KONICA, KY GJIGAND I OPOZITARIZMIT

Nga Marjana Bulku

Viti 2016 është shpallur “Viti i Konicës”, një iniciativë kjo e Vatrës Panshqiptare këtu në SHBA për nder të njërit prej udhëheqësve të vet. Vatra e ka për traditë t’ju bëj vend dhe nderime liderëve që i dolën zot kombit, intelektualëve që patriotizmin e kanë përmbi interesat e ngushta të momentit. Nuk e di se sa përbën lajm kjo për shqiptarët andej Atlantikut, as për këta këtej Atlantikut, por thellësisht mendoj se sikur një ditë të vitit të lexonim Faik Konicën, të njihnim personazhet e tij, të tentonim të mendonim si Konica, ta njihnim Shqipërinë si ai, ta kundërshtonim të keqen, të shkruanim përmes faktesh historinë tonë, të kritikonim regjimet…ne do ishim një popull elitar.

Konica, ky korife i dijes, disident i regjimeve të padrejta, publicisti, esseisti, prozatori modern, polemisti, diplomati e mbi të gjitha havardisti i artë, që i përket jo vetëm letërsisë shqipe e cila ia ka kufizuar padrejtësisht përmasën atij duke ia mohuar shqiptarëve leximin e veprës së tij që duket sikur është përherë aktuale sepse kështu dinë të jenë njerëzit e mëdhenj, universalë, por Konica mbetet një kulmim i përhershëm i kulturës sonë kombëtare për përshkrimet e tij mbi etnografinë, traditat, stilin konservator të jetesës,të cilat përbëjnë tablotë e para realiste nga ku të huajt na perceptonin ne përtej atij izolimi absurd mohues,deri shfarosës. Konica ky njeri anti-kornizë nuk mund të ndërtonte personazhe me urdhër, nuk mund të mendonte njëlloj qoftë edhe si eprorët e vet, nuk mund ta fshihte mendimin e vet, publicistika e tij aktive përmes gazetës Albania dhe Dielli dëshmojnë se të jesh intelektual do të thotë të jesh i angazhuar me identifikimin e çështjeve në mënyrë të vazhdueshme e ritmike dhe realiste pse jo kritike.

Përmasa e tij intelektuale është krahasuar me një bibliotekë lëvizëse një analogji kjo që i shkon përshtat plotësisht Konicës, të cilit edhe personazhet e veta i ngjajnë aq shumë. Ata janë të lirë,e duan progresin, respektojnë brezat por duke iu nënshtruar vlerave që na zhvillojnë,ata nuk mund të jenë detyrimisht heronj të luftës apo të punës siç Realizmi socialist edhe në letërsi diktonte, ata janë studentë, diplomohen jashtë Shqipërisë  e duan Shqipërinë pa fund, kanë provuar se malli për atdheun peshon fort kur je larg tij, ata zhgënjehen nga realiteti absurd, duan ta ndryshojnë atë, e shohin që është e vështirë, duhen shumë studentë, duhen më pak heronj lufte a pune…po, duhen mendje që ti prijnë atyre njerëzve fatkeq që politika i izolon.

Personazhet e Konicës janë ëndërrimtarë që në pragun e varfër të shtëpisë dhurojnë vizione të së nesërmes që nuk vjen nëse nuk kupton dhe pranon gjendjen ku ndodhesh. Konica ky thyes kornizash përmes mendimit të lirë , atij mendimi që konstrukton polemika e debate që shtojnë perspektiva zhvillimi shoqëror dhe kulturor, ky shembull i opozitarizmit nga i cili opozitarizmi foshnjor shqiptar ka shumë për të mësuar dhe uroj që të paktën një ditë të vitit të flasin me stilin e tij, ta lartësojnë gjuhën shqipe jo sa ai por si ai. Konica ky havardist që njihte të paktën katër gjuhë të huaja nuk heziton kurrë të shkruajë në gjuhën shqip sepse kështu do ti bënte dhuratën më të bukur Kombit të tij,shpresën për të mos u asimiluar,ëndrrën për të tejkaluar izolimin e gjatë komunist e për ti shkuar edhe lexuesit të varfër shqiptar që kornizat me heronj e marksizëm e histori partie ia bënë edhe më të neveritshëm leximin. Viti 2016 është viti i Konicës, e sikur të paktën për çdo vit të kishim një ditë Konicë, lexuesit do pasuroheshin, gjuhëtarët do ndriçoheshin, kultura shqiptare gjithashtu, diplomatët një krenari më shumë, studentët edhe më të thelluar, esseistët, letrarët shkrimtarët, opozitarët, politikanët gjithashtu shikimin thellësisht nëpër realitetin tonë që nuk është gjithmonë ashtu siç duket.

Konica ky ajsberg i mendimit është i lartë sa ç’duket është i thellë dhe i padukshëm po aq, prandaj ende shkruhet për të, flitet e përflitet për të, këtu edhe atje me Atlantikun gjigand në mes.

Konica përmes anatemimit dhe shkëlqimit na bën të kuptojmë se objektivizmi e lartëson individin edhe kur subjektivizmat tentojnë të dhunojnë qoftë edhe varrin që ashtu përmes pllakave të thyera duket se thotë: Konicë, si Ty-të nuk duhet të vdesin!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top