Ku humbi emni Lumë?

Esse nga Prof. Miftar Spahija – Thaçi

Ku hupi emni Lumë?

“A ka pasë ndonji krahinë me emnin Lumë?

Ka pasë.

Të mirrna vesh qyshë në fillim të ktyne pyetjeve. S jam tue shkrue veç pse jam i lumjanë, por si shqiptarë, shiptarë, a shiftarë si kujtojnë serbët, se janë to na shá.

Emni Lumë hupi. Hupi se ashtu dashtën edhe duen komunistat shqiptarë me u ba qefin serbvet.

Po serbët nuk duen me e hupë emnin Lumë.

S ka njerë a komb ne botë qi të doje me i a hupë emnin anmikut.

Kur të leje carroki, babgjyshi e pvetë nipin: a e din kush ta ka vra babën? Ashtu si e pyette Man Bardheti Tafën.

Po due me thanë se ashtu pyetin gjeneralat serb kadetët e shkollave ushtarake: a e dijni ku i u thye korrizi ushtrisë serbe me 1912?

Në Lumë, në Lumë; te “Lumë Kulla”.

Por edhe Moti edhe Thoti (Fati), edhe Zoti u ndihi lumjanve. U mbushën shtretnat e tre lumejve me vërshimet e shinave vjeshtorë.

Bariu, Aj, Aj e gdhendi si në gurë at epope popullore”

Ç’ka ka Luma qi rredh gjak,

Po i thotë Drinit ndihëm pak.

Kërkush nuk din sa qinda, ndoshta mija ushtarë serb u mbytën prej vërshimit të Shëjes, të Lumës, të Drinit. Fjala asht se çdo serb, ushtarak apo shtetas i thjeshtë duhet ta dije ku hupën nja dhetë-pesmdhetëmi ushtarë. Fjala asht se gjaki i atyne 10-15mi djelmve Shumadijas duhet të tripohet (paguhet); të tripohet me gjak; mundsisht me gjak lumjani, me gjak shiftari.

E i erdhi dita, dita e zezë qi edhe po tripohet (paguhet). Kombi shqiptarë për pisk ka shpëtue pa u shkimë krejtsisht prej luftave Ballkanikë qi u batën me coptue Shqipninë. Po atherë mbassi serbët nuk dashtkan me i a hupë emnin Lumës, kush tjetër i a paska hupë?

I a kan hupë komunistat shqiptarë; ata vllazënt e Dushan Mugoshës e të Miladin Popoviçit; ata vllazën qi për 50 vjet shartuen edhe ngulën në zemër të shqiptarit dashuninë për serbin për serbin vllá, t atijë serbi qi dashti edhe don shdukjen e kombit shqiptarë.

E si shkrepë rêja e zezë po i vjen koha prap komunistit shqiptarë me e dishmue dashuninë për kombin serb. Ajo kohë qi vjeta 1997 qi po i ven damkën e zezë Shqipnisë kur në Vlonë po na vijnë shqiptarë prej Grekije të veshëm me uniformë greke e të pritun prej tjerësh shqiptarë qi nderojshin me 3 gishta për me i urue të mirën kombit serb, të serbit qi don shdukjen e kombit shqiptarë.

N ‘ato ditë të vjetës 1997 të “Revolucjonit të Vonuar”, nuk u muer vesh a jemi pernjimend në Vlonë, në Vlonën e vjetës 1912, apo në Vlonën greko-serbe të vjetës 1997 ku e kur u përclluen në zjarm dheta, qinda shqiptarë; e bile për me shue etin edhe tue u a thithë gjakun ne ballë si bani nji grue, nji deputete e popullit shqiptarë, nji ndër heroinat e “Revolucjonit të Vonuar”.

Kemi shum turpe, por turpi e tragjedija e Vlonës asht handraku i turpeve. U bâ Vlona çerdhja e grekve e e serbve me i thithë gjakun popullit shqiptarë. A të lavdohemi për kët çerdhe? A të krenohemi?

Pse mos u krenue? Çerdhja e “Revolucjonit të Vonuar” të vjetës 1997 asht tue vazhdue edhe sod me 2002; i ka shtri kthetrat edhe në Kosovë. Gjarpni i “Revolucjonit të Vonuar” përdihet nën dhê për me helmue gjakun e shqiptarit kud qi të jet.

Çka ndodhi në Lumë në vjeshtën e vjetës 1912? Nji mrekulli. Si në të kapërcyem po due me cekë se nqoftse ka pasë nji Luftë Popullore, ama krejtsisht popullore, ajo luftë ka ndodhë në Hurdhë të Lumës, ndërmjet Shejës së Biceve, Lumit të Lumës, e Drinit te Kulla e Lumës. Mija djelm, si thotë fjala 7 e më 70, qinda gra armatue me sakica, kmesa, drapij, fturq, u vërsulën në ushtarët e Serbisë qi kishin sulmue Lumën, keshe me përzanë turkun edhese s kishte asnji turk në Lumë!

Ato ditë nandori, at ditë vjeshte gufoj dashnija për liri, për troje të veta të çdo lumjani e cdo lumjanje të çfardo moshe të ishte. Serbi thonte luftoj me përzanë ushtarin turk, por e vërteta ishte me pushtue Shqipninë e me mbytë qinda mija shqiptarë, ashtu si ndodhi në senti (realitet).

Fjalën e kemi te emni Lumë. Pse sod nuk përdoret emni Lumë. Ku hupi ky emën? Pse hupi? Hupi qi mos të tinglloje ithtas në vesh të vllaut serb. Hupi se ashtu dashti Enveri qi dashti Miladinin si ta kishte vlla të gjakut. Çka donte ky Miladini në Shqipni? A kishte ardhë për të mirën e Shqipnisë apo të Serbisë?

Ky Miladini kishte ardhë me u a mbushë menden shqiptarve qi të hjekin dorë prej Kosove, Kosova n’at kohë qe e bashkueme me Shqipninë prej 1941 derë në nanduer 1944. Nuk i u dasht shum mundim Miladinit me i mbushë menden Enverit qi Kosova të jese nën sundimin serb. Si shpërblim Miladini e emnoi Enverin sekretarë të partisë komuniste shqiptare me fuqi absolute. Enveri dergoi gjakbasin kriminel Shefqet Peçin me shkue në Kosovë e me luftue krah për krah me vllaun serb kontra kosovarve qi s po u mbushet mendja se ndash me Serbinë ndash me Shqipninë asht njapërnja. Jemi vllazën komunista, vllazën serbo-shqiptarë!

Ky gjakbasi Shefqet para se me shkue në Kosovë me Brigadën e 5 të masakroi 23 buzmadhas; e shumta prej fisit të Laleve.

Tashti na ardhë pyetja e thjeshtë e qillimit të ktijë shkrimi: a duhet të hupe emni Lume? Jo; kurr jo. Luma ka unvetinë (individualitetin) e vet si e kan, të thona, Mati, Labrija e tjerat krahina.

Kur të duesh me shkue në Lumë thue jam tue shkue në Lumë, jo në Kukës. Mirëpo përdorimi i tashëm thotë jam tue shkue në Kukës nvense me thanë kthelltas në Lumë. Kukësi asht mbrenda në Lumë, jo Luma në Kukës. Lumës duhet t i kthehet emni i vet historik e gjeografik (dheshkrues) ndash t u ardhe keq komunistave ndash jo. Kto komunista na e shburrnuen e shkombsuen shqiptarin e na dhanë emnin e zi kudo në botë. Çdo i lumjanë kudo qi të jetë e ka për detyrë me bâ trusni me protesta e forma tjera qi ti kthehet Lumës emni i vet gjeografik e historik.  (31 korrik, 2002)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top