Kosova, shtet i iluzioneve të humbura

SHKRUAN: ANDREJ IVANJI MDR (Mitteldeutsche Rundfunk)


Në Kosovë, shtetin më të ri dhe një nga vendet më të varfra në Evropë, asgjë nuk lëviz: zhgënjimi i madh me BE-në, mungesa e perspektivës dhe papunësia e lartë karakterizojnë shoqërinë. Mes mjerimit të pafund shoqëror, islami dhe islami radikal po fitojnë gjithnjë e më shumë ndikim në vendin dikur laik.

Kafiteritë në qendër të Prishtinës janë përplot. Vështirë se mund të gjesh një karrige të lirë. Moti i bukur pranveror ka tërhequr masivisht banorët e kryeqytetit kosovar në rrugë. Muzika që dëgjohet nga lokalet: rock, pop, muzikë popullore. Qyteti i Prishtinës përcjell një energji të pabesueshme. Është për t’u habitur se sa të rinj ka në mesin e kalimtarëve – por nuk është çudi: Kosova ka një nga popullatat më të reja në Evropë. Megjithatë, është gjithashtu një nga më të varfërit e kontinentit: papunësia ishte rreth pesëdhjetë përqind në 2017, papunësia e të rinjve ka të ngjarë të jetë tetëdhjetë përqind, shifra të sakta nuk janë të disponueshme. Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 17 për qind e popullsisë jeton në varfëri ekstreme (më pak se 94 cent në ditë) dhe 45 për qind në varfëri absolute (më pak se 1.42 euro në ditë).

Por në qendër të kryeqytetit vështirë se mund ta vëreni mjerimin e përgjithshëm social. Sigurisht, fasadat e shtëpive janë të rrënuara, rrugët janë në gjendje të keqe, ka ndërtesa të panumërta të ndërtuara në të zezë dhe lypës të ulur në çdo cep të rrugëve. Por disponimi i popullsisë është prezent, i gjallë. Të rinjtë janë të veshur me stil modern perëndimor dhe vajzat veshin fustane të shkurtra. Vetëm herë pas here sheh një grua me shami, me hixhab ose me një nikab e burka.

Pikërisht kjo – femrat e veshura rreptësisht sipas normave islame – është një fenomen i ri në Kosovë. Vendi ka qenë gjithmonë laik. Ndryshe nga luftërat në Kroaci dhe Bosnje pas rënies së Jugosllavisë në vitin 1991, lufta e shqiptarëve për çlirim në Kosovë kundër shtypjes së Serbisë kishte pak të bënte me fenë. Ishte një konflikt etnik, për të drejtat civile dhe vetëvendosje. Edhe nëse, sipas një sondazhi të vitit 2011, 95.61 për qind e popullsisë së Kosovës e përshkruan veten si myslimanë të devotshëm – islami nuk kishte një kuptim qendror ose dominues për shqiptarët. Vetëm më vonë dhe shumë gradualisht ai hyri në shoqërinë kosovare.

Kosova ia detyron pavarësinë e saj Perëndimit, mbi të gjitha SHBA-së. Në qendër të Prishtinës është një monument i ish-presidentit amerikan Bill Clinton, i cili udhëhoqi Perëndimin në Luftën e Kosovës: Në vitin 1999, NATO bombardoi Serbinë dhe Malin e Zi për gati tre muaj. Pas kësaj, presidenti serb Slobodan Millosheviç tërhoqi forcat serbe nga Kosova dhe një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare (KFOR, Forca e Kosovës) erdhi në Kosovë. Pritshmëritë e kosovarëve ishin të mëdha, ata mendonin dhe besonin se ishin në trenin ekspres drejt Bashkimit Evropian.

Kaluan tetë vjet para se Kosova të shpallte pavarësinë e saj, në shkurt 2008. Kjo shkaktoi një valë të re shprese euforike te kosovarët. Por ata u zhgënjyen edhe nga shpallja e pavarësisë. Deri më tani, BE-ja nuk e ka miratuar as liberalizimin e vizave për Kosovën, madje as të gjitha shtetet e BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e lëre më të jenë marrë parasysh negociatat për anëtarësim. Mjerimi socialpo bëhet gjithnjë e më i dhunshëm. Ngjashëm me Serbinë, Bosnjën, Maqedoninë apo Shqipërinë, besimi në BE, në Kosovë gradualisht po zbehet.

Kosova, me 1.8 milionë banorë, qëndron pezull në mes të Evropës. Fjalët kryesore: krizë qeveritare, krizë kushtetuese, krizë politike, korrupsion, nepotizëm, krim i organizuar, mosmarrëveshje kufitare me Malin e Zi, mosmarrëveshje e përjetshme me Serbinë për gjithçka, veriu i vendit i sunduar nga pakica serbe, një opozitë anarkiste e ekstremiste, gaz lotsjellës në parlament, liderë politikë mes të dyshuarve për krime lufte. Dhe mbi të gjitha, varfëria dhe mungesa e perspektivës. Pavarësisht ndihmës financiare nga SHBA-ja dhe BE-ja në miliarda euro, si dhe një force ndërkombëtare të sigurisë të udhëhequr nga NATO dhe misioni më i madh i jashtëm i BE-së (Eulex), Kosova konsiderohet si një nga vendet më të korruptuara dhe më të prapambetura në Evropë.

Pavarësisht se kush ishte në pushtet në Kosovë, asgjë nuk ka ndryshuar. Të paktën kështu e shohin kosovarët. Dhe frika e tyre është: Asgjë nuk do të ndryshojë kurrë. Të paktën jo për mirë…

Vende si Turqia dhe Arabia Saudite po e shfrytëzojnë zhgënjimin me Perëndimin dhe e kanë shfrytëzuar vakuumin p¨r ndikim. Nga njëra anë, te populli sundojnë iluzionet për Shqipëri të Madhe – bashkimi i Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Serbisë Jugore dhe shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, ndërsa nga ana tjetër islami radikal po fiton gjithnjë e më shumë terren. Islami politik po e kërkon vendin e tij në jetën publike të Kosovës. Dhe kjo ska të bëjë vetëm me islamin e dikurshëm të moderuar, por kryesisht dhe kryekëput me islamin radikal.

Islami në fakt nuk ka rrënjë kulturore në Kosovë. Por tani janë ndërtuar mbi 900 xhami të reja, plus shkolla ku mësohet Kurani. Për shkak të zhgënjimit që ka zgjatur për shumë vite, gjithnjë e më shumë njerëz po kthehen në Islam, duke përfshirë disa, nën ndikimin saudit, në islamin radikal, vehabizmin. Sipas vlerësimeve, rreth 50,000 kosovarë mund t’i atribuohen lehtësisht islamit radikal.

Trendi në Kosovë është se gjithnjë e më shumë shqiptarë myslimanë e identifikojnë veten fillimisht si myslimanë dhe vetëm pastaj si shqiptarë. Ky është një ndryshim i madh identiteti në popullatën laike, e cila ka filluar dhe po largohet nga vlerat perëndimore.

Ky trend është rezultat i hidhërimit. Ndihen të poshtëruar, të braktisur e të tradhtuar. Nuk shohin dritë në fund të tunelit e që të çon në BE. Premtimet e bukura të bëra nga zyrtarët e BE-së po bëhen gjithnjë e më pak të besueshme. Për arsye të ngjashme, shumë serbë po i drejtohen Rusisë Ortodokse. Ndikimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor ka rënë dukshëm, sepse Brukseli i ka lënë hapësirë ​​për manovrim fuqive tjera.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top