Të nderuar qytetarë të Kosovës
Ne, grupi i ekspertëve të pavarur me angazhimin tonë profesional jemi munduar që qytetarëve të vendit dhe deputetëve të ju sjellim sqarimet e nevojshme profesionale për procesin e demarkacionit me Malin e Zi. Këto sqarime kanë qenë të nevojshme duke marrë parasysh jo transparencën e këtij procesi nga ana e Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe qeverisë.
Ne nuk jemi palë interesi në këtë debat shoqëror, por natyrisht që e ndjejmë obligim intelektual dhe qytetar të reagojmë për të gjeturat e këtij procesi, të cilat bien ndesh me interesin e vendit.
Më datën 3 Gusht 2016, ne jemi përgjigjur ftesës për të kontribuar në sqarimin e problemit të humbjes së territorit të Kosovës përmes demarkacionit me Malin e Zi. Në atë takim, komisioni shtetëror dhe qeveria nuk patën përgjigje për shume çështje të cilat këtë proces e karakterizojnë si jo të rregullt dhe të kontestuar.
Përcaktimi i një vije të re kufitare mes Kosovës dhe Malit te Zi, e ndryshme nga ajo e vitit 1974-1988, jo që bie ndesh me vetë mandatin e këtij komisioni, por ky kufi nuk është argumentuar me asnjë kriter. Kjo argumentohet edhe me faktin se as kriteri kadastral nuk është respektuar nga ana e këtij Komisioni, sepse nuk ka përputhje te hartave kadastrale nga njëra ane dhe tjetra. Gjithashtu me datën 3 Gusht 2016, nuk është dhënë përgjigje në zotimet nga komisioni, se përgjatë gjithë vijës kufitare, palët kanë ofruar harta kadastrale dhe dokumente përcjellëse.
Përputhja e vetëm një parcele kadastrale nga njëra anë dhe tjetra, përgjatë kufirit 80km mes Kosovës dhe Malit te Zi nuk u dëshmua as në konferencën e datës 9 Gusht 2016, që Komisioni shtetëror u mundua të paraqes si argument shtesë. Paralajmërimi se do të ofrojnë argumente shtesë për përputhjen e të dhënave kadastrale nga ana Malazeze nuk u arrit.
Të gjitha të dhënat që u ofruan në këtë konference janë dokumente jo relevante për kufirin, sepse nuk u paraqit asnjë dëshmi për vijën kufitare por për thellësinë territoriale të Malit të Zi dhe Kosovës. Të dyshimta ishin edhe argumentet për shfrytëzuesit e kullosave, ku nuk u argumentua se për cilat vende-kullosa bëhej fjalë, kur dihet fakti që qytetarët kërkesat e tyre i kanë drejtuar për të shfrytëzuar kullosat të cilat gjinden në anën tjetër të kufirit përkatësisht në territorin Malazez.
Sa i përket hartës se paraqitur, ajo nuk ishte harte kadastrale me parcela dhe është pjese e dokumentacionit të publikuar nga komisioni, të cilën grupi i eksperteve e ka konsideruar jo valide. Kjo hartë ka ndërhyrje kohore nga Mali i Zi dhe e bën jo valide si dokument zyrtar, ajo hartë gjithashtu nuk përmban asnjë parcelë të vetme kadastrale e cila mund te kufizohet me parcelat nga ana e Kosovës. Neve do të na mjaftonte vetëm një parcele kadastrale me numër dhe koordinata përgjatë 80km të vijës kufitare dhe do te bindeshim për këtë përputhje. Këtë komisioni nuk mundi ta dëshmoje, sepse kjo as që është e mundur të dëshmohet. Fakti që Mali i Zi nuk posedon kadastër për ketë pjese, nuk potencohet vetëm nga ne por nga te gjitha dokumentet zyrtare të qeverisë Malazeze.
Hartat topografike të paraqitura nga Komisioni shtetëror ishin gjithashtu jashtë kornizave ligjore dhe me ndërhyrje me vija digjitale. Grupi i ekspertëve me dt. 03 .08. 2016 para publikut dhe deputetëve ka shpalosur një numër te madh te hartave topografike të cilat e definojnë çartë vijën administrative ndarëse mes Kosovës dhe Malit te Zi. Pra, Komisioni shtetëror tentoi të paraqes argumente të reja, por të njëjtat nuk i debatoi përballë grupit tonë me datën 3 Gusht 2016. Dhe në fund, shtrohet pyetja: Ku dhe nga kush i morri Mali i Zi këta hektarë tokë që po zmadhohet sipërfaqja e këtij shteti pas demarkacionit dhe po e ndryshon shume sipërfaqen zyrtare te këtij shteti?