Përfaqësuesja e Spanjës sonte do të përballet me Kosovën në ndeshjen kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” në kuadër të Grupit B. Kjo përballje nis në orën 20:45 dhe do të transmetohet direkt në kanalin “La 1” të televizionit publik të Spanjës.
Megjithatë, e përditshmja spanjolle “Marca” ka raportuar se gjatë transmetimit të ndeshjes, komentatorët e kanë të ndaluar ta përdorin emrin Kosova për shkak se shteti i Spanjës nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Dueli mund të ndiqet në ‘La 1’ dhe është një sprovë për komentatorët pasi ata nuk do të jenë në gjendje t’i referohen rivalit me emër: Kosova. Shpjegimi i kësaj është se shteti i Spanjës nuk e njeh Kosovën si shtet”, ka shkruar “Marca”.
Në fakt, gazeta ka shkruar se televizioni publik i Spanjës gjithashtu është dashur të bëjë disa modifikime në mënyrë që gjatë ndeshjes t’i referohet emrit të Kosovës si Federata e Futbollit të Kosovës. Bazuar në këtë, ka indikacione se ky televizion nuk do të transmetojë as momentin kur do të hapet flamuri i Kosovës dhe të intonohet himni para ndeshjes që do të luhet në Sevilla.
KOHA