KRYEMINISTRI: DIALOGUN E UDHËHEQ UNË

Kryeministri Avdullah Hoti ka qëndruar sot në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku ka prezantuar platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun.

“Kornizë dialoguese që e kemi përshtatur brenda koalicionit dhe e kemi njoftuar opozitën. Atë që duhet ta kenë të qartë të gjithë, shpallja e pavarësisë është proces i përhershëm për të cilin nuk mund të negocioj askush. Ka pasur situata kur liderët nuk kanë qenë të qartë rreth këtij procesi, janë bërë flluska që nuk janë shkrirë, ndoshta për qëllim të mirë. Pikat e kornizës, jo platformë, pasi duhet të negociohet me të gjithë”, ka nënvizuar kryeministri.

“E kam ftuar opozitën dhe një pjesë nuk është përgjigjur e një pjesë ka ofruar bashkëpunim, por jo diçka konkrete. Dialogun e udhëheq kryeministri i vendit dhe në këtë pikë nuk do të bëj kurrfarë gare me askënd sepse kompetencat i kam të qarta dhe janë betonuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Hoti.

Parimi i parë, sipas Hotit është integriteti territorial i Kosovës, që është i panegociueshëm.

“E dyta: Marrëveshja të sigurojë që organizimi kushtetues dhe unitar i Kosovës të mbesë i panegociueshëm dhe tre; marrëveshja të jetë në frymën e kushtetutës”, tha Hoti.

Sipas Hotit, objektiv është njohja reciproke e përhershme dhe jo ajo e modelit të dy Gjermanive. Pra, njohje që siguron ulëse në OKB dhe njohjen e pesë vendeve të BE-së.

“Ne do ti adresojmë të gjitha çështjet e hapura, te pagjeturit, dëmet e luftës, etj.”, tha kryeministri.

Hoti gjithashtu ka theksuar se do të themelohet forumi me liderët politikë të të gjitha partive politike, ndërkaq brenda zyrës së kryeministrit do të formohet Këshilli i ekspertëve.

“Do të kërkojë nga Kuvendi të themelojë komision parlamentar për dialog të cilin duhet ta udhëheqë opozita. Gjithçka duhet të jet transparente, sepse ne nuk do të bisedojmë prapa dyerve të mbyllura”, ka thënë kryeministri.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top