Komandant Salih Çekaj është simbol i fitores së lirisë mbi robërinë

SHKRUAN: HAKI LATIFI

Komandant Salih Çekaj, ‘’Veterani’’ është simbol i trimërisë, urtësisë, sakrificës dhe paqes.
Ai, është simbol i fitores së Lirisë mbi robërinë.

Sot, bëhen 20 vjet nga rënia heroike e atdhetarit, intelektualit dhe Heroit të kombit, Salih Çekajt-Veterani. Janë 20 vjet të përjetësimit të Tij në piedestalin më të lartë të historisë së kombit për lirinë e Kosovës, Komandantit dhe Intelektualit Salih Çekaj-Veterani.

Salih Çekaj, padyshim është ndër figurat më kohërente dhe ndër prijëtarët e UÇK-së. Organizator i ushtrimeve përgatitore ushtarake, së bashku me KOMANDANT Adem JASHARIN, heroin e kombit Zahir Pajazitin dhe me 34 shokë në grup në Shqipëri gjatë viteve 1990-1991.

Krisma e pushkës së Salih Çekaj dhe organizimi i njësive ushtarake në Koshare, ishte shembull më i mirë për zonat t’jera të luftës në të cilën u bënë krah i fortë i betejave për lirinë e Kosovës.

Rënia e Heroit Salih Çekaj, 20 vjet më parë në betejën e madhe të Kosharës, u bë simbol i thyerjes së kufirit që padrejtësisht me shekuj i kishte ndarë shqiptarët, për të cilin ideal brez pas brezi u flijuan shqiptarët.

Ai, ishte një nga prijësit parë të rrugës për pavarësi dhe formim të Brigadave të para të luftës çlirimtare në mbrojtje të Kosovës.

Salih Çekaj ishte komandant me vizion dhe strategji të lartë ushtarake. Angazhimi i tij në fushën e komandimit, mobilizimit, stërvitjes, vëzhgimit e furnizimit janë tregues realë për rolin e tij dominant në jetësimin e idesë së operacionit me përmasa të gjera luftarake, sidomos në betejën e Koshares.

Heroi Salih Çekaj me dijen, përvojën dhe pjekurinë kombëtare që kishte, ishte i vetëdijshëm se institucionet shtetërore të krijuara në fillim të viteve të 90-ta, nuk do të funksionojnë dhe as që do të jetësohet Kushtetuta e as do të realizohet Referendumi pa pasur Republika e Kosovës Ushtrinë dhe Policinë e saj. Ndikimi i tij ishte i madh jo vetëm në Gjermani dhe Zvicër, ku kishte veprimtar dhe shokë, por edhe në Kosovë.

Sot, përulemi me respekt të madh, para veprës së Salih Çekaj, i cili u bë një me Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Edhe atëherë, kur dhuna serbe e detyroi të bënte hapin nga beteja civile në atë ushtarake, Salih Çekaj ishte një figurë me ndikim të madh. Ai gëzonte autoritet, por mbi të gjitha ishte vet i vendosur dhe në këtë mënyrë arriti të përfitojë figura të fuqishme për luftën e përbashkët. Arriti të përfitojë më të mirët për të luftuar në kuadër të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, në urdhrin e komandantit suprem, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.

Formimi i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Salih Çekajn e gëzoi pa masë. Një gjë të tillë e kishte kërkuar nga udhëheqja e Kosovës shumë vjet më parë. Ai ishte i bindur se pa një luftë të armatosur në momentin e duhur, nuk mund të arrihet çlirimi dhe bashkimi kombëtar. Pra, kishte bindje të plotë se duhet kombinuar dy format e luftës për çlirimin e Tokave Shqiptare, atë paqësore dhe të luftës së armatosur.

Salih Çekaj e dinte se sa herë shqiptarët kanë humbur në të kaluarën, gjithmonë kjo ka ndodhur për shkak se atyre u ka munguar një qendresë e bashkërenditur. Dhe esenca e verpimtarisë politike të Salih Çekajt e cila përmblidhet pikërisht në këtë konstatim: Salih Çekaj mbi të gjitha, në politikën e tij e kishte nocionin e një bashkimi kombëtar të disiplinuar. Ai e forcoi në diasporë një element të rëndësishëm të platformës politike të LDK-së, integrimin dhe harmonizimin e të gjitha energjive të kombit që e shpiejnë në një bashkim mendor e shpirtëror në përpjekje për pavarësinë e Kosovës. Këtë ai e konsideron si pikën e parë të vijës së urtë politike që ka për të sjellë në dritë popullin e Kosovës.

Salih Çekaj, pra nuk ishte i zakonshëm. Ai kishte karakter të jashtëzakonshëm, virtyte të jashtëzakonshme, sjellje të jashtëzakonshëm dhe shokë të idealit kombëtar të jashtëzakonshëm.

Pra, i tillë ishte Salih Çekaj, andaj i pavdekshem është edhe emri i tij.

Lavdi dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për luftëtarin e lirisë, Heroin Salih Çekaj dhe për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top