KOSOVA IME

SHKRUAN: ANTON MARKU

Kosova ime është zonë tranziti dhe vendtakim për mercenarë anonim, ushtarë që nuk morën pjesë në luftë dhe luftëtarë që vdekja nuk i deshti, oficerë karriere që nuk arritën të bëhen komandant dhe komandat pa qenë ndonjëherë oficer. Nëpër të parakalojnë agjentë të dyfishtë, prostituta politike të trefishta dhe seksere me çorape të bardha e rripa të zi në të gjitha sportet fisnike.

Sikur Perëndia i ka dhënë Kosovës time sytë mbrapa e jo para. Ajo më shumë merret me të djeshmen se sa me të sotmen dhe te nesërmen, dhe ende vuan pasojat e komplikimeve gjatë lindjes. Për këtë vazhdimisht i bën fajtor mamitë të cilat nuk e mbështjellën sa duhet që t’i rezistojë të ftohtit në jetën e këndejme, atë realen.

Kosova ime është një vend në të cilin fliten shumë gjuhë. Shumica nën tavolinë, disa përmes kodeve të fshehta e të tjerat prapa perdeve. Haptas flet pak kush.

Në Kosovën time nuk ka kosovarë, ka vetëm shqiptarë, serbë, turqë, boshnjakë, goranë, romë, egjiptas dhe ashkali e ndonjë të pavendosur. Aty-këtu ka dhe ndonjë gomar. Majmunë nuk ka. Edhe ata që ishin ka kohë që kanë kërkuar azil në një kontinent tjetër. Kosova ime as atyre nuk u ofroi perspektivë e as degë druri për tu varur.

Në Kosovën time për të jetuar me dinjitet duhet të kesh muskujt si të Rambos, lëkurën si të Hashimit, kokën pa lesh si të Vetonit, zërin si të Kadrisë, këmbët si të Adelines, gjoksin si të Dudijes, mjekrrën si të Labit dhe kuletën e Behgjetit.

Në Kosovën time një pjesë e konsiderueshme e veteranëve janë nën moshën njëzet vjeçare. Mbase ata i kanë ‘‘ngjizur’’ eprorët e tyre gjatë qëndrimit nëpër malet e bukura të këtij vendi stoik që duron gjithçka pa bërë asnjë fjalë. Për hir të luftës, natyrisht.

Në Kosovën time ndodhin edhe tërmete dhe çrregullime tektonike. Kjo sidomos kur kujdestarët e patriotizmit i qet nga takti një deklaratë e një akademiku dhënë një stacioni televiziv.

Kosova ime është vendi ku të dënuarit lihen të lirë, dhe atë me vendim të plotfuqishëm të gjykatava. Mjafton që të largohesh për disa vite në ndonjërin nga shtetet skandinave.

Në Kosovën time po nuk dite të notosh në të gjitha ujërat mund të të marrë lumi pa u bërë njëzet e katër orë.

Në Kosovën time të djathtët brenda natës bëhen të majtë dhe anasjelltas. Varet se çka u shkon në mulli.

Në Kosovën time të lirë, më lirshëm se të gjithë të tjerët shëtiten armiqët e lirisë.

Në Kosovën time, në vend se të luftohet varfëria luftohen të varfërit duke i bërë edhe më të varfër sa sa janë. Guximi dhe aftësia e politikanëve për tu bërë kaq të padashur për popullin është për tu admiruar.

Në Kosovën time askush nuk ecën, të gjithë nguten: Foshnjat ngasin pas sheqerkave, fëmijët pas akulloreve, djemët pas vashave, burrat pas grave, nxënësit pas mësuesve, mësuesit pas drejtorëve, profesorët pas rektorëve, kryetarët e komunave pas deputetëve, ata pas ministrave e këta të fundit turren pas kryeministrit duke menduar se aty do të gjejnë Moniken e Ilirit (Metës), një grua që si duket është i vetmi mashkull në familje. Të njëjtën xhiro e bëjnë edhe pacientët pas mjekëve, hajnat pas policëve, policët pas rrogave, rrogat pas kredive. Në të njëjtin zjarr digjen edhe shpërndarësit e gazetave që herët në mëngjes vrapojnë drejt kiosçeve në mënyrë që nga nënsqetullat mos tu ikën lajmi, ai që ne e konsumojmë çdo ditë.

Në Kosovën time dominon mendimi se leximi është po aq i dëmshëm për mendjen sa dhe pirja e duhanit për shëndetin. Aty ku dikur jetohej nga shkrimi, sot ështe art i vërtetë po qe se ia del të jetosh aq sa për të shkruar.

Kosova ime është vendi që më shumë u dhimbset atyre që janë jashtë se sa atyre që janë brenda. Po të ishte ndryshe nuk do i duronin tash e njëzet vite matrapazët dhe tugjarët e të gjitha ngjyrave.

Kosova ime është vendi që po lyp të rritet me territor në kohën që njerëzit që i ka brenda kufijve po i ikin përditë. Dhe po të ndodhë që të lëvizin gurët nuk do të ketë kush t’i punojë ato toka.

Kosova ime, me gjithë të mirat dhe të këqijat e saj, për të gjithë ata që u lindën në të, vazhdon të mbetet vendi më i mirë për të vdekur. Jo për të jetuar.

Një gjë është e sigurtë: Mbase këta të ferrit dhe ata të Parajsës edhe do të takohen ndonjëherë. Kjo mund të ndodhë gjithkund. Në çdo cep të planetit por jo dhe në Kosovë.

Mbase bota do të mund të bëj edhe pa Kosovën. Shumë prej nesh jo.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top