Shkruar nga Kastriot Dervishi
Më 16.7.1921, Këshilli Kombëtar (parlamenti) i Shqipërisë diskutoi mbi përgjigjen që do u dërgohej parlamentit jugosllav mbi masakrat kundër shqiptarëve të Kosovës. Diskutuan deputetët Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Hoxha Kadri, Ali Këlcyra, Rexhep Mitrovica, Haxhi Jusuf Banka, Leonidha Koja, Irfan Ohri, Mustafa Kruja, At Gjergj Fishta. Deklarata më e çuditshme ishte ajo e deputetit Stavro Vinjau, i cili në të vërtetë nisi themelimin e një doktrine antikosovare në politikën shqiptare, e cila në thelb të saj kishte trajtimin e çështjes së viseve shqiptare matanë kufirit si çështjet të drejtash dhe se vetëm socialistët e kishin në vëmendje këtë atë.
Deklarata e Stavro Vinjaut (e korrektuar):
“Duhet të adresohemi ndër ata që kanë monopolizuar ndjenjën njerëzore; ne socialistët e gjithë botës. Ç’qe ajo gazetë që i kallëzonte gjithë botës, nga Serbia të gjithë mizoritë e serbëve? Qe gazeta socialiste “Pravda” (gazetë jugosllave-shënim). Vetëm socialistët kanë për princip dhe guxim të nxjerrin në shesh të palarat e qeverive të tyre. cili qe ai që me një cinizëm të ndyrë këshilloi qeverinë serbe, të zërë, të therë botën shqiptare në Serbi për të humbur ngjyrën etnografike të saj? Ai nacionalist e imperialist i qelbur që përmendi si të famshëm z.Rexhep Mitrovica?! Ne nuk kërkojmë nga Serbia, Kosovën, atë dhe shqiptarët e saj ua kemi falur. T’ju shohë hajrin. Vetëm kërkojmë t’i respektojë si njerëz e jo t’i therin si berra. Nëse duam të gjejmë drejtësi, komisionet që mund të venë në u dërgofshin, të ndriçojnë qarqet socialiste mbi të drejtat tona dhe kur ata të binden me veglat e tyre, do të ndriçojnë opinionin publik”.