KOSOVA, NJË VRIMË E ZEZË E EVROPËS – ROLI I SHERBIMEVE FRANCEZE

Nga : Jean-Arnault DERENS
Përkthyes: Sefedin Krasnqi

Më 6 shkurt 1999, negociatat e shansit të fundit filluan në kështjellën e Rambouillet, nën kujdesin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Javier Solana dhe Sekretares amerikane të Shtetit Madeleine Albright. Zyrtarisht, perëndimorët kërkonin të gjenin një kompromis ndërmjet Beogradit dhe Shqiptarëve të Kosovës. Dështimi i këtij procesi negociator e hapi rrugën për bombardimin e NATO-s. Nga fillimi i takimit të parë në Rambouillet, opinioni publik ndërkombëtar zbuloi një djalosh të moshës 31 vjeçare, më parë krejtësisht i panjohur: Hashim Thaçi, zëdhënës i UÇK-së, i cili u imponua si kryetar i delegacionit shqiptar.

Arnaud Danjean, eurodeputeti aktual (UMP), ndiqte konferencën në emër të DGSE (Sherbimi Sekret Francez). Sipas dëshmisë së tij, ai e kishte takuar Hashim Thaçin në sallat e kështjellës të Rambouillet, e të dy burrat kishin një element të përbashkët, praktikonin (flisnin) gjermanishten. Ai (Arnaud Danjean) do të ketë marrë urdhërinë “t’a afrojë” zëdhënësin e gueriles vetëm gjatë raundit të dytë dhe të fundit të negociatave, 16-18 mars, pak ditë para fillimit të bombardimeve.

Shumë deshmi konfirmojnë prezencen e Arnaul Danjean që nga takimi i parë në Rambouillet. Shumë burime pohojnë madje që para fillimit të konferencës, Arnauld Danjean e kishte marrë Hashim Thaçin dhe e kishte shetitur nëpër dyqane për ta pajisur me një kostum (garderobë) konformë statusit të tij (të ri), kjo lë për të supozuar se këta dy njiheshin shumë më herët para fillimit të konferencës.

Kjo kronologji e shkurtër mund të jetë e dorës së dytë, por Arnaul Danjean pohon se “vetëm amerikanët trajtonin (bisedonin) me HashimThaçin” dhe shton se Michel Foucher, këshilltar i posaçëm i Hubert Vedrine, e kishte ngarkuar DGSE për të mësuar lidhur me Thaçin në nëntor 1998, duke thënë se kjo ishte e nevojshme për të vendosur kontaktet me UÇK-në. DGSE, si dhe shërbime të tjera Perëndimore, ka pasur kontakte me të gjitha fraksionet shqiptare – si me përkrahësit e Ibrahim Rugovës si me LPK, të cilës i përkiste Thaçi. Problemi i vetëm ishte se para konferencës së Rambouillet, i riu Hashim Thaçi nuk luante veçse një rol shumë dytësor. Zëdhënësi i LPK-së zyrtare dhe UÇK-së ishte atëherë Bardhyl Mahmuti me banim në Vevey, në Zvicër.

Në realitet, rritja e Hashim Thaçi vjen si rezultat i një game të komunikimit, i cili për shërbimet Perëndimore është mirë i njohur. Garda e vjetër e LPK-së duket të ketë vendosur për t’i dhënë gueriljes një fytyrë të re, që do ta prezantojë mirë dhe lojaliteti politik i të cilit ishte i pagabueshëm. Kjo zgjedhje është bërë në konsultim me këshilltarët perëndimorë të LPK-së, por kjo nuk është e sigurt që amerikanët të kenë pasur fjalën e fundit në këtë çështje. Ata me siguri do të kishin privilegjuar dikë që flet anglisht, pasi Hashim Thaçi nuk ishte i këtillë meqë zotëronte vetëm shqipen dhe gjuhën gjermane, si pasojë e qëndrimit të tij në Zvicëren gjermane.

Disa javë para konferencës së Rambouillet, një avion ulet në aeroportin e Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë, i cili për pak nuk shkaktoi një fatkeqësi: avioni nuk e kishte paraqitur planin e fluturimit dhe kontrollorët e trafikut ajror nuk e dinin prej nga vinte e as kush ishte në bordin e tij. Aeroplani solli një delegacion të madh të drejtuesve të UÇK-së – burimet flasin për “tridhjetë” njerëz – të cilët kishin mbaruar trajnimin në qendrën ushtarake parashutiste për trajnime të specializuara (CPES) në Cercottes, në Loiret-Francë. Nëse amerikanët kishin bërë zgjedhjen politike për të mbështetur LPK-në, puna në terren iu kishte lënë shërbimeve franceze dhe evropiane.

Angazhimi i DGSE

Në Francë, çështja e mbështetjes së UÇK-së ende nuk ishte unanime. Zyra e ministrit të Punëve të Jashtme Hubert Védrine ishte mjaft në favor të mbajtjes së një marrëdhënie të ngushtë me paqësorët e LDK-së së Ibrahim Rugovës, kundërshtar i njohur historik ndaj regjimit të Millosheviqit. Edhe zyra e ministrit të Mbrojtes Alain Richard hezitonte. Madje edhe brenda DGSE, dy fraksione kundërshtoheshin: partizanët që mbronin UÇK-në në njërën anë, nostalgjikët për aleancën tradicionale mes Francës dhe Serbia, nga ana tjetër.

Linja e re, pro-Kosovës, megjithatë, kishte mbështetje nga hierarkia e lartë, duke përfshirë edhe gjeneralin Rondot, atëherë në krye të koordinimit të informacioneve në zyrën e ministrit të mbrojtjes. Një ish-kuadër i shërbimeve pranon se “në planin operativ, gjithçka duhej të ndahej “…

Angazhimi i DGSE s’kishte asgjë të veçantë. Çdo shërbim perëndimor atëherë e kishte « njeriun » (lexo spiunin) e vet në guerile. Për britanikët ishte Ramush Haradinaj, që është duke u gjykuar në Gjykatën Ndërkomëtare për ish-Jugosllavi në Hagë (1). Nga ana e tyre, SHBA luanin një rol operacional relativisht diskret.

Arnaud Danjean tani insiston në faktin se ai « ka vepruar », « me urdhë zyrtar », të hierarkisë së vet dhe të politikanëve politikë – konkretisht, nën përgjegjësinë e ministrit të Mbrojtjes, që atëhershëm ishte socialisti Alain Richard. Megjithatë, agjenti i DGSE gjerësisht e ka ndërtuar karrierën e vet mbi këtë “pre” të klasit të parë. Thaçi është bërë bashkëbiseduesi i privilegjuar i DGSE. »Rekrutimi i Thaçit ishte një punë e mirë për DGSE ». vazhdon ky ish-kuadër i sherbimit i cili është i detyruar të mbetet anonim. « Megjitahtë, shpejt u kuptua se Danjen kultivonte (posedonte) rrjetin personal, duke i zgjeruar të gjitha informacionet të cilat do ta venin në pikëpyetje (në gjendje të keqe) Thaçin dhe personat tjerë që i trajtonte, sidomos pas luftës.

» Megjithatë ne ishim në rrjedhë për të gjitha trafiqet e bëra nga UCK ».

Mbetet një pyetje e madhe. Pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë bërë këtë zgjedhje të habitshme për të mbështetur UÇK-në, të konsideruar deri në fillim të verës 1998 nga CIA si një grup i lidhur me trafikun dhe drogën? Dhe pse në mënyrë të veçantë e mbështeten “nyjen e fortë” të luftëtarëve, që do të thotë drejtuesit e dalur nga LPK? Kthesa e SHBA-ve dhe aleatëve të saj është ilustruar në mënyrë dramatike nga vizita e Richard Holbrooke, i dërguari i posaçëm i presidentit Klinton, me udhëheqësit e gueriles, më 24 qershor 1998, në fshatin Junik pas hyrjes ilegale të tyre në Kosovë, që atëherë ishte ende nën kontrollin e Serbisë* (kjo d.m.th. se përfaqësuesit e UCK-së që u takuan me Holbrooke në Junik kanë depërtuar në Kosovë me bekimin e Serbisë, dhe ndërmjetësimin e Shqipërise së Fatos Nanos v.j.)

Autoritetet shqiptare marrin gjithashtu urdhër për të mbështetur këtë zgjedhje nga perëndimorët. Partia Socialiste e Shqipërisë, trashëgimtare e vetme ish-partisë (PP), u kthye në pushtet përmes trazirave dhe luftës civile në vitin 1997. PS-ja shqiptare, kuadri i ri i oficerëve të policisë dhe shërbimit sekret kishin natyrisht lidhje të rëndësishme me thelbin e LPK-së në Zvicër, gjithashtu i dalur nga lëvizja “enveriste”. Ibrahim Rugova mbante marrëdhënje të privilegjuara me Partinë Demokratike të Sali Berishës, i rrëzuar nga pushteti në pranverë të vitit 1997 [2].

Si e mban litari të varurin

Megjithatë, udhëheqësit e rinj të Tiranës, në krye të një vendi të përgjakur dhe fort të vrarë nga lufta civile, nuk ishin të gatshëm të shpejtojnë shpërthimin e konfliktit në Kosovë. “Ne morëm urdhër të sigurojmë mbështetjen logjistike rrjetit të LPK-së që ishte duke u krijuar dhe unë gjatë vetë jam menduar pse perëndimorët kishtin zgjedhur këtë partneritet strategjik “, pranon një ish-kreu i shërbimeve të inteligjencës shqiptare (Fatos Klosi, v.j.)

Një shpjegim i vetëm duket i mundshëm. Në verë të vitit 1998, Al Kaida revendikoi sulmet kundër ambasadave amerikane në Nairobi dhe Dar es Salaam dhe Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara nga zhvillimet e rrjeteve radikale islamike Bosnja dhe Hercegovina. Kosova, vend i paqëndrueshëm me shumicë dërrmuese myslimane, ishte një nga zonat më të ndjeshme. “SHBA mbështeten rrjetet e LPK-së, sepse ata konsideroheshin se ishin krejtësisht indiferent për të gjithë ndikimeve islame », pohon ky ish-agjent i shërbimeve inteligjente shqiptare. Krejt e mundur, nëse kujtojmë traditën marksiste-leniniste të ideologjisë së LPK-së. Duke marrë parasysh se një konflikt në Kosovë ishte i pashmangshëm, SHBA duhet të kenë zgjedhur të mbështesin një grup të dalur nga tradita stalinist dhe me lidhje kriminele tashmë mirë të njohura.

Ky grup – nyja e fortë e LPK – së, në fillim të konfliktit, ka pasur një rëndësi shumë të vogël operative dhe shumë të kufizuar. Pa mbështetjen e Perëndimit, LPK kurrë nuk do të mund ta sfidonte udhëheqjen e natyrshme të LDK-së së Rugovës … Në terren, fshatarët të cilët kapnin armët në pranverën e vitit 1998 ishin dhe qëndronin besnik të Ibrahim Rugovës dhe pretendonin se perkrahnin Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) [3]. Perëndimorët aktivisht kanë kontribuar në margjinalizimin e këtij organizimi konkurrent për të lënë të veprojë vetëm UÇK-në. Ndërmjet Hashimit Thaçi dhe Perëndimorëve, nuk është ndonjë histori e konvergjencës së interesave. Thaçi dhe UÇK-ja janë kryesisht një krijim i shërbimeve sekrete perëndimore.

Trembëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës më shumë se katër vjet pas shpalljes së pavarësisë (artikulli daton nga 2012), Kosova mbetet një vend nën mbikëqyrje ndërkombëtare, me nje sovranitet shumë të kufizuar. Hashim Thaçi, ish-guerili, është ende kryeministër, por Qeveria e tij është si kurrë më e dobët. Zgjedhjet në dhjetor 2010 u karakterizuan me mashtrime dhe të meta masive, dhe me dobësi të brendshme të PDK-së, si parti e dalur nga UÇK-ja, deh ato janë duke u bërë çdo ditë më të thella.

Megjithatë, ambasada e SHBA-ve në Kosovë e përkrah ende në mënyrë aktive Thaçin, sikur litari që mban të varurin.

SHIK, sherbim i krahut të armatosur i UÇK-së, zyrtarisht ishte shkri në pranverë të vitit 2008, disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Drejtuesit kishtin pohuar se SHIK-u e ” kishte përfunduar misionin e vet”, ndërsa shërbimet e reja sekrete, lindën nën autoritetin e qeverisë. Megjithatë shërbimet e PDK-së vazhdojnë punën nën hije, duke shtrirë rrjetin e tyre në të gjithë Kosovën. Me kërcënime, “intervista informative”: gazetarët e Kosovës janë të mësuar me këto praktika të një policie të vërtetë politike.

Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin për t’u siguruar se udhëheqja e hetimeve të misionit të EULEX-i për trafikun e organeve do të bëhet nga një prokuror amerikan (shih shkrimin numër 1). Përndryshe, pushteti do ta ngulfaste këtë çeshtje (makabër v.j.), duhet të paktën t’a kontrollojë rrjedhën e hetimeve. Në Francë, diplomacia e ka marrë gjithashtu me rezervë Raportin e Dick Martyt në Këshillin e Evropës, i cili denoncon trafikimin e organeve dhe citon konkretisht Hashim Thaçin: pas krijimit të përgjegjësive penale të aktorëve të ndryshëm të UÇK-së, duke vënë në pikëpyetje mbrojtën e tyre nga mbrojtësit perëndimorë që duket e pashmangshme.

Megjithatë, nëse trafikimi i organeve ashtu siç e ka përshkruar Dick Marty vërtetohet, do të jetë një nga krimet më të rënda të luftërave të ish-Jugosllavisë. Kosova nuk do të mund kurrë t’a përballojë të kaluarën e vet për aq sa kjo dosje nuk do të kthjellohet definitivisht. E nëse ky trafik ka « vazhduar » në kuadër të klinikës Medikus, në sytë dhe me dijen e administratës ndërkombëtare në Kosovë, atëherë janë të gjithë bashkëfajtor të krimit të cilit nuk do të mund t’i ikin përgjegjësive të tyre penale.

FUND

[1] Komandant i UÇK-së në Kosovën Perëndimore, Ramush Haradinaj u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga ana e TPI. Ai është liruar i pafajshëm në prill të vitit 2008, por prokuroria apeloi, pasi disa dëshmitarë kryesorë u vranë ose pasi tërhoqën deshminë në gjykatë. Procesi i Apeli është hapur në gusht 2011, (por edhe nga ky proces Ramushi është liruar v.j.)

[2], Ibrahim Rugova gjithmonë i ka konsideruar liderët socialistët shqiptarë si “uzurpatorët” që erdhën në pushtet nëpërmjet një “grusht shteti”. Kjo tregon se ai nuk u strehua në Shqipëri gjatë bombardimeve të pranverës së vitit 1999 dhe ai refuzoi edhe t’a vizitojë vendin derisa PS qëndroi në pushtet.

[3] FARK-u varej nga strukturat e “Republika së Kosovës”, të kryesuara nga Ibrahim Rugova. FARK-u kishte bashkuar shumë ish-oficerë shqiptarë të Ushtrisë Jugosllave, ata kurrë nuk mundën të veprojnë në Kosovë nën emrin e tyre (si FARK), dhe disa luftëtarë besnikë të Rugovës dhe Shtatmadhoria e FARK-ut luftuan duke u shfaqur nën “labelin” tashmë të etabluar UÇK-së.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top