SHKRUAR NGA GUSTAVE LE BON
Ndryshueshmëria e karakterit të racave dhe jo qëndrueshmëria e tyre duket se formon një rregull. Bazat e një dukje të tillë. Mosndryshimi i karakteristikave kryesore dhe ndryshimi i karakteristikave të dorës së dytë. Asimilimi i veçorive psikologike pa ndryshimin e shenjave dhe veçorive të ndryshueshme të llojeve. Mjedisi, rrethanat dhe edukata veprojnë në veçoritë anësore psikologjike. Mundësitë e fshehta të karakterit. Shembujt që na japin epokat e ndryshme. Njerëzit e terrorit. Kush mund të ishin ata në epoka të tjera. Si ngelën të pandryshuara, pavarësisht nga revolucionet, karakteret kombëtare. Shembuj të ndryshëm. Përmbyllje.
Vetëm duke studiuar me kujdes zhvillimin e qytetërimeve mund të përcaktohet qëndrueshmëria e karakteristikave të qëndrueshme psiçike të racave. Në shikim të parë, si rregull i përgjithshëm paraqitet ndryshueshmëria dhe jo qëndrueshmëria. Historia e popujve mund të na japë ndonjëherë shkak për të supozuar se shpirtrat e popujve herë pas here pësojnë ndryshime shumë të shpejta e shumë të rëndësishme. Për shembull, a nuk ju duket vallë se ka ndryshim të madh midis karakterit të një anglezi të kohës së Kromuellit dhe atij të një anglezi të kohës së tashme? A nuk është vallë për ju italiani i kohës së sotme i kujdesshëm dhe dinak, e që dallohet nga ai njeriu impulsiv dhe inatçor, siç na e përshkruan në kujtimet e tij Benvenuto Çelini? Por nuk po largohemi shumë. Kësaj radhe po kufizohemi brenda përbrenda Francës. Sa ndryshime të dukshme kanë ndodhur në karakterin e françezveve për një numër të papërfillshëm shekujsh dhe ndonjeherë edhe për pak vite? Cili është ai historian që nuk i ka vënë re ndryshimet në karakteret midis shekujve XVII dhe XVIII? Por edhe në ditët tona: a nuk ju duket vallë se ekziston një humnerë e madhe mes karaktereve të anëtarëve të papërkulur të konventës dhe skllevërve të bindur të Napoleonit? Në fakt, ata ishin po ata njerëz që i njihnim dikur dhe tash brenda disa viteve na duken krejt të ndryshuar.
Për të shpjeguar shkaqet e këtyre ndryshimeve, para së gjithash duhet të kujtojmë se lloji psikologjik, njësoj si edhe ai anatomik, përbëhet nga një numër i vogël veçorish bazë të pandryshueshme, rreth të cilave grupohen tipare anësore të ndryshueshme e të paqëndrueshme. Blegtori që e ndryshon strukturën e dukshme të një kafshe, apo kopshtari që e sharton pamjen e jashtme të një bime deri në atë shkallë saqë një sy i pastërvitur e dallon me vështirësi se cila bimë është, nuk i prekin aspak veçoritë bazë të llojit. Blegtori dhe kopshtari veprojnë vetëm mbi tiparet e tyre anësore. Pavarësisht nga ndërhyrjet, veçoritë bazë përpiqen gjithmonë të rishfaqen, në çdo brez të ri.
Edhe organizimi psiçik i një populli i ka veçoritë bazike po aq të pandryshueshme si edhe tiparet anatomike të llojeve, por, përveç kësaj, ai zotëron edhe veçori të shkallës së dytë që ndryshojnë shumë shpejt. Këto të fundit i ndryshon lehtë mjedisi, rrethanat, edukata dhe faktorët e jashtëm.
Gjithashtu duhet të mbajmë parasysh, dhe kjo është më e rëndësishmja, se në organizimin tonë psiçik kemi të dhëna të shumëllojshme të karakterit, të cilat, rrethanat nuk iu japin gjithmonë mundësi të zbulohen, por po qe se ato gjejnë rastësisht zbatim, atëherë në atë çast formohet një personalitet i ri, pak a shumë jetëshkurtër. Pikërisht me këtë shpjegohet fakti që në epokën e krizave të mëdha fetare e politike, vihen re të tilla ndryshime të çastit në karakter, saqë të duket se çdo gjë ka ndryshuar, si shijet, idetë, sjellja etj. Dhe vërtet, çdo gjë ndryshon aty për aty, si sipërfaqja e një liqeni të qetë që trazohet nga stuhia, por që nuk vazhdon gjatë dhe kthehet në qetësinë e vet të dikurshme.
Si pasojë e këtyre të dhënave të karakterit, e që vihen në veprim nga ngjarje të jashtëzakonshme, aktorët e krizave të mëdha fetare e politike na duken si qenie të larta në krahasim me ne, si kolosë, në krahasim me të cilët ne dalim si bastardë e mjeranë. Megjithatë, edhe ata kanë qenë njerëz si ne, te të cilët rrethanat i vunë në punë ato tipare të karakterit që i kanë të gjithë. Le të marrim për shembull këtu “gjigantët e konventës” që e sfidonin Europën e armatosur dhe i dërgonin kundërshtarët e tyre në gijotinë, për një kundërshtim sado të vogël. Në fakt, ata dikur ishin qytetarë të nderuar e paqësorë si edhe ne, e të cilët në kohë të zakonshme bënin brenda kabinetit apo zyrës së tyre një jetë shumë të qetë e monotone. Ngjarjet e veçanta i vunë në lëvizje disa qeliza të trurit të tyre, që në gjendje të zakonshme mbesin pa u përdorur, dhe kështu ata u bënë ato figurat kolosale që brezat e mëvonshëm nuk janë në gjendje t’i kuptojnë. Njëqind vjet më vonë, Robespieri do të kishte qenë pa dyshim një gjykatës i ndershëm dhe paqësorë, e shumë mik me priftin e tij. Fuke Tenvili, gjyqtar hetues, do kishte qenë ndoshta pak më i ashpër sesa kolegët e tij, por që me siguri do ta kishin vlerësuar shumë për zellin në ndjekjen e kriminelëve. Sen Zhysti do të kishte qenë një mësues i mrekullueshëm shkolle, i respektuar nga shefat e tij dhe shumë krenar për degët e palmave akademike që me siguri do t’i kishte marrë. Por, që të mos dyshojmë në ligjshmërinë e parashikimeve tona, mjafton të shohim atë që bëri Napoleoni me terroristët giakatarë të cilët nuk kishin arritur ende t’i prisnin kokën njëri-tjetrit. Pjesa më e madhe e tyre u bënë zyrtarë, pedagogë, gjykatës ose prefektë. Valët e ngritura nga shtrëngata që kemi përmendur më lart, u qetësuan dhe liqeni i trazuar mori prapë pamjen e tij të qetë.
Madje, edhe në epokat më të turbullta që shkaktuan ndryshimet më të çuditshme në personalitet, mundemi, që nën format e reja të gjejmë me lehtësi tiparet e racës. Mos vallë regjimi centralist, autoritar e despotik i jakobinëve të ashpër në realitet, dallohej shumë nga regjimi centralist, despotik e autoritar, që pesëmbëdhjetë shekuj me radhë monarki rrënjosën thellë në shpirtin e françezëve? Pas të gjitha revolucioneve të popujve latin, vjen gjithmonë ky zgjim i egër, kjo kërkesë e pashërueshme për të qenë i drejtuar, sepse në vetvete, ai përfaqëson sintezën e instikteve të racës. Napoleoni u bë sundimtar jo vetëm nëpërmjet aureolës së fitoreve të tij. Bile, kur ai e shndërroi republikën në diktaturë, instinktet e trashëguara të racës u shfaqën çdo ditë e me intensitet më të madh dhe po të mos kishte qenë ai oficer i artilerisë, për këtë punë do të kishte qenë i mjaftueshëm edhe ndonjë aventurier.
Pesëdhjetë vjet më vonë, mjaftoi që të shfaqej trashëgimtari i emrit të tij, që të mblidhte rreth vetes votat e një populli të tërë, një populli të sfilitur prej lirisë e që ishte i etur për skllavëri. Pra, nuk ishte brumi ai që e bëri Napoleonin, por shpirti i popullit i cili u fut pothuajse vullnetarisht nën thundrën e tij të hekurt.
“Që me shenjën e parë, shkruan Ten, françezët u futën nën zgjedhë dhe qëndrojnë nën të sikur të ishin në një pozicion të natyrshëm. Shtresat e ulëta si fshatarët dhe ushtarët, u futën aty me një besnikëri prej kafshësh. Shtresat e larta si aristokratët dhe nepunësit, me një bindje bizantine. Nga ana e republikanëve nuk u vu re asnjë rezistencë, përkundrazi, pikërisht midis tyre ai gjeti mjetet e tij më të mira të drejtimit të shtetit, si senatorët, deputetët, anëtarët e këshillit shtetèror, gjykatësit dhe gjithfarëlloj administratorësh. Për një çast, duke predikuar lirinë dhe barazinë, ai i kuptoi instinktet e tyre për sundim, etjen e tyre për të qenë të komanduar, për të shtypur dhe mbi të gjitha, te shumica e tyre, etjen për para, shfryrje të epsheve dhe kënaqësi. Midis delegatit të komitetit të shpëtimit publikë dhe ndonjë ministri, prefekti ose superprefekti të perandorisë, ekziston një ndryshim shumë i vogël. Është po ai njeri, por i veshur me kostume të ndryshme, në fillim me togën e revolucionarit, e mëpastaj me uniformën e nëpunësit”.
Po qe se ndikimi i mjedisit mbi njeriun duket kaq i madh, kjo ndodhë sepse ai ndikon kryesisht në veçoritë anësore e të përkohshme, ose në të dhënat ende të fshehta të karakterit për të cilat kemi folur më lart. Në të vërtetë, këto ndryshime nuk janë shumë të mëdha. Edhe njeriun më paqësor, nën ndikimin e urisë, mund ta egërsojmë e dëshpërojmë, e ta shtyjmë atë të bëjë lloj-lloj krimesh, e ndonjëherë, përmes urisë, e çojmë deri atje sa ai i ha të afërmit e vet. Por, a mundet që duke u bazuar në këtë që themi, të pohojmë se karakteri i tij i zakonshëm ka ndryshuar përfundimisht?
Nga fakti që kushtet e qytetërimit i çojnë disa popuj drejt luksit të tepruar dhe drejt të gjitha veseve tjera, ndërsa disa të tjerë drejt kërkesave shumë të mëdha e pa u dhënë mjete për t’i kënaqur ato, mund të shkaktohet një pakënaqësi e përgjithshme dhe një situatë jo e qetë do të veprojë mbi sjelljen dhe do të shkaktojë lloj-lloj përmbysjesh, por në këtë pakënaqësi e këto përmbysje, do të shfaqen gjithmonë tiparet bazë të racave. Anglezët e Shteteve të Bashkuara shfaqnin në kohën e grindjeve dhe luftës vëllavrasëse po atë kèmbëngulje, po atë energji të pamposhtur të cilën po e përdorin tani për themelimin e qyteteve, universiteteve e fabrikave. Karakteri nuk ka ndryshuar. Kanë ndryshuar vetëm kushtet te të cilët karakteri gjen zbatim.
Duke i shqyrtuar njërin pas tjetrit faktorët e ndryshëm, e që janë të aftë të veprojnë në formimin psiçik të popujve, ne mund të konstatojmë gjithmonë se ato veprojnë në anët dytësore e jo të përhershme të karakterit dhe nuk i prekin aspak tiparet e tij kryesore, ose i prekin ato vetëm me anë të grumbullimeve shumë të ngadalshme e të trashëgueshme.
Nga këto që thamë nuk mund të nxjerrim përfundimin se veçoritë psikologjike të racave nuk i nënshtrohen ndryshimeve, por vetëm atë që tamam si shenjat anatomike, kanë qëndrueshmëri të madhe dhe si pasojë e kësaj qëndrueshmërie, shpirti i racave ndryshon shumë ngadalë.