FFK 17 nëntor, 2018
Kombëtarja e Kosovës ka shkëlqyer në duel me Maltën, në La Valetta, duke shënuar fitore me rezultat 5:0, në kuadër të grupit 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve. Kjo ishte fitorja më bindëse e Kosovës në historinë e saj të re dhe njëherësh kjo fitore ia mundëson që ta mbajë pozitën e parë në grup, me dy pikë më shumë se sa Azerbajxhani.
Tani “Dardanëve” i mjafton një pikë në ndeshjen e fundit pikërisht kundër azerëve në stadiumin “Fadil Vokrri” për të siguruar kalimin në “play-off” të Ligës D, si dhe promovimin në Ligën C për edicionin e ardhshëm. Kosova e nisi rrufeshëm ndeshjen, duke krijuar raste të shumta. Në minutën e parë Vojvoda pati mundësi të mirë, por nuk harkimi i tij nuk arriti tek bashkëlojtarët. Në minutën e 3-të, Rashica harkon në zonë, ku gjuan shkëlqyeshëm Muriqi me kokë, por topi shkon pranë shtyllës. Në minutën e 6-të Zeneli depërton nga e majta dhe e shërben Herolind Shalën, ky gjuan furishëm nga distanca, por pran portës. Gëzimi i parë për “Dardanët” erdhi në minutën e 15-të. Rashica ndërhyn në një top të kthyer nga mbrojta e vendasve dhe topi shkon te Vedat Muriqi, i cili përballë portierit nuk gabon, shënon për 1:0 për Kosovën. Në minutën e 22-të një kombinim i dyfishtë i Valon Berishës dhe Arbër Zenelit, ku ky i fundit del përballë portierit, por topi devijohet nga portieri. Më pas Valon Berisha kishte dy mundësi të mira në minutat 35’ e 40’, por gjuajtjet e tij nga brendësia e zonës nuk e gjetën cakun. Në periudhën e parë të pjesës së dytë ishin maltezët që morën iniciativën, por në minutën e 70-të qetësinë në kampin e “Dardanëve” e mundësoi Benjamin Kololli me një gol me parabolë, pas një ngatërrese të mbrojtësve vendas, 2:0. Ndërkohë, në 12 minutat e fundit të ndeshjes Kosova mbizotëroi plotësisht. Donis Avdijaj me të hyrë në lojë shënoi pas asistimit të Muriqit, në minutën e 78-të për 3:0, kurse ende pa kaluar dy minuta Avdijaj shënoi edhe golin e dytë kësaj radhe pas asistimit të Rashicës, për 4:0. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar 5:0 e vulosi Milot Rashica, në minutën e 86-të, me një gjuajtje nga distanca.
Me këtë fitore Kosova mbetet në vendin e parë me 11 pikë në 5 takime, e ndjekur nga Azerbajxhani me 9 pikë në po kaq takime. Gjithçka tani vendoset të martën në stadiumin mitik “Fadil Vokrri”.
Malta – Kosova 0:5
Stadiumi: “Ta’Qali” në La Valleta
Shikues: 2,900
Gjyqtar: Bartosz Frankowski (Poloni)
Malta: A.Hogg, J.Zerafa, J.Caruana, R.Camilleri, Z.Muscat, J.Mbong, R.Muscat, (M.Mifsud 64’), R.Briffa, (P.Fenech 74’), J.Corbolan, (A.Effiong 64’), L.Gambin, A.Schembri.
Trajner: Raymond Farrugia
Kosova: S.Ujkani, F.Aliti, A.Rrahmani, M.Vojvoda, H.Shala, H.Kryeziu, M.Rashica, V.Berisha, (B.Halimi 61’), A.Zeneli, (D.Avdijaj 71), B.Kololli, V.Muriqi, (S.Demhasaj 84’).
Trajner: Bernard Challandes
https://www.youtube.com/watch?v=u8FwGM1uuIw