KU ISHE TI, ADAM?

SHKRUAR NGA MEHMET KRAJA

Mbi protestat, mbi migrimin, mbi zhgënjimin, mbi përgjegjësitë…

1.

Dua ta deklaroj vetë, që në fillim, se ky titull është i huajtur, i marrë nga një roman i Hajnrih Bëllit, i cili bënte përgjegjës edhe njeriun e parë të botës, për atë që kishte ndodhur në Gjermani gjatë kohës së nazizmit. E deklarova vetë këtë marrje, këtë “plagjiaturë”, sepse e di se shoqëria në të cilën jetoj nuk ka kapacitete morale të më gjykojë për këtë. Nuk ka sesi të bëjë këtë, sepse e tëra është e zhytur në mashtrim, në një erozion të paparë moral, në të cilin janë përfshirë të gjithë. Kosova, si kurrë më parë, është bërë gjenerator i gënjeshtrës dhe mashtrimit. Të gjithë gënjejmë dhe të gjithë jemi viktima të gënjeshtrës; të gjithë mashtrojmë dhe njëkohësisht jemi viktima mashtrimit.

Askush nuk ndjen përgjegjësi për asgjë. Gënjejnë dhe mashtrojnë kolegët e mi, të fushave të ndryshme të dijes dhe të artit, të kulturës dhe të krijimtarisë artistike dhe shkencore, të informimit dhe medies. Kolegët dhe miqtë e mi janë bërë dhe bëhen drejtues institucionesh, anëtarë komisionesh, bordesh, pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të shkatërrimit të vlerave. Një bandë partiake zëvendëson tjetrën; një klan interesash zëvendëson tjetrin. Disa syresh, në Universitet, në Akademi dhe gjetiu janë identifikuar si plagjiatorë me damkë; të tjerët nuk janë plagjiatorë, por mbrojtës të plagjiatorëve; të tretët qëndrojnë të pandjeshëm për shkatërrimin moral që përjeton ky vend. Aty diku zë vend edhe ndonjë arrivist, që e mendon veten si shpëtimtar të botës, por nuk është gjë më shumë se zjarrvënës. Gjendja e krijuar është azil i jashtëzakonshëm i vagabondëve, injorantëve, papunëtorëve, matrapazëve, derdimenëve, pushtave, kurvave dhe kurvarëve. Disa të tillë, të identifikuar si gënjeshtarë dhe mashtrues, janë futur nëpër institucione.

Janë të përshtatshëm për karrierë, sepse, duke qenë pa vlera, bëhen poltronë, militantë partiakë, shërbëtorë pa dinjitet. Zënë pozita vendimmarrëse dhe marrin pushtet. Sekush bën disertacione me para, dikush tjetër bëhet komision për t’i miratuar dhe për t’i laureuar kandidatët-hajna. Sekush blen disertacionin në Tiranë e Tetovë dhe merr tituj universitarë në Prishtinë. Dhe anasjelltas. Ka qenë gjithmonë në natyrën e gënjeshtarëve dhe mashtruesve që të synojnë ngjitjen e shpejtë në hierarkinë politike. Më rrallë kanë synuar hierarkinë akademike. Tani nuk të lënë vend askund: janë gjithandej të pranishëm, janë bërë shumicë dhe i mbrojnë interesat e tyre ndërvetshëm, në institucione të shtetit, të arsimit, të shkencës, të kulturës, në medie, gjithkund.

Askush nuk e do Kosovën, të gjithë janë vërsulur mbi të, si ai zogu-përbindësh, që ia hante shpretkën Prometheut të lidhur.
Po ti, ku ishe, Adam?

2.

Kosova u bë e pavarur, por tashmë askush nuk çan kokën për vlerën e kësaj pavarësie, sepse ajo është zhgënjyese deri në pendesë. Çlirimtarët u bënë pushtetarë, pushteti u shndërrua në hedonizëm dhe përfitim. Vetë çlirimtarët, me sjelljen e tyre arriviste, krijuan modelin më të shëmtuar të liberatorit. Rruga nga heronjtë te banditët në Kosovë u bë tepër e shkurtër. Kundërshtarët e çlirimtarëve, më anë tjetër, qëndruan në pritë dhe krijuan modelin e tyre gjithashtu të shëmtuar të bashkëfajtorëve me “duar të pastra”, gjoja pa përgjegjësi, por njësoj arrivistë si të parët. Tani Kosova është zhytur në barbari dhe primitivizëm. Askush nuk mund t’i edukojë këta delikuentë ordinerë, sepse Kosova nuk ka institucione kredibël për këtë. Pastaj, askush nuk e di se ku duhet filluar këtë proces. Pas luftës, ne dështuam të nisnim një lëvizje emancipuese. Tani është vonë, sepse duhet iluminuar vetë emancipuesit, dhe këtë nuk mund ta bëjë askush.

Ta merr mendja se Kosova, ndryshe nga çdo vend tjetër i botës, ka mbetur pa asnjë idealist.
Me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, pas luftës, krijuam institucionet, por i bëmë të tillë, që të të marrë vaji. Aplikuam gjerësisht të ashtuquajturin “seleksionim negativ”, të cilin e zbatonte te ne Serbia dhe Jugosllavia prej shumë dekadash. Nëpër institucione instaluam grupe të interesit, klane, banda, herë me emra të partive politike, herë pa to. Nëpër institucione vërshoi edhe një proveniencë rurale, me këmbët me bajga, që deri para pak kohësh e bënin nevojën pas gardhit. Por të gjithë kishin emërues të përbashkët zhvatjen, nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në interes të këtyre bandave bëmë edhe ligjet. Bashkësia ndërkombëtare, pavarësisht në e kishte emrin UNMIK, OSBE, EULEX, apo ndonjë emër tjetër, solli në Kosovë përvojat e veta më shkatërrimtare. Vendorë dhe ndërkombëtarë u bënë bashkë mbi parimin e ç’moralizimit të shoqërisë dhe të degradimit të qytetarisë. Dhe bënë çmos që të shlyejnë nga memoria historike atdhedashurinë. U krijua një gjeneratë e djemve dhe vajzave të UNMIK-ut, të cilët edhe tani kanë një pasion të jashtëzakonshëm për të përfituar pa bërë asnjë punë, dokrraxhinj të pashoq, me mungesë arsimimi bazë, por, mbi të gjitha, me një identitet të çoroditur. Bëmë aq sa mundem që një numri të rinjsh t’u japim arsimim kredibël, nëpër universitetet e botës. Respekt për përjashtimet, por shumica që u kthyen, krijuan modelin e “vagabondëve me shkollë”, të cilët janë ku e ku më harbutë e maskarenj bjerrakohës dhe përfitues pervers se ata të “shkollës vendore”. Shumica syresh, pasi rropën fondacionet dhe OJQ-të, me të njëjtin pasion iu vërsulen institucioneve, duke u shndërruar në militantë partish, por gjithmonë duke mbajtur atributin e shkatërruesve të etikës qytetare dhe të vlerave morale të kësaj shoqërie. Midis tyre do të gjeni shumë të tillë, që tashmë pa pikë turpi afishojnë me krenari origjinën e tyre prej bastardësh politikë, ideologjikë dhe kombëtarë. Ndonjëherë, si për ironi, quhen edhe shoqëri civile. Meqë ra fjala, shoqëria jonë civile proteston për të drejtat e qenve, por kur qenët e vrasin një fëmijë në Fushë-Kosovë, nuk ndihet e gjallë.

Bëmë edhe një numër mediesh dhe i fuqizuam ato me donacione, me mbështetje gjithfarëshe. Të gjithë përfunduan në lakej të zgjebosur, që u vardisen bizneseve, partive politike, qendrave të vendimmarrjes, dhe përpiqen të promovojnë ditë e natë pronarët e tyre, interesat e tyre politike dhe ekonomike. Analistët e këtyre medieve janë bërë kallauzë, bjerrakohës, që dinë gjithçka dhe nuk dinë asgjë. Vrasin pamëshirshëm lirinë e mendimit, profesionalizmin, dijen dhe kulturën kombëtare. Dhe qytetarinë. Promovojnë mediokritetet, kurrë pa ia ndalë. Dhe erozionin moral.
E ti, Adam, ku ishe?

3.

Klasa jonë politike është e prapambetur, e padijshme, e korruptuar, e çoroditur. Nuk arritëm të ndërtojmë një realitet tjetër politik, i cili do të kërkonte një klasë politike më cilësore. Përpiqemi të bëhemi vend demokratik dhe përmes votës së lirë të ndërtojmë institucionet e shtetit, por vota shpesh na mbetet në dorë, nuk dimë ku ta vendosim. Edhe nëse ia gjejmë një vend, ajo tashmë ka humbur çdo vlerë, sepse nuk është votë qytetare, është votë e manipuluar, votë e mungesës së vetëdijes politike. Më anë tjetër, të gjithë e dimë se klasa jonë politike prodhon institucione të brishta, gjeneron krizë, riciklon korrupsionin, është e lidhur me krimin e organizuar. Në këtë pikë nuk ka ndonjë ndryshim ndërmjet partive politike. Nuk ka as ndonjë ndryshim midis gjeneratave: shkollën e kleptomanisë, të gënjeshtrës dhe të mashtrimit, në këtë ambient shoqëror të rinjtë e mësojnë shumë shpejt. Dhe bëhen kampionë të sjelljes amorale.

Duke e parë këtë gjendje, mendja të shkon domosdo te protesta e fundit e “Vetëvendosjes”. Nuk ke si të mos marrësh një qëndrim rreth kësaj çështjeje, në mbështetje të protestës, ose kundër saj; në mbështetje të institucioneve, apo kundër tyre. Mund të bësh manovra politike, por në mbështetje të demokracisë do të pozicionohesh gjithsesi. Në radhë janë sloganet e njohura: e drejta e protestës është e drejtë demokratike; dhuna është e papranueshme. Punë e madhe se qenka e papranueshme! Sa gjëra të papranueshme kemi bërë në këtë vend, dhe prapë këtu jemi! Çështja është se kush me kë manipulon, kush është në avantazh dhe kush arriti të përfitojë politikisht nga kjo gjendje. Sa për frymën e protestës, mllefin, rebelimin, apo edhe për qëndrueshmërinë e institucioneve, shtetit ligjor etj. iu lumshin krahët atyre që hëngrën dajak, gurë, topa uji dhe gaz lotsjellës, nga të dy palët.
Lëvizja “Vetëvendosje” është e obsesionuar me mitet që i krijon vetë: duhet të vritet, që të mund të ringjallet. Ajo është lëvizje tipike revolucionare, pavarësisht nëse dikush e quan marksiste-leniniste, maoiste, çaveziste. Të tilla ka pasur në tërë Europën, tani ka në Serbi, në Bosnje, në Greqi. Lëvizjet e këtilla shuhen dhe vdesin, kur nuk rrënojnë, kur nuk gjuajnë me gurë, kur pjesëtarët e saj nuk i rreh policia. Më anë tjetër, në çdo vend do të gjenden dhjetë mijë njerëz të pakënaqur që t’iu bashkohen lëvizjeve të këtilla. Duke qenë lëvizje revolucionare, “Vetëvendosje” nuk mund të ketë program politik të qeverisjes, por vetëm të përmbysjes së pushteteve dhe qeverive. Këtë e ka dëshmuar dhe po e dëshmon në Prishtinë. Prishtina nuk ka qenë kurrë më keq, as në kohën e autsajderave të hershëm të LDK-së.

Fazë tjetër e veprimit të “Vetëvendosjes” është lëvizja ilegale, kruzhokët, shkrimi i teksteve programatike dhe shpërndarja ilegale e trakteve. Dhe një luftë e pakompromis kundër inteligjencies borgjeze, kulturës borgjeze, artit borgjez, qytetarisë, gjithnjë sipas modelit të revolucioneve proletare. Nëse i prin e mbara, mund të arrijë deri te Pol Poti dhe “kmerët e kuq”.
(Manifestimi në krah të “Vetëvendosjes” i AAK-së dhe “Nismës” është njëri nga deformimet më lapidare në skenën tonë politike. Si mund të jetë “Vetëvendosje” aleate e partive politike, të cilat deri dje ishin kampione të abuzimit me pushtetin, të kapjes dhe të përdorimit të shtetit, këtë nuk e kam të qartë.)

Siç mund të kuptohet, nga ana tjetër e barrikadës doemos qëndronte pushteti. Por te ne gjithmonë ka një problem, si në të gjitha vendet me demokraci të pazhvilluar: askush nuk e di saktë se ku mbaron pushteti dhe ku fillon shteti. Te ne më së paku. Paprekshmërinë e institucioneve të shtetit qytetarët tanë nuk e ndjejnë kurrë tamam, sepse e kemi të zaifët traditën dhe kulturën shtetërore. As ushtruesit e pushtetit nuk e dinë masën, deri në ç’shkallë mund t’i përdorin institucionet e shtetit për të mbrojtur pushtetin e tyre.

Në nivel teorik çdo gjë është e qartë, por për shumë njerëz nuk është e qartë pse u desh kjo batërdi për një ministër serb. Në të vërtetë, defekti qëndron te shteti i ndërtuar në këtë mënyrë: te bisedimet e Vjenës, te “Pakoja e Ahtisaarit”, te Kushtetuta. Ata që kanë marrë pjesë në bisedimet e Vjenës, tani as që duan t’ia dinë se çfarë kanë lënë prapa. Ata kanë emra, ne e dimë se kush janë. Por kjo ka pak rëndësi. U desh një protestë e “Vetëvendosjes” që procesi politik, veçmas sa i përket veriut të Kosovës, të kthehet pesë vjet prapa. Tani përsëri do t’ia nisim nga fillimi.
Adam, po ti ku ishe?

4.

Nuk besoj se ka qytetar normal të Kosovës, i cili nuk shfaq ndjeshmëri ndaj skenave të dhembshme të emigrimit, të ikjes. Emigrimin dhe ikjen nuk e shpikëm ne, por ne kemi ndjeshmëri më të madhe për këtë fenomen, sepse ikjet e këtilla na përkujtojnë kohët më të errëta të historisë. Ikje masive ka pasur dhe vazhdon të ketë Shqipëria, Serbia, Bosnja, Maqedonia, madje Rumania dhe Bullgaria, tash së fundi edhe Greqia. Por ikjet tona janë të shëmtuara edhe në pikëpamje “administrative”, sepse bëhen në mënyrë ilegale, me viza të blera ose të falsifikuara, ose pa to fare. Të tjerët kanë njohur procesin e liberalizimit, vetëm kosovarët BE-ja vazhdon t’i diskriminojë me kokëfortësi të çuditshme, sikur politikat e saj ndaj Kosovës t’i bënte Serbia. Eksodi më i ri nga Kosova është shumë kompleks dhe është i nxitur nga shumë faktorë, prandaj nuk mund të ndalet as me program qeveritar, as me program ekonomik, as me program social, as me polici, as demonstratë, as me ndërrimin e pushtetit, as me zgjedhje të reja, as me revolucion.

Madje, disa nga këto veprime mund ta bëjnë situatën edhe më keq. Kjo ndodh për shkak se faktorët që e kanë nxitur eksodin më të ri janë akumuluar për pesëmbëdhjetë vjet dhe nuk zhbëhen me asnjë magji: keqqeverisja, rrënimi ekonomik, papunësia, kapja dhe përdorimi i shtetit, demokracia e manipuluar, institucionet jofunksionale, shëndetësia e rrënuar, arsimi i shthurur. Pra, për të ndalur këtë eksod, duhet ribërë Kosovën. Dhe me kë do ta ribënim? Përsëri me ne, ndërsa ne jemi ata që e kemi vërtetuar një herë se punojmë keq. Në njëfarë mënyre, të gjithë jemi fajtorë. Por kjo nuk i amniston ata që e kanë pasur në dorë ta bëjnë këtë vend më të mirë, të mos i zhgënjejnë njerëzit deri në këtë shkallë. Natyrisht, një veprim i gjerë shoqëror, një program ekonomik, një program punësimi, por edhe një rikthim në Kosovë i bashkësisë ndërkombëtare me programe konkrete të mbështetjes do të mund ta bënte Kosovën vend më të mirë për të jetuar, ku njerëzit mund të kenë të ardhme.

Mirëpo, më anë tjetër, askush nuk e ka ndër mend t’i besojë një qeverie të tillë, e cila, ta zëmë, pa asnjë “preambulë” sociale, amniston pikërisht ata që kanë abuzuar me shtetin: borxhlinjtë e mëdhenj të tatimeve dhe doganave, firmat, ku pushtetarët janë ose bashkëpronarë, ose financojnë fushatat dhe mirëqenien e tyre. Gënjeshtra e opozitës, ndërkaq, se me 40 milion euro e ndal emigrimin, është një uverturë sado e largët për zhvatje tjetër ordinere. Ndërkohë, fqinji im pensionist, nga falja e borxhit fitoi rrafsh 200 euro të papaguara për ngrohje; fqinji tjetër i katit të katër, biznesmen, fitoi hiç më pak se 200 mijë euro. Fqinji pensionist ndihet i fyer, e ka shumë inat fqinjit biznesmen, i duket sikur paratë e falura janë marrë nga xhepi i tij, ndaj mallkon veten që nuk i ka dyzet vjet më pak, në mënyrë që edhe ai të marrë rrugën e ikjes pa kthim.

Dhe, fare në fund, po i pyete njerëzit, përse e bëmë Kosovën të këtillë, do të marrësh përgjigje nga më të ndryshmet: sekush ia lë përgjegjësinë bashkësisë ndërkombëtare, historisë, luftës, të kaluarës së largët dhe të afërt, Serbisë; dikush bën ekskursione meditative, dikush arsyeton, dikush gënjen qëllimshëm, por të gjithë përpiqen të minimizojnë përgjegjësinë e vet në këtë dështim.

Dhe nuk e pyesim veten: Ku ishe ti, Adam?

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top