KU ISHE TI…

Shkruan: Rexhep SHAHU

Edhe më i pandjeshmi sheh nëpër Kosovë djegie, shkatërrime gjithkund, veç duke udhëtuar rrugëve të saj, pa hyrë në thellësi. Përmasat e vërteta të dëmeve ende nuk dihen. Janë mijëra të vrarë, të parehatuar, mijëra të masakruar: fëmijë, gra e pleq, dhjetëra e qindra të dhunuara, qindra e mijëra të pakthyera, mijëra të humbur që s’dihet a janë kalbur në malet përgjatë kufirit Shqipëri-Kosovë, a janë në burgjet e Serbisë. Të gjithë në Kosovë janë pezull, janë në gjysmë…. Liria përgjysmë, ëndërra përgjysmë, gëzimi e hareja përgjysmë, trimëria përgjysmë, përgjegjësia përgjysmë, qartësia përgjysmë, Pavarësia diku tej pas disa vitesh nëse vërtet e dëshirojmë atë…
Të gjithë ngapak, (në mos shumë) janë të vrarë. Të gjithë pyesin: Ku jemi? Të gjithëve iu duket pak i pabesueshëm kthimi i rrufeshëm duke lënë me gisht në gojë organizatat e huaja (besoj është shenja më e sigurtë e pendesës për ikjen masive biblike…). Të gjithë paksa të hutuar. Gëzimi sikur ka frikë të derdhet shpengueshëm nëpër fytyrat e kosovarëve… Sepse i druhen njëri-tjetrit. I druhen pyejes dërrmuese. Ku ishe ti?

Pyet kështu krahu i një fëmije tre vjeçar që e nxjerr nga pusi kova e ujit (Trupi i foshnjës është shpërbërë…) Pyet kështu varri i këtij krahu e i copave të tjera të prera të këtij trupi njomëzak… Ku ishe ti, pyet gruaja burrin që e la atë me tufën e fëmijëve në shtëpi dhe vetë doli “në mal”. Erdhën serbët, masakruan fëmijët, e përdhunuan. Burri nuk u gjend pranë për ta shpëtuar, për t’i dalë zot apo për të marrë… të paktën hak. Se një pjesë e burrave u ndodhën në Perëndim për punë e patriotizëm, një pjesë doli në mal në radhët e UÇK-së, një pjesë erdhi për t’u bërë UÇK allasoj në Shqipëri (për t’u stërvitur nga kapterra, apo kolonelë të Shqipërisë që s’e dinë se çfarë ere i vjen luftës dhe për të hyrë pastaj në Kosovë e për t’u drejtuar nga “eprorë” të tjerë.

Ku ishe bir, pyet plaku që s’deshi e as mundi të vraponte për të ikur, po u vra në derë të kullës apo të oborrit duke bërë qëndresë, për të paguar veten… A mos ike në male me ruajt bythën tënde? Cili budalla kishte me të ndjekë pyjeve… Pse s’i dolët zot katundit, por e latë në fëmijë e gra…

Ku ishe vëlla, pyet motra e përdhunuar nga ushtarët e çetnikët, motra e vrarë… trupi i bukur i së cilës është kalbur në breg të Drinit të Bardhë? Ku ishit ju, u drejtohen banorët ushtarëve të UÇK-ës, kur ne na vunë në rresht e na përzunë për në Shqipëri e për në Maqedoni?

Po ju ku ishit, ua kthejnë me pyetje ushtarët e UÇK-së banorëve të Kosovës, që nuk i mbushët e nuk i shtuat radhët tona? Kaq pak djem sa dolën malit, ka Kosova për luftë…? Ku ishit ju prizrenalinj, ju turqeli, kur u dogj Tususi? A ju kujtohet çfarë bëhej në atë kohë tek Shatërvani, në kafetë bregut të Lumbardhit…? Ku ishit ju prishtinalij, kur digjej Qyqavica prej predhave apo kur kalleshin fshatrat e Drenicës?…

Ku ishit ju, u drejtohen fqinjtë e vdekur të gjallëve.
Ku ishit ju fshatra që s’u dogjët u drejtohen fshatrat e djegura të padjegurave. Kështu flitet sot nëpër Kosovë.
Ku ishit ju të gjallët thërrasin të vdekurit, të rënët. Mjaft më me fjalime para varreve e trupave tanë. A mos po ju duket vetja më trima, se sa ne…

Ku ishit ju? Ku ishit ju… rëndon mbi çdo shpirt kjo pyetje e rëndë e pazëshme e njëherësh gjithësunduese. Ku ishit ju… edhe ju ushtarë të Shqipërisë kur ne vriteshim pranë jush në kufirin Shqipëri-Kosovë. Ku ishe ti ushtri e Shqipërisë që sot zbukurohesh me dekorata… ju banorë të shtetit amë… Kjo pyetje tronditëse sillet përmbi kokat e të gjithëve dhe s’po i lë njerëzit të qetohen e të qartësohen. Kjo pyetje duket e pati bllokuar apo tromaksur turmën, pasi askush nuk e përmendi fjalën pavarësi në mitingun për Ollbrajtin, as në mitingun për Blerin, në Prishtinë. Ku ishit ju… Por edhe tani ku jeni ju djem të Kosovës që s’po na fusni nëpër shtëpitë tona thërrasin banorët e Mitrovicës që janë ndaluar të hyjnë në shtëpitë e tyre nga një grusht serbësh.

A veç një urë është mbi Iber… Njëqind mijë djem të Kosovës a s’bëjnë dot disa ura me trupat e tyre për t’i dërguar deri në banesat e tyre banorët e pafaj të Mitrovicës…?
Ku jeni bij të Kosovës, ju qytete e fshatra të tjera të Kosovës, thërret në kupë të qiellit Rahoveci që nuk i pranon trupat ruse të “infektuara” me krim serb, të hyjnë në Rahovec? …

Të vëmendshmit, pyetjen “Ku ishe ti”?, ia rrokin të gjithë shqisat kudo në Kosovën që gëzon lirinë përgjysmë…

* * *
Por kjo është vetëm njëra pamje. Ja edhe një pamje tjetër e parehatshme në tokën tonë të premtuar prej zotit. Njoftimet për zbulime varresh masive janë të përditshme e rrënqethëse. Zbulime, ekspertiza, rivarrime e zhvendosje varresh. Kosova po merret me të vdekurit, të masakruarit e saj. Ajo ka nëpër duar kufoma e varre, kazma e lopata, llaç e tulla, gozhda e sqepare… dhe nëpër këmbët e saj sillen të paturp këngëtarë e artistë, ndërkohë që askush nuk ka nge të merret me koncertet e tyre të gjoja festimit të lirisë… në të vërtetë koncert për një grusht marka…)

Formulat patriotike janë të njohura “T’ia heqim streset Kosovës”. “Të bëjmë koncert për të mbledhur fonde për të rindërtuar kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

Tek shëtisin nëpër Kosovë artistë të tillë fryhen si çlirimtarë mbi çlirimtarët. Dhe duken se e kanë të rrasur mendjen se këngët e Arif Vladit apo recitimet e Reshat Arbanës, të Ilir Shaqirit e Shkurte Fejzës, e kanë çliruar Kosovën. Kaq shpejt u harruan aeroplanët e Billit dhe të Blerit, të Solanës e të Klarkut, apo edhe pushkët e UÇK-së, pa të cilat, do t’u mbinte bari mbi varre të gjitha këngëve tona.

Nuk kompensohet mungesa e trimërisë me këngë trimërie.
Një gazetar i vjetër në Prishtinë (që kishte mbetur pa shtëpi e shumçka tjetër) më tha një ditë”… do të jepja 2000 marka, të mos e shihja këtë afishe koncerti në krah të kësaj afisheje për rivarrimin e 70 vetëve që do të bëhet nesër në një fshat të Skenderajt. Është rivrasje e të vrarëve. Nuk kanë shkak t’i gëzohen më shumë se ne lirisë tone këngëtarët nga Shqipëria… Nuk duam të na japin gajret me pare… Ne kemi vetë në Kosovë boll këngëtarë të mirë…”

Dhe këtë masakër entusiazte me gajde e klarinetë, po e organizojnë ato që s’u angazhuan në kohën e luftës gati dyvjeçare në Kosovë. Ose që madje ishin të lidhur me armikun dhe kërkojnë kësisoj të fshehin të kaluarën e tyre kolaboracioniste. Dhe shkojnë e bien pre e tyre edhe disa artistë të joshur prej fitimeve jo të vogla e premtimeve për një shtëpi në Prishtinë apo në Prizren se “na ke ngrit peshë me kenget e tua… me recitimet e tua… oj motër, or vëlla, or bacë…”

Organizatorët e këtyre masakrave entusiazte nëpër Kosovë përfitojnë nga toleranca e banorëve të saj të cilët tolerojnë dhe vazhdojnë të kenë ende dashuri idilike për shtetin amë, “për artistët e mëdhenj të kombit”. Emigrantët në Përëndim u kanë dhuruar miliona marka artistëve të tillë nëpër skenat e Europës, kur kanë dhënë koncerte për të degdisurit dherave të huaja e që në krahët e këngës bëheshin Mic Sokola e Sef Koshare…

Por sot është tjetër kohë, tjetër realitet.

“17 vetë të vrarë kam në fisin tim më thotë një plak në autobusin Prishtine – Prizren… 3 i kam të humbur, një zot e di se ku, 7 kulla i kam rrafsh për tokë të djegura. Edhe zogjtë e malit hë për hë s’po du me i nie… T’i rehatojmë njëherë të gjallët e të vdekurit… Kena vakt me knue bre burra. S’ashtë hana për kangë… Ashtë me e shtrëngue pushkën fort… Ejani shihni 17 vorret e mia. Hajde e pyetni ato vorre a po ua thonë çeto fjalë. Hajde se nuk e kam shtëpinë larg prej Prizrenit…”

* * *
Dhe vërtet. Ejani të flasim me varret.
……………………………………………………………………..

Shënim: Ky shkrim u shkrua dhe botua ne vitin 2000 tek gazeta “Albania” dhe ne librin “Marsi i minave”

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top