SHKRUAN: Sefedin Krasniqi, KOORDINATOR I BALLIT KOMBËTAR DEMOKRAT NË ZVICËR DHE ANËTAR I SEKRETARIATIT KOORDINATOR NË MËRGIM
Më 26 maj 2016, Shqiptari.eu pat publikuar një shkrim të shkruar nën kujdesin dhe tastierën e Ibrahim Kelmendit. Edhe një herë, për të satën herë, lexuam kronologjinë e tradhtisë së madhe kombëtare të LPK-së dhe fraksioneve të saj. Më e mira është se për shumëçka, pak kush i beson Ibrahimit dhe LPK-ejcave që tash e 20 vjet e akuzojnë njëri-tjetrin për spiunim e tradhti për t’iu vërsulur të gjithë bashkë kundër gjithë të tjerëve. Për gati dy decenie gënjyen dhe tradhtuan për ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Kushdo që ka guxuar të thotë se s’kishte kurrfarë shtabi, por ai ishte vetëm fiktiv ose shtab i tradhtisë, është shpallur spiun e UDB-ash. Sa shumë është folur për një shtab që ekzistonte në Kosovë dhe u mistifikua aq tepër sa shpesh njerëzit kanë pyetur a janë njerëz sikur NE, anëtarët e këtij shtabi, apo janë shqiptarë jashtëtokësorë!? Kur u zbuluan emrat e tyre njerëzit mbeten pa mend. Ibrahim Kelmendi i ka përmend disa herë këta emra: Nait Hasanin (për “koordinator”), Rexhep Selimi, Xheladin Gashi, Sokol Bashota, Bislim Zogaj (anëtarë).
Posa t’i lexojë njeriu pyet, vallë ç‘grada ushtarake kanë pasur këta njerëz dhe ku e kanë mbaruar Akademinë Ushtarake? Në sa beteja kanë marrë pjesë? Sa i kanë fituar? A është e mundur që Adem Jashari, Salih Çekaj dhe Zahir Pajaziti (guerilët e parë të Kosovës) ishin ushtarë të këtij shtabi!? Nëse jo Ibrahimi, historia do ta vërtetojë se a u vranë këta komandantë të ditëve të para të çlirimit të Kosovës me urdhrin e spiunimin, pikërisht nga pjesëtarët të këtij shtabi?
LPK dhe shtabet e saj të UÇK-së sipas fraksioneve të vetë krerëve të LPK-së
Nëse u referohemi shkrimeve që kanë pa dritën deri sot, veç shtabit që e përmendëm më lart, dihet që ekzistonte edhe një Shtab i Përgjithshëm i UÇK-së që banonte, hante, pinte, e … dhe luftonte në hotel Rogner në Tiranë. Këtij shtabi Ibrahim Kelmendi po mundohet t’ia ndërroj emrin nga Shtabi i Rognerit në «shtabi» i Tiranës. Nuk ia di arsyen, veç nëse edhe ky ka banuar në Rogner në atë kohë dhe kështu po mundohet t’ia ndryshojë emrin për çështje personale.
Sidoqoftë, asgjë nuk ndryshon, të quhet «shtab» i Tiranës apo i Rognerit, të gjithë ishin të një kaste politike marksiste-leniniste që quhej LPK dhe Enver Hoxhën e kanë dashur më shumë se sa baballarët e tyre. Ndërsa, që mos të na hatërohen, po i ripërsërisim për të satën herë emrat e Shtabit të Rognerit që kryesorët ishin: Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli etj…, dhe në disa vende na paraqitet si hallvaxhi edhe Ali Ahmeti («I vërteti»). Ky shtab dihet që ishte në dorë të Fatos Nanos dhe Fatos Klosit. Këtyre dyve, Shtabi i Rognerit ua ka kthyer borxhin; të parit ia ka siguruar për jetë mundësin të luaj nëpër Casino-t më të mira të Evropës me lekët e kosovarëve të dhëna për çlirimin e Kosovës, e të dytit ia ka bërë një nder më të madh duke e shpallur veteran të UÇK-së.
Shtabi tjetër i fraksionit të LPK-së që mrizonte, gjithashtu në Tiranë, e nismën e kishte në Gjermani, ishte nën komandën e Ibrahim Kelmendit. Rreth Shtabit të Ibrahim Kelmendit vepronin këta ushtarakë: Xhafer Jashari, shef i logjistikës, zëvendësi i tij ka qenë Tahir Zejnullahu, Fadil Demiri, Ramadan Gashi, Binak Gashi, Agim Haziri, Skender Hasimja, Armando Arbana, Genc Kelmendi etj, (Kështu foli Tahir Zemaj, pjesa e dytë, fq. 66).
Ky shtab, sipas Ibrahim Kelmendit, i shërbente UÇK-së së “Vegjëlisë”. Një UÇK e shpikur nga Ibrahimi për nevoja të veta për t’u dalluar nga UÇK-ja e “Madhështisë” së Xhavitit e Azemit!
Edhe pse ankoheshin çdo ditë deri në qiell për mungesë të mjeteve materiale, këto shtabe nuk kanë pasur mungesë të lekëve sepse kishin me bollëk. Në të vërtetë kanë pasur mungesë të ushtarëve. Asnjëri Shtab, veç ndonjë anëtari të familjes, nuk kanë pasur ushtarë në Kosovë.
Këtë konglomerat shtabesh sipas fraksioneve të LPK-së, sekretari i saj, (Dega jashtë vendit, sepse në KS nuk kishte) Muhamet Kelmendi gjithashtu e ka përshkruar në librin e vet, të cilin unë e marr shpesh si shembull. Muhamet Kelmendi më duket që është njeriu më normal se të tjerët e LPK-së, i cili deklaron në hyrje të librit të vet kështu: “Një çështje po aq e rëndësishme sa edhe vetë krijimi i saj është padyshim edhe mbrojtja politike e juridike e UÇK-së nga LPK-ja,… » Muhameti duke ditur se fraksioneve dhe shtabeve të LPK-së që thirreshin në UÇK, kishte vendosur t’iu bëj një denoncim për vdekje, në fund të paragrafit të hyrjes shkruan kështu: « Nuk kam dëshirë që ky punim të keqkuptohet, në mënyrë që nga ai të kalohet në hakmarrje fizike, ndonëse as asaj nuk i frikësohem. Në të vërtetë Muhamet Kelmendi pikërisht «hakmarrjes fizike» i është frikësuar, sespe e ka ditur që të gjitha vrasjet e shqiptarëve, në emër të UÇK-së, i ka bërë LPK-ja dhe fraksionet e saj!
Gabimi më i madh i Muhamet Kelmendit është, sipas një bisede private që kam pasur me Bedri Islamin, kur në një TV të Kosovës thotë se UÇK është themeluar në banesën e Ali Ahmetit, në Zvicër!
Sa shtabe të UÇK-së, sipas fraksioneve të LPK-së vepronin në Tiranë?
Për të dhënë një pasqyrë lexuesit, detyrimisht duhet t’i referohemi librit “Kështu Foli Tahir Zemaj II”. Kështu, nga mesi i muajit qershor 1998 në LPK ekzistonin të paktën tri fraksione kryesore që udhëhiqeshin nga Ibrahim Kelmendi, Xhavit Haliti dhe Muhamet Kelmendi. Që të tri këto grupe instruktoheshin nga komesarë specialë të Partisë Socialiste, të Qeverisë së Shqipërisë së asaj kohe, të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe të shërbimeve speciale të ministrive të rendit dhe të mbrojtjes.
Publikisht janë paraqitur emrat e Bedri Islamit, Koço Danajt, Dilaver Goxhajt, Shaban Brahajt, Fatos Klosit dhe një pjesë e mirë e komunikatave të fillimit në emër të Shtabit të Përgjithshëm janë përpiluar nga Shaban Sinani, ish-zëdhënës i Ramiz Alisë.
Edhe fraksioni i LPK-së së Suedisë ishte aktiv, por nuk kishte arritur të ngrehte një Shtab të vetin dhe kështu i shërbente herë Shtabit të “Vegjëlisë” herë Shtabit të “Madhështisë” të Rognerit. Emrat e fraksionistëve të Suedisë i gjejmë në veprim herë te njëri, herë te tjetri shtab.
Të gjitha këto fraksione të LPK-së dhe shtabet e tyre të UÇK-së instruktoheshin nga komesarë specialë të Partisë Socialiste, të Qeverisë së Shqipërisë së asaj kohe, të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe të shërbimeve speciale të ministrive të rendit dhe të mbrojtjes.
Publikisht janë paraqitur emrat e Bedri Islamit, Koço Danajt, Dilaver Goxhajt, Shaban Brahaj, Fatos Klosi dhe një pjesë e mirë e komunikatave të fillimit në emër të Shtabit të Përgjithshëm janë përpiluar nga Shaban Sinani, ish-zëdhënës i Ramiz Alisë.(Kështu foli Tahir Zemaj pjesa II)
Të gjitha këto fraksione të LPK-së me ndihmën e emrave të lartcekur luftonin FARK-un e Ministrisë së Mbrojtjes të RK të cilin e udhëheqte Ahmet Krasniqi. Të gjitha fraksionet e LPK-së dhe shtabet e saj të UÇK-së, përveç institucioneve të lartpërmendura shqiptare të kohës, ndihmoheshin edhe nga shërbimi sekret serb UDB-ja. Kështu kishte deklaruar disa herë Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova! Pasi e vranë Ahmet Krasniqin, për të qenë ironia edhe më e madhe, duke u munduar ta diskreditojnë FARK-un, vetë udhëheqësit e këtyre shtabeve të LPK-së filluan të propagandojnë e denoncojnë se edhe kompjuteri i FARK-ut kishte përfunduar në ambasadën e Serbisë në Tiranë. Të shkretët kishin harruar që tashmë e kishin vra Ahmet Krasniqin dhe kishin bërë një marrëveshje më 11 nëntor 1998 me Bicin dhe FARK-u kishte kaluar në duart e tyre!!! Kështu denonconin vetveten, sepse teorikisht FARK-u kishte bërë marrëveshje me Shtabin e Rognerit, e praktikisht udhëhiqej nga Ibrahim Kelmendi, komandant i Shtabit të «vegjëlisë»!
Ibrahim Kelmendi, komandanti i UÇK-së së «Vegjëlisë» pasi ia la numrin shtabit të Rognerit të Xhavitit dhe Azemit tradhtinë në 19 pika, në fund bënë një përmbledhje se UÇK-ja e «Vegjëlisë» paska bërë një «luftë çlirimtare titanike kundër forcave pushtuese serbe dhe FARK-ut të Ahmet Krasniqit, Tahir Zemes…».
Në të vërtetë, FARK-u nuk ishte ushtri private e Ahmet Krasniqit, por ishte ushtri e MM së RK dhe u formua në bazë të Kushtetutës së Kaçanikut, të datës 7 shtator 1990.
Po këtë kushtetutë, LPK e kishte botuar në Bil/Bienne të Zvicrës dhe ia kishte besuar një Sefedini, që për koinçidencë, i ka futur në Kosovë 10 ekzemplarë, pikërisht me mua Sefedin Krasniqin (1991).
(Dhe, për ta shpëtuar këtë Sefedinin e LPK-së nga milicia e Serbisë, një natë i kam ruajtur unë ato ekzemplarë. Atë natë kam fjetur në shtëpinë e Xhevat Asllanit në Kodrën e Trimave në Prishtinë. Të nesërmen Sefedini i LPK-së ka ardhur dhe i ka marrë nga dora ime dhe si dhuratë ma ka falur një ekzemplar).