Kufiri ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë

Shkruan: Prof. Dr. Romeo Gueakuqi

Asnje milje më shumë!
Ndarje e baraslarguar mes Bregdetit shqiptar dhe Ishullit të Korfuzit, në të gjithë gjatesinë e Kanalit, edhe në pjesën veriore.

(pjesa e parë përfshin periudhën: 1881-1914)

Caktimi i kufirit politik në mes shtetit të fundit ballkanik të lindur nga shpërbërja e Turqisë europiane në vitin 1913, Principatës Shqiptare, me Mbretërinë e Greqisë, ka qenë problem i mirëfilltë i fushës së politikës së jashtme, që ka implikuar jo vetëm palët e interesuara, por edhe Fuqitë e Mëdha. Kemi të bëjmë me një marrëdhënie të vështirë në mes dy shteteve, që do të përsëritet në forma të ndryshme, pas çdo krize ballkanike dhe botërore për gati 100 vitet që pasojnë në shekullin e XX.

Kjo marrëdhënie është e karakterizuar: 1. Nga një synim i qëndrueshëm i shtetit grek, për të pasur një kufi tokësor dhe detar sa më më të kontrollueshëm në pikëpamje strategjike, pa marrë parasysh vlerësimin e së drejtës, bazuar mbi kritere etnografike, gjeografike, ekonomike dhe strategjike dhe prejardhjen e së drejtës bazuar në aktet ndërkombëtare që fillojnë së paku nga Akti Final i Kongresit të Vjenës, 1815; 2. Nga një politikë pothuajse e pandjeshme e Greqisë zyrtare ndaj interesave nacionale e demokratizuese të shqiptarëve dhe rreshtim pothuajse konstant i saj përkrah Serbisë dhe kundër Shqipërisë, edhe në çështje në të cilat Greqia kishte interes krejtësisht të largët; 3. Një pamundësi konstante e shtetit shqiptar për të ndërtuar përfaqësime institucionale politike, që do të lehtësonin ushtrimin e mirëfilltë të integritetit territorial shtetëror dhe mundësonin gëzimin e lirisë për regjionet, me specifika etnike dhe religjioze; Mbi të gjitha shteti shqiptar do të dështojë në njohjen në vijimësi të përfaqësimeve të efektshme dhe të përshtatshme në të gjithë piramidën shtetërore, të veçantive të popullsisë mbi të cilën ushtron sovranitetin.

Problemi i vendosjes së një kufiri sa më optimal në pjesën veriore të Greqisë ka qenë një prej preokupacioneve të Mbretërisë së Greqisë që nga fillimet e jetës së pavarur. Politika e rikompozimit shtetëror të Greqisë është ndërtuar duke u mbështetur në pretendime me konotacione antike. Epiri antik ka qenë njëra nga këto krahina për të cilat politika e jashtme e Greqisë synoi së paku në tri raste, më 1854, 1878 dhe 1897, ta çonte situatën deri në agresion ose prag agresioni. Deri në Kongresin e Berlinit, lufta për Epirin është zhvilluar në mes Turqisë dhe Greqisë. Por duke filluar nga viti 1878, me organizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në luftë për Epirin hyri nacionalizmi shqiptar, dhe ashtu pa dashje ky nacionalizëm u rreshtua në një radhë përkrah Turqisë, që luftonte për ruajtjen e integritetit të perandorisë. Kjo ecje e shqiptarëve përkrah Turqisë për Epirin do të vazhdojë deri më 1913, kur Shqipëria e re do të duhej të qëndronte ashtu e vetme përballë Mbretërisë së Greqisë, në mbrojtjen e të drejtave të veta territoriale në Shqipërinë e Jugut, të thirrur në mënyrë të paragjykuar nga grekët, Epir.

Në Kongresin e Berlinit, përfaqësuesi i Greqisë Delyannis u kërkoi përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha një kufi verior i cili do të duhej të përfshinte brenda këtij shteti edhe Epirin, Thesalinë, me lumenjtë Peneus dhe Kalamas dhe në mes tyre kufiri do shkonte nga Zygo dhe Meçovë, afër burimit të Peneus, do duhej të ndiqte pastaj rrjedhën e lumit Vjosa deri në burimet e Kalamas. Me propozimin e delegatit francez Waddington, mbështetur nga ai italian Corti, në sesionin e 13-të të Kongresit, të mbajtur me 5 korrik 1878, Porta e Lartë u ftua të punonte me Greqinë për rektifikimin e kufirit në Epir dhe Thesali. Zgjidhja definitive ka ardhur me datën 24 maj 1881, me nënshkrimin e Konventës së Kostandinopojës. Me anë të kësaj konvente, Greqia merrte pjesën më të madhe të Thesalisë dhe pjesë të Epirit, që formonin krahinën e Artës pranë kufirit të vitit 1832. Kufiri do të ndiqte linjën nga gryka e Karalik-Dervend, 3 milje në jug të Platamona-së dhe pak në veri të luginës së Tempe-s, drejt lumit ku është i vendosur Arta; më pas drejt jugut përgjatë këtij lumi në Gjirin e Ambrakisë. Ky kufi shënon përparimin e parë të Greqisë drejt Epirit, respektivisht Epirit të Jugut, pjesë e rëndësishme e territoreve që banoheshin edhe nga popullsi shqiptare. Greqia do ta provojë edhe një herë një zgjerim të tillë më 1897, por pa sukses. Duhet të vëmë në dukje se në kontekstin e propagandës greke pro Epirit, termi ”Epir i Veriut” është një krijim i vitit 1913, mbasi deri në këtë vit, kjo propagandë mjaft e sofistikuar, nuk bënte dallim në ndarje të tilla dhe Epiri në tërësi, pra Shqipëria e Jugut dhe rajonet mikse të Janinës dhe rretheve të saj, deri në lumin Vjosë, ishte pjesë tërësore e një aspirate ekspansioniste të qarqeve shoviniste greke.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, u mor edhe me caktimin e kufirit mes Principatës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Greqisë. Në janar 1913 në Konferencën e Ambasadorëve, Austria propozoi një kufi jugor të Shqipërisë, që fillonte në mes liqeneve të Ohrit dhe Prespës, më pas shkonte drejt Lapsista dhe më pas drejt detit pranë Pargës. Duke qenë se në kohën kur austriakët e bënë këtë propozim, grekët nuk e kishin marrë ende me luftë Janinën, propozimi austriak e përfshinte edhe Janinën në Shqipëri. Duhet të themi paraprakisht se edhe pasi Janina do të kapitullonte, me 6 mars 1913, ambasadori italian në konferencë do bënte serish një propozim të ngjashëm për kufirin jugor të Shqipërisë, duke kërkuar që ky kufi të fillonte nga Liqeni i Ohrit deri në grykëderdhjen e Lumit Glykys. (PRO.FO.371.1999, doc.no.24133/128, Greece, Annual Report, 1913, Sir. F. Elliot to Sir Edward Grey, Athens, May 20, 1914).

Pasi forcat ushtarake greke pushtuan pjesën më të madhe të Epirit, me 13 janar 1913, Kryeministri grek Venizelos, i drejtoi një memorandum Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në të cilën kërkoi të drejtën e Greqisë për të aneksuar të gjitha territoret e pushtuara prej ushtrive të saj, d.m.th. tokat e ish vilajetit të Janinës dhe krahinat e Gjirokastrës dhe Korçës. Memorandumi i qeverisë greke, i paraqitur në Konferencën e Ambasadorëve, hiqte dorë nga pretendimet greke mbi Vlorën. Kufiri i kërkuar prej tyre duhet të fillonte dikund në jug të Qafës së Llogorasë (Gjirin e Gramala) në veriperëndim të Palasës, dhe me një linjë harkore linte Tepelenën, Këlcyrën, Voskopojën dhe Korçën në Greqi. (PRO.FO.925.21033, PRO.FO.925.21033, Southern frontier as proposed by Greece (MS line) marked on 2 sheets of Austrian General Staff, map 1: 300000, 1913).

PRO.FO.925/ 21064, Albania, Trace de frontiere proposee par la Grece pour l’Epire; -po ashtu edhe në: PRO.FO 925_21064 – PRO.FO.925.21033

Duke abuzuar me barazimin e besimit ortodoks me nacionalitetin, Venizelos përdori në mënyrë të qëllimtë statistikat e regjistrimit turk të Shqipërisë së vitit 1908, të përgatitura nën drejtimin e Vezirit të Madh, Hilmi Pasha, sipas të cilave, shumica e popullsisë së këtyre hapësirave ishte e krishterë ortodokse, e për rrjedhojë të konceptimit të tij, edhe greke. Mirëpo pushtuesit otomanë nuk kishin bërë asnjëherë dallim në mes gjuhës dhe nacionalitetit për nënshtetasit e perandorisë dhe ndarjet brenda këtij shteti bazoheshin në besimin fetar, ku në rastin tonë më të “padallueshmit” kanë qenë shqiptarët e besimit ortodoks, të cilët klasifikoheshin në këtë mënyrë vetëm si grekë. Në bazë të këtyre statistikave ortodoksët e ritit grek të Shqipërisë së Jugut ishin përfshirë të gjithë në kategorinë e nacionalitetit grek, pa marrë parasysh këtu nëse ata ishin greqishtfolës, shqipfolës, apo vllahishtfolës (Luis Sigalos, The Greek claims on Northern Epirus, Argonaut-INC, Chicago, 1963 faqe, 11). Pra, këto statistika ishin të pandershme për shqiptarët, duke qenë se një pjesë e madhe e popullsisë albanofone ortodokse, me ose pa dëshirë, ishte klasifikuar si greke. D.m.th., kyçi i kuptimit të saktë të realitetit etnik në Shqipërinë e Jugut në tërësi mbetej popullsia ortodokse shqiptare e përfshirë brenda grekofonisë. Saktësimi i nacionalitetit të kësaj popullsie ishte një faktor përcaktues në vlerësimin e realitetit etnik dhe historik.

Me 15 qershor 1913, dy javë pas nënshkrimit të Traktatit të Londrës, ministri i jashtëm i Greqisë, Coromilas, ofroi një propozim të veçantë në Konferencën e Ambasadorëve: duke qenë se Italia nuk do ta lejonte Greqinë të vihej në zotërim të bregdetit të Shqipërisë së Jugut (Epirit të Veriut) në veri të Kepit Stillos, Coromilas pranoi që kufiri të niste nga Kepi Stillos, duke ia lënë një rrip bregdeti Shqipërisë, por kufiri më pas duhej të linte në territorin grek, Gjirokastrën, Permetin dhe Korçën (PRO.FO.371.1999, doc.no.24133/128, Greece, Annual Report, 1913, Sir. F. Elliot to Sir Edward Grey, Athens, May 20, 1914). D.m.th. qeveria greke po bënte një përpjekje tjetër për të shmangur, në një formë të dëshpëruar, zbatimin e vendimit të Fuqive të Mëdha.

Vendimi përfundimtar i Konferencës së Ambasadorëve është akti i datës 29 korrik 1913, më themelori në pikëpamje të njohjes së pavarësisë së Shqipërisë. Fuqitë e Mëdha vendosën formimin e “një principate sovrane të trashëgueshme dhe neutrale, nën garancinë e Fuqive”. Në këtë mënyrë, pas lindjes së vështirë të Vlorës më 28 nëntor1912, ky ishte pagëzimi zyrtar i njohur ndërkombëtarisht i shtetit shqiptar. Pas diskutimesh të gjata, Fuqitë e Mëdha ranë në një mendje mes tyre të pranonin ndërtimin e një komisioni për përcaktimin e kufirit jugor të Shqipërisë. Ka qenë ministri i jashtëm francez Stephen Pichon, që i propozoi ministrit të jashtëm italian Tommaso Tittoni, që dy fuqitë e Adriatikut, Italia dhe Austro-Hungaria, duhej ta pranonin komisionin e mësipërm, duke lënë brenda Shqipërisë, Gjirokastrën dhe Korçën. Pas vendimit historik të 29 korrikut 1913, vendimi i tretë më i rëndësishëm, ka qenë vendimi i datës 11/12 gusht 1913. Këtë ditë, Konferenca e Ambasadorëve vendosi që kufiri në mes Shqipërisë dhe Greqisë duhej që të kalonte nga Liqeni i Ohrit në kufirin më lindor të ish kazasë turke të Korçës dhe do të shtrihej drejt në bregdet deri në Gjirin e Ftelias, në një pikë në jug të Kepit Stilos (përkundrejt Korfuzit). Kjo shtrirje do të përfshinte brenda Shqipërisë qytetet e Korçës, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Delvinës, Manastirin e Shën Naumit dhe Ishullin e Sazanit. Gjithashtu që në këtë marrëveshje u caktua që krahina e Çamërisë duhej t’i kalonte Greqisë, pavarësisht se ajo krahinë ishte e populluar me popullsi shqiptare myslimane (50000) dhe ortodokse (14000). Në shtesë të këtij vendimi u vendos që Kanali i Korfuzit duhej të asnjanësohej. (Çështja e pjesës bregdetare ka qenë një problem esencialisht në mes Italisë dhe Francës. Italianët kanë kundërshtuar që grekët të vendosnin kufirin e tyre në veri të Korfuzit, mbasi frikësoheshin se kontrolli i të dyja anëve të kanalit prej një fuqie të vetme, do të përbënte një kërcënim për sigurinë e Italisë në Adriatik). Shtrirja e tokës së brendshme në hapësirën në kontestim në mes Shqipërisë së sapoformuar dhe Mbretërisë së Greqisë, në bazë të këtij vendimi, do të duhej të përkufizohej brenda katër muajsh, prej një Komisioni Ndërkombëtar të Kufirit, të përbërë nga gjashtë ekspertë të caktuar prej Fuqive të Mëdha. Linja do të duhej të caktohej në terren prej komisionit dhe do të duhej të ishte një kompromis në mes kufirit të pretenduar nga Greqia (në anën të së cilës qëndronte e patundur Franca) dhe atij të mbrojtur prej Italisë dhe Austro-Hungarisë. Komisionerët, në përcaktimin e kufirit do të duhej të bazoheshin në karakteristikat etnografike të hapësirave të kontestuara, mbi bazën e ndjenjave të banorëve dhe gjuhës së folur të popullsisë. Gjuha amtare duhej të përcaktohej e sqarohej mirë nga gjuha e folur në rrethet familjare.

Ashtu siç e parashikonin patriotët shqiptarë, qeveria mbretërore greke do të mbetej e pakënaqur nga ky vendim i Konferencës së Ambasadorëve. Ajo vërtet kishte arritur objektivin e parë, atë të përfshirjes së Janinës në Greqi, por kishte aspiruar dhe aspironte edhe Korçën dhe Gjirokastrën. Ky vend, pas këtij momenti, i drejtuar për fatin e vet të mirë, nga një prej diplomatëve dhe shtetarëve më të aftë të kësaj kohe në Ballkan, Elefterios Venizelos, nëpërmjet një pune këmbëngulëse, arriti të ndryshojë taktiken për realizmin e objektivave të veta, dhe vuri në veprim bandat e armatosura të vetëquajtura epirote, që ishin në më të shumtën e rasteve të përbëra nga pjesëtarë të ushtrisë së rregullt mbretërore. Nëpërmjet aktivitetit edhe kriminal të këtyre bandave, Venizelos-i synonte t’u bënte presion Fuqive për ndryshimin e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve mbi vijën kufitare, duke i vënë Fuqitë para fakteve të kryera. Mund të themi se kjo taktikë politike dhe ushtarake e Greqisë nuk mbeti pa dhënë rezultatet e veta në ndryshimet edhe të vogla të linjave themelore të brendshme të vendosura në terren në kufirin shqiptaro-grek.

Veprimtaria e Komisionit të Caktimit të Kufirit në vitin 1913

Pjesa më e madhe e anëtarëve të Komisionit të Caktimit të Kufirit të Shqipërisë së Jugut u bashkua për të filluar punën në muajin shtator 1913, për nisjen e misionit në ishullin e Korfuzit dhe për t’u përqendruar në fund, me 23 shtator 1913, në Manastir. Komisioni ka qenë i përbërë nga delegati gjerman, ushtaraku C. Thierry, delegati austro-hungarez Bilinsky (pas vdekjes së papritur të tij që ka ndodhur me datën 17 nëntor 1913, ai do të zëvendësohej nga zëvendës konsulli C. Buchberger), delegatët francezë leitenant koloneli A. Lallemand dhe konsulli M. Gruillet si asistent, delegat i Britanisë së Madhe, Doughty-Wylie, leitenant kolonel, delegati italian N. Labia, konsull, dhe ushtaraku kapiteni M. Castoldi, si dhe në fund delegati rus, koloneli P. Goudime Levkovich. (PRO.FO. 421.287, doc. no. 46121, Lieutenant-Colonel Doughty-Wylie to Sir Edward Grey, Monastir, October 2, 1913).

Me 17 dhjetor 1913, në mbledhjen e fundit të zhvilluar në Firencë, komisioni mori vendimin final dhe përpiloi hartën përfundimtare, që u nënshkrua me datën 18 dhjetor 1913. Sipas vendimit të datës 17 dhjetor, i cili la pa saktësuar në letër kufirin lindor dhe juglindor të ish Kazasë së Korçës, kufiri i Shqipërisë së Jugut përshkruhet si më poshtë vijon: «Vija kufitare fillon nga pika C (në hartën austriake, kuota 1738, veri lindje e Mandra Nikolika) ku vija kufitare meridionale e Kazasë së Korçës bashkohet me kreshtën e Gramozit. Ajo vazhdon drejt jugut, duke ndjekur kreshtën e Gramozit deri në Mavri Petra. Më pas kalon nga kuotat 2536 dhe 2019 dhe arrin në Golo. Që andej, pasi ndjek ndarjen e ujërave deri në kuotën 1740, kalon midis fshatrave Radati dhe Kursaka. I drejtohet kodrës që gjendet në veri-lindje të Kukesit, nga ku zbret për të kaluar në Sarandoporos. Vazhdon përgjatë shtratit të këtij lumi deri në bashkimin e tij me lumin Vjosa, prej nga ai arrin në majën e malit Tumba duke kaluar nëpërmjet fshatrave të Zipaliçës dhe Mesarias dhe nëpër kuotat 1956 dhe 2000. Nga maja e malit Tumba, vija kufitare drejtohet drejt perëndimit mbi kuotën 1621, duke kaluar në veri të Zrimasës. Më pas ndjek ndarjen e ujërave deri në lartësinë, që gjendet në veri-lindje të fshatit Episkopi (Peshkëpi) (sipas treguesit të hartës). Që andej drejtohet drejt jugut, duke u mbështetur mbi kreshtën e midis Radatit që i mbetet Shqipërisë dhe Gajdohorit i cili i mbetet Greqisë; më pas vija zbret në luginën Zrinos dhe duke përshkruar lumin, ngjitet mbi kodrën e Kakavisë që është një fshat, i cili i mbetet Shqipërisë. Vija kufitare ndjek përsëri nga ndarja e ujërave, duke i lënë kështu Valtistën dhe Kastanian-in Greqisë dhe Koshovic-ën Shqipërisë, si duke u bashkuar me Murganën, kuota 2124. Prej andej vija kufitare arrin në Stugarë e pastaj në Vertrop, si dhe kuotën 750 duke ia lënë Janjarin dhe Vervën Shqipërisë, kalon nga kuotat 1014, 675, 830 dhe drejtohet në veri-perëndim. Ia lë Konispolin Shqipërisë, ndjek kreshtën e kodrave Stilo dhe Orba, dhe para mbërritjes në kuotën 254 vazhdon drejt jugut dhe bashkohet me gjirin e Ftelia-s» (PRO.FO 421.287, doc. no. 57755, faqe 273, Enclosure in no.505, Quinzieme séance de la Commission internationale pour la delimitation de la frontiere meridionale albanaise, le 17 decembre, 1913.).

Me Protokollin e Firences, Shqipëria arriti të ruante brenda kufirit të saj shtetëror pjesën më të madhe të krahinave të Korçës dhe Gjirokastrës, por në mënyrë të paarsyetuar, një pjesë e rrugës së vetme të komunikacionit në mes Shqipërisë Juglindore dhe asaj Jugore, respektivisht Sarandës, u la brenda kufirit grek.

Megjithëse komisioni kishte përcaktuar karakterin e mirëfilltë shqiptar të popullsisë së territorit që iu përcaktua për t’iu dhënë Shqipërisë, Mbretëria e Greqisë nuk do të pranonte që të hiqte dorë nga pretendimet e saj për Korçën, Përmetin dhe Gjirokastrën. Që nga ky moment, në qarqet më ekstremiste të Athinës, është marrë vendimi për të ndryshuar taktikë dhe për t’i marrë këto territore edhe me mjete të tjera. Raporte nga Athina që vinin menjëherë sapo ishte marrë vesht pak a shumë cila do ishte vija kufitare mes dy vendeve në fillimet e dhjetorit 1913, tregojnë se Mbreti Kostandin kishte kërcënuar me shkarkim Kryeministrin Venizelos, në qoftë se ky i fundit dhe qeveria e tij nuk do të mbështesnin përpjekjet e popullsisë vendase kundër përfshirjes në Shqipëri. (PRO.FO.371.1804, doc.no. 56641, Sir F. Elliot to Sir Edward Grey, Athens, December 10, 1913).

PRO.FO/ 88110355x

Neutralizimi i Kanalit të Korfuzit, ka qenë një prej çështjeve që është diskutuar në vijim të vendimit të 17 dhjetorit 1913, të arritur në Firence për kufirin tokësor të Shqipërisë dhe Greqisë. Është një përpjekje për të përcaktuar të drejtën në Kanalin e Korfuzit dhe në përgjithësi në pjesën e kontaktit detar në mes Shqipërisë dhe Greqisë në fund të vitit 1913 dhe gjatë shtatë muajve të parë të vitit 1914. Gjegjësisht me këtë shqyrtim merret ajo ndarje e të drejtës ndërkombëtare që njihet si e drejta e detit, e cila si shkencë është zhvilluar dhe përpunuar vonë, dhe në kohën në të cilën ne po trajtojmë, kjo e drejtë bënte dallim vetëm në dy ndarje: në ujërat territoriale që formonin pjesë të territorit të shtetit, por brenda të cilave shtetet e tjera gëzonin një numër të kufizuar të drejtash, dhe deti i hapur, hapësirë detare kjo e lirë për përdorim prej të gjitha shteteve. Ballafaqimi i parë mes fuqive ka qenë i lidhur me kufirin e mbajtjes së ujërave territoriale të Greqisë, që zotëronte Ishujt Jonianë. Ruajtja e ujërave territoriale të Greqisë në largësinë deri 3 milje detare, e kërkuar me forcë nga Austro-Hungaria dhe Italia, vërtetë synonte të përcaktonte të drejtat e shtetit grek në hapësirën përkatëse në Detin Jon, por duhet të kujtojmë se ky kufizim synonte të hapte hapësirën e nevojshme për ujëra territoriale për entitetin e ri ballkanik, Principatën Shqiptare, të pavarur dhe asnjanëse nën garancinë e Fuqive të mëdha, dhe të krijonte njëkohësisht elementet e nevojshme të sigurisë në këto anë. A kishte një bazë ligjore ndërkombëtare një kërkesë e tillë prej palës austro-italiane? Kërkesa austro-italiane ishte e bazuar mbi një të drejtë që vinte nga shekulli XVII, të përpunuar në fillim te shekullit XVIII nga juristi hollandez Bynkershoek, saktësisht e quajtur Cannon –Shot Rule (rregulli i largësisë së shtimjes me top), në bazë të së cilës një shtet e ushtron sovranitetin territorial të pjesës së vet bregdetare brenda tri miljeve. Ky përcaktim rridhte nga fakti se në shekullin XVII ky kufi korrespondonte me rrezen e jashtme të armëve të artilerisë bregdetare dhe për këtë pasqyronte parimin se zotërimi i tokës përfundon aty ku përfundon rrezja e armëve (terrae dominum finitur, ubi finitur armorium vis). Rregulla nuk ndërtonte një rryp të vazhdueshëm ujërash, por vetëm ndërtonte zona ose “gjepa” detarë ngjitur me token, në të cilat, gjatë luftrave nuk mund të merrej plaçkë lufte, pa dhunuar një detyrim ndaj shtetit neutral. Doktrina e një rripi të vazhdueshëm të ujërave territoriale, të përbërë prej një gjërësie tri miljesh detare, ose një league është formuluar për herë të parë në menyrë të qartë në vitin 1782, në deklaraten e ndërtuar nga studiuesi italian Galiani, ndërsa pranimi i parë i saj në praktiken shtetërore ndodhi më 1793, kur SHBA, të detyruara të përcaktojnë ujërat e veta territoriale në luftën në mes Francës dhe Britanisë së Madhe, propozuan që vendet ndërluftuese duhej të respektonin asnjanësinë e SHBA deri në maksimumin e rrezes së një predhe topi, zakonisht e llogaritur në tri milje detare, ose një league. Kjo përbënte gjërësinë me të vogël të pretenduar nga një shtet (Lori Fisler Damrosch, Louis Henkin, Richard Crawford Pugh, Oscar Schachter, Hans Smit, International Law, Cases and Materials, Fourth Edition, St. Paul, Minnessota, 2001, faqe 1392-1393).

Ky rregull sot nuk njihet nga shumë shtete, por në kohën për të cilën po flasim dhe deri në fund të tri dhjetvjeçarëve të parë të shekullit XX, ka qenë gjerësisht i njohur dhe i përcaktuar në të drejtën ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare e ndan detin në zona të ndryshme në të cilat shtetet gëzojnë një varietet të kompetencave juridiksionale. Rregulli bazë është se shtetet bregdetare e ushtrojnë shkallën më të madhe të kompetencës juridike mbi atë zonë që shtrihet më afër bregdetit. Pra, një shtet ushtron pushtete të plota të sovranitetit territorial brenda hapësirave ujore të cilat konsiderohen ujëra të brendshëm, që zakonisht përfshijnë lumenjtë dhe liqenet dhe gjithashtu portet dhe hapësirat e tjera detare, të cilat janë të drejtuara me pamje nga toka dhe përbëjnë linjën bazore matëse nga e cila zonat e ndryshme të juridiksionit nga ana e detit janë përgjithësisht të matshme. Në vitin 1914 nuk kanë ekzistuar rregulla bazorë të detajuar dhe të shkruar për përcaktimin e linjave themelore (rregullat e detajuara janë përcaktuar më 1958 me anë të TCS-First United Nations Law of the Sea Conference dhe janë rishikuar më 1982 më LOSC-Convention on the Law of the Sea), por ama kanë ekzistuar norma zakonore të pashkruara ndërkombëtare, të cilat shtetet përpiqeshin t’i respektonin (madje rregullat e shkruara më 1958 dhe 1982 në fakt do të përsërisnin dhe do përpunonin pikërisht rregullat zakonore ndërkombëtare). Rasti i përcaktimit të vijës bazë të matshme në mes pjesës ishullore greke të ishujve të Jonit dhe bregdetit të Principatës Shqiptare në fakt paraqiste vështirësi për shkak se ishujt kryesore jonianë (Korfuzi më së shumti në rastin tonë) janë të qarkuar, jo vetëm nga ishuj më të vegjël të banuar, por edhe nga shkëmbinj ujorë, të cilët nuk përmbajnë as jetë humane, as aktivitet ekonomik. Ne nuk jemi në gjendje të përcaktojmë sa e drejta e detit më 1914 mund të ndihmonte në vendosjen e një vije ndarëse të drejtë në Kanalin e Korfuzit dhe në pjesën veriore të Ishullit të Korfuzit, por në kohën tonë neni 121 paragrafi 3 i Convention on the Law of the Sea i vitit 1982 e përcakton krejt qartë se, ishujt gjithashtu gjenerojnë zonë detare, pavarësisht se ekziston një përjashtim i rëndësishëm në rastin e shkëmbinjve ujore, të cilët nuk përmbajnë jetë humane ose jetë ekonomike brenda tyre e për rrjedhojë ata nuk mund të përbëjnë një arsye për të filluar aty matjen e zonës së ujërave territoriale ose të shelfit kontinental. Gjithashtu, neni 5 i Konventës së lartpërmendur e ka të përcaktuar qartë se linja ndarëse normale për matjet e gjerësisë së ujërave territoriale është low-water line përgjatë bregut të detit, siç tregohet prej simboleve të përshtatshme mbi një hartë të njohur zyrtarisht për shtetin bregdetar. (Malcolm D Evans, The Law of the Sea, marrë nga libri: International Law, Second Edition, edited by Malcolm D Evans, Oxford University Press, Second Edition, 2006, faqe 625-626). Dokumentet në National Archives në Londër, nuk tregojnë të jetë bërë ndonjë përpjekje e mëtejshme për vijën ndarëse mes Shqipërisë dhe Greqisë në Kanalin e Korfuzit. Por, në dy nga hartat e katër vilajeteve ku shtriheshin tokat shqiptare në prag të pavarësisë, të ndërtuara nga një prej institucioneve më prestigjioze të gjeografisë, Institutit të Gjeografisë Ushtarake të Romës (dhe ajo austriake e Institutit Gjeografik Militarë, 1:300000 (PRO.FO.925.21033), tregojnë një vijë ndarëse shumë të qartë në Kanalin e Korfuzit, të cilen shtetet e kanë respektuar, që vijon qartësisht si në pjesën veriore ashtu edhe në pjesën jugore, dhe që bashkohet me pjesën kontinentale, duke kaluar përmes ngushticës së Prevezës në P. Skile, dikund në mes të Gjirit të Artës ose të Ambrakisë (PRO.FO.925.21007). Thënë shkoqur: vija ndarëse kufitare në Kanalin e Korfuzit ndiqte në mënyrë të barazlarguar, edhe në pjesën veriore, mesin e artë, në mes Ishullit të Korfuzit dhe Bregut shqiptar, pa llogaritur ishujt e vegjël në veri të Korfuzit (Ereikoussa, Othonoi, Mathraki) dhe aq më pak shkëmbinjt ujorë.

E lidhur ngushtësisht me përcaktimin e ujërave territoriale të Greqisë dhe Shqipërisë në këto anë, ka qenë edhe përpjekja për neutralizimin (dmth edhe demilitarizimin) e dyfishtë të pjesës tokësore në kufirin e 6 miljeve detare, që ishte një përpjekje për t’i dhënë sigurinë e nevojshme, para së gjithash Principatës së Shqipërisë. Këtë siguri shtetit të ri shqiptar kërkonte t’ia jepte protektori austriak, krijuesi e mbrojtësi i shtetit shqiptar (1912-1918).

Pjesët e fundit të projekteve të paraqitura më sipër përpiqen të gjitha të rregullojnë në një mënyrë sa më të përshtatshme për interesat e secilës fuqi, të drejtat e innocent passage, d.m.th. kalimit joofensiv të anijeve në Kanalin e Korfuzit.

Fillimi i Luftës së Parë Botërore ndërpreu të gjitha përpjekjet për përmbylljen e këtij traktati në mes Fuqive. Por mosarritja e këtij rinovimi dhe këtij saktësimi të ri të së drejtës se detit në brigjet Joniane më 1914, nuk do të thotë se e drejta pararendëse u shua tërësisht. Ajo ishte në fuqi, e sanksionuar në një seri traktatesh dhe mjaftueshëm sa të konsiderohet dhunim i të drejtës ndërkombëtare çdo ndryshim i metodologjisë punuese për zyrtarizimin e vijës ndarëse që në një kohë ishte arritur për Kanalin e Korfuzit: 1. barazlargësia mes Bregdetit shqiptar dhe Ishulli të Korfuzit edhe në pjesën veriore, aty ku Kanali i Korfuzit lidhet natyralisht me Kanalin e Otrantos; 2. linja ndarëse normale për matjet e gjerësisë së ujërave territoriale është low-water line përgjatë bregut të detit; 3. Shkëmbinjt ujore, nuk mund të përbëjnë një arsye për të filluar matjen e zonës së ujërave territoriale ose të shelfit kontinental; 4.parimet mbi bazën e të cilave, nga viti 1913 është rakorduar njohja reciproke e kufirit detar në mes Shqipërisë dhe Greqisë në Kanalin e Korfuzit, posaçërisht në pjesën pjeriore, përbëjnë një precedence që nuk mund të ndryshohet në vitin 2018, por veç të zyrtarizohet. Kjo e fundit do të thotë se në pjesë veriore te Kanalit, matjet duhet të fillojnë nga Korfuzi dhe jo nga ishujt e vegjël veriorë.

(pjesa e dytë: 1918-1926)

Çështja e kufirit pas Luftës së Parë Botërore

Fillimi i Luftës së Parë Botërore ndërpreu të gjitha përpjekjet për përmbylljen e traktatit të neutralizimit në mes Fuqive. Përfundimi i Luftës rinxori edhe një herë në skenën e trajtimit diplomatik çështjen e statusit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe të kufijve të saj shtetërore. Për tre vite me radhë fuqitë fituese të Antantës, të çliruara tashmë nga rezistenca e Austro-Hungarisë, të dezintegruar si shtet, u përpoqën të kthenin skemat e pretenduara prej tyre në kohën e luftrave balkanike. Falë ndërhyrjes energjike të Presidentit amerikan Woodrow Wilson, shteti shqiptar u ruajt afërsisht në kufijt e vitit 1913. Më 9 nëntor 1921, Konferenca e Ambasadorëve në Paris, nën kryesinë e M. Jules Cambon-it, procedoi me firmosjen e vendimit për sa i përket Shqipërisë: Perandoria Britanike, Franca, Italia dhe Japonia, konfirmuan projektin e kufijve të Shqipërisë, të njëjtë me atë që ishte vendosur më 1913 në Konferencën e Ambasadorëve. Duke qenë se kufijtë jugore ishin vendosur në terren nga Komisioni i Caktimit të Kufijve, përmes një protokolli përfundimtar në Firence më 17 dhjetor 1913, dhe duke qenë se Komisionit të Caktimit të Kufijve Veriorë dhe Lindorë i ishte dashur të ndërpriste punën e tij më 1913 për shkak të operacioneve luftarake, Konferenca mori këtë vendim: 1. Qeveritë nënshkruese njihnin Qeverinë e Shqipërisë të ndërtuar nga Shteti sovran e i pavarur. 2. Një komision i përbërë nga 4 anëtarë, të emëruar nga qeveritë nënshkruese të këtij vendimi, ngarkohej, të caktonte në terren vijën kufitare veriore dhe veri-lindore të Shqipërisë. D.m.th. kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë konsiderohej ai që ishte vendosur nga Protokolli i Firencës.

Megjithë këto përcaktime, edhe në përiudhën vijuese, marrëdhëniet në mes Greqisë dhe Shqipërisë vazhduan të jenë të vështira, mbasi Greqia nuk njohu plotësisht kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve dhe të drejtat e Shqipërisë mbi rajonin që nga Greqia thirrej si Epiri i Veriut.

Si vështirësi kryesore paraqitej kufiri greko-shqiptar në zonën e Korçës, mbasi, komisioni i para luftës nuk e kishte caktuar në terren në vitin 1913. Bëhet fjalë për një segment të vogël në zonën e fshatrave të Liqenit të Prespës, pikërisht për fshatrat e minoritetit maqedonas, të gjitha në linjën nga fshatrat Zagradec, Vrnic, Kapshticë, Trestinik, Novoselo deri në Slimnica, të cilat qeveria shqiptare i konsideronte pjesë të ish kazasë otomane të Korçës dhe për rrjedhojë, parimisht, duhet të ishin pjesë e Shqipërisë. Ky diskutim zhvillohej ndërkohë që ushtria greke nuk ishte tërhequr nga një pjesë e rendësishme e këtyre fshatrave. Komisioni verifikoi edhte Turkish Yearbook, i cili saktësonte emrat e fshatrave dhe krahinave të cilat ishin përfshirë në regjistrin e mbledhjes së taksave. Sipas këtij libri, 26 fshatra të listuara këtu ishin pjesë e Kazasë së Korçës, por tani mbaheshin të pushtuara prej trupave greke. Kësisoj, Komisioni sugjeroi Lidhjes së Kombeve, formimin e një komisioni ekspertësh, që do të shkonte në terren për të shënuar në mënyrë përfundimtare kufirin e Kazasë se Korçës, në përputhje me informacionet që zotëroheshin në Stamboll për atë distrikt. Komisioni i Hetimit gjithashtu mendonte që të vendosej edhe një zonë neutrale nga kjo pikë deri në pikën ku kishte përcaktuar Protokolli i Firencës si definitive. Kjo zonë neutrale do të duhej të përfshinte fshatrat e pushtuara në këtë kohe nga ushtria greke ( PRO.FO.371.7328,, League of Nation, Albania, Report of the Commission of Enquiry, Jens Meinich, J.J. Sederholm, Tirana, January 18, 1922).

Hartë e rajonit të Korçës që tregon propozimin e linjës së kufirit tek 26 fshatra, linjë që duhet të bashkohet me linjën e Protokollit të Korfuzit.

E gjendur para vështirësive të ushtrimit të plotë të sovranitetit territorial, me 16 janar 1922, Kryeministri Xhafer Ypi, i kërkoi përfaqësuesit britanik në Durres, Heathcote, të informonte qeverinë britanike, se kërkesa e Konferencës së Ambasadorëve për evakuimin e të gjithë territorit deri në kufijtë e vitit 1913, nuk kishte marrë ende përgjigje pozitive nga qeveria greke (PRO.FO.371.7326, C1191/83/90, Heathcote-Smith to the Maruqess Curzon f Kedleston, Durazzo, 16.01.1922). Greqia në janarin e vitit 1922, ende gjendej në pushtim të 26 fshatrave të ish kazasë së Korçës (Slimnica, Bezmishte, Pilkat, Postec, Trestenik, Rakicka, Rakoha, Zaroshke, Zagradec, Shuec, Shulin, Travova, Grazedan, Glomboc, Gorica, Kapistica, Kosterec, Konsko, Labonica e Spërme, Labonica e Poshtme, Leske, Vrnik, Nivica, Novoselo, Ornovcka, Xerje) të gjithë në zonën e Bilishtit. Mbajtja e këtyre fshatrave bëhej nën arsyetimin e genjeshtërt, se këto fshatra asnjëherë nuk kishin qenë e Kazasë së Korçës. Trupat greke ishin lejuar të qendronin në pushtimin e përkohshëm të këtyre fshtrave nga gjenerali francez, në momentin e ikjes së tij nga Korça. Presioni dhe pushtimi i autoriteteve ushtarake greke vazhdoi gjatë (PRO.FO.371.7327 C 6023/83/90, Mr. Eyres to the Marquess Curzon of Kedleston, Durazzo, April 15, 1922).

Problemi i Epirit të Veriut ose i Shqipërisë së Jugut ka vazhduar të jetë një prej problemeve të mprehta të diplomacisë shqiptare. Forcat ekstremiste në Greqi, janë përpjekur ta paraqesin rastin në fjalë si një çështje e drejtësisë dhe e drejtave njërëzore dhe si një çështje që rrezikonte të shpërthente trazira në të ardhmen e jetës së brendshme shqiptare dhe marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtare.

Në dokumentacionin e kohës bien në sy një seri manipulimesh dhe një numër aktorësh të angazhuar kundër stabilitetit të Shqipërisë dhe synimeve gllabëruese në Jug të vendit, të cilët vendosën të gjithë arsenalin propagandistik dhe diplomatik në errësimin e situatës: në radhë të pare kanë qenë katër metropolitët e Epirit, Basile i Gjirokastrës, Germano i Korçës, Joachim i Kosturit dhe Kolonjës dhe Spiridon i Janinës, të cilët iu drejtuan Lordit Rober Cecil, me datën 30 maj 1922 me një letër në mbështetje të aneksimit të këtyre anëve në Greqi (PRO.FO.371.7327 C 7980/83/90, faqe 54, 55 dhe 56); Së dyti, Lidhja e Epirit të Veriut me qendër në Follorinë: Presidenti i kësaj organizate të sajuar, i drejtoi një letër Ministrit britanik në Athinë, në lidhje gjoja me përsekutimet, deportimet e sforcueme dhe barbarizmat që po pësonte elementi grek në të ashtuquajturin Epiri i Veriut (PRO.FO.371.7327 C 6188/83/90, dhe C94/83/90 faqe 80, 81, 83, 84, 85, 86). Veçanërisht aktive kanë qenë qarqet ekstremiste pranë Mbretit të Greqisë. Në mes këtyre ndërhyrjeve të bën përshtypje një leter e sekretarit personal të Mbretit Konstandin, drejtuar Kryeministrit britanik Lloyd George (PRO.FO.371.7330, faqe 46, G. Melas, Former Secretary to H.M. King Constantine to the Right Hon. David Lloyd George, St. James’ Street, S.W.1, 11th January 1922). Pavarësisht gjendjes së brendshme politike mjaft të ndërlikuar të Shqipërisë, Sekretari përpiqet ta erresojë edhe më tej, duke e paraqitur situatën sociale si të rrezikshme për pakicat minoritare greke në vend. Duhet të kemi parasysh se ai konsideronte të tillë edhe popullsinë ortodokse shqiptare. Ai e konsideron gjendjen shqiptare, si të një vendi tribal në situatë kaotike, që kontraston, sipas tij, me nivelin e lartë kulturor të Epirit të Veriut. I gjithë ky përshkrim i hollësishëm përfundonte me kerkesën që ai i drejtonte qeverisë britanike, që kjo e fundit t’i rekomandonte me forcë Këshillit Suprem të Antantës, rikonsiderimin e vendimit lidhur me fatin e Epirit të Veriut (PRO.FO.371.7330, faqe 46, G. Melas, Former Secretary to H.M. King Constantine to the Right Hon. David Lloyd George, St. James’ Street, S.W.1, 11th January 1922). Kurse Unioni Pan Epirotas në Amerikë, me datën 5 korrik 1922, përmes drejtorit të organizatës, N.J. Cassavitis, i drejtoi një letër Earl Arthur Balfour, ku i shpjegonte “përsekutimin e epirotasve, dhunimin e kishave, shkollave dhe institucioneve komunale lokale”, dhe i kërkonte ndaljen e deportimeve dhe shtypjes në përgjithësi prej shqiptarëve (PRO.FO .371.7327 C10418/83/90, N.J. Cassavitis to Earl Arthur James Blafour, Philadelphia, July 5, 1922). Kjo kërkese ishte krejtësisht jashtë sensit të realitetit të gjërave, por bëhej në një moment koordinimi për politiken greke drejt Shqipërisë. Memorandumi jo pa synim tërheq vëmendjen për mungesën e mbrojtjes ndaj minoritarëve grekë në Shqipëri nga ana e Lidhjes së Kombeve, dhe përpiqet të denoncojë ato që ai i konsideron, “raporte jo korrekte të bëra prej Komisionit të Hetimit në Shqipëri”. Memorandumi pretendon se pjesa më e madhe e popullsisë se Korçës është pro greke për sa i përket simpative, kërkon vendosjen e epirotasve nën kontrollin e Fuqive të Mëdha dhe i bën thirrje Greqisë se duhet të mbrojë autonominë e kësaj ane (Epirit të Veriut).

Pas këtij presioni politik të qarqeve shoviniste jo qeveritare ofensiva diplomatike greke kaloi në një stad tjetër të veprimit taktik: përmes Legatës greke në Paris qeveria drejtoi dy nota: njëra me datën 5 qershor 1922 dhe një tjetër me 16 qershor 1922, adresuar në Konferencën e Ambasadorëve. Thelbi i tyre ishte se Konferenca duhej të impononte zbatimin e Protokollit të Korfuzit të datës 17 maj 1914, mbi autonominë e Vorio-Epirit. (PRO.FO.371.7327 C 9405/83/90, Sir Milne Cheetham to the Earl of Balfour, Paris, July 1, 1922). Pra kemi të bëjmë me një lëvizje që synonte artificialisht kthimin mbrapa në kohë, kur andartët bënin kërdinë në Jug të Shqipërisë dhe Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit në vitin 1914 u detyrua të bënte pakt me banditët e Zografosit dhe Karapanos, si një mënyrë për të neutralizuar goditjet ndaj Principatës së brishtë. Kësaj ofensive, Kryetari i delegacionit shqiptar ne Paris, Dhimiter Berati, iu kundërpërgjigj me një kundër-notë drejtuar Konferencës së Ambasadorëve, duke hedhur poshtë pretendimet greke, gjoja mbi përsekutimet e të krishtereve në Shqipëri dhe në këmbim madje u ankua mbi shtypjen e egër të shqiptarëve të krahinës së Çamërisë nga ana e autoriteve greke dhe në territoret brenda kufijve shqiptare, ku forcat greke ende nuk ishin evakuar (PRO.FO.371.7327 C 9518/83/90, Lord Hardings to the Earl of Balfour, Paris, July 3, 1922).

Për fat të mire, fuqitë e Antantës operonin me një minimum arsyeje dhe nuk mund të rivlerësonin dhe ligjësonin, akte ndërkombëtare ose dypalëshe, që zhvillimet e luftës dhe aktet e Konferencës së Paqes i kishin shfuqizuar. Ministri i jashtëm Britanik Earl of Balfour, e konsideroi Protokollin e Korfuzit, jo më një instrument të vlefshëm. Së pari, sipas tij, të ashtuquajturit epirotas (kupto paramilitarët andartët, shënim imi R.G.) vetë e dhunuan këtë marrëveshje, duke pushtuar Korçën në korrik të vitit 1914. Së dyti, kjo marrëveshje ishte kapërcyer nga një seri aktesh pasardhëse dhe mbi të gjitha nga vendimi i Konferencës së Ambasadorëve të datës 9 Nëntor 1921. së treti, grekët vetë, kur menduan se Epiri i Jugut mund t’i kalonte Greqisë gjatë tratativave të vitit 1919 dhe 1920, anjëherë nuk e përmenden ekzistencën e një protokolli të tillë. Së fundmi, për Sekretarin e Jashtëm britanik, çështja e mbrojtjes së popullsisë minoritare greke në Shqipërinë e Jugut ishte tashmë çështje e Lidhjes së Kombeve. Në fund, këtë pikpamje Britania e Madhe e mbrojti edhe në Konferencën e Ambasadoreve, duke i mbyllur rrugët e ndërhyrjes greke serish në çështjet e brendshme të Shqipërisë (PRO.FO.371.7332, C9439/6727/90, The Earl of Balfour to Lord Hardinge, F.O., July 6, 1922). Në shenjë proteste për mbylljen e diskutimit mbi përdorimin e Protokollit të Korfuzit, si mjet për të ndërhyrë në punët e brendshme të Shqipërisë, delegacioni grek në Komisionin e Kufirit të Shqipërisë, pasi dështoi të merrte konsensusin e komisionit për zbatimin e menjëhershëm të Protokollit, u largua nga Shqipëria. Kemi të bëjmë me një përpjekje sistematike për të penguar sa më shume fillimin e punës në terren. Mirëpo, pikërisht në këto momente, Qeveria e SHBA njohu qeverinë e Shqipërisë. Njohja amerikane ishte një goditje e rëndë për të gjitha pretendimet e Greqisë dhe i imponoi autoriteteve qeveritare greke, së paku, ruajtjen e fasadës së një vendi serioz. Menjëherë pas kesaj ngjarjeje, rreth datës 12 korrik 1922, edhe Qeveria greke njoftoi zyrtarisht qeverinë shqiptare se e njihte ate si de jure qeveri të Shqiperisë. Kjo njohje në fakt u shoqërua edhe me nje proteste rreth kufirit jugor.(PRO.FO.371.7331, C10491, Eyres to Balfour, Durazzo, July 12, 1922). Ministër i Greqisë në Shqipëri me seli në Durrës u caktua Nakos Panourgias, ish këshilltar i Legatës greke në Sofie. U krijua kështu një situate paradoksale: Qeveria greke e njihte ekzistencën e shtetit shqiptar, por pengonte zbatimin e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve për vendosjen në funksion të Komisionit të Kufirit.

Kjo i detyroi fuqitë e mëdha të ndërmarrin hapin tjetër diplomatik. Me 7 shtator 1922, ministrat e Frances, Italisë dhe Britanisë së Madhe në Athinë, i bënë një vizitë të përbashkët Minitrit grek të punëve të jashtme M. Baltazzi. Ndër të tjera, ata i shpjeguan kryediplomatit grek, pozitën e vështirë të krijueme në Komisionit e Caktimit të Kufirit Greko- Shqiptar nga veprimi i delegatit grek dhe i shpjeguan atij se Protokollli i Korfuzit ishte pezulluar me kohë prej vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Paris në nëntor të vitit 1921. Përmes gojës së Ministrit italian ata i bënë të qartë, se Komisioni i Kufirit, do të duhej ta vazhdonte punen e vet dhe ndaj ishte e këshillueshme që delegati grek duhej të të kthehej në Shqipëri, ose dikush tjetër duhej të zinte vendin e tij (PRO.FO.371.7328, C13141/83/90, Mr. Bentinck to the Marquess Curzon of Kedleston, Athens, September 8, 1922).

Ndërkohë, situata në Jug të Shqipërisë, vazhdonte të ishte e paqartë për një radhe problemesh. Popullsia orthodokse e Shqipërisë së Jugut, e vendosur nën presione dhe në mes të një përballje të ftohte politke dhe nacionaliste, gjendej në pozita pritjeje, e ndrojtur dhe me mungese kapacitetesh administrative. Mbyllja e kufijve prej autoriteteve greke si presion ndaj Shqipërisë, shkaktoi krizë serioze tregtare në këtë pjesë të vendit. Ndërkaq, çështja e krijimit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare u bë kyçi i diskutimeve në vend dhe brenda komunitetit.

Është e rëndësishme të theksohet se pavarësisht rezultateve të Komisionit të Hetimit të Lidhjes së Kombeve dhe raporteve pararëndëse diplomatike mbi situacionin etnik, religjioz dhe social në Shqipërinë e Jugut, në diplomacinë perëndimore nuk ka pasur një bindje të konsoliduar mbi realitetin e punëve në vend. Propaganda e qarqeve shoviniste greke ishte aq intensive, sa linte gjurmët e veta. Prandaj për të sqaruar situatën, në fillim të muajit gusht 1922, Ministri britanik në Durrës, Eyres, ndërmori një udhëtim nëpër krahinat e Shqipërisë së Jugut dhe vizitoi qytetet e Fierit, Vlorës, Gjirokastrës, Delvinës, Korçës Bilishtit, Hoçishtin, Pogradecin dhe Përmetin. Diplomati britanik gjatë vizitës disaditore në Gjirokastër arriti në përfundimin se një prirje drejt Greqisë ekzistonte kryesisht mes pjesës së vjetër të popullsisë dhe kjo për shkak të një lloj tradite që ky brez kishte përjetuar nën sundimin otoman, duke e parë Greqinë si shpëtimtarin dhe mbrojtësin e tyre nga osmanët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Përndryshe, brezi i ri popullsisë ortodokse shqiptare ishte universalisht një gjenerate patriotike shqiptare, madje disa prej tyre edhe anti-grekë. Pjesa konservatore e popullsisë ortodokse, që e shihte me dyshim shtetin e ri shqiptar dhe bashkëjetesën me popullsinë shqiptare e religjioneve të tjera, sipas përllogaritjeve të Ministrit britanik, shkonte dikund tek 10% e popullsisë së krishterë të Shqipërisë së Jugut (PRO.FO.371.7330, C12535/818/90, Mr. Eyres to the Earl Balfour, Durazzo, August, 23rd, 1922). E gjendur nën presionet e pushtetit turk për shekuj me radhë dhe nën frikën e një shteti shqiptar që nuk i kishte bërë të qarta ende objektivat e veta gjithpërfshirëse, popullsia ortodokse shqiptare e kësaj kohë ndjehej e ndrojtur. Kjo, sipas ministrit britanik, e pengonte këtë popullsi, në këto vite të ngjizjes së shtetit dhe bashkësisë qytetare shqiptare, të plotësonte detyrat e veta ndaj Shtetit dhe Bashkësisë së shtetasve shqiptarë. Gjirokastra, pavarësisht pozicionit të vet strategjik në vend, konsiderohej nga ministri britanik, si një prej vendeve më të prapambetura. Popullsia e kësaj qendre përherë kishte derguar për t’u shkolluar femijët si studentë për të mësuar në shkollat otomane dhe për rrjedhojë, një numër shumë i madh gjirokastritësh kishin shërbyer gjatë përiudhës së Perandorisë si kadilerë dhe punonjës të administratës. Njërëzit e kësaj sere në këtë qytet ishin ndoshta pjesa më e prapambetur e popullsisë së Shqipërisë dhe statusi i gruas në këtë qytet ndodhej në gjendjen më të degraduar se ndonjë vend tjetër në Turqi. Pjesa e krishterë e popullsisë së Gjirokastrës ishte mjaft mirë e arsimuar, por ato në rrethanat e krijuara nën sundimin otoman, nuk kishin arritur të bënin përpara për shkak të pengesave të sistemit. Në pikpamje ekonomike, tregtia anëkënd Shqipërisë së Jugut ndodhej në një situatë krizë serioze. Biznesi ishte bllokuar për shkak të mbylljes së kufirit nga ana e qeverisë greke. E vetmja arsye e kësaj blllokade nga ana e qeverisë greke kishte të bënte me synimet e saj për ta vështirësuar jetën, duke penguar rrugën e forcimit të shtetit të pavarur shqiptar.

Sipas diplomatit britanik, Korça e çmon veten se është qyteti më modern dhe më përparimtar i Shqipërisë dhe ndoshta pretendimi i saj është i justifikuar, megjithëse Shkodra mund të ofrojë përshtypjen se ështe ajo, për shkak të pozicionit të bukur natyror dhe ndërtesave publike. Popullsia ështe mjaft e gjallë dhe pjesmarrëse dhe e konsideron se është detyrë e çdo qytetari për ta bërë zërin e vet të degjohet. Një zhvillim shumë pozitiv këtë kohë në Korçë ishte prania e në numri të madh shqiptaro-amerikanësh.

Problemi kryesor që ngjallte diskutime dhe agjitacione asaj kohe në qytetin e Korçës por jo vetëm, por në të gjitha krahinat ortodokse të Shqipërisë së Jugut, ishte problemi i Kishës. Në vetë Korçën ekzistonin tre parti: 1. Partia e vjetër konservatore që dëshironte të ruante lidhjen me Patrarkatin dhe Liturgjinë në gjuhën greke; 2. Partia Ekstremiste, që deshironte të shkëpuste menjëherë çdo lidhje me Patriarkatin, të themelonte Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe të vendoste në përdorim Liturgjinë në gjuhën shqipe. 3. Partia e Moderuar, e cila deshironte të ndiqeshin metodat e rregullta, përmes negocimit me Patriarkanen, me synim arritjen e një marrëveshjeje për themelimin e një Kishe Autoqefale dhe vendosjen si gjuhe të liturgjisë, gjuhën shqipe. Përsoni më i rëndësishëm në drejtimin dhe trajtimin e kësaj çështjeje ishte Ipeshkvi Fan Noli, i cili mbështetej nga shqiptaro-amerikanët. Problemi ngrihej në nje moment shumë të vështirë për shtetin shqiptar, kur ai nuk ishte ende i konsoliduar dhe ky problem krijoi diskutime të mëdha dhe thyerje zemre brenda popullsisë orthodokse.

Qendrimi i qeverisë shqiptare ka qenë i matur: ajo e konsderonte çështjen e mësipërme si një çështje vetëm të ortodoksëve shqiptarë, të cilët do të duhet të vendosnin vetë lirisht, duke negocuar këtë çështje me Patriakatin e Konstandinopojës. Përfundimi më i rëndësishëm i udhëtimit të ministrit britanik në Shqipërinë e Jugut, ka të bëjë me nulifikimin e pretendimeve greke. Ai shkruan se “unë nuk munda të zbuloj asgjë për të justifikuar ankesat e qeverisë greke. që janë derguar në Lidhjen e Kombeve. Popullsia e fshatrave në krahinat e interesuara ishte krejtësisht në padijeni të të ashtuquajturave praktika të këqija të qeverisë shqiptare dhe përshtypja që unë krijova ishte se këto pretendime dhe akuza ishin jo vetëm shpikje të pastra, por gjithshtu një llogaritje e shtrembëruar e ngjarjeve që unë ju përshkuajta” (PRO.FO.371.7330, C12535/818/90, Mr. Eyres to the Earl Balfour, Durazzo, August, 23rd, 1922).

Po ndërkohë që ndaj Shqipërisë, qeveria greke vazhdonte të ushtronte presion për Shqipërinë e Jugut, një veprim genocidal ishte në zhvillim e sipër po nga kjo qeveri ndaj popullsisë shqiptare në lindje të Kanalit të Korfuzit, në pjesën që Protokolli i Firencës ia kishte lënë Greqisë. Kundër këtyre ndërhyrjeve dhe persekutimeve, Ministri shqiptar në Londër, Mehmet Konica, me datën 11 dhjetor 1922, i adresoi një letër Sekretarit britanik për punë të jashtme Marquess Curzon of Kedleston. Sipas kësaj ndërhyrjeje, bazuar në komunikimet e Prefektit të Korçës dhe në kerkesën e qeverisë shqiptare, ai shprehet se “autoritete greke janë të vendosura të ndjekin ndaj shqiptarëve të Çamërisë, të njëjtat taktika sikurse ka ndjekur Qeveria e Ankarasë ndaj grekëve të Azisë së Vogël, me ndryshimin se shqiptarët në territoret e aneksuara nuk u kanë dhëne autoriteteve greke asnjë arsye për një përsekutim të tillë. Ai u kërkoi autoriteteve britanike që Fuqitë që kishin vendosur të dorëzonin këto territore nën Greqinë, duhet të merrnin përgjegjësinë morale ndaj kësaj popullsie dhe hapat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe pronave të tyre. Përfaqësuesi i Shqipërisë kërkonte që kjo ndërhyrje të realizohej përmes Konferencës së Ambasadoreve, ose edhe mënyrave të tjera që qeveria britanike do ta konsideronte si të përshtatshme për të ndalur trajtimin jo human nga ana e qeverisë greke të çamëve (PRO.FO.371.7332, C 17126, Mehmet Konica drejtuar the Marquess Curzon of Kedlestonm, London, 11 December 1922). Popullsia e Çamërisë në këto ditë të vështira të vitit 1922 ndodhej në situatë të deshpëruar, për shkak të përsekutimit dhe veprimeve kriminale nga ana e autoriteve civile dhe ushtarake greke. Ato ishin nxjerrë me forcë nga shtëpite dhe nga zotërimet e tyre pronësore, rrahur dhe detyruar me forcë që të emigronin. Shtëpitë e tyre ishin pushtuar nga refugjatët grekë, që ishin shkëmbyer me Turqinë nga grekët e Anatolisë dhe Trakës. Por pavarësisht ngjarjeve të mësipërme, Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive Aleate vendosi që çeshtjet e ngritura nga palët greke dhe shqiptare duhet të zgjidheshin drejtpëdrejtë nga dy qeveritë respektive, nepërmjet kanale diplomatike (PRO.FO.371.7332, C 17378, Eric Phipps, to the Marquess Curzon of Kedlestonm, Paris, December 18, 1922).

Marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ndryshuan edhe përiudhën nga muaji dhjetor 1922 dhe gjatë vitit 1923. Qeveria greke në këtë përiudhë vazhdoi t’i përmbahej qendrimit të mëparshëm të moskonsiderimit të krahinave të Korçës dhe Gjirokastrës si krahina të Shqipërisë. Banorëve të këtyre krahinave që shkonin në Greqi iu merreshin pasaportat shqiptare dhe zëvëndësoheshin me pasaporta greke. Qeveria greke gjithashtu thirri për të kryer shërbimin ushtarak grek, të rinjtë nga Shqipëria e Jugut të moshës 19-23 vjeç, që ishin rezidentë në Greqi. Pra, pavarësisht se Shqipëria dhe Greqia kishin vendosur marrëdhënie diplomatike dhe kishin shkëmbyer ambasadorët gjegjës, Greqia vazhdonte të sillej në mënyrë agresive ndaj Shqipërisë, integritetit të saj dhe shtetasve shqiptarë (PRO.FO.371.8531 C 7811, Report of the Commission of Enquiry on its work from December 19th, 1922 to February 1 st, 1923, The Enquiry in Southern Albania, Geneva Appril 6th, 1923). Kjo situatë nuk mund të zgjidhej pa një ndërhyrje energjike prej anës së fuqive perëndimore.

Dhe ndërhyrja e fuqive të mëdha erdhi, dhe siç duket pati ndikimin e vet rrethues ndaj obstruksionizmit të qeverisë së Greqisë: Vendosja e menjëhershme në funksion e Komisionit të Caktimit të Kufirit, do të ndante palët në konflikt dhe do të ndalonte përpjekjet e mëtejshme të Greqisë në Shqipërinë e Jugut. Bazuar në vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të datës 9 nëntor 1921, për fiksimin e kufijve të Shqipërisë, u ngrit Komisioni Ndërkombëtarë, të cilit iu ngarkua detyra për të vazhduar punën e Komisionit Ndërkombëtar të Caktimit të Kufirit të vitit 1913-1914 dhe për të kryer ndryshimet e përcaktuara nga Konferenca e Ambasadoreve e 9 nëntorit 1921. Në shtesë, përsa i përket kufirit të Shqipërisë me Greqinë, në përputhje me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të datës 1 shkurt 1922, Komisioni i mësipërm u udhëzua për përkufizonte kufirin deri në pikën ku Komisioni i vitit 1913-1914, e kishte përcaktuar me Protokollin e Firencës të 17 dhjetorit 1913. Më në fund, Komisioni u mblodh në Paris me 18 shkurt 1923 dhe ka qenë i përbërë, nga Gjeneral Enrico Tellini, Komisioneri Italian dhe Kryetar i Komisionit, Lt. Kolonel Frank Giles, Komisioneri Britanik, majori Emmanuel Perret, Komisioneri Francez. Përgjatë punës, përbërja e Komisionit është ndryshuar plotësisht. Komisioneri francez u ndryshua sapo filloi puna në vitin 1923; me 27 gusht të vitit 1923, Gjeneral Tellini, së bashku me oficerët e delegacionit italian u vranë në Delvinaki, kështu që delegacioni italian u rindërtua krejtësisht. Së fundi, me 1 maj 1925, Kolonel Giles u largua nga Komisioni për shkak se u caktua atashe ushtarak në Beograd, dhe për rrjedhojë, në fund të punimeve të komisionit, përbërja ka qenë si vijon: Gjeneral Pietro Gazzera, komisioner italian dhe kryetar, Kolonel Andre Ordioni, komisioner francez, dhe lt. Kolonel, Arthur B. Clough, komisioner britanik. Në shtesë, qeveritë kanë caktuar delegate për Komisionin: për Shqipërinë kanë qenë një mbas një: Mehdi bej Frashëri, Hajdar Libohova, Gjeneral Ali Kolonja, Major Bajram Fevzi, M. Berati; serish Mehdi bej Frashëri dhe Iliaz Vrioni. Për Greqinë, janë pasuar një mbas një, Lt. Kolonel Karkandjos, Lt. Kolonel Botsaris, lt. Kolonel Christos Avramides.

Përsa i përket kufirit jugor të Shqipërisë, pjesa e kufirit që asnjëherë nuk ishte studiuar terren ka qenë ajo nga bregu perëndimor i Liqenit të Ohrit, deri në Malin e Gramozit. Ndërsa pjesa nga Mali i Gramozit deri në Ngushticën e Korfuzit, ishte përkufizuar dhe shënuar në hartë sipas Protokollit të Firencës më 1913, por shenjues nuk ishin vendosur për të treguar kufirin në terren.

Në vitin 1924, nga muaji maj deri në muajin tetor, u realizua shënjimi i kufirit nga Liqeni i Prespës deri në Malin e Gramozit dhe kjo u pasua me evakuimin e trupave greke nga territori i Shqipërisë së pushtuar prej tyre. Më pas, nga muaji nëntor i vitit 1924 deri në shkurt 1925, Komisioni u angazua serish në Firencë, në përshkrimin e Protokollit të Kufirit Greko-Shqiptar (Protokolli i Dytë i Firencës). Ndërsa në mes përiudhës nga muaji prill 1925 deri në gusht të vitit 1925, vijuan bisedimet në Paris midis palëve të interesuara, me synim vendosjen e një marrëveshjeje për të gjitha çështjet që mbeteshin pezull për kufirin e shtetit të ri të Shqipërisë.

Duke qenë se bisedimet midis palëve të interesuar përsa i përket aspekteve të ndryshme në një protokoll special nuk patën sukses, Komisioni, në muajin dhjetor 1925, u detyrua t’ia nënshtrojë rastin Konferencës së Ambasadorëve për të marrë vendimin e tyre.

Në muajin korrik 1926, Komisioni u rimblodh dhe mori tekstin final të protokollit në fjalë nga Konferenca e Ambasadorëve. Me 30 korrik 1926, Komisioni mori pjesë në Konferencën e Ambasadorëve në Quai d’Orsay në Paris, ku u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të aktit final prej ambasadoreve të të gjitha vendeve dhe prej Ministrave të jashtëm të tre vendeve të interesuar, Greqisë, Jugosllavisë dhe Shqipërisë (PRO.FO.371. 11203, C9240/27/90, Delimitation of Albanian frontier, Albanian Frontier Commission, 1922-1925, Report on the Execution of the work). Përsa i përket kufirit me Greqinë, Konferenca e Ambasadorëve ruajti përcaktimit e Protokollit të Parë të Firencës, 17 dhjetor 1913.

Protokolli përfundimtar i kufirit i vitit 1926 (PRO.FO.371.11203).

Historia e mësipërme tregon se çështja e kufirit tokësor mes Shqipërisë dhe Greqisë është një rast i mbyllur dhe i çertifikuar prej më shumë se 90 vitesh. Në arkivat e diplomacisë perëndimore, gjendet i plotë dokumentacioni dhe hartat e sakta të Protokollit të Firencës dhe vendimit të 30 korrikut 1926. Kjo është arsyeja që asnjë negocim rregullues nuk mund të zhvillohet mbi kufirin tokësor në mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Përsa i perket kufirit detar ne Kanalin e Korfuzit: prej më shumë se 100 vitesh ekziston një metodologji, që ka krijuar precedence, ka krijuar strukturën e vet përkufizuese për njohjen e vijës ndarëse ujore në mes Shqipërisë dhe Greqisë, në pjesën veriore të Kanalit të Korfuzit. Kjo precedence është e lidhur me gjithë historinë ndarëse të vijës ujore mes kontinentit dhe ishullit, nga viti 1864, është e sanksionuar edhe në bisedimet dhe rakordimet përfundimtare mes fuqive të mëdha para Luftës së Parë Botërore. Në dy nga katër hartat e katër vilajeteve ku shtriheshin tokat shqiptare në prag të pavarësisë (1912, 1913), të ndërtuara nga një prej institucioneve më prestigjioze të gjeografisë, Institutit të Gjeografisë Ushtarake të Romës, tregohet një vijë ndarëse shumë e qartë në Kanalin e Korfuzit, që vijon qartësisht, si në pjesën veriore ashtu edhe në pjesën jugore, dhe që bashkohet me pjesën kontinentale, duke kaluar përmes ngushticës së Prevezës në P. Skile, dikund në mes të Gjirit të Artës ose të Ambrakisë (PRO.FO.925.21007).

Në qoftë se sot, në vitin 2018, duhet një dokument i shkruar mes dy vendeve para hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE, linja ndarëse nuk mund të devijojë pa marrë parasysh njohjen praktike të kufirit detar të konsoliduar nga historia pararëndëse. Kjo do të thotë se vija ndarëse kufitare në Kanalin e Korfuzit duhet të jetë e baraslarguar, edhe në pjesën veriore, në mesin e artë, në mes Ishullit të Korfuzit dhe Bregut shqiptar, pa llogaritur ishujt e vegjël të varësisë, në veri të Korfuzit (Ereikoussa, Othonoi, Mathraki). Këtu qendron gjithë sekreti i kërkesës greke: presion politik për të shmangur përkufizimin definiv të njohur ndërkombëtarisht, duke ndryshuar këtë parim. Në qoftë se matjet fillojnë nga Ereikoussa, Othonoi, Mathraki me Bregun shqiptar, e gjithë precedenca bie poshtë, Shqipëria humbet dhe zona naftëmbajtëse i kalon tërësisht Greqisë. Në qoftë se ndiqen parimet precedente, zona naftëmbajtëse do ketë të tjera të drejta shfrytëzim dhe integriteti territorial i Shqiperise nuk do të cënohet. Shqipëria ka leshuar mjaft territor nga lumi Thyamis/ Kalamas dhe deri në Kepin Stillos. Nuk besoj se është e përshtatshme që ekzistenca e një qeverie antieuropianiste, të korruptuar dhe kriminalizuar në Shqipëri të drejtuar nga Edi Rama dhe Ditmir Bushati, të shfrytëzohet si moment nga autoritetet e sotme greke, për të cënuar edhe më tej integritetin e shtetit shqiptar dhe tërësinë e tij territoriale. Taktikat venizelliste të viteve 1919-1926, janë të papranueshme në vitin 2018, kur dy vendet aderojne ne nje strukture strategjike.

Ndërkohë, negociatat me autoritetet zyrtare të Athinës nuk mund të lenë në hije të drejtat e shtetësisë, të pronësisë së Çamërisë, të shkollimit në gjuhën shqipe dhe të dygjuhësisë, së popullsisë ortodokse shqiptare në Epirin e Jugut aktual. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare duhet të angazhohet që të heqë dorë nga tjetërsimi i pronësisë së fshatrave shqiptare të Bregut (Palasë, Dhermi, Vuno, Himarë, etj.), ku po vërshojnë me grabitje “investitorët” e rinj socialistë, të pasuruar rishtazi gjatë viteve të Rilindjes së Kmerëve të Kuq të Bllokut. Respektimi i krahinës së Himares dhe traditave te saj fillon me respektimin e të drejtave të pronësisë së popullsisë autoktone të kësaj ane. Mbi këto linja duhet te mbeshtetet kompromisi historik dhe jo mbi cedim të përsëritur të territoreve të shtetit shqiptar, si « taksë » greke për hapjen e negociatave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.