SHKRUAN: KASTRIOT DERVISHI
Zëvendëskryeministri Braçe postoi një tekst të dobët në formën e traktit model “pksh41” në kujtim të 7 prillit 1939, të cilit i kish lidhur një fotografi, të cilës as ia kishte haberin çfarë ishte. Sikur të mos kishte emër do kujtoja si autor p.sh. Shefqet Peçin. Braçe kërkonte të kujtoheshin “mbreti gjakatar i shqiptarëve” si dhe partizanët. Nuk ka pasur partizanë 7 prilli 1939, por ka pasur Abaz Kupin. Mirë do ishte të kujtonte edhe kontributin e shokëve Miladin e Dushan, në vitet 1941-1944 të cilët mendonin për “lirinë e Shqipërisë”. Ngaqë Braçe ishte në rolin e një hedhësi keqinformues portali dhe meqë unë jam publikuesi i parë i kësaj fotoje, e quaj me vend ta sqaroj atë.
Në vitin 1946, Viktor Emanuli III dhe Mbreti Zog gjendeshin miq të mbretit të Egjiptit. Italiani kërkoi të takohej me Mbretin Zog. Pasi ky i fundit pranoi, italiani kërkoi falje për pushtimin fashist të 7 prillit 1939. Nuk do kishte drekë pa aktin e faljes që italiani edhe mund të mos e jepte. Në drekë kanë qenë të pranishëm edhe nga familja mbretërore e Egjiptit. Ky takim përmendet në librin e autores Josephine Dedet, “Geraldina Mbretëreshë e Shqiptarëve”, (botimi shqip, Tiranë 2000), faqe 261. Në drekë janë bërë disa fotografi, të cilat janë pjesë e një albumi që posedon familja mbretërore, prej nga unë i kam marrë. Po e shoqëroj tekstin me një plan tjetër të drekës, jo atë që postoi Braçe.
E për ta mbyllur, Braçe duhet të dijë se Italinë fashiste nuk e mundën partizanët që drejtoheshin nga dyshja jugosllave (gjynah që nuk i kanë bërë ndonjë shtatore), por kapitulloi në shtator 1943. Të ishte për partizanët, Italia kushedi sa do rrinte. Se tradhtarët do i gjejë me shumicë te ata që ka idhuj e jo te ata që kanë bërë Shqipërinë. Historia nuk njihet nga emocionet familjare dhe nga filmat demode të kinostudios.
