Ku thrret qameti

Shkruan: Edison YPI

Qameti thrret nga Tegu te tuneli Doktorit, ku autostrada nuk e ka në men të mbarojë as për 1 mijë vjet.
Qameti thrret nëpër rrugët e Shqipërisë ku nuk ka serbë të poshtër, as grekë të pabesë, por ka shqiptarë kërcënues që nuk të vjedhin vetëm nëse shohin makinën e Policisë kur kalon rastësisht.

Qameti thrret tek ndreqësi i drynave që të thotë se i duhet të shkojë çdo ditë tek rreth 30 shtëpi për të ndërruar fishekët e bravave të derës së jashtëme brenda të cilëve komshinjtë kanë injektuar atak të lëngët që është ngurtësuar dhe ka bllokuar fishekun duke e bërë të pamundur hapjen, kot, për qef.

Qameti thrret gjatë bisedës me një mik i cili të spjegon se buka që hamë bëhet nga bluarja e një gruri mashkull steril kokrrat e të cilit nuk mbijnë, megjithatë mbjellë në stepat e Rusisë, korrur në fushat e Turqisë, që mund të hahet vetëm ditën që blihet sepse të nesërmen shndrrohet në tutkall dhe duhen dhëmbë çeliku ta kafshosh.

Qameti thrret kur shajmë e mallkojmë me libër shtëpie e prag dere Europën dhe Amerikën që na kanë falur 2 shtete, Shqipërinë më 1912 dhe Kosovën më 1999.

Qameti thrret në shpirtrat e jo pak shqiptarëve të cilët n’at fillim të yxhymtë muar arratinë, por tani janë penduar, të rrinë nuk munden, të vijnë ju vjen turp.

Qameti thrret te e ashtuquajtura shoqëri civile, flliqësira grabitqare që pretendon të jetë jofitimprurëse, kjo shushunjë gjakpirëse që nuk ekziston për asnjë arësye tjetër përpos majmjes së krerëve përmes xhvatjes së taksapuesve tanë me ndihmën e papërtuar të të ngjajshmëve të tyre nëpër botë me të cilët ndajnë paret e vjedhura gjoja për promuovimin e vlerave qytetare, ndihmën e njerzve në nevojë, mbrojtjen e femrave nga dhunimi, dhe një mijë e një rrena të tjera.

Qameti thrret te restorantet e bllokut ku gjatë një gjoja dreke pune politika paguan gazetarët për shërbime të fëlliqta përmes gëlbazash ortografike që s’i ha as qeni.

Qameti thrret nëpër rrjetat sociale ku më tepër se gjysma e shqiptarëve frikacakë të armatosur me pseudonim, vjellin helm për njeritjetrin, japin mendime shterruese e bëjnë sugjerime të vlefëshme për çështje lokale dhe globale me rëndësi jetike për fatet e planetit.

Qameti thrret te disa blogje ku nuk kanë rëndësi shkrimet por vetëm komentet që spiunat e sigurimit bëjnë kundër emrave që autori rreh t’i godasi me pocaqinë skizofrenike të rradhës që e quan redaksional.

Qameti thrret te kafenetë e provincës dhe fshatrave ku nuk ka asnjë femër.

Qameti thrret në kokën e një vajze që nuk ka prekur kurrë një djalë, dhe stërmundohet ta bëjë këtë me të vetmen mënyrë komunikimi që njeh, me tekst të shkurtër, çka është e pamundur, dhe vajza vuan e do vuaj pambarim.

Qameti thrret në kokën e një djali që nuk ka prekur kurrë një vajzë…etj. etj. si ajo vajza më lart.

Qameti thrret në Kosovë, ku “çlirimtarët” vrasës dhe hajdutë me inspirim kurvist prej vitesh në krye vendit, janë më të mirë se ata që na ka rrejt menia se mund të ishin alternativa e dishepujve të kurvit, përjashto Nexhmedin Spahiun dhe ndonji tjetër, intelektualët që marrin lëmosha turqie ose serbie.

Qameti thrret në Maqedoninë perëndimore ku një shqiptar normal, për shkak të trysnisë së papërballueshme të trashanikëve patriotë llafazanë të padurueshëm, e ka të pamundur të merret me diçka në vend të vet, dhe ikën në Tiranë, Prishtinë, ose dikund tjetër në kurbet.

Qameti thrret në Myzeqe ku edhe pasi tu kesh rënë kryqetërthor fushave, edhe po të mos lësh portë katundi pa trokitur, nuk e gjen dot një sharqi të pa shartuar me kungull, për asnjë çmim.

Qameti thrret te disa femra të famshme pa asnjë meritë, asnjë zotësi, asnjë talent, mbi surratin e të cilave, pas përpjekjeve titanike disaorëshe, parrukjerja mezi ka arrit të zhgarravisi fotokopjen e fotokopjes së fotokopjes të shëmbëlltyrës së një biçim karakteri.

Qameti thrret te disa televizione ku po the një fjalë për kurvin, kurvizmin, spiunllëqet, sigurimin, torturat, burgjet, të hidhen në fyt, të thonë “ajo kohë ka kaluar, nuk duhet të shohim pas, duhet të shohim vetëm përpara”. Janë po ata legena, të po atyre televizioneve, që japin parreshtur dit’ e nat’ filma për të vjellë që ekzaltojnë kurvin dhe kurvizmin, pra e mbajnë shikimin vetëm pas.

Qameti thrret ku pothuaj të gjitha nyjet e politikës dhe pushtetit i kontrollojnë sorollopët e kurvit, bijtë dhe nipërit e nomenklaturës.

Qameti thrret ku një shoqëri që duhet të hapet po vazhdon të mbyllet e mbyllet pafund si lëmsh gjarpërinjsh në ndërzim.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top