Korça

Shkruan: Edison Ypi

Kur Iljaz Mirahori ishte fëmijë, një ditë behari po flinte në një lëndinë. Sipër i bënte hije një shqiponjë krahëhapur e palëvizur si satelit gjeostacionar. Kjo çudi është prova se Mirahori ishte njeri i shenjtë dhe qyteti i Korçës që më pas e themeloi është një qytet i jashtzakonshëm.

Korça është një Zonjë e madhe me motra e vëllezër shumë. Motrat e Korçës janë Vjena, Roma, Londra. Vëllezërit e Korçës janë Parisi, Milano, Budapesti. Korça ka dhe plot kushurinj e kushurira, kunata, nipa, mbesa. Selanikun, Bukureshtin, Athinën, Stambollin, Zagrebin, Prishtinën, Shkupin.

Korça është i pari qytet ballkanik dhe i vetmi qytet shqiptar që është edhe kontinental edhe mesdhetar. Ky fakt gjeografiko-klimatik, kjo mpleksje e mesdhetarizmit me kontinentalizmin, e bën Korçën dhe hapësirën rreth saj një qytet absolutisht magjik, dhe udhëtimin drejt Korçës definitivisht magjepsës.

Si xhevahirët që ngado që ti’ shohësh janë ndryshe të bukur, edhe hijeshia e Korçës varet nga cili drejtim e sheh, nga cila anë i afrohesh.

Që udhëtimin drejt Korçës ta shijosh të tërin, në Korçë duhet vajtur i pa kushtëzuar nga kthesat e asnjë rruge, ngushticat e asnjë shtegu, vështirësitë e asnjë pengese. Pra e mira fare është në Korçë të shkosh si Zog. Në pamundësi për të vajtur në Korçë si Zog i Qiejve, variantet e tjera janë këto;

T’i afrohesh Korçës nga perëndimi. Kur ndodhesh mbi majë të Qafë Thanës, ndërkohë që ndjen se nga pas mesdhetarizmi i ngrohtë po jep shpirt, përballë po të vjen një tjetër fllad, një tjetër magji, kontinenti.

Po t’i afrohesh Korçës nga lindja, pra nga Devolli, provon ndjesinë e kundërt. Nga pas le freskinë kontinentale, ndërsa përpara të pret ngrohtësia mesdhetare, Korça e butë dhe e ngrohtë.

Ardhja në Korçë nga jugu nuk rekomandohet, është e zararshme. Nga Gryka e Këlcyrës, Lugina e Vjosës, Përmeti, Laskoviku, Kolonja, ke bërë mbi 100 kilometra mes bukurive më tronditëse të planetit gjatë të cilave s’ke asnjë gjasë të shpëtosh pa u prekur nga “Sindroma e Stendalit”, pra nga bukuria që lodh dhe sëmur. Pas atyre bukurive dhe asaj Sindrome, edhe Korça të duhet, që të çmendesh ose të vdesësh fare.

Udhëtarët me shije estetike të sofistikuara mund t’i aviten Korçës nga Gramshi nëpër rrjedhën e Devollit për të dalë në Maliq, pastaj në Korçë. Kalimi nëpër këtë kanion me humnera dhe ujvara frymëndalëse në këtë rrugë të cilën pak janë ata që e dinë se ekziston, dhe edhe më pak ata që e kanë shkelur, është udhëtim që mbetet përgjithmonë në kujtesë.

Nga Skrapari përmes maleve është variant që përveç sofistikimit të shijeve, kërkon edhe guxim, muskuj, si dhe përvojë, kushte këto që i plotësojnë ca entuziastë të çartur udhëtimesh qiellore, fatlumë për tu patur zili.

Nga rrëzë Malit të Thatë, Podgorie, Zvezdë, Plasë, Korçë. Ky variant i tërthortë është për të ngeshmit që nuk kanë problem kohën por kanë etje të shtuar dhe padurim të madh për rrënqethje estetike sa më të forta dhe që të zgjasin sa më tepër në kohë. Ky itinerar preferohet kryesisht nga lasgushianë të krisur që shkojnë me shpresë se duke udhëtuar andej do shohin ndonjë “shqiponjë të arratisur që fluturon mbi Mal’ të Thatë”.

Kolonja, Poradeci, Devolli, Prespa, Voskopoja, janë 5 xhevahirët e gjerdanit të artë që zbukuron gushën e Zonjës Korçë. Vendet ku magjepsja Korçare bëhet e papërballueshme, vendet ku nga kjo magjepsje mund të luash nga mënt e kokës, janë dy; Prespa dhe Voskopoja. Njëra më magjike se tjetra janë që të dyja “Vende të Mira” si Jeruzalemi dhe Meka, ku po të jesh’ i sëmurë, shërohesh, po të jesh i shëndetshëm, nuk sëmuresh. Voskopja dhe Prespa janë të dyja vende të shenjta të pandotura nga kallaballëku. Kur ndodhesh në këto dy vende, kur bërtet dhe dëgjon jehonat, ke ndjesinë se po llafosesh me Zotin.

Po të flesh një natë në Prespë apo Voskopojë dhe nuk sheh asnjë ëndërr, testi i idotllëkut të ka dalë me sukses, nuk dyshon më, idiot je, vuan nga pamjaftueshmëri shpirtërore dhe cerebrale, je qënie inferiore, leri udhëtimet dhe leximet, ik shit rraqe mbi ndonjë tezgë.

Nëse do flesh një natë në Voskopojë ose Prespë, dhe ëndërra do shohësh, idiot nuk je, në ëndërra do shohësh Shenjtorë, Kisha, afreske, varre të vjetër, Manastire me myshk, që do të fanepsen natë për natë gjatë 30 viteve të ardhshëm të jetës.
Shkodra i do, dhe mburret, por s’ka mardhënie të qënësishme me rrethinat e saj. Qytetarëia shkodrane ka qënë, dhe deridiku është, e lartë, por e izoluar, ishullore, sepse periferinë e ka pasur, dhe e ka, të paragjykuar, çka është një asimetri sa e panatyrshme dhe e pakëndëshme.

Vlora është e dominuar nga krahinat përrreth, pra e çbalancuar.
Gjirokastra është e njëjta gjë rrethepërqark. Libohoviti dhe tepelenjoti të nxjerrin sytë po u the se ata janë katundarë ndërsa gjirokastriti është qytetar.
Durrsi është një mishmash.
Lushnja, Fieri, Elbasani, s’merret vesh ku fillon qyteti ku mbaron fshati.
I vetmi qytet i Shqipërisë ku si në çdo qytet europian, secili kryelartë në dinjitetin e vet, qyteti është qytet dhe fshati është fshat, është Korça.

Po Korça nga brenda, si është vallë Korça njerëzore ?
Qytet europian me kisha dhe kumbanore, me Zonja dhe Zotërinj si gjithë Europa, Korça ka një butësi të brendëshme të ruajtur me një vendosmëri të pashoqe që nuk kanë arritur ta prekin dot as luftrat dhe asgjë. Ta prekësh butësinë njerëzore korçare është më vështirë se të gërricësh diamantin. Prandaj Korçës mos guxo t’i afrohesh më tepër. Po të kuturisësh do dukesh si elefanti në dyqanin e qelqurinave. Të merren mentë nga sofistikimi i saj. Më mirë merr një penel dhe ngjyra dhe bëj një Monaliza më mahnitëse se të Leonardos sesa të biesh në mëkat të “vizatosh” Korçën. Do ishte njësoj sikur t’i thuash kovaçit të Sovjanit; Daltat dhe çekanët i ke, mermerin ik merre në Strelcë, gdhëndmë Davidin.

Periferia e Korçës në mbrëmje është mahnitja më madhështore në fytyrë të dheut; Shkëlqar Voskopoja. Rrezar Shën Prodhomi. Vizllin Liqeri. Ngrysur Mal’ i Thatë. Vrënjtur Ivani. Zgjuar Gora. Fle Opari. Pëshpërisin kruajt e Gorës. Paqe Prespa. Rrjedh Devolli. Raki’ heq Sovjani. Dehet Plasa. Aheng Zvirina. Fresk Dardha. Zheg Pirgu. Dasmë Lubonja, Krisëm Korita. S’pipëtin Dvorani. Ulëret Ormani. Qan Qarri. Zjarr e flak’ Starja. Zymtohet Valamara. Vrënjtet Helmësi. Urtë Nizhaveci. Gjurulldi Kapështica. Prush nën kazana Boboshtica. Llaç e tulla Pojani. Valle hedh Bulgareci.

Thonë se Korçës do t’i vijë fundi kur Liqeni i Prespës të bëhet sa një filxhan kafeje dhe Mali i Thatë sa një kokërr arrë, domethënë kurrë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top