KOLONEL AHMET KRASNIQI – STRATEG DHE VIZIONAR I PASHOQ I ARTIT USHTARAK

SHKRUAR NGA AGIM MEHMETI, 19.09.2008

U bënë plot dhjetë vite që kur plumbat e tradhtisë u zbrazën në trupin e atdhetarit, ushtarakut dhe Kolonelit Ahmet Krasniqi. Kosova mbeti pa Ministrin e parë të Mbrojtjes, ne mbetëm pa shokun dhe kolegun tonë të shtrenjtë, familja e tij pa më të dashurin e vet. Strateg dhe vizionar i pashoq i artit ushtarak, i lindur në kohët më të vështira në të cilat kalonte kombi, në një familje shumë të shquar të Zhilivodes patriotike, i rritur me sakrifica dhe varfëri, i përndjekur dhe i përbuzur, ia doli të kryente shkollat më të larta në armaten jugosllave.

Kur flakët e luftës e përfshinë Slloveninë, Kroacinë e Bosnen, ai e ndihmoi Kroacinë në ngritjen e ushtrisë së saj, pa u inkuadruar në majat e pushtetit dhe ushtrisë kroate, sepse synim e kishte popullin e vet dhe Kosoven. Në këtë pritje, atij iu desht që të mbijetonte. Kreu punë të vështira nëpër Kroaci, si punëtor krahu, duke u përkujdesur për familjen, në veçanti për shkollimin e fëmijëve Teutes dhe Florentit. Kur flakët e luftes iu afruan Kosovës, ai nuk u hamend dhe pa asnjë hezitim iu përvesh punës në organizimin e Forcave të Armatosura të Republikes së Kosovës. Me fillimin e shpartallimit të Jugosllavisë, pjesa e ndërgjegjshme e oficerëve shqiptarë e braktisi armatën jugosllave. Pjesa dërmuese e tyre u strehua në Zvicër dhe Gjermani.

Prej vitit 1991, edhepse në rrethana bukur të vështira, herë me mbështetje nga Qeveria në egzil, e më shpesh pa mbështje të saj, me një ndërgjegje dhe përkushtim të pamohueshëm, oficerët shqiptarë në këto shtete, me mbështetje edhe nga kolegët e tyre në shtetet tjera, iu përveshen punës në organizimin e sistemit të mbrojtjes të Kosovës. Megjithë kushtet e vështira të veprimit, u bë një punë e mirë dhe me fillimin e rezistences armatosur në Kosovë, erdhi momenti i shumëpritur që të kryheshin veprimet e para taktiko operative në terren.

Me kalimin në shkallë më të lartë të veprimeve, duke i studiuar dhe vlerësuar rrethanat e përgjithshme, posaqërisht duke vlerësuar realisht potencialin e armikut, vendosëm që detyren e ushtarakut më të lartë të Forcave të Armatosura të Republikes së Kosovës t’ia besonim kolonel Ahmet Krasniqit, gjithnjë duke u bazuar në përgadijen e tij profesionale, të kaluaren patriotike të tij, familjes së tij, e në veçanti përkushtimit të tij për të luftuar deri në sakrificë. Vlerësimi dhe vendimi ynë ishte me vend dhe shumë i qëlluar. Ishim të bindur se me kolonel Ahmet Krasniqin do të ndërtonim një ushtri moderne çfarë i nevojitej Kosovës. Në pranveren e vitit 1998, Kolonel Ahmet Krasniqi, së bashku me shumicen e bashkëpunëtorëve, kaloi në Shqipëri me qëllim fuqizimin e Forcave të Armatosura. Vështirësitë që haseshin në Shqipëri nga grupe të llojllojshme, sabotimet e përditshme dhe sistematike që beheshin, nuk na trembnin. Por, siç dëshmoi koha më vonë, megjithë përpjekjet sistematike të Kreut të Shtabit të Ministrisë së Mbrotjes për sistemimin dhe unifikimin e rezistences ushtarake, gjërat me kalimin e kohës moren rrugë jo të mbarë. Shantazhet, sabotimet, shpifjet, pengesat, kërcënimet me likudime, na u bënë përditshmëri.

Në këto kushte dhe rrethana, qe bërë gati e pamundshme kalimi në faza më të larta të organizimit të Forcave të Armatosura të Republikes së Kosoves. Vetëm vullneti i madh, obligimi dhe dashuria ndaj popullit dhe atdheut, na shtynin pandërprerë që të bënim lëshime dhe sakrifica të cilat asnjë ushkarak i shkolluar i asnjë ushtrie në botë, as në rrethana lufte e as ne rrethana paqe nuk do t’i bënte. Përkundër lëshimeve të shumta, të cilat bëheshin me qëllim unifikimi dhe ndërgjegjësimi të njerzëve, pasiqë ishim para rrezikut të çfarosjes totale të qenies sonë biologjike, një pjesë jo e ndergjegjshme e njerzve tentonin dhe vepronin parreshtur në shkatërrimin e Institucionit të Ministrisë së Mbrojtes, me qëllim të dominimit të tyre në skenen politike dhe ushtarake. Kur gjitha këto trysni nuk bënë punë, planet vrastare antikombëtare, u aplikuan ndaj stafit udhëheqës të Ministrisë së Mbrojtes, e në veqanti ndaj Kolonelit tonë Ahmet Krasniqi.

Fatkeqësisht, këto plane ogurzeza të përpiluara në kuzhinat më antikombëtare, dreqi e merr vesh prej sa e sa shërbimeve, u realizuan me ekzekutimin e Kolonel Ahmet Krasniqit, para 10 viteve, mu në zemër të Tiranes, para syve të Shërbimit Intelegjent të Qeverisë shqiptare. Me vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqit u zvogëlua mundësia për ngritje në nivel të lartë të një force moderne ushtarake të Republikes së Kosovës. Fatkeqsisht, me vrasjen e tij shumë çka mori tatpjetën. Kaluan dhjetë vite. Ekzekutorët dhe urdhëdhënësit e ekzekutimit të Ahmet Krasniqit nuk u zbuluan për t’u gjykuar dhe për të marrë marrë denimin e merituar. Shumë gjëra kanë mbetur pezull. Një nxerje para drejtësisë të kriminelëve dhe shkruarja e drejtë e historisë, do të lehtësonte sadopak dhembjen për humbjen e Kolonel Ahmet Krasniqit.

Shpresojmë se drejtësia e shtetit shqiptar do të nisë procedurat për zgjidhjen e kësaj vrasje të bërë nga tradhtarët e kombit. Me një gjykim të drejtë, shumë gjëra, shumë paturpësi, shumë tradhti, do të dalin në siperfaqe dhe populli do të këtë një pasqyrë të vërtetë të rrjedhave të përgjithshme të kohes së luftës, sepse historia me rrena, mashtrime e krime nuk shkruhet.

Emri dhe vepra e kolonel Ahmet Kransiqit do të jetë e shkruar me shkronja të arta në historinë e popullit shqiptar.
Lavdi jetës dhe vepres së Kolonel Ahmet Kransiqit!

https://youtu.be/W6XVD1mFzVw

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top