Shkruan: Florim Zeqa
Liderët opozitarë u ndanë, për të shpëtuar lëkurën e tyre.
Po e rrezikojmë seriozisht funksionalitetin dhe ekzistencën e shtetit.
Një LDK e plagosur rëndë dhe e katandisur keq nga koalicioni qeverisës me uzurpatorët e shtetit, nuk i ka mbetur gjë tjetër përpos përgatitjes së valixheve për një pushim të gjatë opozitar.
Se vërtet në vendin tonë nuk ka dhe nuk ka pasur asnjëherë opozitë të bashkuar është dëshmuar disa herë përgjatë këtyre 17 vjetëve. Një gjest i pazakontë kishte ndodhur edhe një vit më pas, pas protestës së parë të opozitës së bashkuar VAN kundër pushtetit aktual, ku të nesërmen pas protestës, ishte parë të takohet njëri nga liderët e opozitës me kryeministrin aktual në një kafene në qendër të Prishtinës duke pirë kafe dhe bërë llafe së bashku!
Për ata që i përcjellin shkrimet e mia, menjëherë pas kësaj ndodhie të pazakontë, pata reaguar përmes shkrimit me titull; “Një kafe pas proteste, e hidhët për opozitën” (21.04.2015).
Ky gjest i pazakontë i njërit lider opozitar, tek opinioni i gjerë kishte krijuar përshtypjen se në vendin tonë nuk ka pozitë reale e as opozitë të fuqishme e as të vendosur për ndryshimin e kursit qeverisës në vend.
Liderët e shtetit të Kosovës u ngjajnë figurave të shahut në dorën e ndërkombëtarëve.
Në realitet, pozita faktike në vendin tonë akoma është në dorën e ndërkombëtarëve, në dorën e ministrave të shteteve të “QUINTIT” të akredituara në vendin tonë, të Brukselit dhe Uashingtonit, pa anashkaluar ndikimin e fuqishëm të Beogradit zyrtar në politikëbërjen kosovare.
Liderët e shtetit të Kosovës, për më tepër u ngjajnë figurave të shahut në dorën e ndërkombëtarëve. Përveçse u mungon guximi i marrjes së vendimeve si lider të një shteti të pavarur,…çdo herë veshët i drejtojnë kah Brukseli dhe Beogradi, duke mos e dëgjuar asnjëherë zërin e qytetarëve të vet, duke u shndërruar në “zëdhënës” të Brukselit dhe zbatues të urdhrave të Beogradit!
Kjo po vjen si rezultat i mungesës së një qeverisje të dalë nga vullneti i shumicës shqiptare në vend. Numrat në qeverisjen aktuale nuk e reflektojnë në mënyrë reale vullnetin e qytetarëve, ngase në zgjedhjet e fundit parlamentare vullneti i shumicës në vend ishte për ndërprerjen e keqqeverisjes e jo për vazhdimin e saj.
Mënyra e arritjes së koalicionit aktual qeverisës (PDK-LDK) e vërteton thënien e mësipërme, se liderët tonë s’janë gjë tjetër vetën “figura shahu” në duart e ndërkombëtarëve.
Darkat e fshehta me pushtetin
Më e hidhët se sa kafeja një ditë pas proteste e një viti më parë, për Lëvizjen “Vetëvendosje!” doli të jetë darka e fshehtë e liderëve opozitarë me pushtetarët një vit më pas!
Deri të shpërbërja ciklike e koalicionit L-V-AN, erdhi jo shkaku i parimeve politike, por shkaku i egos për pushtet. Mbetja e koalicionit AN, apo siç po i thonë marrëveshja parazgjedhore mes këtyre dy subjekteve ndodhi jo për të fituar zgjedhjet, por shkaku i frikës së moskalimit të pragut zgjedhor si subjekte të ndara, për t’ju bashkangjitur më pas PDK-së, me qëllimin e vetëm për largimin e LDK-së nga pushteti.
Një LDK e plagosur rëndë dhe katandisur keq nga koalicioni qeverisës me uzurpatorët e shtetit, nuk i ka mbetur gjë tjetër përpos përgatitjes së valixheve për një pushim të gjatë opozitar.
Siç po shihet, “oferta” e kryeparlamentarit për opozitën e “bashkuar” paska qenë tepër joshëse dhe serioze, saqë i bëri liderët opozitar të largohen nga “kauzat” e bllokut opozitar, për t’i ngrënë më pas “qershizat e lagura”, duke lënë popullatën të thyer dhe zhgënjyer shpirtërisht.
Akoma më keq, kur pas dy protestave të fundit masive të opozitës së bashkuar në shesh, u dridhen në themel rrënjët e këtij pushteti antipopullor.
Me largimin e LDK-së nga pushteti realizohet objektivi kryesor dhe kauza e vërtetë e dy prej tri subjekteve politike që bllokuan për tetë muaj rresht punën e parlamentit të Kosovës.
Edhe pse, nuk është bërë asgjë publike për opinion, është e vetëkuptueshme se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të ndodhin së largu në fillim të vjeshtës së ardhshme, jo për të ndryshuar për të mirë qeverisjen e vendit, por për të ruajtur kontinuitetin e keqqeverisjes në vend.
Kosova, shtet për gjynah të Zotit!
Milionerët e pushtetit dhe ata të opozitës pak gjë i dallon, edhe milioner edhe pushtetar, edhe milioner edhe opozitar protestues, së fundi edhe milioner edhe veteran, të gjithë janë bërë të njëjtë në këtë vend.
Punë e madhe, me hallet dhe problemet e popullit nuk merret pozita e as opozita, këta të fundit popullin janë duke e përdorur vetëm për interesa personale të tyre; për rimarrjen e privilegjeve të humbura apo ambicieve për ardhje në pushtet.
Të vetmit që s’janë pajtuar asnjëherë deri më tani me veprimet e pushtetarëve vendor dhe ndërkombëtar janë aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje!”, që s’janë pajtuar asnjëherë me degradimet e shtetit të Kosovës, të ardhura si produkt i bisedimeve të Brukselit.
Andaj, të drejtën legjitime për të protestuar për gjithçka dhe për çdo gjë e mban vetëm Lëvizja “Vetëvendosje!” e cila në asnjë rrethanë nuk është larguar prej parimeve bazike të saj.
Mbase kështu, me këtë klasë kusarësh politik të veshur me petkun pushtetar dhe opozitar, të cilët po tregohen gjithnjë e më të pangopshëm për pushtet dhe privilegje nga shteti, do të mbetemi shtet për gjynah të Zotit edhe për aq kohë sa nuk vetëdijesohet popullata e vendit, për ndryshime substanciale e jo kozmetike, siç po ndodh nga zgjedhjet në zgjedhje.
Hyp njani (nga pushteti) e zbrit tjetri,…kap njëri grup (shtetin) e “shkap” tjetri,…me këtë logjikë jo vetëm se nuk do të arrijmë të ndërtojmë asnjëherë shtet, por e rrezikojmë seriozisht funksionalitetin dhe ekzistencën e tij!