KUJTIM…

SHKRUAN: KSENOFON DILO

Kanë kaluar vite, u ndërrua shekulli por ngjarjet e së kaluarës , ngjarjet e atij shekulli që na kyçi brenda rini e bukuri dhe madhështi të ndërthurura së bashku me dhimbje, dëshira të ndrydhura , etje për dituri dhe ëndrra të vyshkura nën retë e grizhta të komunizmit të zi, ato ngjarje pra na sulmojnë pa pushim e duket sikur në atë sulm ka diçka që i ngjan këmbënguljes për të mbijetuar, këmbënguljes për të qënë prezent për të mos lejuar pluhurin e harresës t’i mbështjellë me savanin e saj. Të gjitha më vijnë ndërmend dhe më duket se brenda meje një shirit i stërmadh kinematografik, ka regjistruar jetën që më kalon në mendje , ashtu si ajo m’u paraqit: E lodhëshme, e mundimshme, e zvargur dhe e rëndomtë. E ngarkuar me shumë domozdoshmëri të padobishme pa të cilat jeta do të ishte shumë më e thjeshtë do të ishte sigurisht e gëzueshme… E gëzueshme?

Po çfarë them? A mund të ishte e gëzueshme jeta kur buzëqeshje ishte pa buzë, kur kënga s’kishte frymë jete, kur perdja e skenës së jetës , e cila donte të çfaqej me madhështi e bukuri , ajo perde ishte e zezë si nata e dimrit në kërthizë të tij..Fola me mbesat e mija sot. Kishin erdhur të gjitha pranë mëmës së tyre që të mos elinin vetë në prag tëfestës më të madhe të krishterimit. Pashka e parë që do të bënte pa burrin e saj të mirë , babanë shembullor të fëmijëve të saj. Marika, vajza e hallës sime Fevronia, sot , megjith humbjen e madhe të bashkëshortit të saj, mu duk e lumtur. Mes vajzave të saj të mrekullueshme ishte si të më sillnin pranë hallën time të mirë Fevroninë. Edhe bashkë kujtuam me mall të kaluarën. Me Marikën jemi pothuaj moshatarë. Në një klasë kemi qëlë atëhere të gjithë…Kujtime për një fëmini që për fëmijë na kishte ne, ne që mundoheshim e donim aq shumë ta zbukuronim atë fëmini me çdo gjë të bukur që na kishin mësuar në familje, por që nuk arritëm kurrë ta ndjejmë veten fëmijë në fëmininë tonë…

-Ti nuk e di – më tha mes të tjerash Marika , kushërira ime. –Hallën tënde e mamanë time sa nuk e rrasën në burg..
-Po çudi e madhe- ia ktheva aspak i befasuar. Ashtu nuk i morrën në burg me radhë të gjithë.
Ajo nuk mu përgjigj. Menjëherë këceva me një pyetje që më doli vetvetiu:
-Po hallë Fevron nunën time të mirë , përse , ç’bëri e shkreta?
– Po sepse kur u dha lajmi që vdiq ai qëni i Rusisë, halla jote e mamaja ime fërkoi duart , si bënte kur kënaqej. Vetëm kur mendoi se ngordhi ai , ju ndes një shpresë e vakët se do të mund të shikonte Janin , vëllanë e saj të dashur. Sa shumë mall kishte për ‘të..Si duket shkëlqimi i syve dhe mendimi për vëllanë e bënë të ndriste nga lumturia…E pa njëra e e spiunoi…

Nuk ma tha emrin e spiunit, por kur ta lexojë spiuni këtë që po shkruaj do t’i skuqen edhe veshët…
I shkreti ai!Ne e kujtuam e qeshëm , me gjithë shpirt, sepse e sollëm hallën e mirë midis nesh dhe zgjuarësia e mirësia e saj na mbështolli të gjithëve… Kurse spiuni, kushdo qoftë , tani ka ulur kokën…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top