RRËFIM NGA BASRIE SHAQIRI – MURATI PËR JOURNAL-B, ZVICËR
Në vitet E 70-ta dhe 80-ta, kolumnistja jonë e përjetoi Kosovën si një vend me tolerancë të lartë fetare. Sot Kosova është ndryshe. Reislamizimi ndihet kudo.
Kosova po e le pas kohën kur edhe njerëzit që ishin shumë fetarë, ishin edhe tejet liberalë. Askush nuk përpiqej të ndikonte tek të tjerët. Në shtëpinë time, për shembull, vetëm nëna ime ndiqte ritualet e Islamit. Ajo falej dhe agjëronte gjatë Ramazanit. Babai ishte mjaft jokonfesionist. Ne fëmijët ishim të lirë. Mirëpo Bajramin, festën e kurbanit dhe fundin e Ramazanit, e festonim si festë familjare. Kishte vetëm një xhami në qytetin e afërt. Babai im shkonte atje dy herë në vit me burrat e tjerë të fshatit, një herë për namazin e kurbanit dhe një herë në fund të Ramazanit. Ndonjëherë shkonin edhe vëllezërit e mi.
Një shembull i tolerancës fetare shqiptare është Skënderbeu (Gjergj Kastrioti, 1405 – 1468). Ai luftoi me sukses kundër Perandorisë Osmane për 25 vjet të jetës së tij. Ai ishte katolik, por nderohet nga të gjithë shqiptarët edhe sot e kësaj dite. Në Kosovë sot jetojnë të krishterë dhe myslimanë dhe shpeshherë ndodh që në një familje të dy fetë jetohen krah për krah.
Gjatë vizitave në Kosovë, gjatë viteve të fundit, kam folur shpesh me besimtarë (praktikantë dhe jo praktikues) si dhe me jofetarë. Duke vepruar kështu, kuptova se shumica e myslimanëve të devotshëm janë përgjithësisht intolerantë. Ata luftojnë për të kuptuar pse të tjerët nuk besojnë si ata. Këtu në Zvicër njoha një mentalitet tjetër. Si jo e krishterë, vitet e fundit kam qenë herë pas here nëpër kisha dhe sigurisht se jam ndjerë e mirëpritur aty.
Sot janë ndërtuar xhami pothuajse në çdo fshat. Në këto objekte kulti është investua shumë më tepër sesa në spitale, shkolla, kopshte dhe transport publik.
Pse pas luftës pati një valë të madhe të riislamizimit në Kosovë? Jam e sigurt se kjo nuk ndodhi, për shkak se njerëzit u bënë më fetarë nga bindjet. Por ishte dhe është rasti që Islami të jetë më i pranishëm – e në veçanti duke u bërë premtime të papunëve dhe të varfërve. Shkencëtarë dhe vëzhgues të shumtë e shpjegojnë këtë ndryshim si rezultat i investimeve të mëdha nga vendet arabe dhe Turqia. Sot kemi një xhami pothuajse në çdo fshat. Në këto objekte kulti është investuar shumë më tepër sesa në spitale, shkolla, kopshte dhe transport publik. Shumica e xhamive janë ndërtuar gjatë periudhës kur Kosova qeverisej nga Perëndimi ose nga bashkësia ndërkombëtare UNMIK (Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë). Por shumë xhami janë bosh, sepse nuk ka mjaftueshëm muslimanë që e praktikojnë besimin islam.
Para luftës, rrallë herë në Kosovë keni parë një grua të re me shami në kokë. Gratë e moshuara nëpër fshatra mbanin shami. Sot, shpeshherë mund të gjesh gra të reja e të arsimuara të veshura me shami, disa madje të veshura me hixhab. Një kontradiktë e dukshme kjo me xhamitë boshe? Unë dyshoj se shumë gra, megjithëse nuk janë fetare, duan të fitojnë njohje dhe respekt duke u mbuluar. Për mua ky është një gabim dhe një kthim prapa, të paktën e kundërta e përparimit të bërë në vitet 1970.
Gjuha e përditshme është bërë edhe më fetare. Për shembull, përveç “mirë dita” ose “Tungjatjeta” (Salü), njerëzit shpesh përshëndesin njëri-tjetrin me “selam aleykum”, dhe një shpresë nuk pohohet me “shpresojmë”, por shpesh me “insh`Allah”. Terma të tillë shqiptohen në arabisht edhe pse njerëzit nuk e flasin arabishten. Për mendimin tim, disa politikanë kanë dështuar në këtë drejtim. Ata nuk arritën të ngriheshin mbi besimin fetarë, dhe të qëndrojnë të fortë për një Kosovë me kulturën dhe traditën e saj. Ata nuk po luftojnë për tolerancën fetare. Në vend të kësaj, ata po bashkëpunojnë me investitorë islamikë dhe fanatikë kur bëhet fjalë për votat.