duke e rrezikuar shtetësinë e Kosovës gjithnjë e më shumë. Po shesin territore të Kosovës sikur tua kishte lënë baba.

Nuk flitet këtu më për atdhetarë dhe atdhetarizëm. Kemi të bëjmë me grupazhe politike dhe grupacione ekonomike të përfitimit. Idealistëve dhe idealizmave ju ka ngushtuar shumë fushë-veprimi. Po e shesin edhe të ardhmen e brezave që po vijnë. Po na shkaktojnë çudi dhe keqardhje pse një popull i tërë po  lejon të mashtrohet rregullisht nga një grup bandash në pushtet. Asgjë më tragjike për një popull  nuk ka sesa kur një kriminel merr imunitet politik. Vetëm një popull dritëshkurtër dhe i paperspektivë, do të pranonte që shtetformuesit t’i zëvendësonte me shtetrrënuesit. Gjatë 17 viteve kanë praktikuar kaosin duke u përgjëruar se do t’i mbajnë premtimet e panumërta kur të vijnë në pushtet, por kanë zbatuar paligjshmërinë, kanë krijuar klimën për rritjen e krimit dhe korrupsionit gjatë qeverisjes. Kosovën e bën plaçkë, arsimin e kthyen në tregti, mjekësinë në kasaphanë, drejtësinë dhe gjyqësinë në qendra ankandi, ku drejtësia po shitet dhe është e ndikuar shumë nga politika ditore.

Këta në krye të shtetit do të mbajnë përgjegjësi historike për dështimet në shtetformim dhe mirëqenie. Preferuan strategjinë e mafies politike se mafiozë u treguan në shpirt dhe në veprime.

Mafia e urren sistemin e drejtësisë. M’u për ta mbrojtur veten nga aferat e krimit dhe të korrupsionit kanë vendosur në çdo hallkë të pushtetit e veçmas në drejtësi ti zgjedhin njerëzit e vet. Konfliktet me të tjerët po i zgjidhin me dajak, kanosje e shpifje. Këtë të fundit e kanë bërë tashmë zanat. Populli kur i fronësoi nuk e ka pasur të ditur se ka fronësuar marrezitë politike, nuk e ka ditur se i kanë votuar matrapazët të cilët nuk e përfillen votën e sovranit. Populli i cili nuk gjen rrugë të drejtë të ecjes përpara, sigurisht se vonohet në të gjitha proceset, vonohet t’i bashkohet familjes së madhe evropiane, vonohet edhe në histori. Dinjiteti dhe e ardhmja nuk do të ishte dashur të lejohet për asnjë çmim të nëpërkëmbët. Populli duhet sa më shpejt të shkëputet nga kalvari i regjimeve autokratike dhe të shkëputet nga njerëzit tiranikë. Për 90 vite shqiptarët u tërhoqën zvarrë për të dalë nga kaosi dhe robëria serbosllave. Dhe, sërish të sprovohet me kaosin politik e ekonomik prej pushtetarëve tanë, kjo në asnjë mënyrë nuk justifikohet. Kthimi në kohën e fashizmit nuk i duhet popullit shqiptar.

Këtë kastë politike do ta nematisë populli. Nëmen më të madhe do tia bante nëse e largon me votën e lirë nga pushteti në zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe lokale. Nuk i duhen Kosovës njerëzit të cilët shkaktuan kaos politik, kriza qeveritare e institucionale dhe shkaktuan tensione politike permanente. Kosovës dhe popullit të saj i duhen alternativa të reja politike frytdhënëse. Nuk i nevojiten njerëzit të cilët kauzë kanë rrëmbimin e pushtetit dhe rrëmbimin e pasurisë kombëtare. Kjo kastë politike po të mendonin më shumë për shtetndërtim do të kishin treguar rezultate të mira në qeverisje, do të kishin pasur plot ide dhe alternativa zhvillimore. Këta e kanë dëshmuar në praktikë se nuk janë për normalitet të proceseve, nuk janë për qetësi qytetare. Kanë treguar se puna e tyre ka qenë e pavlerë për popullin. Mjaft më me imponime politike të cilat po na dërgojnë në theqafje të re shtetërore dhe kombëtare…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top