KONTRIBUTI I KLERIT KATOLIK SHQIPTAR PËR FE E ATDHE

SHKRUAN: DR. JAHJA DRANÇOLLI – Ligjëratë e mbajtur në Tribunën Shkencore “Ditët e Shën Nënë Tereza” në Zagreb, më 17 nëntor 2017

T’i sillesh çështjes së kontributit të Kishës romano-katolike Shqiptare, që nga fillimet e saja deri në ditët e sotme, në një kumtesë, është një punë e vështirë, ku duhet shfletuar një histori e bujshme më shumë se dymijëvjeçare. Është e njohur se krishterimi në trevat iliro-arbërore-shqiptare fillimet e veta i ka ç’prej kohës apostolike. Nga gjiri i kësaj Kishe dolën burra të shquar, të cilët duke derdhur gjakun kontribuuan për “Fe dhe Atdhe”.

Pasazhi i njohur i Shën Palit drejtuar bashkësisë së krishterë të Romës (të shkruar në Korint rreth viteve, 57-58), njoftonte: “[…] Kështu, qysh prej Jerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit “ (Rom 15, 19). Ky pasazh do të fiton peshë më të madhe me zbulime të reja, që dalin pikërisht nga njoftimet biblike sipas të cilave Shën Pali Apostull gjatë udhëtimit nga Kreta në Romë, ishte përmbytur me anije në bregun e Ilirisë, respektivisht në ishullin shkëmbor të Melitës (Mleti i sotëm në Dalmaci). Sipas Ediktit të Milanos më 313, kur organizimi kishtarë qe legalizuar në provincën e Dardanisë, ky religjion mori edhe frymën e zhvillimit institucional. Kisha e Dardanisë do të jetë më vonë element i fortë krishtërizues i ardhësve në Ballkan gjatë shek. VII-XI. Në këtë kontekst, gjatë shekujve të mesjetës së vonshme do të lindë një organizim i ri kishtar i vendosur mbi themelet e argjipeshkvive e ipeshkvijve Shkup-Prizreni, Ohër, Tivar, Kotorr, e ndonjë tjetër kishe romano-katolike dhe bizantine.

Në këtë kontekst shtrohet pyetja se ç’kishte ndodhur në atë kohë me Kishën katolike në treva arbërore? Burimet historike provojnë se “Kodi i Dushanit”, me nenet 6, 7, 8 dhe 9, të këtij kodi ndëshkonte predikuesit e konfesionit katolik. Megjithatë, janë ruajtur edhe shumë burime historike, të cilat dëshmojnë për interesimin e Papatit ndaj besimtarëve katolikë në treva arbërore. Si rrjedhojë e kësaj janë të njohura edhe shumë ndërtime ose mbindërtime sakrale: kisha, kuvende e katedrale romano-katolike, pothuajse në çdo qytet të Kosovës, të cilat gjatë shekujve të sundimit osman, si dhe midis dy luftërave botërore e në periudhën e komunizmit, u rrënuan pothuajse tërësisht.

Tashti po i zëmë ngojë (për sa na lejon koha), kontributin e klerit në koncile të përbotshme kishtare (shek. IV-XI), murgjit benediktinë e bazilianë (shek. VI-XIII), si dhe pasardhësit e tyre, dominikanët e françeskanët të njohur ç’prej vitit 1216. Falë punës, angazhimit dhe përkushtimit të klerit nga radhët e urdhrave në fjalë, çelët rruga deri te formimi i kuvendeve, e në kuadër të tyre edhe themelimi i shkollave, dhe së këtejmi edhe themelimi i Universitetit të Durrësit më 1380, i pari i këtij lloji në Ballkan.

Kur bëhet fjalë për Kuvendin dominikan të Durrësit duhet thënë se, gjatë shek. XIV-XV, ky kuvend i dha murgj dhe profesorë gjithë bregdetit Adriatik, si, bie fjala, Gjon Durrësaku, i pari rektor i Universitetit të Zarës (1396), si dhe provincial i Provincës së Dalmacisë (1392-1398); Andre Durrësak, lektor i Sentencave në Universitetin e Padovës (1434: lektor Sentencija na Padovanskom generalnom učilištu). Së këtejmi, gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV, vetëm në Raguzë do ti ndeshim 20 klerikë e murgj dominikanë dhe françeskanë nga Durrësi. Është për të vënë re se, meshtarët arbër arritën poste më të larta në hierarkinë kishtare, si, Andre Durrsaku, vikar i vikarisë së Dalmacisë (1290); Domenik Topia, argjipeshkëv i Zarës (më 1367), Andre Durrësaku (de Dyrrachio) argjipeshkëv i Raguzës (1387-1393); Jak Durrësaku, provincial i Provincës së Dalmacisë (1398); Theodor Durrësaku, përfaqësues i Provincës së Dalmacisë në Kuvendin e Përgjithshëm në Romë (1484). Në këtë kuadër duhet veçuar edhe kontributin e Gulielm Adam-it, argjipeshkëv i Tivarit i cili më 1332, shkruante se: “Arbërit kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja, kanë alfabetin latin në gjitha librat e tyre”.

Tërheqë vëmendjen fakti se Urdhri Françeskan në Arbëri qe themeluar prej vetë atit themeluesit Shën Françeskut. Për praninë e françeskanëve dhe kuvendeve të tyre në Shkodër, Durrës, Lezhë, Novobërdë, Prizren, Tivar Ulqin, bëjnë fjalë dokumentet që dalin nga vitet: 1258, 1272, 1283, 1288, si dhe shumë të tjera gjatë shekujve të mëvonshëm.

Hulumtimet tona ofrojnë të dhëna për disa dorëshkrime të hershme të dominikanëve arbër. Së këtejmi, dimë për një dorëshkrim të Domenik Arbërorit, në Bibliotekën Kombëtare të Parisit. Më pastaj për Kodet latine e greke të viteve 1256, 1276 të Nikollë Durrësakut, ipeshkvit të Kotronës (Itali), që i shërbyen gjeniut të kohës Tomë Akuinit; dorëshkrimi i farmacistit, frat Marin Shkodrani, që ruhet në Bibliotekën në Firence; 7 libra koralë nga shek. XV, që ruhen në Bibliotekën e dominikanëve në Split, etj. Këto dorëshkrime, zotëronin anëshkrime edhe fjalë nga leksiku i gjuhës arbërore.

Në Raguzë, ka jetuar njëri ndër humanistët më të moçëm arbër, Dom Gjon Gazulli, i doktoruar në Universitetin e Padovës (më 1430). Ky, së bashku me Palin, vëlla i tij, janë shquar për diplomatë në shërbim të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Një tjetër diplomat i Heroit tonë gjatë viteve 1438-1463, ishte edhe Gjergj Pelini i Novobërdës, abat i Rotecit afër Tivarit. Misioni diplomatik më i rëndësishëm i tij ishte pajtimi i Skënderbeut më Republikën e Venedikut në vitin 1448. Pas vdekjes së Pelinit (më 1463), këtë funksion diplomatik e kryente, argjipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli (1417-1469), bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut, si dhe autor i Formulës së Pagëzimit (më 1462), një ndër dokumentet e para të shkrimit shqip. Imzot Pal Engjëlli, krahas humanistit, Martin Segoni nga Novobërda, na rezulton se ishte autor i parë i dorëshkrimit kushtuar Skënderbeut. Së voni, është zbuluar se, Martin Segoni, ipeshkëv i Ulqinit, dhe doktor i drejtës kanonike (më 1475), është autor i dorëshkrimit me titull: “Tregim mbi Gjergj Kastriotin, nga turqit, në gjuhën e tyre, i quajtur Skander Beg, domethënë Aleksandër i Madh”, që ruhet në Firence. Kur jemi te veprat e para kushtuar HEROIT, padyshim duhet përmendur këtu edhe kampioni skënderbejan, Dom Marin Barleci (1508/10), si dhe pas tij, Dom Dhimitër Frangu (1539), Dom Frang Bardhi (1636), e ndonjë tjetër. Po, në këtë kohë bëri emër edhe Dom Gjon Buzuku, përkthyes i Mesharit (1555), i cili thoshte se nuk ka pasur në atë kohë libra të shtypur fetar në gjuhën shqipe.

Në Novobërdë, dhe disa qytete të tjera të Kosovës, u shquan disa meshtarë, që u bën të njohur në të dy anët e Adriatikut. Në këtë rast po e përmendim, Valeri Novobërdasin, teolog dhe filozof i shquar, i cili përveç aktivitetit të tij edukativ në disa universitete të njohura të kohës, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në shërbim të Papës Inoçenti VIII (dokument i vitit 1487). Nga Novobërda doli edhe teologu e filozofi i madh, Gjon Vaji, i cili sipas bullës së Papës Nikolla V (më 1451), kishte inauguruar kuvende dominikane në qytete të Dardanisë. Ndërsa Alberti i Novobërdës (de Novo Monte), anëtar i Kongregatës së Raguzës, në vitin 1499 i lejohet për t’i vizituar prindërit në Novobërdë, si dhe në vitin 1529 për të bërë pelegrinazh në Jerusalem.

Kontributi i klerit në ruajtjen e identitetit fetar dhe etnik

Gjatë shekujve të sundimit osman të shoqëruar edhe më shpërngulje dhe ndërrimin e strukturës fetare, pjesëtarët e klerit shqiptarë, sidomos të urdhrit françesakan, morën ndihmë nga vëllezër dhe misionarë italianë, kroatë, austriakë e gjermanë, të cilët së bashku do të kontribuojnë religjionit, kulturës dhe gjuhës shqipe.

Është për të vënë re se, përhapja e islamit në tokat shqiptare ishte një dukuri e shkaktuar prej bashkëveprimit të një numri faktorësh të natyrave të ndryshme: politike, ekonomike, kulturore dhe fetare. Imponimi për të kaluar në fe islame nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ishte një proces, që nuk u zhvillua gjithnjë e gjithkund pa reagime. Një nga format e qëndresës ndaj depërtimit të fesë së re ishte krishterimi i fshehtë (kriptokristianizmi), proces pothuaj i vetmuar në tërë arealin ballkanik, çështje kjo që është trajtuar në nivel të doktoratës nga Dom Shan Zefi.

Historikisht ky fenomen lidhet me luftërat austro-osmane të viteve 1683-1699, si dhe të viteve 1736-1739. Pas tërheqjes së forcave austriake drejt veriut, kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga argjipeshkvitë Pjetër Bogdani dhe Mikel Suma mbetën të vetmuar përballë ndëshkimit të pushtetit osman. Për ata që kishin luftuar deri atëherë heroikisht kishte vetëm dy rrugë: o të hiqnin dorë nga besimi i tyre dhe të integroheshin në botën islame, ose të emigronin në ndonjë vend të Europës për të ruajtur identitetin në pritje të kohëve më të mira. Vëmendje të veçantë kësaj çështjeje i kushtoi Kuvendi i Arbënit i mbajtur më 1703, me thirrjen e Papës Klementi XI – Albanit.

Me qëllim që të ndalonte rënien e mëtejshme të krishterimit katolik dhe valën e apostazisë (lëshimit të fesë) në ballafaqim me islamin dhe me lëvizjet reformatore në Europë, në fillim të shek. XVII, Selia e Shenjtë, mori masa të rëndësishme për gjallërimin e veprimtarisë së misionarëve katolikë në Ballkan. Më 1622 u themelua Kongregata e Shenjtë e Përhapjes së Fesë. Atëbotë, Kongregata e Shenjtë kishte emëruar disa ipeshkëv në Prizren, si, bie fjala, Pjetër Mazareku e ndonjë tjetër. Në vitin 1634 shoqata në fjalë kishte rithemeluar misione françeskane në Shqipëri, të cilat kanë luajtën rol të rëndësishëm në fuqizimin e qëndresës katolike përballë depërtimit në rritje të fesë islame.

Më 1651 Kongregata e Shenjtë e Përhapjes së Fesë, do të emëron Ndre Bogdanin argjipeshkëv në Ohër, i cili së shpejti do të caktohet për argjipeshkëv të Shkupit. Po, në këtë kohë, për shkaqe të presionit osman dhe të kishës ortodokse serbe, selia e Ipeshkvisë së Prizrenit shuhet deri në vitin 1677, vit ky që shënon emërimin e Pjetër Bogdanit për argjipeshkëv të Shkupit, si dhe dekretohet unioni e dy ipeshkvijve me një territor kishtar, që në vitin 1969 (sipas dekretit të 2 tetorit, No. CXXXIII/No. 53), do të riorganizohen në Ipeshkvinë Scopiensis-Prisrianensis (Shkup-Prizren).

Tërheqë vëmendjen fakti se, gjatë vitit 1689, Pjetër Bogdani i shoqëruar nga më se, 20. 000 kryengritës të Kosovës, koordinonte sulmet me ushtritë austriake kundër ushtrive osmane në Kosovë . Veç, kësaj, Bogdani do të shquhet edhe me veprën e tij monumentale, “Çeta e profetëve” (Cuneus prophetarum), të shkruar shqip e italisht, e cila pau dritën në Padova, më 1685.

Në vitet në vijim duket se nuk është botuar më në gjuhën shqipe. Vetëm në vitin 1706 u botua sërish nga Propaganda Fide një vepër e re, tepër interesante. Është fjala për aktet e të parit Koncil Nacional shqiptar të vitit 1703, të drejtuar prej Vinçenz Zmajeviq, argjipeshkëv i Tivarit. Aktet u botuan njëkohësisht në dy botime paralele, në latinisht dhe shqip: “Concilium albanum provinciale sive nationale/ Konçili Provinçial o Kuvendi i Arbenit”. Në vitin 1716, Propaganda Fide boton dhe gramatikën e parë në shqip, “Osservazioni grammaticali nella lingua albanese”. Hartues ishte prifti françeskan Francesco Maria Da Lecce, i cili kishte qëndruar me vite në Shqipëri si misionar. Gramatika përmban edhe një udhëzues për gjuhën me formula përshëndetëse, shprehje frazeologjike, etj. U ribotua disa herë dhe shërbeu deri më shek. XIX si një mjet ndihmës për të mësuarit e shqipes. Vepra e fundit në shqip e botuar në shek. XVIII nga Propaganda Fide ishte “Dottrina Cristiana” (Mësimi i krishterë) i Gjon Nikollë Kazazit, zbuluesi i Mesharit të Buzukut. Libri i fundit në shqip në shek. XVIII ishte “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” i Jul Varibobës, që u botua nga një shtypshkronjë e panjohur në vitin 1762 në Romë. Nga fundi i shek. XVIII Italia pushoi të jetë vend i botimit dhe shtypjes së librave në shqip. Tashmë shtypeshin libra dhe në Monarkinë Habsburge, në Rumani, Bullgari, Greqi, Egjipt dhe Turqi. Në gjysmën e dytë të shek. XVIII priftërinjtë katolikë humbin pozicionin e tyre të monopolit si autorë librash. Kjo traditë, por me intensitet pak ca më të zvogëluar, vazhdoi edhe në shek. XIX. Së këtejmi, Imzot Dario Bucciareli, argjipeshkëv i Shkupit, i cili vdiq në Prizren më 1878, botoi në Romë në vitin 1862 (në italisht), Gramatikën e gjuhës shqipe. Po në këtë vit ky autor botoi edhe librin “Udha e Krygjës”. Atë Francesco Rossi da Montalto Ligure, misionar për një kohë të gjatë në Kosovë, shkroi veprën “Regole grammaticali della lingua albanese” (Roma 1865) dhe Fjalorin shqip-italisht dhe italisht-shqip (Roma, 1866, 1875).

Kontributi i Kishës Katolike dhënë Rilindjes Kombëtare Shqiptare

T’i kthehemi edhe një herë Papës Klementi XI ose Gjon Françesk Albanit, shenjtëria e të cilit i përkiste vargut më numër 250, që zuri selinë e Shën Pjetrit në Romë. Identitetin e tij shqiptar e mbështet edhe Papa Pali VI, në letrën e tij, të botuar më 17 janar 1968, në Romë, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në këtë letër, e cila u lexua në Vatikan, u përcoll edhe nga shumë mjete të informimit botëror. Mes tjerash, papa Pali VI thoshe: “Nuk i harrojmë as ata burra të cilët e ruajnë edhe fenë e tij baras me përkushtim ndaj Selisë Apostolike, për shërbim të së cilës ata dhuruan njerëz të përmendur për dituri dhe virtyte, si me kënaqësi po e përkujtojmë, paraardhësin tonë Klementin XI nga populli Alban, i cili mburrej me prejardhjen e vjetër të tij shqiptare”.

Nga gjysma e dytë e shek. XVIII, nisën të shpeshtohen shenjat e dobësisë politike të Perandorisë Osmane. Në këtë kontekst Fuqitë Europiane, aleatë të katolikëve shqiptarë, kaluan në avantazh karshi Sulltanit, i cili nuk ishte në gjendje as brenda vendit të imponohej sa duhet. Kjo ndodhi edhe në Shqipëri, ku u shfaqë një formë e separatizmit nga Sulltani, sidomos nëpërmes të Pashallukut të Shkodrës, Pejës, Prizrenit dhe të Gjilanit. E shtrënguar nga kjo gjendje, Porta nisi të bënte disa lëshime në trajtën e reformave. Mirëpo, për shqiptarët katolikë nuk ndryshoi situata fare. Së këtejmi, kur 25 familje të fshatrave, Stubëll, Binçë, Vranikollë, Terzijaj deshën që haptazi të deklarohen se janë të krishterë katolikë, Maliq beu i Gjilanit, më 1846 i internoi në Anadolli, duke ia tërhequr vëmendjen Portës, nëse këta lirohen, atëherë Kosova e tërë do të kthehen në katolicizëm. Kjo ngjarje, nxori në dritë edhe martirologjinë e shqiptarëve të besimit katolikë të trevës së Karadakut gjatë viteve 1846-1848.

Shkollat romano-katolike dhe Kongresi i Manastirit

Në mbështetje të burimeve të kohës, që dalin sidomos nga provenienca Perëndomore, ne do të ndeshim në shkolla katolike gjatë shek. XIX, si, bie fjala, në Pejë, Gjakovë, Prizren, Janjevë, Stubëll, Shestan dhe Ljare. Shkolla e Tivarit e themeluar gjatë viteve 1890-1863. Mësimi, në shkolla të përmendura është zhvilluar në latinisht, italisht, dhe shqip. Në këto shkolla fillimisht punonin disa famullitarë, si dom Simon Lumezi, dom Mazreku, ndërkaq nga vitit 1889 punonin mësuesit profesionist, si, Mati Logoreci dhe Lazër Lumezi.

I tërë ky aktivitet në hapjen dhe zhvillimin e shkollave kërkonte jo vetëm përgatitje intelektuale, por edhe një alfabet për të gjithë shqiptarët. Ky nuk ishte lehtë të realizohet, meqë, në Shqipëri vepronin disa alfabete, si, alfabeti i “Bashkimit”, “Elbasanit”, “Stambollit”, “Agimit”, e ndonjë tjetër. Me nismën e abatit të Mirditës, Prenk Doçi, në vitin 1899 ishte themeluar në pallatin e tij në Shkodër, Shoqëria “Bashkimi”. Para kësaj kohe në tërë Shqipërinë, publikimet e çdo teksti në shqip ishin të ndaluara. Madje edhe publikimet e librave që nuk ishin thjesht me lutje fetare, nga ana e Perandorisë osmane konsideroheshin për tekste politike. Alfabeti i Shoqërisë “Bashkimi” më vonë pësoi ca ndryshime të konfirmuara edhe në Kongresin e Manastirit, ku Shoqëria Bashkimi përfaqësohet nga Atë Gjergj Fishta e Luigj Gurakuqi.

E para punë e Shoqërisë Bashkimi, qe caktimi i një alfabeti mbi bazën e shkronjave latine, çështje kjo që ishte vepruar më se një herë nga shkrimtarët e moçëm shqiptarë. Alfabeti në fjalë, me gjithë disa të metave shkencore, ishte praktik, dhe librat shqip mund të shtypeshin gjithkund ndër shtypshkronjat brenda dhe jashtë Shqipërisë. Krahas alfabetit të Shoqërisë Bashkimi nga viti 1901 nisët të punohet edhe me alfabetin e Shoqërisë “Agimi” të udhëhequr nga jezuiti Dom Ndre Mjeda. Nga vitit 1901 nisi të botohet edhe ndonjë tekst shkollor i ri, që u përdorë deri kur çështja e alfabeteve mori fund në Kongresin e Manastirit (1908), ku u spikat sidomos erudicioni i Atë Gjergj Fishtës, dom Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit e ndonjë tjetër kleriku, të cilët kontribuan në arritjen e kompromisit, ndërmjet alfabeteve të shoqërive të “Stambollit”, të “Bashkimit” dhe të “Agimit”.

Shekulli i rimëkëmbjes

Shekulli XX tek shqiptaret solli rrethana të reja politike shoqërore e kulturore të cilat domosdoshmërisht u reflektuan edhe në fushën e organizimit fetar. Pushtimi serb i Kosovës më 1912 përveç që u shpreh edhe në organizimin fetar të ndarë nga ai i Shqipërisë bëri që mos të respektoheshin të drejtat elementare fetare e njerëzore të shqiptarëve. Aktiviteti për “Fe dhe Atdhe” i klerit katolik i shprehur me vepra konkrete, ishte përgjigje më e mirë ndaj kësaj politike shtypëse dhe përçarëse.

Përgjithësisht shqiptarët kishin trashëguar nga tradita ndjenja të larta tolerance fetare. Këtë traditë me vlera tradicionale, kleri ynë ka ditur ta drejtonte, mbronte dhe ta prezantonte tek të huajt. Kështu, në vitin 1913, brigadat serbo-malazeze kishin pushtuar Rrafshin e Dukagjinit, duke bërë masakra të tmerrshme i detyronin shqiptarët e besimit katolik dhe myslimanë të ndërronin fenë dhe të bëheshin ortodoksë, për t’u sllavizuar më lehtë. Ata kishin tubuar në Gjakovë shqiptarët e besimit katolik në një anë dhe të besimit myslimanë në anën tjetër, për t’i pushkatuar, mbase nuk donin të ndërronin fenë e tyre. Dhe, për këtë alarmohet Ipeshkvi katolik nga Prizreni, Imzot Lazër Mjeda, i cili kishte ndërhyrë tek komandanti malazez, duke i thënë, se po nuk i lëshove do të alarmojë Europën, për këtë gjenocid të paparë. Ndërkaq, komandanti malazez, i drejtohet Ipeshkvit Mjeda me këto fjalë: “Ja ku i ke, merri katolikët tuaj!”. Mirëpo, Imzot Mjeda, i përgjigjet komandantit malazez se, “Edhe myslimanët janë të tij, sepse të gjithë janë shqiptarë”. Dhe, më në fund, ai detyrohet t’i lirojë të gjithë ata shqiptarë të pafajshëm. Këto veprime nuk mbetën pa jehonë dhe pa reflektime pozitive lidhur me të ardhmen europiane të shqiptarëve.

Kontributi i klerit për “Fe dhe Atdhe”, në gjysmën e parë të shek. XX, njihet sidomos nëpërmjet të, At Shtjefën Gjeçovit, autor i Kanunit të Lekë Dukagjinit. Për kontributin e tij, radhitet përkrah dy gjenive të tjerë, At Gjergj Fishtës e At Anton Harapit. Mahniti me kulturën e tij, Faik Konicën dhe shkrimtarin, Dom Lazër Shantojën, një martir i krishterimit gjatë diktaturës komuniste. At Gjeçovi, mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë. Kjo veprimtari e bujshme kundër synimeve shkombëtarizuese serbe ndaj popullsisë e religjionit dhe kulturës shqiptare u bë shkak, për vrasjen e tij më 1929. Serbët nuk u kënaqën vetëm me vrasjen e Shtjefën Gjeçovi shkruante më 30 janar të vitit 2000, L’Osservatore Romano, meqë në të njëjtën mënyrë u sollën edhe komunistët me eshtrat e Jak Serreqit, Lazër Mjedës, Gaspër Thaçit, Ernest Cozzit, Bernardin Shllakut e Gjergj Fishtës.

Kleri katolik kontributin e vet do ta vazhdon edhe në shembjen e komunizmit në Shqipëri dhe në Kosovë, ku politika milosheviqiane kishte shuar autonominë e vendit (më 1989), të shoqëruar me persekutime ndaj shqiptarëve. Kjo dhunë mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, mu aty ku kishte filluar kriza e Jugosllavisë. Në këto kohë krize u shquan sidomos, Monsignor Dom Lush Gjergji, nestor i opusit kushtuar Shën Nënës Tereze, si dhe njëri prej kampionëve të Lëvizjes Shqiptare për Faljen e Gjaqeve në Kosovë 1990-1992, ndërsa Kisha katolike e Kosovës në krye me ipeshkvijtë, Imzot Nikë Prela dhe Imzot Mark Sopi, promovonin qëndresën paqësore, rrugë kjo universale e religjioneve të mëdha.

Nga gjithë ajo që u tha më sipër, më plotë gojën mund të thuhet se askush nuk e ka ruajtur autoktoninë tonë ilire-arbërore-shqiptare më shumë se sa kleri ynë dhe krishterimi. Dhe së këtejmi, nga ky krishterim i lashtë e martir dolën edhe dy përfaqësuesit më të mëdhenj të shekullit XX: Patriku ekumenik gjithëortodoks, Atenagora I dhe Shën Nëna Tereze.

Dhe për fund, mua më pëlqen të theksoj se kleri ynë i udhëhequr me Imzot Dodë Gjergjin, është duke i vazhduar me sukses arritjet mijëvjeçare të klerit katolik në këto treva, duke ndërtuar edhe Katedralen në Prishtinë kushtuar të Shenjtës Nëna Terezë, Katedrale kjo që dita ditës është duke e rikthyer Kosovën në Europë, pjesë e së cilës ka qenë gjatë gjithë historisë së saj.

 


 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top