NË PRAG TË 100 VJETORIT TË MASAKRËS SË PRAPASHTICËS (11 JANAR 1921)
Ramadan N. Ibrahimi
(Pjesë nga libri “Masakra në Prapashticë dhe Keqekollë, janar, 1921”. Botimi I më 1996, dhe bot. II, më 2011)
Qëndrimi i ekspeditës ndëshkuese në Koliq
Pas masakrës në Sharban, eskadronët serbe të vdekjes kaluan në Koliq. 1 Në Koliq ushtria dhe xhandarmëria serbe qëndruan dy ditë, dhe gjatë këtij “pushimi” ata detajuan planet shfarosëse për qendrat e kryengritjes në brendi të Gallapit, siç konsideroheshin aso kohe Prapashtica dhe Keqekolla. 2 Siç u pa më vonë, krimet e shumta serbe të bëra në fshatrat e tjera krahasuar me plojën në Prapashticë dhe Keqekollë, do të duken vetëm si një “gjimnastikë e mëngjesit”. Gjatë qëndrimit në Koliq, serbët bënë disa krime siç është vrasja e dy kopranëve te Zharalitë, por fshati shpëtoj në përgjithësi pasi nuk ishte i planifikuar masakrimi në masë. Megjithatë paria e Koliqit nuk u shpëtoj dot shantazheve. Ajo u detyrua të grumbullonte një sasi të konsideruar ari për komandantin e operacionit, kolonelin Radovan Radoviq. Nga Koliqi ushtria dhe xhandarmëria serbe u larguan ditën e diel të 10 janarit 1921. Këtu ata u ndanë në dy grupe: njëra pjesë e reparteve ndëshkuese u nis për në Prapashticë, kurse pjesa tjetër për në Keqekollë. Komanda serbe kishte të dhëna të mjaftueshme për veprimtarinë e qetës së Tahir Ukës, si dhe për njerëzit dhe familjet me më shumë autoritet. Kështu, ditën e parë 10 janar (e diel rreth orës 16.oo) pas manovrimeve për ti bllokuar Prapashticën dhe Keqekollën, në Keqekollë ata masakruan familjen 9 anëtarësh të imamit të xhamisë së Prapashticës, Mulla Adem Emërllahut, ndërsa nipin e tij Mustafën, asokohe nënkryetar i komunës së Koliqit, e likuiduan po të njëjtën ditë te Kroni i Sallahajve. Po këtë ditë para mbrëmjes xhandarët masakruan edhe familjen Sallahu.3
Pushkatimi i burrave të Prapashticës dhe Keqekollës
Prapashtica dhe Keqekolla edhe ashtu të bllokuara nga bora e madhe dhe të ftohtit, u bllokuan nga ushtria dhe xhandarmëria ditën e diel (10 janar 1921), kurse ditën e hënë (11 janar), forcave qeveritare serbe u erdhën në ndihmë nga përtej kufiri forca të shumta paramilitare, përfshi këtu edhe familjet serbe dhe malazeze që më pas do të vendoseshin si kolonë. Ditën e parë pasdite (e diel), u thirrën të gjithë burrat e moshës madhore që të tuboheshin në lamën e kryengritësit Nazif Govori. Këtu ishte vendosur edhe Shtabi Komandues i njësive ndëshkuese. Atyre krahas premtimit që nuk do tu ndodhte gjë e keqe po që se nuk gjinden kaçakët (siç quheshin kryengritësit), u ishte tërhequr vërejtja që të mos mungonin, pasi kinse ushtria i kishte listat dhe më pas mundë ta pësonin. Që të dyja këto patën efektin e vet. Në tubim munguan një numër i vogël i burrave nga të dy fshatrat. Burrat e dy fshatrave, u mbajtën tërë natën e së dielës, ndërsa të hënën u pushkatuan në të njëjtën kohë në katër vende. Kolonat e fshatarëve të lidhur ishin të siguruara nga forca të shumta ushtarake dhe xhandarmërie. Burrat e Keqekollës sinjali që shënonte komandën për pushkatim (e që ishte krisma e topit te Liset) i gjeti përtej Prronit të Sukës afër lagjes Qorraj. Burrat e Prapashticës të ndarë sipas lagjeve sinjali i gjeti në tri vend e ekzekutimesh: Govorët te Prroni i Sukës, Cubajt te Xhehemet, Balajt te Baçaviat. Në të njëjtën kohë në katër vende ekzekutimesh pësuan tërë burrat e dy fyshtrave të mëdha për kohën. Cili është numri i burrave të lidhur dhe të pushkatuar për të dy fshatrat sot nuk mundë të dihet me saktësi për mungesë shënimesh të kohës, por saktësisht dihet që vetëm gjashtë apo shtatë veta kanë shpëtuar.
Masakrimi i familjeve
Pas pushkatimit të burrave të dy fshatrave, Keqekollës dhe Prapashticës, më nuk kishte rrezik nga ndonjë rezistencë e papritur, prandaj plani serb për shfarosje totale sidomos të Prapashticës, u realizua pikë për pikë dhe me lehtësi. Pasi burrat u pushkatuan nga ushtria dhe xhandarmëria, radha u erdhi forcave paramilitare dhe kolonëve të ardhshëm të ardhur nga përtej kufiri i vitit 1912, të tregonin aftësitë e tyre luftarake në gra , pleq dhe fëmijë. Këto banda të armatosura së bashku me ushtarët dhe xhandarët u lëshuan nëpër shtëpitë e pambrojtura të fshatarëve, dhe me tehun e thikës e flakën e zjarrit shkretuan gjithçka që gjetën para vetes. Metodat e përdorura nga ata ishin nga më çnjerëzoret. Ata ia rritën edhe më tej ”famën” vendit të tyre, me teknikën e përsosur për pastrimin e hapësirës. Pasi çdo gjë përfundoj në tehun e bajonetave, në plumbat e pushkëve, në shkrumbin e shtëpive apo në hunjtë e avllive, ushtria dhe xhandarmëria serbe u tërhoqën në drejtim të Ballabanit për të likuiduar mizorisht edhe familjen e madhe Prekorogja, dhe të tjera në Orllan dhe rrethinë. Në Prapashticë u plaçkitën dhe u dogjën 80 shtëpi, si dhe u shfaros një popullsi prej 1020 shqiptarësh të dy gjinive dhe të gjitha moshave. Në lagjen e Govorëve, lagje kjo që u soll buzë shfarosjes, masakra filloi së pari në familjen Salihu diku me të ngrysur të së hënës (11 janar). Xhandarë dhe civil të armatosur pasi nxorën jashtë gratë dhe fëmijët, morën plaçkën, dhe ia dhanë flakën shtëpisë. Të penduar që i nxorën që andej fëmijët dhe gratë, zunë ti qëllonin derisa ata po përpiqeshin të qanin borën e madhe. Tre katërqind metra larg shtëpisë u vranë nga serbët dy gra dhe një fëmijë: Hyra- nëna e Veli Salihut, Halimja – gruaja e Avdi Salihut të pushkatuar më parë te Prroni i Sukës, dhe Hatxheja 5-6 vjeçe. Halimja para se të vritej mbante në dorë djepin me fëmijën 5 – 6 javësh, Selimin. Asaj, kur e goditi plumbi, ende pa u përmbysur i rrëshqiti nga dora djepi me Selimin e vogël. Të shtënave mundi tu shpëtoj nëna e Hatixhes së vrarë, me ca fëmijë, duke ikur shkurreve dhe grykave, për të mbërritur të nesërmen në Koliq, pas mundimeve të mëdha. Serbët nuk u ndalën me kaq. Ata vazhduan më tutje duke plaçkitur atë që mundë të plaçkitej, për t’ia dhënë më pas flakën shtëpisë. Në të njëjtën kohë ushtarë, xhandarë, paramilitarë dhe civilë të tjerë serb, vazhduan të hyjnë në shtëpitë tjera të fshatit. Pran shtëpisë së saj u plagos për vdekje Qamilja ndërsa u vra djali i saj Ejup Arif Haziri. Vorbulla e masakrës i përfshiu familjet Ibrahim Govorit, Beqir Bajramit dhe të Qerimit, të cilat u shkuan në tehun thikës dhe zjarrin e shtëpive. Në familjen e Musë Govorit, u masakruan të nëntë anëtarët që u zunë brenda. Kufomat e tyre ditë më vonë në pa mundësi për ti varrosur, Musa i hodhi në një pus të thellë. Familja e Azem Azemit u dogj në tërësi. Serbët, me gjakftohtësi së pari i detyruan ta mbushin stallën me kashtë, dhe më pas i futën në të. Në zjarrin bubulak të stallës i dogjën të gjithë sa u ndodhën aty. Së bashku me familjen e Azemit, u dogj edhe vajza e Azemit, Mihanja me 5 fëmijët e saj. Mihanja ishte e martuar në një fshat tjetër, por për fat të keq qëlloj te prindërit. Gjithashtu këtu u dogjën, pasi u morën në shtëpitë e tyre, edhe dy vajza të Ajvazit, dhe vajza dymbëdhjetë vjeçe e Jasharit. Në familjen e Beqës së Bellës krahas të tjerëve pësoj edhe Arifja me katër fëmijët e saj. Arifja ishte e martuar në një fshat tjetër, kurse atë ditë kobi edhe kjo qëlloi te prindërit. Në familjen e Brahim Hazirit krahas anëtarëve të tjerë pësuan edhe katër fëmijë. Njësoj pësuan edhe katër anëtarë të familjes Behluli, familja Ajvazi, etj. Në katër familjet Dublaku (Kosumaj) u bë masakër e vërtetë. Të katër kryefamiljarët, Ferat, Murat, Hajrullah dhe Ramë Dublaku, u pushkatuan te Prroni i Sukës, kurse anëtarët e familjeve të tyre u therën, u dogjën ose u ngulën në hunj të avllisë. Në familjet e Ferat dhe Murat Dublakut pësuan katërmbëdhjetë anëtarë të dy gjinive, gra pleq dhe fëmijë. Në familjen e Hajrullah Dublakut pësuan nëna e Hajrullahut dhe dy fëmijë, njeri prej të cilëve u ngul në hu të avllisë. Po ashtu në tërësi pësoj familja e Ramë Dublakut. Nga këto katër familje të një trungu, dy u shuan përgjithmonë, ndërsa shpëtuan vetëm gruaja e Hajrullah Dublakut me të birin Selimin dhe… Familja trembëdhjetë anëtarësh e Hajdarit, familja nëntë anëtarësh e Bilallit, familja tetë anëtarësh e Mehmetit, familja nëntë anëtarësh e Hasanit, familja tetë anëtarësh e Hamitit dhe familja dhjetë anëtarësh e Ramës së Jasharit u therën dhe u dogjën më pas. Në të njëjtën kohë, dhe me intensitet të njëjtë u bë masakrimi i lagjes Cubaj. Edhe këtu metodat shfarosëse ishin të njëjta. Shumëkush pësoj në ikje e sipër, ndërsa të shumtët brenda shtëpive të tyre. Bora ishte e madhe dhe edhe po ta qaje gjurmët të mbeteshin prapa, ndërsa ushtarët, xhandarët dhe paramilitarët ishin mizëri. Në familjen Latifi në shtëpi të tyre pësuan katërmbëdhjetë anëtarë të të gjitha moshave dhe të dy gjinive. Latifi shpëtoi pasi nuk u ndodh në shtëpi. Po ashtu shpëtuan edhe dy djem të Latifit, Hyseni dhe Haziri. Hyseni në çastin e fundit mundi të ikë, kurse Haziri i vogël me pak fat, shpëtoi nën kufoma i paprekur nga plumbat dhe bajonetat. Kur Latifi u kthye në shtëpi, gjeti macen duke u ushqyer me mish njerëzish. Në familjen e Ahmetit të Zenës, u bë plojë e vërtetë. Prej tërë kësaj familjeje të madhe shpëtoi vetëm Ahmeti i vogël me të motrën, Razën. Këta pasi ikin nga shtëpia e tyre, kërkuan strehim në familjen e Nuredinit, por edhe këtu i gjeti dora gjakatare serbe. Në shtëpinë e Nuredinit kishin ardhur edhe të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë që kishin mundur të iknin nga plojat e bëra në shtëpitë e tyre. Sapo hynë ushtarët serb, qëlluan pa mëshirë. Këtu nën kufomat e të masakruarve, kryesisht gra dhe fëmijë, shpëtuan nën kufoma të paprekur nga plumbat Ahmeti i Zenës,10 vjeç, dhe Limani i Hetës 18 vjeç. Në shtëpinë e Rrustemajve e cila ishte po ashtu e mbushur me gra dhe fëmijë, serbët deshën ti djegin të gjithë, madje ata bartën edhe kashtën dhe e mbështetën për muret e shtëpisë. Këtu bashkë me të tjerë qe dërguar edhe Hafizi i Regjës me nënën e tij, Sofinë. Derisa të gjithë prisnin me ankth tmerrues shpërthimin e flakës, u shfaq në dritare një serb që e kishte shfrytëzuar errësirën për të mos u vërejtur. Ai u kërkoi të holla nëse donin tua hapte derën dhe të iknin. Fatmirësisht për atë mbrëmje (e hënë, 11 janar), të ëmës së Hafizit i qëlloi një lirë turke dhe me të bleu një natë jetë për veten, të birin dhe dhjetëra gra dhe fëmijë të tjerë. Serbi që mori lirën turke ua hapi derën, i këshilloi të vraponin pa zhurmë që të mos vëreheshin, dhe më pas kur ata u larguan sa për të mos u vërejtur, ia dha flakën shtëpisë. E keqja nuk mbaroi me kaq. Të nesërmen, e marte 12 janar, serbët grumbulluan familje të tëra të cilat nuk ishte vështirë ti gjeje pasi gjurmët mbi dëborë ishin të qarta. Edhe familja e Hafizit të Rexhës u zu si shumë të tjera. Duhet pasur parasysh që bora ishte e lartë mbi një metër, dhe acari i skajshëm. Fëmijët, pleqtë dhe gratë gjysmë të ngrirë gjendeshin kudo të përmbysur mbi dëborë. Xhandarët, çetnikët dhe ushtarët serb u venin pas gjurmëve dhe i gjenin të mërdhirë. Një zot e di sa gra fëmijë dhe pleq i sollën afër shtëpisë së djegur tashme të Rrustemit, dhe i shkuan në plumba dhe bajoneta. Hafizin e Rexhës e rrëmbeu një ushtarë serb, e ngriti lart dhe e hodhi larg mi borën e madhe. Aty, i ngulur në dëborë, i tmerruar dhe i mërdhirë, nuk ra në sy të vrastarëve. Në lëndinën në fjalë, u masakruan dhjetë anëtarë të familjes së Myrtës, nëntë anëtar të familjes së Limanit të Hetës, trembëdhjetë anëtarë të familjes Selimi, dymbëdhjetë anëtarë të Hafizit të Rexhës, etj. Familjet e Zenullahut dhe të Hajdarit të Ahmetit u dogjën për së gjalli. Flakët e shtëpive të tyre gllabëruan 14 anëtarët e familjes së Zenullahut dhe nëntë anëtarët e familjes së Hajdarit. Këto dy familje lëngonin në shtrat nga një sëmundje e rëndë. Në hirin e shtëpisë së Zenullahut, më pas u gjetën nën çerepë eshtra të karbonizuar. Fare afër këtyre dy familjeve të shuara, jetonin edhe dy pleq, Azemi i verbër dy sysh dhe gruaja e tij. Edhe pse shumë të vjetër, nuk u kursyen nga dora vrastare serbe. Familja 20 anëtarësh e Salihut të Ramës është djegur e tëra në zjarrin e shtëpisë.
Në shtëpinë e Rexhakëve, pas përfundimit të masakrës, ditë më pas, u deshën kazmat për ti ndarë kufomat prej njëra tjetrës. Ato të pleksura në gjak ishin ngrirë nga acari, dhe ishin ngjitur fort për njëra tjetrën. Në Familjen Uka u masakruan 12 anëtarë. Uka i Zeqirit ishte vrarë më parë, ndërsa të tjerët u masakruan në shtëpinë e tyre. Dinorja (40) u plagos për vdekje pak larg shtëpisë. Atë e lëshoj shpirti duke shikuar shtëpinë të digjej së bashku me të më të dashurit e sajë. Fat të njëjtë patën edhe familja pesëmbëdhjetë anëtarësh e Kadrisë, familja dhjetë anëtarësh e Osmanit, Familja e Halimit, ajo e Ademit, e Miftarit, e Hasanit , e Islamit… Familja shtatë anëtarësh e Qazimit të Fetahut u dogj e tëra me shtëpi dhe katandi. Nuk shpëtoj askush. Familja nëntë anëtarësh e Sadikut të Durmishit u shua e tëra. Familja dhjetë anëtarësh e Kajtazit të Avdullahut, e konsideruar si mbajtëse (jatake) e kryengritësve, pasi u masakrua barbarisht, u dogj në zjarrin e shtëpisë. Familja 20 anëtarësh e Hysen Xhakjes (strehuese e kryengritësve), pasi u torturua mizorisht, u ngujua brenda shtëpisë të cilës iu dha flaka. Një nënë tri herë e nxori jashtë një foshnje, dhe xhandarët dy herë e kthyen brenda, ndërsa herën e tretë e ngulën nga prapanica në majën e bajonetës, për ta bartur më pas si flamurë deri në Xheheme, rreth 5 kilometra rrugë. Familjet e masakruara të shënuara më lartë, nuk përbëjnë të plotë listën e familjeve të masakruara në Prapashticë. Lagjet Govor dhe Cubaj, kanë qenë lagje të mëdha. Ato pothuajse u zhdukën nga faqja e dheut edhe për faktin se janë të shtrira përtej Flurit në drejtim të Sukës dhe Lisicës, në terrenin lehtë të kontrollueshëm për forcat e ushtrisë serbe. Në Prapashticë sipas shtypit të kohës u dogjën 80 shtëpi dhe u vranë, u therën ose u dogjën 1020 njerëz të të gjitha moshave dhe të dy gjinive. Në Keqekollë masakra pati në të gjitha lagjet, por farefisnia Qorraj dhe ajo Sinanaj u sollën buzë shfarosjes. Fillimisht u masakruan familja e Mulla Adem Emërllahut dhe familja Sallahu.
Imam Ademi, 80 vjeç së bashku me të bijtë ( i biri Mustafa është vrarë te kroni i Sallahajve) dhe mbarë familjen nëntë anëtarësh, u masakruan në shtëpi të tyre. Kryexhandari Bozhidar Ballovci nuk kurseu as një foshnje në djep. Numri i të masakruarve në familjen Sallahu sot nuk dihet. Thuhet që familja Sallahu ishte e madhe në numër. Familjet Ademi dhe Sallahu u masakruan ditën e diel data 10 janar 1921, ndërsa të gjitha familjet tjera të Keqekollës janë masakruar një ditë më pas, të hënën e 11 janarit të vitit 1921. Në lagjen Sinanaj serbët dogjën pesë shtëpi së bashku me gjashtëdhjetepesë fëmijë gra dhe pleq. Gruas së Din Munishit dy xhandar ia qanë barkun për ta ndarë bastin e tyre nëse foshnja e pa lindur ishte djalë apo vajzë. Ditë më vonë kjo foshnje u bë pre e qenve. Në Lagjen Qorraj u masakruan 11 familje të tjera, por fatmirësisht nga secila prej tyre shpëtuan nga një apo dy pinjoj. Familja e Osman Tahirit humbi 7 anëtar, familja e Brahim Maliqit humbi 5 anëtarë, familja e Rexhep Maliqit humbi katër anëtarë, familja e Rashit Azemit humbi 7 anëtarë, familja e Ukë Nurës humbi 5 anëtarë, familja e Adem Nurës humbi 5 anëtarë, familja e Kadri Sadriut humbi 7 anëtarë, familja e Kosum Sadikut humbi 8 anëtarë, dhe familja e Idriz Zenelit humbi 5 anëtarë. Gjithsejtë në lagjen Qorraj pësuan 63 shqiptarë moshash të ndryshme dhe të dy gjinive. Në lagjen Qorraj nuk u prek fare familja e Jahës së Eminit, pasi ai atë kohë shërbente si xhandar dhe ishte pjesë e formacioneve famëkeqe që masakruan Llapin dhe Gallapin. Edhe te Miftarajt u bë masakër. Këtu krahas të gjithë burrave të pushkatuar u masakruan nga ushtria dhe xhandarmëria serbe, edhe 12 anëtarë moshash të ndryshme dhe të dy gjinive të familjes Mehmeti. Është vështirë të dihet numri i saktë i familjeve të zhdukura sidomos në Prapashticë. Shumë gjurmë trojesh të lënë të kuptosh që aty kanë jetuar edhe familje të tjera të cilat u shuan në janarin e vitit 1921. Mundë të thuhet që zjarri përpiu tetëdhjetë familje, nga të cilat mbi pesëdhjetë u shuan përgjithmonë. Nga rreth 200 familje sa kishte Prapashtica atëbotë, asnjë familje nuk shpëtoj pa të pushkatuar ose të masakruar. Rreth njëqindepesëdhjetë familje humbën më shumë se një anëtar, nga këto mbi njëqind humbën nga tre deri në njëzet e më shumë anëtarë. 4 Në Prapashticë edhe më tej vazhduan të sillen si hienat paramilitarët e Kostë Peqancit si dhe civilët serb, kolonët e ardhshëm. Të gjithë këta, të dehur nga plaçka, u lëshuan në rrëmbimin edhe të gjithçkaje që mundë të kishte mbetur pa u plaçkitur. Kështu ata plaçkitën së pari gjësendet e gjetura në trupat e burrave të pushkatuar si p.sh., kuti duhani, qelibar, e gjera të tjera që mundë tu ndodheshin në rroba. Ata po ashtu ua rrëmbyen stolitë grave të vrara madje edhe mësyshet fëmijëve të ngulur në hunj, apo të therur. Këto grupe shpesh hasën në njerëz të plagosur, fëmijë apo pleq gjysmë të ngrirë të mbetur në dëborën e madhe, por pa asnjë mëshirë të gjithë i shkuan në tehun e thikës. Të dehur pas plaçkës, pasi në Prapashticë nuk lan as pulë, as lopë, as dele as dhi, as kuaj, as qe, as qerre, as miell, as misër, as thekër, as enë, as rroba dhe gjësende të tjera të gjetura me bollëk, u sulën edhe në drejtim të lagjes Canaj të Marecit. Hordhitë plaçkitëse serbe kushedi se ku do të ndaleshin po të mos ktheheshin kaçakët e qetës së Tahir Ukës, të cilët aso kohe ishin të strehuar një pjesë në thellësitë e maleve të pafundme të Marecit, pjesa tjetër diku në Sfircë. E tërë kjo ngjau ditën e enjte, më 14 janar 1921. Këtë ditë u bë një përleshje e fortë në mes të kryengritësve (gjysmës së çetës së Tahir Ukës) që ndodhej e strehuar në thellësi të Marecit, dhe njësive paramilitare të Kostë Pëqancit. Paramilitarët të hutuar nga goditja e papritur, humbën orientimin duke lënë gjërat e grabitura. Pas disa përpjekjeve për tu riorganizuar, çetnikët zunë të tërhiqen me shpejtësi në drejtim të Lisicës. Thuhet që nga lagja Canaj e Marecit deri te kufiri i vitit 1912 mbetën të vrarë hiq më pak se 60 paramilitarë. Një shifër të tillë e ka pohuar edhe njëri nga luftëtarët më në zë në Gallap për kohën, Lil Zeneli – Prapashtica. Megjithëse aksioni i kaçakëve ishte shumë i vonuar, ai pati rëndësinë e vet.
Varrezat kolektive
Prej 10 janarit, dita e diel pasdite, kur u zhvillua masakrimi i familjes së mulla Ademit, deri në përfundim të operacionit, dita e enjte 14 janar, kur u tërhoqën edhe paramilitarët (ushtria dhe xhandarmëria janë tërhequr të mërkurën më 13 janar), numri i të masakruarve arriti shifra alarmante. Bilanci përfundimtarë është tmerrues. Në Keqekollë pos burrave të vrarë, pësuan në shumicë lagja Sinanaj dhe Qorraj. Në lagjen Qorraj shpëtoj vetëm familja e Jahës që aso kohe ishte xhandar. Banorët e shpëtuar të Keqekollës të vrarët e tyre i bartën nëpër varrezat e veta. Të masakruarit në lagjet Sinanaj u varrosën në tri varre të përbashkëta. Edhe ata të lagjes Qorraj, u varrosën në varre të përbashkëta. Në Prapashticë gati nuk kish mbetur njeri që mundë të hapte ndonjë varrë. Këtu varrimin e të masakruarve e bënë fshatarët vullnetarë të fshatrave tjera. Prej ditës së enjte, këtu erdhën numër i madh varrtarësh nga fshatrat tjera. Kufomat u varrosën pa u identifikuar dhe të shumtën aty ku gjendeshin. Të shumtët, sidomos gratë dhe fëmijët, s’kishte kush ti identifikonte. Po ashtu u gjetën aq shumë gjymtyrë të shkëputura dhe mbetje të karbonizuara, për identifikimin e të cilave as që mundë të bëhej fjalë. Vetëm për burrat, mundë të thuhet deri diku të jenë të identifikuar, pasi ata u pushkatuan në tri vende, dhe trupat e tyre ushtria i la ashtu mbi borë. Këta u varrosën në tri vende përkatëse, aty ku u pushkatuan. Burrat e lagjes Govor dhe Cubaj u varrosën në varreza të përbashkëta në vend ekzekutimet te Prroni i Sukës dhe te Xhehemet. Burrat e Lagjes Bala të pushkatuar në Baqavia, u bartën dhe u varrosën në Rusoli. Ata që u vranë, apo u therën në shtëpitë e tyre, u varrosën aty ku u gjenden kufomat ose eshtrat e tyre të djegur. Ka raste që në pamundësi të hapjes së varreve, kufomat ti varrosnin në puse të ujit të pijes (familja e Musë Jahës). Shumë familje nuk patën nevojë për varrtarë. Serbët i kishin djegur, në stalla e në shtëpi të tyre, kështu që nuk u gjet gjurmë më pas. Edhe pas përpjekjeve që të varroseshin të gjithë, kjo nuk ishte e mundur. Shumë njerëz ishin vrarë në ikje e sipër, apo kishin vdekur nga plagët e rënda duke u munduar të fshihen në dëborën e madhe. Për ceremoni fetare as që mundë të bëhej fjalë. Kufomat hidheshin në gropat e hapura pa kurrfarë rendi. Nevoja i detyronte varrtarët që mundësisht sa më shumë kufoma të groposnin. Kufoma të shumta fshehu dëbora e madhe. Varreza të shumta mbetën të cekëta dhe më vonë u hapën nga bishat e egra. Atë që nuk mundën ta kryejnë varrtarët e përfunduan bishat e egra dhe shpendët. Ditëve të ftohta të janarit dhe shkurtit, kanë rrëfyer dëshmitarët autentik, dëgjoheshin më shumë se kurrë ulërima ujqish e lehje qensh që ishin në numër më të madh se asnjëherë. Pas ngrohjes së motit, nëpër vende të ndryshme, sidomos në Prapashticë, hetohej aroma e rëndë e mbetjeve mortore të prishura. “Nuk ka gjë më të rëndë se era e mishit të njeriut kur zë të prishet”, kujtonin dëshmitarët e kohës. 5 Papashtica dhe Keqekolla, prej fshatrave me potencial të madh njerëzorë, për pak kohë u shndërruan në fshatra varrezash.
Sipas shënimeve të Nazim Gafurrit për Komitetin e Kosovës (dega për Prishtinë), në Prapashticë dhe Keqekollë janë vrarë 802 veta.6 Ndërsa sipas të dhënave që po ashtu ai i mblodhi për Shoqatën e Kombeve në Gjenevë, në Prapashticë, Keqekollë dhe fshatra të tjera të Gallapit dhe Llapit ishin vrarë 1020 veta. 7 Komiteti i Kosovës zhvilloj veprimtari mjaftë të madhe në ndriçimin dhe publikimin e kësaj masakre para opinionit botëror. Sipas të dhënave të këtij komiteti, vetëm në Prapashticë në janarin e vitit 1921 janë djegur 80 shtëpi dhe janë likuiduar 1020 njerëz, ndërsa në Keqekollë 574 njerëz. 8 Shtypin e kohës Nazim Gafurri e ka njoftuar atëbotë përmes gazetarit Feriz Bajrami, të cilin thuhet ta ketë paguar. Të dhënat për masakrën u publikuan së pari në gazetën “Hak” (organ i Xhemjetit) dhe më pas edhe nga agjencitë e huaja të lajmeve. 9 Masakrat serbe ndaj shqiptarëve të Gallapit dhe Llapit gjetën hapësirë mjaft të madhe në shtypin e kohës. Kështu krahas gazetës “Hak” organi i Xhemjetit, dhe kryesisht mbi bazën e të dhënave të kësaj gazete, për masakrat në fjalë ka shkruar gjerësisht edhe gazeta “PRAVDA” më 16. 2. 1921. Shkrimi përmban të dhëna tmerruese për numrin e të vrarëve, lagjeve të shkatërruara dhe fshatrave të fshira nga faqja e dheut. 10 Lidhur me masakrat në fjalë kanë shkruar edhe gazetat tjera të kohës si “RAD”, “Radniçke Novine”etj.11 Për ngjarjet në fjalë ka shkruar edhe shtypi shqiptar si “Besa shqyptare”, që dilte në Shkodër, “Dajti” në Tiranë etj. Në të gjitha këto gazeta janë publikuar të dhëna rrëqethëse me shifra të mëdha të vrarëve, dhe numër të madh fshatrash të djegura e të plaçkitura. Sidomos vend të posaçëm në faqet e shtypit të kohës zunë masakrat në Prapashticë, Keqekollë, Sharban, Bellopojë etj, ndërsa për Prapashticën, ato dhanë edhe mandatën për shuarjen e sajë. Qeveria Shqiptare është përpjekur të ngre zërin pranë institucioneve ndërkombëtare. Kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, Mithat Frashri, më 29. IV. 1921 duke ju drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, ka ngritur zërin kundër krimeve serbe në Kosovë. “Shqiptarëve, të cilët i banojnë territoret e veta, po u plaçkiten pasuritë e tyre, po ndiqen me dhunë prej fshatrave të tyre dhe në vend të tyre po vendosen kolonët rusë. gjatë tre Vetëm gjatë tre muajve të fundit më se 2.000 shqiptarë janë mbytur pa kurrfarë arsye, duke mos përmendur shtëpitë e tyre të shkatërruara, pasuritë e tyre janë plaçkitur, kështu që ata kanë qenë të detyruar të ikin dhe të vendosen në Shqipëri. Serbia ka proklamuar se familjet e atyre refugjatëve do të internohen dhe tërë pasuria e tyre do të konfiskohet”. 12 Po ashtu informatat për gjenocidin dhe etnocidin e paparë serb mbi shqiptarët, krahas depërtimit në shtyp, u bënë edhe objekt debatesh madje edhe në parlamente të qeverive të Evropës. Më 10. V. 1921. z. Albrey Herbert, bënë pyetje në parlamentin britanik për masakrat serbe ndaj shqiptarëve: “…Se a janë në dijeni se më 28 janar (data nuk është e saktë R. I.) dy batalione serbe të komanduara nga një major vajtën në fshatrat afër Prishtinës, Keqekollë, Prapashticë dhe Sharban, dhe pasi i dërguan banorët meshkuj të moshës prej 12 vjeç e lartë, afër një mali i masakruan me mitraloza. Pas kësaj kaluan në fshatra dhe ua futën zjarrin shtëpive si dhe i masakruan të gjitha gratë dhe fëmijët, duke i lënë vetëm 14 përjetues nga popullata prej 1.680 vetave në 320 shtëpi”. 13) Herbert më pas shtron pyetjen drejtuar qeverisë britanike nëse janë kërkuar ose jo informata nga qeveria jugosllave lidhur me këtë. 14 Edhe vet të mbijetuarit nuk kanë heshtur. Disa banorë të fshatit Prapashticë, në ankesën e tyre në vitin 1922, shkruajnë për vrasjen e fshatarëve të tyre, dhe se nëpunësit e Ministrisë së Reformës Agrare po ua masin tokat e tyre dhe po ua marrin. 15 Reagim të ngjashëm ka bëre edhe serbi me ide përparimtare, Kosta Novakoviq, dhe si rezultat i një reagimi të tillë shumë njerëzor, ai doli nga parlamenti i SKS-së i përgjakur. 16 Edhe Internacionalja Socialiste me seli në Moskë, duke dënuar sipas saj, qeverinë borgjeze të SKS-së, thekson shkatërrimin e fshatit të madh Prapashticë në të cilin siç thuhet nga ushtria serbe u dogjën 80 shtëpi dhe u masakruan mbi 1000 shqiptar. Ç’është e vërteta, sidomos Prapashtica u soll buzë shfarosjes, por falë këmbënguljes së asaj pjese të vogël të njerëzve që shpëtuan, u ripërtëri, mbase për ti paguar edhe më tej haraç historisë.
Krajatat e atyre që shpëtuan dhe kolonizimi
Njerëzit që në mënyra të ndryshme mundën ti iknin masakrimit, iu nënshtruan një dhune dhe një nënçmimi që se kishin përjetuar më parë. Ata u ndoqën nga shtëpitë e veta të djegura pa pasur mundësi të merrnin gjë me vete. Ishte ajo një ikje, një përpjekje për të shpëtuar jetën, sepse sulmi nëpër shtëpi i ushtrisë, xhandarmërisë dhe paramilitarëve serb ishte i befasishëm dhe i rrufeshëm. Shumica e të shpëtuarve qanë borën e madhe dhe u drejtuan në fshatrat e afërme. Këta kryesisht ishin fëmijë pa prindër, ose edhe gra pa fëmijë e burra. Në pjesën më të madhe fshatrat e rrethinës i morën në shtëpitë e tyre dhe bënë që këta ta mbijetonin dimrin e përgjakur të atij viti, për ti ripërtërirë më pas vatrat e tyre të shkrumbuara. Pati edhe raste të mungesës së dëshirës për tu ardhur në ndihmës fëmijëve të lemerisur, të mërdhirë, të uritur e në shumë raste edhe me plagë në trupat e tyre, me arsyetimin: ” me i shti n’shpi robt’ e kaçakëve, shkau na pret edhe neve”. Megjithatë këto janë raste të veçuara por shumë të njohura. Hiq rasteve të veçuara, pjesa dërmuese e banorëve të vendbanimeve përreth e më larg, morën në strehim të mbijetuarit që kishin mbetur pa mbështetje pa bukë dhe pa strehë. Një pjesë e atyre që mundën të shpëtojnë ikën drejt maleve të thella duke qëndruar me ditë pa ngrënë dhe të mërdhirë. ” Në Lugun e Arushës kemi qëndruar katër ditë, kurse më vonë shkuam në Koliq. Për njëzetenjë ditë të tëra qëndruam në shtëpinë e Selim Bicit. Gjatë qëndrimit në Lugë t’Arushës bora ishte e madhe dhe zjarri që e ndiznim e shkrinte atë deri në tokë. Kështu na largohej zjarri, dhe ne përsëri mërdhinim” rrëfente njëri nga fëmijët e mbijetuar. 16 Ishte kjo një ikje e dhembshme. Secilit i kishin mbetur të afërmit të vrarë, të prerë ose të djegur. Shumica nga të mbijetuarit kishin mbetur qyqe vetëm në këtë jetë pasi kishin humbur përgjithmonë familjet e tyre. “Për një kohë kemi qëndruar edhe në shtëpinë e Miletës së Velikës (serb) në Koliq.
Nga Mileta u kthyem n’Prapashticë te Azizi i Misimit të Balajve dhe aty e kaluam vjeshtën dhe dimrin. Në pranverën e vitit 1922 u kthyem në shtëpinë tonë, por aty qëndruam vetëm një muaj. Agrari na e mori tokën dhe ua dha malazezëve” vazhdon rrëfimi në fjalë.17 Më 1921 na preu Yrrfia e Radoviqit. Tokat e mbjella në vjeshtën e vitit 1920, në verën dhe vjeshtën e vitit 1921 i kori me angari ushtria dhe xhandarmëria serbe. Kështu, pasi fshatrat u “pastruan” nga pjesa më e madhe e popullsisë, pasi u dogjën shumica e shtëpive (një pjesë e shtëpive që ishin më të mira u kursyen me qëllim që kolonët të vendoseshin në to), pasi u rrëmbyen të gjitha shtazët, mjetet e punës dhe gjësendet e tjera që mundë të gjendeshin, pak muaj më pas në vjeshtën e vitit 1921 u plaçkitën përsëri. Këtë herë fshatarëve iu morë edhe drithi i mbjellë një vit më parë. Gruri i grumbulluar (dhe drithërat tjera) u grumbulluan në vende të caktuara për t’u përdorur për nevojat e xhandarmërisë dhe ushtrisë, por edhe për t’ua dhënë kolonëve serb e malazez që vinin. Pati edhe ndonjë rast kur ndonjëri prej fshatarëve të mbijetuar mundi ta nxjerr drithin e vet, por vetëm pas ecejakeve të shumta. Një grua e familjes Gajtani së bashku me të birin kishte shkuar te naçallniku në Podujevë me qëllim që të kërkonte kthimin e drithit të konfiskuar. Naçallniku arsyetohej duke i thënë “ti si zhena kaçaka ( ti je grua e kaçakut) edhe pse burrin e sajë e kishte rekrutuar ushtria serbe gjatë vitit 1914 dhe më nuk ishte kthyer në shtëpi.18 Këto arsyetime bazoheshin në ligjet për kaçakët. Thënë shkurt, zbatimi i anës formale ligjore shfrytëzohej si masë për marrjen me forcë të pasurive të huaja.19 Krajatat e familjes Gajtani i kanë përjetuar të gjithë të mbijetuarit në fshatrat e masakruara të Gallapit dhe Llapit. “Mbasi na ndoqën, kemi ndërruar, në mos paça harruar, diku 18 vendbanime”-Rrëfente i mbijetuari i familjes Latifi, Hazir Latifi.20 Pinjollë të shumtë të familjeve mbetën të rriten në fshatra tjera të afërme, te të afërmit e vet. Të tjerë u detyruan të adaptojnë për jetesë vende që më parë nuk kanë qenë të punuara. U detyruan që për tokë buke të qelin pjesë të maleve ose therrishtesh. Tërë kjo u ndodhte pronarëve legjitim të tokave në të cilat pushteti serb kishte ngulur familje të shumta kolone, pjesa më e madhe e të cilave madje ishin të kriminalizuar. Nëpër gazeta dhe studime serbe edhe sot vazhdon avazi vajtues për gjoja vuajtjet e kolonëve për të përshtatur tokat djerrina dhe të vështira. E vërteta është se tokat më të mira pushteti serb me dhunë ua mori fshatrave shqiptarë për t’ua dhënë kolonëve, kurse ata, shqiptarët, që mundën të nxjerrin lëkurën nga vatrat e shkrumbit të shtëpive të tyre 21 ishin ata që thyen kurrizin për të qelë toka të reja buke në të cilat sërish nuk ishin të sigurt, pasi mundë të ndiqeshin edhe nga aty. Fshatrat e shkretuara nga ekspedita ndëshkuese e janarit të vitit 1921 u lanë në dispozicion të komisioneve të Reformës Agrare, reformë kjo e cila nuk ishte asgjë tjetër pos vazhdim i asaj nga viti 1912. 22 Në masakrimin e Keqekollës dhe Prapashticës morën pjesë edhe njerëz (serb dhe malazez) të cilëve u ishin premtuar tokat e shqiptarëve, 23 prandaj ata ishin mjaftë të zellshëm në kryerjen e detyrës që u ishte caktuar. Ata, madje u përdorën që me forcë , në rast nevoje, të mbrojnë tokat e grabitura. “Kishte raste që gjatë luftës ( së xhandarmërisë, ushtrisë dhe çetnikëve serb) me kaçakët shqiptar, fshatarët iknin në mal ose strehoheshin në fshatin tjetër dhe, pasi që gjendja të qetësohej, ktheheshin në pasuritë e veta por, ndonjëherë aty i gjenin kolonët, të cilët me ndihmën e organeve policore hynin në shtëpitë e tyre.24 “Në fshatin Prapashticë, pas shuarjes së kryengritjes së Llapit, ku janë përdorë edhe topat , dhe ku asnjë shtëpi s’mbeti e padëmtuar, organet i vendosën, ose thënë më mirë lejuan që të vendosen 22 familje jabllanicase, para së gjithash si mbrojtës të rendit dhe qetësisë”.25 Shumë familje shqiptare që ishin kthyer sërish, qëndruan vetëm një kohë të shkurtër në shtëpitë e tyre, pasi shumë shpejt u ndoqën nga aty. “Në muajin e Ramazanit erdhën kolonët grumbull me vendime në duar (këtë muaj e kaluam në shtëpinë tonë). Këta erdhën Natën e Bajramit. Së pari shkuan te Sadiku i Behramit të cilit i thanë që nesër duhej te ikte, sepse ajo tokë dhe shtëpi më nuk ishin të tijat. Ditën e Bajramit t’Madh një grup tjetër kolonësh erdhën edhe te ne. Ata na larguan me dhunë nga shtëpitë dhe tokat tona”, rrëfen Salihi i Behramit i mbijetuar. Komisionet e Reformës Agrare e kryen punën e vet pikërisht sipas udhëzimeve që kishin. Sipas normave ligjore në fuqi, ishte e pamundur që vendimet e komisioneve të hidheshin. Kjo më së miri u dëshmua në rastin e Prapashticës. ” Më vonë pas ankesës së shqiptarëve dhe intervenimit të deputetëve popullorë, ministri i Reformës Agrare e suspendoi kolonizimin e Prapashticës, dhe urdhëroi policinë t’i largoj kolonët. Por, organet më të ulëta agrare gjetën mënyrën për arsyetimin formal dhe legjitimimin e kolonizimit, për ti mbrojtur kështu interesat e kolonëve, të cilët ishin të gatshëm që me armë në dorë ti mbrojnë pozitat e veta të fituara me gjak…Kjo vërteton se në Kosovë nuk mundë të aplikoheshin aktet ligjore nëse organet lokale shtetërore dhe policore kishin qëndrim të kundërt.” 26 Komisionet i thirrën edhe kryepleqtë që të vërtetojnë se në këto fshatra kishte shtëpi dhe toka pa zot, dhe toka të lëna. Ndodhi që përmes shant-azheve të merrej vërtetimi për tokat që kishin mbetur të shkretuara. Kërcënimi ishte me likuidimin e kryepleqve dhe të familjeve të tyre, Shantazhi bëhej me obligime të mëdha tatimore. Konkretisht u thuhej se për gjithë tokën që nuk kanë pronarë të gjallë, kryepleqtë do të ngarkoheshin me tatim.27 Në Keqekollë në periudhën 1921 – 1941 u vendosën pesë familje kolone, ndërsa në Prapashticë në të njëjtën periudhë u vendosën 49 familje kolone. Kjo s’përputhje e kolonizimit të këtyre dy fshatrave, mbase vjen edhe nga fakti që pjesa dërmuese e Prapashticës ishte pastruar gjatë masakrës nga elementi shqiptarë, dhe nga pozita dominuese strategjike e këtij fshati. Pas vendosjes së kolonëve, pasuan ankesat e njëpasnjëshme të fshatarëve drejtuar organeve agrare serbe. Ankesat bëheshin në forma individuale, por pati edhe ankesa kolektive. Ato ishin të përcjella me dokumentacionin përkatës, tapitë turke, si dëshmi që tokat ishin të tyre që para pushtimit serb të Kosovës më 1912. Procedura lidhur me kolonizimin kundërligjor të Prapashticës zgjati deri në vitin 1927 kur u zgjidh në favor të kolonëve. Shqiptarët, pronarë të shtëpive dhe tokës, mbetën pa shtëpitë dhe tokën e tyre. 28 Nuk kishte mundësi që ky rast të zgjidhej ndryshe, pasi që në bazë të ligjeve të të njëjtit shtet, dhe me qëllim që të realizohej dominimi nacional ndaj shqiptarëve, ishte bërë edhe ploja e përgjakshme në këto fshatra. Edhe në proklamatën me të cilën kaçakët thirreshin që të dorëzohen me premtimin se do të falen, të gjithë ata që deri në afatin e caktuar nuk do të dorëzoheshin, kërcënoheshin me internimin e familjeve të tyre dhe ndëshkimin e fshatrave që u ndihmonin atyre, kaçakëve”. 29
Tokat më të mira iu ndanë kolonëve, kurse rajonet që ishin më të vështira për punë dhe ku toka ishte e një kategorie të dobët, u mbeti shqiptarëve. Mirëpo ata, shqiptarët nuk ishin të qetë as këtu. Ndiqeshin dhe persekutoheshin për asgjë. Shtëpitë e reja të kolonëve u ndërtuan me drunjtë e maleve që deri dje ishin pronë e shqiptarëve. Baza tatimore për pronat e shqiptarëve ishte jashtëzakonisht e madhe, kurse për kolonët serb dhe malazez nuk kishte tatim. “Pasi që kolonët ishin të liruar nga tatimi për dhjetë vite, i tërë tatimi binte mbi vendës…organet tatimore nuk donin që shqiptarët t’i lirojnë nga tatimet për tokat të cilat u ishin marrë dhe u ishin dhënë kolonëve. 15) Tokat që u kishin mbetur fshatarëve shqiptarë nuk mjaftonin për ta nxjerrë bukën e gojës, prandaj ata ishin të detyruar që të merrnin rrugët për të kërkuar vend dhe punë për jetesë. Mirëpo, ushtria dhe xhandarmëria i ndiqnin sidomos ata që nuk ishin vendas, duke i konsideruar si të ikur nga pushteti. Shqiptarët ishin të detyruar që tokën e tyre të rrëmbyer ta punonin përgjysmë, domethënë, shqiptarët punonin kurse kolonët jetonin nga djersa e tyre. ” Shqiptarët jo vetëm që i mbanin me punë dhe ushqim, por mundë të rriheshin, burgoseshin, madje edhe të vriteshin për një cikërrimë. Jetonin si robër”.30
1 Në ekspeditat ndëshkuese ishin edhe disa xhandarë shqiptarë. Këta ishin: Sherif Bajram Berisha, Mujë Quni, Ibrahim Zekolli, Azem Lëkuroshi, Jahë Emini e ndonjë tjetër. Për shërbim të posaçëm pas masakrave u shpërblye me post politik xhandari Sherif B. Berisha.