Shkruan: Xhafer Sadiku
24 Maji 1944 është një nga datat më emblematike dhe mitet e historiografisë komuniste që përkujtohej dhe festohej me madhështi nga regjimi komunist. Ajo ishte kthyer në ditë feste, e pervitshme, ku çdo 5 vjet, shkonin nga Tirana krerët më të lartë të regjimit, madje disa herë kishte shkuar vet Enver Hoxha.
Po çfarë domethënie ka kjo datë?!
Është fakt historik se Partia Komuniste e Shqipërisë është formuar dhe forcuar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë. Ndryshe nga komunistët shqiptarë që nuk kishin as njohuri për doktrinën komuniste, as formimin intelektual dhe as një projekt të qartë nacional, komunistët jugosllavë i kishin mjaft të qarta idetë dhe objektivat e tyre.
Doktrina e projektit serb “Naçertania” në çfarëdo ide që të përfaqësohej, si nacionalizëm apo komunizëm, do të paraqitej gjithnjë për të realizuar doktrinën e vjetër: pansllavizmin. Për ta realizuar projektin e tyre, duhej eliminuar paria shqiptare, e cila, që nga Lidhja e Prizrenit e këtej, ishte bërë pengesa e realizimit të projekteve antishqiptare.
Pikërisht, këtu u përqëndruan komunistët sllavë: ata punuan me durim për të nxitur urrejtjen e komunistëve shqiptarë për bashkatdhetarët e tyre jokomunistë dhe nacionalistë. Kjo solli si pasojë luftën civile të filluar nga komunistët, pasojat e së cilës tashmë njihen mirë.
• Pse u mblodh Kongresi i Përmetit?
Deri në pranverë të vitit 1944, komunistët kishin arritur disa rezultate në luftën civile që zhvillohej në Shqipërinë e Jugut, por në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut roli i tyre ishte pothuaj inekzistent. Tërheqja me shpejtësi e trupave gjermane nga Greqia, në kushtet kur komunistët kishin influencë vetëm në një pjesë të vogël të Shqipërisë, e bënte të pamundur realizimin e planeve të komunistëve jugosllavë, për shkak se qeveria do tu mbetej në dorë jokomunistëve dhe nacionalistëve. Udhëheqja e komunisteve jugosllave theksonte se: “reaksionarët kanë pas sukses në bashkimin e popullit të Shqipërisë së Veriut e VL (Verilindjes, -shënimi im, XH. S) në luftë kundra nesh dhe kanë mundë me bindë atë popull që neve jemi për çështjen serbe e komuniste…”
Komanda e Korparmatës II Jugosllave angazhohej: “ne ndërmarrim të gjitha masat që popullit, Komitetit dhe Shqipërisë së Veriut t’ua sqarojmë qëllimet e luftës sonë e veçanërisht popullit të Shqipërisë së Veriut se ne nuk kemi asnjë qëllim ja plan kundrejt Shqipërisë…”,
Ajo e bënte të qartë edhe qëllimin e luftës dhe qëndrimin e tyre mbi tokat shqiptare nën Jugosllavi, që asokohe i ishin bashkuar Shqipërisë: “…asnjë pëllëmbë e tokës sonë për lirimin e së cilës na luftojmë qysh tre vjet dhe japim bijtë tonë më të mirë të vendit tonë, nuk do të lëmë kërkënd e aq më shumë atyre që kanë mujtë me grabitë krahinat tona me mbështetjen e grupeve t’okupimit”.
Në telegramet e tyre gjatë periudhës mars-maj 1944, ka urdhëra e udhëzime për komunistët shqiptarë se si të forconin partinë e tyre, pasiqë, “…vetëm ajo do të qe garantuesja e zhvillimit të drejtë të ngjarjeve në Shqipëri”.
Duke mos patur besim te misionet aleate pranë shtabit komunist në Shqipëri, ata urdhëronin të pengonin “…çdo tentativë të reaksionit të huaj dhe reaksionit të vendit që mos ta shmangin prej vijës së saj të drejtë dhe të përfitojnë për qëllimet e tyre”.
Shtabit komunist jugosllav theksonte: a) “Është e nevojshme që fuqinat t’uaja pjesërisht t’i orientoni nga Shqipnia e Veriut dhe Kosmetit me qëllim bashkëpunimin me forcat tona; b) Që me durim t’i shpjegojmë qëllimet e luftës s’onë popullit në Shqipërinë e Veriut që t’i shmangë ndërhyrjes njësiteve ushtarake nga ato anë kundra nesh…”
Por partizanët shqiptarë ishin të paktë në numër dhe në formacione të vogla.
Për të realizuar planet e tyre në terrenin shqiptar, udhëheqja komuniste jugosllave, dërgoi emisarët e vet, te cilet organizuan një kongres, që u mbajt më 24-28 maj 1944 në Përmet, qytet i lirë që nga 13 shtatori 1943, kur ishte larguar garnizoni i ushtrisë italiane.
• Zhvillimi i punimeve te kongresit
Në kongresin e Përmetit morën pjesë 188 delegatë, ku me përjashtim të 5-6 prej tyre, të gjithë të tjerët ishin nga Shqipëria e Jugut. Më konkretisht, ata vinin nga: 18 delegatë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm e të Këshillit nacionalçlirimtar; 25 delegatë nga Korça, 48 nga zona e I Operative Vlorë-Gjirokastër, 15 nga zona e Berati, 8 nga zona e Elbasani, 10 nga Tirana, 3 nga Peza, 2 delegatë nga Durrësi. Të tjerët ishin: 10 delegatë nga Rinia antifashiste, 5 nga Gruaja antifashiste, 6 nga Brigada e I, 4 nga Brigada II, 4 nga Brigada III, 4 nga e IV, 7 nga Brigada e V, 5 nga Brigada VI, 6 nga Brigada VII, 3 nga Brigada VIII dhe 5 delegatë nga Brigada XII. Duhet theksuar se përfaqësuesit e brigadave partizane ishin krerët e tyre. Me përjshtime të rralla, po thuaj se të gjithë ishin antarë të PKSH.
Referuar raporteve kryesore të mbajtura në kongres, diskutimeve të delegatëve dhe vendimeve të marra, kongresi ishte zbatim pikë për pikë i direktivave të PKJ për përcarjen e shqiptarëve. Diskutimet ishin tërësisht ideologjike, thellësisht përcarëse dhe tejet denigruese për kundrështarët politikë, madje edhe per mbeshtetesit e tyre me tharm nacionalist.
PKSH në kongresin e Përmetit mori disa vendime, por tre ishin më kryesoret:
1- Të mos lejohej krijimi i çfarëdo qeverie jashtë apo brenda Shqipërisë dhe t’i ndalohej hyrja e Mbretit Zog në Shqipëri;
2- Krijimi i Komitetit Antifashist Nacionalclirimtar me atributet e një qeverie,
3- Krijimi i divizionit të Parë partizan dhe ofensiva mbi Shqipërinë e Veriut.
Menjëherë u urdhërua mësymja e divizionit të parë drejt Shqipërisë së Mesme e të Veriut, ku kreu masakra të përgjakshme. Në bashkëpunim me korparmatën e II jugosllave u krijua rrethi i zjarrit mbi Shqipërinë e Mesme e të Veriut. Rezultatet e asaj ofensive dihen: mijëra të vrarë e te plagusur, shumica nga popullsia civile, ku përfshiheshin gra, pleq dhe femije, Rezultati i terrorit komunsit, te legjitimuar ne kongresin e Pemetit, ishte marrja e pushtetit nga komunistet dhe vendosja e diktatures se proletariatit dhe pushtetit te sovjeteve.
Perfundime
Po të bëjmë një bilanc mbi analizën e dokumenteve, fakteve dhe shifrave, do të rezultojë se:
• Kongresi i Përmetit realizoi pikë për pikë projektin sllav të dominimit mbi Shqipërinë.
• Me kongresin e Përmetit, PKSH vetlegjitimoi pushtetin e saj nëpërmjet terrorit. Ajo ndaloi pluralizmin politik në Shqipëri, shkatërroi organizmin shoqëror të shoqërisë shqiptare me pasoja katastrofike qe vazhdojne e dhe sot.
• Kongresi i Përmetit e renditi Shqipërinë jo në krah të aleatëve siç pretendojnë social-komunsitët e sotëm, por nën sundimin sllav. Deklarata e Keshillit Antifashist Nacionalclirimtar eshte prova me e qarte.
• Partia Komuniste e Jugosllavisë realizoi projektet e saj për të zhdukur parinë jokomuniste dhe nacionaliste shqiptare në trojet etnike, dhe dominimin e plotë të saj mbi Shqipërinë.
• Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, shumë nga pjesëmarrësit në kongresin e Përmetit do të ekzekutoheshin dhe akoma më shumë do të burgoseshin. Fatin me te keq do ta kishin ata nga Shqipëria e Veriut.
• Ata që përfituan dhe e mbajnë akoma si mit kongresin e Përmetit, janë kriminelët që ushtruan terrorin komunist dhe pasardhësit e tyre që u është shplarë truri nga propaganda social-komuniste.
• Miti i kongresit të Përmetit shërben për të mbajtur gjallë urrejtjen e social-komunistëve kundër pjesës tjetër të popullit shqiptar.
-0-
_____________________
AQSH, FO. 41, viti 1944, dosja 136. (Korparmata II komandohej nga general- lejtnant Peko Dajoçeviç dhe komisari Mitar Bakiç. Ajo kishte në përbërjen e saj 5 divizione dhe 10 aradha partizane)
AQSH, FO. 41, viti 1944, dosja 13.
AQSH, FO. 41, Viti 1944, dosja 53.
AQSH, FO. 41, Viti 1944, dosja 65.
AQSH. FO. 447, dosja 36, f. 4.