SHKRUAN: ALBIN KURTI
Para njëmbëdhjetë dekadash, në vitin 1908, në Manastir u mblodhën 150 delegatë nga të gjitha trojet e krahinat si edhe nga diaspora, në atë mbledhje që asokohe hyri në histori si «Kongresi i Abesë», apo Kongresi i Alfabetit, siç i themi sot.
Në atë kuvend u morën vendime të rëndësishme sa i përket shkrimit të gjuhës sonë: iu dha fund kaosit që mbizotëronte dhe u hap rruga për njësimin e plotë të alfabetit, deri te alfabeti që përdorim sot. Ky nuk ishte problem i vogël, thjesht gjuhësor apo letrar-kulturor, por një problem i mprehtë politik. Fqinjët e fuqitë perandorake nuk ishin të interesuara për njësimin e forcimin e një entiteti shqiptar, andaj investonin në përçarje e në thellimin e dallimeve, duke politizuar fenë, dialektet e të folmet, e në atë kohë edhe ndryshimet e alfabeteve që përdornin shqiptarët.
Kongresi u mblodh në shtëpinë e Fehim Zavalanit, Kryetar i Kongresit ishte Mit´hat Frashëri, kryetar i Komisionit për Alfabetin u bë Gjergj Fishta, sekretare ishte Parashqevi Qiriazi, nënkryetarët ishin Grigor Cilka e Luigj Gurakuqi, e anëtarë të tjerë të Komisionit ishin Ndre Mjeda, Hilë Mosi, Thoma Avrami, Nyzhet Vrioni, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Sotir Peci, Gjergj Qiriazi, Mihal Grameno, Zenel Glina, Leonidha Naçi, Simon Shuteriqi, Dhimitër Buda, Aziz Starova, Adam Shkaba, Mati Logoreci, Rrok Berisha, Shefqet Frashëri, Nikollë Kaçorri, Refik Toptani, Hafëz Ibrahimi, Emin Bej Shkupi, Rauf Bej Gjirokastra, Selahedin Bej Manastiri etj. Ndërkohë sigurinë e qytetit dhe të Kongresit e mundësonte Çerçiz Topulli, me luftëtarët e tij.
As nuk dëshiroj të mendoj se çka do të ndodhte nëse detyra të tilla të mëdha do të vendoseshin përpara pushtetarëve të sotëm shqiptarë, të cilët duket se e kanë normalizuar dëmtimin e interesit kombëtar, përçarjen e sponsorizimin e saj nga fqinjët.
Por, është fat i yni që themelet e shtëpisë së shqiptarëve janë hedhur nga njerëz me ngritje kulturore e atdhetare të tillë, si figurat e shquara që morën pjesë në Kongresin e Manastirit. Jo se ata nuk kishin dallime politike, përkundrazi, kishin përballje, debate e përplasje të forta. Por përballë interesit kombëtar ata shpesh vendosën të jenë të bashkuar. Këtë proces e ndihmoi afrimi i idealistëve figurave më të kulturuara të kombit në këto ngjarje politike, e njëkohësisht mbajtja larg e figurave të pakulturuara e ambicioze, që ishin në gjendje të digjnin atdheun për përfitimin e vet. Edhe sot përpjekjet tona janë të ngjashme, të afrojmë në politikë idealistët e të kulturuarit, e të largojmë prej saj përfituesit.
Kongresi i Manastirit zgjodhi për shqiptarët alfabetin latin, edhe për ta vendosur palëkundshëm kulturën shqiptare brenda kulturës evropiane, por edhe për të respektuar traditën e shkruajtësve më të parë të shqipes, që nga Buzuku e të tjerë, si dhe popullaritetin që tashmë e kishte fituar ky alfabet edhe në botimet që i paraprinë Kongresit të Manastirit.
Sot këtë alfabet e mësojnë gjithë fëmijët në shkolla, dhe e përdorim të gjithë përditë. Pa të, nuk do të mundeshim të kishim Shqipëri, e as Kosovë, e shqiptarët ndoshta do të ishin veç një komunitet kulturor, pa agjensi të vetën politike, siç ka qenë plani i shumëkujt për ne. Këtë duhet ta mendojmë, dhe duhet t´ua mësojmë fëmijëve, t´ia respektojnë secilën shkronjë këtij alfabeti, ta duan dhe ta përparojnë shqipen e Shqipërinë, atë Shqipërinë ideale, pjesë e së cilës është edhe Kosova.
Diçka tjetër, që duhet të kujtojmë sot, janë shqiptarët e Manastirit. Po, është e vërtetë që shqiptarët masivisht janë spastruar prej Manastirit në gjysmën e parë të shekullit XX, megjithatë, atje ende sot ka shqiptarë, si në qytet ashtu edhe në fshatrat rreth qytetit. Këta pak mijëra shqiptarë, kanë nevojë për ndihmën e vëmendjen e Shqipërisë dhe të Kosovës, edhe që të lulëzojnë si kulturë e komunitet, edhe që t´u respektohen të drejtat, por edhe që kujtesa e tyre kombëtare, që është e të gjithëve neve, të zërë një vend të respektuar në qytet. Vetë ndërtesa ku është mbajtur Kongresi, por edhe objekte e vende të tjera, duhen kthyer në objekte pelegrinazhi për të rinjtë e shkollave në Shqipëri e në Kosovë, që të shkojnë në Manastir e të mos i lënë vetëm manastirlinjtë. E të mos harrojme, Manastiri i alfabetit gjendet në Maqedoni, ku ende sot shqiptarët luftojnë për të pasur barazi kushtetuese në gjuhë e të drejta, e për të pasur zhvillim përkundër diskriminimit.