Dr. Rexhep Krasniqi, Prof. Vasil Allarupi, inxh. Ago Agaj, z. Adem Hodo, Dr. Hamdi Oruçi

Kosova në vjetët 1941-1945 dhe Xhafer Deva

SHKRUAR NGA DR. REXHEP KRASNIQI


XHAFER DEVA, JETA DHE VEPRIMTARIJA

Në vazhdim të fazës së parë të luftës së dytë botnore, në Prill 1941, Mbretnija e Jugosllavisë pësoi nji humbje katastrofale nga ushtrija gjermane. Si rrjedhje imediate, popullësija shqiptare e këti shteti shumbëkombesh, në realitet kaloi nën nj okupasion tjetër të huej që në fillim, në krahasim me periudhen e robënisë brutale nën Beligradin, dukej si nji shlirin i vertetë. Për këtë arsye, ushtrija gjermane gëzonte sympathi të sinqertë midis kësaj shtrese të popullsisë shqiptare. Me përjashtim të “ Prefekturës së Mitrovicës që mbet nën pushtimin e drejtë të ushtrisë gjermane si pjesë e shtetit serb, krejt pjesa tjetër e Kosovës, e Dibrës së Madhe, etj. të banueme në shumicë dermuese prej shqiptarëvet, Gjermanija e njofti si pjesë të shtetit shqiptar të 1913-tës, që në atë kohë gjindej nën zaptimin e Italisë fashiste.

Kjo ishte gjëndja politike-ushtarake e Kosovës shqiptare të Prillit të vjetit 1941. Dhe m’u në kët kohë me randësi vendimtare historike për popullsinë shqiptare në Jugosllavi, paraqitet papritmas Xhafer Deva në skenën e Kosovës, nji personalitet i dalun jo nga radhët e zakonshme të udhëheqësave të mëdhaj të së kaluemës kosovare, nga familje malësore-katundare të traditës, ase nga ato të aristokracisë qytetare. Ai duel nga klasa borgjeze-tregtare qytetare që në Kosovë ka pasë qëndrat në Gjakovë, Prizren, Mitrovicë, Shkup e Diber.

Xhafer Deva që gati për 40 vjetë rrjeshtë do të luente nji rol me randësi politike jo vetëm në Kosovën shqiptare, por nji kohë të shkurtë për mbarë kombin shqiptar, nuk ka pasë ndoj pregatitje në sheshin politik, nuk ishte marrë aktivisht në politik, as nuk duhej të kishte ndoj ambicie të posaçëme për udhëheqje politike.

Mirpo, kur u paraqit nevoja, ambicia e tij ishte me i sherbye popullsisë së vendit të vet të shumëvuajtun, të shtypun dhe të poshtnuem nga sundimi i huej i paskrupulla humanitare. Ai nuk kerkoi ndoj pozitë udhëheqje politike si mjet për të naltësuar veten ase për pasurim personal. Përkundrazi, rrethanat e njiherëshme të ndyshmimeve politike që dhanë mundësina për një jetë ma të lirë, ma njerëzore të shqiptarëvet në Jugosllavi, deshtë-pa-deshtë, e detyruen atë të pranojë përgjegjësinë e randë të udhëheqjës që ishte lidhë me rrezik të përhershëm, me sakrifica personale në neglizhimin e punës si tregtar i pasun, dhe ma në fund, në humbjen e krejt pasunisë. Për të gjatë kohës së sherbimit në Kosovë dhe në Shqipni si Minister i Mbrendshëm, ai nuk ka pranuar të marrin shperblime që lidheshin me pozitat përkatëse.

Xhafer Deva ishte nji nga 7 djemtët e Ibrahim Agë Devës, tregtarit shqiptar ndoshta ma të pasun në Kosovë. Familja Deva rrjedhë nga Gjakova dhe që nga shekulli i kaluem, Ibrahim Aga, ka pasë nji tregtore të njoftun në Nish. Kur ky qytet, në fillim të këtij shekulli, ra nën shtetin serb, atëherë, ai dhe shumë tregtarë shqiptarë humben krejt pasuninë e tyne dhe u-detyruen të largohen me të shpejtë për të shpëtue nga terrori serb që, kishte për qëllim me spastrue Nishin dhe krahinën nga shqiptarët. Familjet refugjatë shqipatrë u-vendosen, sidomos në Shkup dhe në Mitrovicë. Në kët qytet zuni vend familja Deva, dhe mbrenda nji kohe të shkurtë, tregtija familjare filloi të lulëzoi përsëri. Ibrahim Aga ka qenë nji njeri i urtë, puntor i palodhun, i matun dhe tip i tregtarit te motit që fjala e dhanun kishte matepër vleftë se kontratat e nënshkrueme dhe kambjalet bankare. Tregtinë e bante ai me anë të Shkupit, Selanikut, Stambollit deri në luften Ballkanike. Edhe në kohen e sundimit serb, ai ka ditë me iu adaptue gjëndjes së re, tue mbajtë nji qëndrim të mospërzimjes në çashtje politike për me mujtë me shpëtue nga shtypje eventuale të qeverisë serbe.

Në kët mënyrë, Ibrahim Deva kishte fitue besimin dhe respektin e bashkëatdhetarëve të vendit, poashtu edhe të qytetarëvet boshnjakë e serbë të Mitrovicës. Ai me kohë i kishte dhanë rëndësi të posaçme edukimit shkollor të fëmijëve të vet, tue i dergue ata në fillim, në nji Institut – Internat privat gjerman në Selanik, tue ngarkue si kujdestar të tyne nji tregtar të njoftun çifut të qytetit. Mbas luftës Ballkanike, ai i dergojë fmijët e mëdhajë në Kollegjin e famëshëm amerikan, Robert College, në Stamboll. Këtu, Xhaferi që ishte ma i vogli i vllazënvet, ndjeki degen tregtare të Kollegjit. I pajisun me zgjuetësi të hollë, ai fitoi njohuni të nevojëshme për të vleftësuar mendësinë, frymën dhe aspiratat përsonale dhe politike-kombëtare të bashkëstudentave të kombësive ballkanike dhe të ish-perandorisë turke, në përgjithësi. Këtu, ai u njoftë për të parenherë edhe me studenta shqiptarë, të cilët ma vonë kanë luajtë role me randësi profesionale e politike në Shqipni si Fuat Asllani, Minister i Jashtëm, Asim Jakova, Deputet parlamentar, Abdul Sula, Minister i Shqipnisë së lirë në Kairo deri në vjetin 1952, Vasil dhe Pjeter Andoni, profesora, Ali Cungu, professor dhe vllau Ing. Mahmud Cungu, dhe mavonë, Rifat Tirana që arriti nji karrier politike-ekonomike me randësi në Amerikë, mbas luftës së dytë botnore. Në Robert College, Xhaferi pat rast të ndjeki edhe nji kurs elementar të gjuhës shqipe.

Pernjiherë mbas gradimit të këtij Instituti, Deva dergohet nga i Ati si nënpunës Banke në Aleksandri të Egjyptit, ku ai njihet me methodat e përparueme të jetës bankare-tregtare. I semuet randë nga reumatizmi, ai shkon për kurim në Vjenë të Austrisë, ku njikohësisht ndjekë studimet e nalta për tregti-forestëri. Kthehet në Mitrovicë, dhe mbas vdekjes së Atit, ai mbanë në kambë dugajen-manifakturë të familjes dhe me trazhgiminë personale prej 8000 lira turke florini nga i Ati, nderton nji fabrikë me maqineri moderne nga Çekosllovakija për landë dhe drrasa. Të njejten sasi të hollash kishte trashigue secili prej fmijëve tjerë, përveç dugajes, dy shpijave në Mitrovicë dhe tokë bujqësore jashtë qytetit. Pjesen kryesore të tregtisë në landë dhe drrasa e bante ai me Shoqëninë tregtare angleze që kishte në pajtim kompleksin e gjanë të minjerave të pasuna në plum e minierale tjera në Trepçe afër Mitrovicës. Në kët mënyrë, Deva pat rast të fitoj eksperiencë të çmueshme në fushën e marrëdhanjeve tregtare, në lidhjen e kontrtave, në përpilimin e buxheteve vjetore, në mbajtjen e dosareve dhe të librave të kontabilitetit. Kështu, ai shtoi pasurinë dhe influencen e vet shoqnore si mbrenda popullësisë shqiptare, ashtu dhe në rrethet politike-tregtare serbe. Ai ishte ndoshta i vetmi tregtar shqipatre që posedonte dy automobila privat dhe kampiona për transportime landësh. Tue ndjekë qëndrimin e të Atit të vet, Xhaferi ndejti largë nga shumica e tregtarëve dhe e shqiptarëve në përgjithësi, mbasi përzimja në jetën politike të vendit, zakonisht sjellte rrjedhje tragjike përsonale dhe familiare për ata.

Mirëpo, Xhafer Deva, me pregatitjen e vet të shumanëshme shkollore-tregtare-bankare, me eksperiencen që kishte fitue nga udhëtimet në vende të ndryeshme të Evropës, ashtu dhe me njohunit gjuhësore gati në përsosmeni të tyrqishtes së vjetër dhe të re në shkrim dhe këndim, poashtu të serbishtes, të anglishtes dhe të gjermanishtes në shkrim dhe këndim përvec shqipes dhe frengjishtes, dhe zotësisë me përdorë maqinen e shkrimit si nji sekretare profesioniste për të gjitha këto gjuhëna në mbrendësinë e vet, nuk mund të rrinte i painteresuem në fatin e mjerueshem të prapambetësisë, të vorfnisë dhe të shtypjes të bashkatdhetarëve të vet në Jugosllavinë mbretnore. Ai për të gjatë të kësaj kohe kishte ba miq e të njoftun midis qarqeve tregtare-politike të elitës sunduese serbe, njifte mirë sistemin diktatorial politik dhe frymen arrogante e fanatike serbomadhe të shtypjes të regjimit mbretnor të Belgradit ndaj popullatës shqiptare dhe kombësive tjera jo-serbe. Tue qenëse çfardo veprimtari që kishte të bante me kombësi shqiptare ishte tabu për atë kohë mesjetare, Deva me disa të tjerë u-mundue me themelimin e njej shoqate islamike me interesue të rijë shqiptarë për shkollë e mësim, qoftë edhe fetar.

Prej këtyne të rijëve disa kanë ndjekë shkollat e mesme fetare në Shkup që ishin ndertue me ndërhyemjen e parlamentarëve boshnjakë në Belgrad . Ibrahim Lutfiu, nji ndër intelektualët e pakët të Kosovës, që ka qenë Sekretar i Përgjithëshëm i zyrës qëndrore islamike për Jugosllavi në Sarajevë, asht kujdesue për dergimin e sa ma shumë studentave shqiptarë ndër këto shkolla të mesme fetare (Medrese). Shumica e këtyne, mbas shkatrrimit të Jugosllavisë, kanë ndjekë dhe përfundue mësimet në Gjimnazin shqip në Prishtinë.

Qarqet politike serbe natyrisht i njihnin këto cillësi të Devës, dhe sigurisht ishin të knaqun që ky në dukje rrinte largë nga përpjekja me fitue influencë politike në popullsinë shqiptare që kishte shumicën në krahinën e Mitrovicës, poashtu si në Kosovë dhe Metohi, në përgjithësi.

Vetëm pakë ditë para shpartallimit të Jugosllavisë, administrata shtetnore e kishte ngarkue Xhafer Deven me Kryesinë e Bashkisë së Mitrovicës. Kanë qenë faktorë të ndryshëm që kanë lujtë rol në kët emnim, dhe siduket, në radhë të parë fakti që ushtrija gjermane haptazi favorizonte popullsinë shqiptare që dihej se ka vuejtë nën regjimin serb. Deva, me pregatitjen dhe njohunit e tij gjuhësore sidomos të gjermanishtes, duhet të jetë konsiderue si i vetmi midis shqipatrëvet që do të mundohet me trajtue pakicën serbe të krahinës në fjalë, me urtësi dhe drejtësi pranë administratës ushtarake gjermane, ashtu dhe me ndalue akte hakmarrjesh të shqiptarëvet ndaj serbëvet për padrejtësi dhe vuajtjet që kishin pësue gjatë sundimit 20 vjeçar të Belgradit. Parashikimet e bame nga autoritetet serbe nuk shkuen kot. Deva dhe vendi kaluen rrethana jashtëzakonisht kaotike në javët e para të Prillit 1941, kur pjesë të ushtrisë jugosllave ndër qytete të Kosovës, ishin ngujue ndër Kazerma. Ndërsa çetat tradicionale shoviniste serbe të Çetnikëve, kishin fillue të vrasin dhe të terrorizojnë popullsinë shqiptare që nuk kishte armë për t’u mbrojtë. Deva vetë me sa rojtarë të Bashkisë ishte ngujue në godinën e Bashkisë dhe gati me u mbrojtë me armë kundër çetnikëve të egërsuem. Në kët ndërkohë, herë-pas-here, kalojshin reparte të vogla ushtarake gjermane dhe përnjiherë çetnikët zhdukeshin nga skena. Mirëpo , me kohë edhe shqiptarët filluen të organizohen për mbrojtje jo vetëm në Mitrovicë, por edhe në qytetet tjera si në Pejë, Gjakovë, Prizren, Prishtinë, Gillan, Vuçitern, Podujevë etj. dhe qindruen në ket gjëndje të pasigurisë, deri sa ushtrija gjermane dorëzoi pjesën kryesore të këtyne vendeve, ushrisë aleate italiane si pjesë të shetit shqiptar. Në kët kohë të trubulltë, Deva me automobilin e vet, nganiherë fare vetëm, ka kaluar prej nji qyteti në tjetër, ndër të cilat në bashkëpunim me parinë e vendit, u-krijuen me të shpejtë administrate shqiptare që, ndër rrethana të vështira, u-munduen me sigurue jeten dhe pasuninë e banorëvet edhe atyne të pakicës serbë-malazezë, sidomos ndër qytete. Ndër krahina katundarija shqiptare vende-vende ka djegë banesat e kolonizatorëve prej bujqëve shqiptarë, gjatë rrugëve kryesore ndërlidhëse në Kosovë dhe Metohi. Me përjashtim të pakë vrasjeve, ma të shumtën për hakmarrje personale e familiare, pjesa kryesore e kolonistave sllavë, shpesh të përcjellun prej katundarëve shqiptarë, janë tërhjekë me mallë dhe ndoj bagëti ndër vendet e tyne të maparëshme në Malizi dhe Serbi, ase ndër katunde të vendit të banueme në tanësi prej rodit tyne. Ndërsa popullësija e pakicës së vjetër serbe, pa pësue dame të dukëshme, ka vazhdue me jetue dhe me ndjekë punën si tregtarë në qytete e bujqë në katunde të tyne ase të pronarëvet shqiptarë.

Kështu, mbrenda nji kohe të shkurtë, emni i Xhafer Devës që maparë ishte njoftë vetem në qarqe ma të ngushta të parisë shqiptare ndër qytete e krahina, u ndi me admirim e respekt në të gjithë anët e Kosovës.

Ai me influencën dhe emnin që kishte fitue, mujti me frymëzue popullsinë shqiptare të atyne vendeve për të vue në rregull administratën, për të mbajtë qetësinë dhe ndalue veprime të padrejtra ndaj njeni-tjetrit dhe ndaj pakicës serbe-malazeze.

Kjo ishte situata në Kosovë deri në kohen kur ushtrija gjermane e konsolidoj zaptimin e përgjithshëm të Jugosllavisë. Pastaj, me përjashtim të Prefekturës së Mitrovicës me Nënprefekturat Vuçitern, Podujevë, Pazar i Ri dhe Tutinë në Sanxhak, që mbetën nën administraten ushtarake gjermane mbrenda shtetit serb, krejt pjesa tjetër e Kosovës dhe e Dibres Madhe, hyni nën administraten shtetnore të Tiranës, dhe kështu nën okupasionin e ushtrisë italiane.

Prefektura e Mitrovicës së Kosovës që kishte afër 70 përqind popullësi shqiptare, me përpjekjet e palodhëshme në radhë të parë të Xhafer Devës, kishte mujtë mbrend nji kohe të shkurtë me ndihmen e disa vullnetarëvet të kualifikuem të ardhun nga Shqipnija, të vejnë bazat e njej administrate shqiptare. Megjithë intrigat dhe manipulimet të natyrës politike të qeverisë serbe në Belgrad që, kryesohej prej Gjeneral Millan Nediç, ish Minister i Luftës dhe Kryekomandant i ushtrisë jugosllave, për të ndalue realizimin e administrimit të Mitrovicës nga shqiptarët, Gjermanët që, në veti nuk iu besojshin serbëvet dhe e dishin fare mirë se do të kishin ngatrresa me shqiptarët, mbas bisedimesh të gjata, u-detyruen ta njofin Prefekturen e Mitrovicës me Nënprefekturat e shënueme ma sipër, si Autonomi shqiptare, mbrenda shtetit serb. (Shif artikullin përktës të Ing. Ago Agaj).

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top